I- Kur Edipi dhe Frojdi takohen sërish
Vërtet të rralla janë ato figura të letërsisë botërore të cilave u është dashur të përshkojnë rrugë më të çuditshme sesa ajo e mbretit Edip. Një ndër prodhimet më të famshme athinase, i shkruar me synimin për tu mbajtur mend si mbreti tragjik i cili zgjidhi enigmën e sfinksit, sot ai e gjen veten në rrethana të panjohura, mes sallave të leksioneve të psikanalizës. Atë çka Sofokliu përfytyronte si një tragjedi, Zigmund Frojd do ta shndërronte në çelësin universal të psikikës njerëzore. Ne sot mund të themi me bindje të plotë se mbreti i Tebës është rrëzuar nga froni i tij prej mjekut austriak, dhe emri i tij, Edip, ka më shumë gjasa të sjellë në mendje divanin vjenez sesa skenën athinase që e krijoi.
Në tragjedinë “Edipi Mbret” të Sofokliut, Edipi portretizohet si një mbret i drejtë, dhe një kërkues i patundur i së vërtetës. Pasi merr vesh prej Kreontit se murtaja do të vazhdojë për aq kohë sa vrasësi i Lajit nuk është ndëshkuar akoma, ai deklaron: “Të gjitha këto do t´i nxjerr sërish në dritë… do të marr shpag për këtë vend dhe për perëndinë.” Ai thërret si fillim profetin e verbër Tiresia, i cili në fillim shpreh vetëm se: “..këtë fort mirë e di, por e lashë të më shkasë prej mendjes”. Prej kësaj, Edipi do të mallkonte dhe fyente plakun, duke shkuar deri aty sa e akuzon për vrasjen. Këto fjalë provokojnë profetin të zbulojë se vetë Edipi ishte vrasësi. Një fakt të cilin Edipi nuk do ta besonte, duke e quajtur atë të çmendur. Përpara largimit të tij nga skena, Tiresia do të shprehte edhe se: “ Madje, ka për t´u zbuluar se është baba dhe vëlla i fëmijëve të tij, se është bir dhe bashkëshort i gruas që e lindi, por njëkohësisht me të atin ndan të njëjtin shtrat dhe është vrasës i tij…”
Pikërisht mbi këto “themele” do të ndërtohej teoria e Frojdit shekuj më pas. Në veprën e tij “Interpretimi i ëndrrave”, ai rimerr kronologjinë e mitit për të nxjerrë në pah lidhjen e tij me psikikën njerëzore, duke ngritur prej tij një hipotezë dramatike: “Fati i tij na prek vetëm sepse mund të ketë qenë i yni – sepse orakulli na vuri edhe ne të njëjtin mallkim përpara lindjes sonë… Është fati i të gjithëve ne, ndoshta, të drejtojmë impulsin tonë të parë seksual drejt nënës sonë dhe urrejtjen tonë të parë dhe dëshirën tonë të parë vrasëse kundër babait tonë. Ëndrrat tona na bindin se kjo është kështu… Mbreti Edip, i cili e ka vrarë të atin, Lain, dhe është martuar me të ëmën, Gjokastën, nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka realizuar dëshirën e fëmijërisë sonë.” Ky ishte momenti në të cilin nga drama e Sofokliut lindi “kompleksi i Edipit”.
Kjo ndërethurje e Edipit klasik me psikanalizën (duke e kthyer legjendën në temë studimi), i dha mitit jetë të re në mendjen bashkëkohore. Për fatin e keq, jo të gjithë sot e shohin këtë bashkëpunim si “të duhurin”. Në disa raste në diskutimet e mia më është dashur të ndeshem me njerëz të cilët duke njohur figurën e mbretit të Tebës, bëhen kuriozë për kompleksin që mbart emrin e tij, dhe pasi e dëgjojnë, menjëherë çuditen dhe nuk ndihen mirë. Gjithasht kam hasur një rast më problematik, në të cilin personi njihte Edipin vetëm përmes Frojdit, kështu duke humbur gjithë interesin për veprën e Sofokliut. Madje deri në pikën ku haptazi më është shprehur se nuk kishte dëshirën të dëgjonte më shumë. Kur Frojdi arrin në përfundime si: “(Edipi) nuk është asgjë më shumë ose më pak se një përmbushje e dëshirës së fëmijërisë sonë”, për ta ai është duke reduktuar tragjedinë në një fantazi primare. Kërkimi heroik për përgjegjësi dhe për të vërtetën hyjnore për ta tashmë ka rënë nën hijen e temës së dëshirave seksuale të fëmijërisë. Me fjalë të tjera, psikanaliza sipas tyre duke i dhuruar Edipit një dimension të përjetshëm (si aksioni simbolik i tensionit djalë–nënë–babë), është duke zhveshur prej tij tërësinë e substancës tragjike.
