Përktheu: Qerim Raqi
Është një gëzim i madh për mua të jem në Frankfurt, ku protagonisti Ka në “Bora”, një nga romanet e mia, kalon pesëmbëdhjetë vitet e tij të fundit. Ka është turk. Ai nuk ka lidhje gjaku me Kafkën, por një lidhje farefisnore letrare. Do t’i kthehem farefisnisë letrare pas pak. Emri i vërtetë i Ka-së është Kerim Alakuşoğlu, por duke qenë se atij nuk i pëlqen emri, preferon shkurtesën. Ai erdhi në Frankfurt për arsye politike në fillim të viteve 1980. Në thelb, ai nuk është i interesuar për politikë; madje nuk e pëlqen fare. Ajo që i intereson atij është poezia. Heroi i romanit tim është pra një poet që jeton në Frankfurt. Në Turqi, pa fajin e tij, ai është bërë një viktimë politike. Nëse premton koha, edhe unë sot dua të them disa fjalë për politikën si një aksident. Ka shumë për të thënë. Por mos u shqetësoni: romanet e mia janë të gjata, por fjalimi im do të jetë i shkurtër.
Për të dhënë një përshkrim deri dikund të besueshëm të Frankfurtit të viteve 1980 dhe fillimit të viteve 1990 në romanin tim, ku Ka-ja ka kaluar vitet e fundit të jetës së tij, unë vizitova qytetin pesë vjet më parë, në vitin 2000. Dy persona që janë me ne sot këtu më ndihmuan shumë atë kohë dhe ishin ata që më çuan në parkun e vogël afër Gutleutstrasse, pas ndërtesave të vjetra të fabrikës ku heroi i romanit kaloi vitet e tij të fundit. Për të krijuar një ide sesi shkonte Ka çdo mëngjes nga banesa e tij në bibliotekën e qytetit, ku qëndronte pastaj për disa orë, ne ecëm nga sheshi i stacionit përgjatë Kaiserstrasse, kaluam dyqanet pornografike atje, frutoret turke, stendat e qebapave dhe sallonet e berberëve në Münchenerstrasse deri në Hauptwache; kaluam edhe kah kisha ku jemi ulur tani. Hymë në Kaufhof, ku Ka-ja kishte blerë pallton e tij, për të cilën ishte aq i lumtur dhe krenar dhe e përdorte për vite me radhë. Gjatë dy ditëve vizituam lagjet e vjetra, të varfra ku jetojnë turqit, xhamitë, qebapshitësit, shoqatat dhe kafenetë turke. Ky ishte romani im i shtatë, por mbaj mend që sillesha pothuajse si një fillestar i shqetësuar aë është në procesin e shkrimit të veprës së tij të parë, duke ecur me një bllok shënimesh dhe duke bërë pyetje të panevojshme të detajuara, si “a kalonte tramvaji në këtë cep në vitet 1980” …
Të njëjtën gjë bëja në qytetin e vogël të Karsit në Turqinë verilindore, ku zhvillohet romani im – një vend për të cilin dija shumë pak. Kam bërë udhëtime të panumërta atje për t’u njohur me mjedisin; bëra miq dhe njoha qytetin rrugë më rrugë, dyqan më dyqan. Shkova në lagjet më të vetmuara dhe më të harruara të qytetit më të vetmuar dhe më të harruar të Turqisë dhe fola me të papunët që mbushnin kafenetë dhe që nuk kishin as më të voglën shpresë për të gjetur një punë, me nxënës të shkollave të mesme, me policë civilë apo me uniformë që më ndiqnin gjatë gjithë kohës dhe me redaktorët e gazetave, tirazhi i të cilëve nuk kalonte kurrë 250 kopje.
Nuk po i përmend të gjitha këto tani për t’ju treguar se si e kam shkruar romanin “Bora”. E them këtë për të arritur te një çështje që ka të bëj me artin e romanit, për të cilën po ndërgjegjësohem çdo ditë e më shumë: riformulimi i “tjetrit”, “të huajit”, “antagonistit” që ekziston në mendimet tona. Romanet shkruhen natyrisht për të treguar për njerëzit – për t’i imagjinuar ata në situata që, për mirë ose për keq, na kujtojnë situatat në të cilat jetojmë dhe i njohim vetë. Ajo çfarë duam nga një roman është, para së gjithash, të na tregoj për dikë të ngjashëm me ne, madje të na tregoj edhe për veten tonë. Ne tregojmë për një nënë, një baba ose një familje të ngjashme me tonën, një shtëpi të ngjashme me tonën ose diçka të ngjashme me rrugën tonë, një qytet të njohur ose vendin që njohim më mirë. Por ligjet e çuditshme dhe magjike të romanit transformojnë për një çast familjen, shtëpinë dhe qytetin tonë në diçka që mund t’i përkasë kujtdo. Shpesh është thënë se “Buddenbrooks” është një roman autobiografik i maskuar hollë. Por kur e lexova në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, e interpretova jo aq shumë si histori familjare të një autori të panjohur, por si një histori të përgjithshme familjare me të cilën mund të identifikohesha lehtësisht. Me anë të mekanizmave fantastikë të romanit, ne mund t’ia paraqesim historinë tonë mbarë njerëzimit si histori e dikujt tjetër.