Është me të vërtetë për të ardhur keq që figura e Edipit të shihet shpesh vetëm nën dritën e reduktuar të kompleksit frojdian, sikur gjithçka që ka mbetur nga tragjedia e Sofokliut të ishte vetëm një metaforë e fshehur e dëshirave të pavetëdijshme. Në të vërtetë, Frojdi nuk kishte si qëllim të zhvlerësonte dramën klasike, as të përçmonte dimensionin e saj etik, fetar apo politik. Nëse ne do të privonim Edipin nga letërsia greke dhe do ta shihnim vetëm nëpërmjet optikës së Frojdit, do të humbisnim një pjesë të madhe të fuqisë që ky personazh mbart (kërkimin e pambarim për të vërtetën, kurajën për të parë në sy fajin, dhe rrëzimin e pashmangshëm që e shndërron në simbol të fatit njerëzor). Po kështu, nëse do të përjashtonim interpretimin psikanalitik, do të humbisnim një shpjegim të guximshëm për mekanizmat e pavetëdijes që vazhdojnë të ndikojnë jetën tonë sot.
Prandaj, më e drejtë do të ishte që këto dy figura të lexohen krah për krah, jo si rivale, por si bashkëthemeluese të një trashëgimie e cila i jep Edipit një jetë të dyfishtë. Nga njëra anë, mbreti tragjik i Sofokliut, shembulli i pafuqisë njerëzore përballë fatit, dhe nga ana tjetër, figura e pavdekshme frojdiane, e cila shndërrohet në një model të brendshëm të çdo individi. Dy rrëfime, dy qëllime, por një synim i përbashkët : Të mbajmë gjallë kujtimin e mbretit të Tebës për brezat e ardhshëm.
II- Mersoi dhe Gregor Zamza përballë superegos
Ekzistenca, në romanin modernist, shpesh fillon aty ku shembet kuptimi. Brenda veprave “I huaji” nga Albert Kamy dhe “Metamorfoza” nga Franz Kafka, individi qëndron i zhveshur nga iluzioni, përballë një shoqërie e cila kërkon nënshtrimin e tij të plotë ndaj ligjeve të saj. Si Mersoi, ashtu edhe Gregor Zamza, shtypen nga këto pritshmëri shoqërore, jo pasi arrijnë të rebelohen me zë të lartë, por sepse nuk mund të gënjejnë dot plotësisht si të tjerët. Refuzimi i tyre për t’u nënshtruar, i dënon me vdekje. Parë përmes lentes së psikoanalizës, të dy burrat bien viktimë e të njëjtit mekanizëm psikik. Forcës së pamëshirshme të superegos.
Frojdi e përshkroi superegon si një përbërës moral të psikikës njerëzore, i cili përfaqëson rregulla të përvetësuara nga prindërit ose shoqëria, të cilat veprojnë për të komanduar, ndaluar dhe gjykuar sjelljen. Këto rregulla mbështesin qytetërimin, por edhe skllavërojnë.
Tragjedia e Mersoit fillon në momentin kur ky përbërës nuk arrin të gjejë vend brenda tij. Ngrirja e tij emocionale, indiferenca e tij ndaj vdekjes së mamasë, mungesa e pendimit për vrasjen, nuk janë mizori, por refuzime për të falsifikuar ndjenjat. Superegoja kërkon pikëllim, pendim dhe devotshmëri, ndërsa Mersoi hesht. Gjyqi që më pas e dënon, ka të bëjë më shumë me dështimin e tij për t’u përshtatur sesa me krimin e bërë. Ai bëhet fajtor, jo pasi vret, por sepse nuk e urren veten për vrasjen që ka bërë.
Gregor Zamza, në të kundërt, tretet nga superegoja që në fillim. E gjithë jeta e tij përpara metamorfozës, është një jetë nënshtrimi dhe sakrifice. Ai punon papushim për të mbështetur familjen e tij mosmirënjohëse, duke shtypur çdo lloj pakënaqësie ose dëshire. Në momentin që ai zgjohet si një insekt, trupi i tij manifeston atë që psikika e tij ka duruar prej kohësh. Forma e tij monstruoze është thjeshtë superegoja e bërë e dukshme (trupi i shtypur nga kërkesat e të tjerëve). Ndërsa vdekja e tij, ashtu si ajo e Mersoit, janë momentet kur shtrëngimi i superegos thyhet më në fund.
Kështu, ajo që gjejnë ata në fund, në mënyrë paradoksale, është paqja. Duke humbur gjithçka që shoqëria njeh si njerëzore (statusin, moralin, madje edhe formën fizike), ata rikuperojnë njëfarë “njerëzimi më elementar dhe real”. Kështu, ne mund ti lexojmë vdekjet e tyre jo si pika fundore tragjike, por si çlirime nga tirania e superegos. Shoqëria, duke kërkuar nënshtrimin e tyre, i shkatërron. Megjithatë, pikërisht brenda shkatërrimit, ata arrijnë të vetmen formë të autentike të mundshme në universet e tyre shtypëse.
III- Tre përjashtimet: Raskolnikov, Ema Bovari dhe Medea
Të përjashtuarit, janë ai klas i individëve të cilët ndihen “mbi” rregullat e përbashkëta morale të një shoqërie, për shkak të vuajtjeve të tyre të mëparshme ose ndonjë ndjenje epërsie personale. Ata mund ta justifikojnë një sjellje të tillë nën pretekstin se: “Ne kemi hequr dorë dhe vuajtur mjaftueshëm, prandaj kemi të drejtë të shpëtohemi nga çdo kërkesë tjetër dhe mos të përulemi më. E gjitha kjo pasi ne jemi përjashtime dhe do të mbetemi të tillë.” Sjellje dhe justifikime të ngjashme, krahas punës psikanalitike dhe shembullit të dhënë nga Zigmund Frojd, ne e hasim në tre prej figurave më të famshme të letërsisë botërore: Raskolikov, Medea dhe Ema Bovari.
Çështja I- Rodion Raskolnikov
Raskolnikovi, protagonisti i romanit “Krim dhe ndëshkim”, fsheh padrejtësinë e dënimit personal pas një teorie “madhështore”, ku ai përfytyron veten e tij si një “njeri i jashtëzakonshëm”, më i lartë se masa njerëzore, i cili ka të drejtën të shkelë ligjin në emër të qëllimeve të mëdha. Kështu ai përpiqet të justifikojë vrasjen e një gruaje të vjetër fajdexhie, duke nxjerrë në pah narcizmin e tij. Ai arsyeton krimin mbi baza egoiste. Jo për dobi të njerëzimit, si ndonjë Napoleon ose Çezar, por për t’u ndjerë i fuqishëm dhe unik.
Ndërkohë, pas veprimit, krenaria i shndërrohet në neurozë. Ndjenja e fajit e ndjek atë nga pas, jo sepse ka vrarë, por sepse nuk ishte mjaft “i jashtëzakonshëm” për të përballuar krimin. Kjo është përplasja e tij frojdiane mes narcizmit dhe privilegjit moral. Ai mendon se vuajtja e tij e brendshme i jep të drejtë për liri absolute (ky një vetëjustifikim i sëmurë), i cili më pas e shndërron atë në përjashtim tragjik. Pikërisht si do të parashikonte mjeku austriak, dhimbja, në rastin e Raskolnikov, nuk do të prodhonte empati, por arrogancë dhe një dëshirë për të qenë mbi fajin, ligjin, dhe vetë njerëzimin.
Çështja II- Medea (Euripidi)
Në anën tjetër qëndron Medea, përjashtimi i ndjeshëm dhe i hakmarrës. Ajo shfaqet për ne si gruaja e cila sakrifikoi gjithçka (shtëpinë, vëllain, nderin etj), për burrin të cilin dashuronte, Jasonin. Kur ky i fundit e lë pas atë prej ambicieve të tij vetjake, ajo shpërthen. Ky, një reagim tërësisht i arsyeshëm nga ana e saj, duke u bërë tashmë një përjashtim frojdian. Ajo mendon se është bërë një padrejtësi e paprovokuar ndaj saj, dhe për këtë arsye e pozicionon veten mbi çdo kufi moral dhe etik. Kështu lind akti i saj i papërfytyrueshëm, vrasja e fëmijëve.
Pranë fundit të tragjedisë nga Euripidi, ajo ngrihet mbi re, në karrocën e Heliosit, duke e lënë Jasonin të rrënohet mes tokës e fajit. Këtu, duket sikur edhe dramaturgu grek po na e bën të qartë përjashtimin e saj nga kufijtë morale, madje duke e ngritur atë në nivelin e “përjashtimit hyjnor”. Medea bëhet dëshmia e idesë frojdiane se kur njeriu ndjen se dhimbja e ka shenjtëruar, ndërgjegjja pushon së funksionuari. Përmes saj, ne shohim se hakmarrja mund të shndërrohet në formë të çlirimit, por vetëm për atë që nuk ka më asgjë për të humbur.
Çështja III- Ema Bovari
Ema Bovari, ndryshe nga të dy të parët, është përjashtimi i butë, i cili lind nga zbrazëtia. Brenda romanit nga Gustav Flober, ajo nuk vret asnjeri tjetër, por vetëm veten e saj. Ajo është viktima e një bote të ngushtë, dhe një jete pa ngjyrë. Që në fillim ajo ëndërron jetën e një gruaje të romanit romantik, me dashuri të zjarrta, udhëtime, pasione dhe tronditje. Por realiteti i saj është tërësisht i kundërt, kjo pasi Ema priste të jashtëzakonshmen brenda të zakonshmes. Për këtë arsye, ajo ndihet jo vetëm e zhgënjyer, por edhe e mashtruar. Kështu fillon të kërkojë ekstazë në tradhti, në borxhe, në luks, dhe në çfarëdolloj forme arratisjeje. Ashtu si Raskolnikovi, ajo kërkon ta tejkalojë kufirin moral për të provuar veten, dhe ashtu si Medea, ajo ndien se dhimbja e saj e tejkalon gjykimin e të tjerëve. I vetmi ndryshim mes saj dhe dy shembujve të parë, do të ishte drejtimi i veprimit. Ndërkohë që Rashkolnikovi dhe Medea, pasi formojnë idetë e përjashtimit të tyre, i drejtojnë ato tek të tjerët (fajdexhia plakë dhe Jasoni), Zonja Bovari i drejton ato tek vetja e saj, duke shkuar në vetvrasje.