Arti i romanit është, natyrisht, arti i të treguarit të historisë sonë sikur të ishte historia e të gjithëve. Por kjo është vetëm njëra anë e këtij arti të madh, i cili për katërqind vjet me gjithë fuqinë e tij, i mbajti lexuesit në tundim dhe i bëri autorët të trulloseshin nga kënaqësia. Ana tjetër e çështjes është ajo që më solli në rrugët e Frankfurtit dhe Karsit: Mundësia për të shkruar historinë e të tjerëve si tonën. Pra, ajo që ne përpiqemi të bëjmë është, që me ndihmën e romaneve të shkruara mirë, të zgjerojmë së pari kufijtë e të tjerëve, pastaj kufijt tanë.
Të tjerët bëhen “ne” dhe ne “tjetri”. E gjithë kjo ndodh njëkohësisht në roman; ne kemi mundësinë që në të njëjtën kohë të përshkruajmë pjesërisht jetën tonë si jetën e dikujt tjetër, pjesërisht ta portretizojmë jetën e të tjerëve si jetën tonë. Në fakt është edhe krejtësisht e panevojshme të shkosh nëpët rrugë dhe qytete të tjera, siç bëra në “ Bora”. Shumica e romancierëve mbështeten në imagjinatën e tyre për ta bërë veten dikë tjetër dhe për të shkruar për të tjerët sikur të ishin vetvetja. Për të shpjeguar më mirë atë çfarë dua të them, do të përdor shembullin e mëposhtëm për të zhvilluar idenë e lidhjes farefisnore letrare: “Çfarë do të ndodhte nëse do zgjohesha një mëngjes dhe të zbuloja se isha një kacabu gjigant?” Pas të gjitha romaneve të mëdha, besoj, qëndron një shkrimtar që ka dëshirën të ekspozohet në formën e dikujt tjetër, një krijim për të shtyrë kufijtë e tij. Të imagjinosh se sa të neveritur dhe të frikësuar do të ishin të tjerët në shtëpi, nëse një mëngjes do të rrotulloheshe rreth mureve dhe tavanit si një kacabu gjigant dhe sesi prindërit do të të gjuanin mollët, nuk të ndihmon të fillosh të hulumtosh insektet, por duhet të bëhesh Kafkë dhe .., ndoshta duhet paksa kërkim megjithatë, para se të vendosim veten në vendin e dikujt tjetër. Gjëja kryesore për të cilën duhet të mendojmë në këtë kontekst është: Kush është ky “tjetri” për të cilin duhet të krijojmë një imazh?
Ky person është ndryshe nga ne dhe apelon tek instinktet tona më primitive – reagimet refleksive si ikja, sulmi, neveria dhe frika. Ne e dimë se këto reagime mund të vënë në lëvizje imagjinatën dhe shkrimin. Me rregullat e artit që duhet të ndjekë, “romancieri” kupton se identifikimi me këtë “tjetrin” do të sjellë diçka pozitive. Ai e di se përpjekja për të menduar në kundërshtim me atë që të gjithë të tjerët besojnë dhe mendojnë do ta lirojë atë. Historia e romanit mund të shkruhet si histori e vendosjes së vetes në vendin e dikujt tjetër dhe përdorimit të imagjinatës për të transformuar dhe çliruar veten.
”Robinson Crusoe” është sa një histori për skllavin e Premte, aq edhe për vetë Robinsonin. ”Don Kishoti” është po aq një roman për shërbëtorin Sanço Panço si një kalorës i humbur në botën e librave. Romanin më brilant të Tolstoit, “Anna Karenina”, preferoj ta lexoj si një roman në të cilin një burrë i martuar lumturisht imagjinon një grua që rrënon martesën e pakënaqur në të cilën jeton. Tolstoi mësoi nga një tjetër shkrimtar mashkull, Floberti, i cili, megjithëse vetë nuk ishte martuar kurrë, u përpoq të krijonte një imazh të të palumturës zonjës Bovary. Klasiku i parë i madh alegorik i romanit modern, “Moby Dick”i Melvilles, është një libër që, përmes historisë së një balene të bardhë, ilustron frikën nga e pazakonta dhe e devijuara në Amerikën e asaj kohe. Ne adhuruesit e letërsisë sot nuk mund ta imagjinojmë Jugun Amerikan pa imazhin e zezakëve që dikur u dha Faulkneri. Në të njëjtën mënyrë mendojmë se diçka mungon në veprën e një romancieri gjerman, i cili ka ambicie t’i japë zë gjithë Gjermanisë, por që nuk flet, haptas apo fshehurazi, për turqit apo shqetësimet që i rrethojnë. Nga ana ime, ndjej se diçka i mungon një romancieri bashkëkohor turk, i cili nuk shtiret për kurdët dhe minoritetet tjera apo elementet e errëta në historinë për të cilën nuk ju lejohet të flisni.
Politika e një romancieri nuk ka asnjë lidhje, siç besojnë disa, me mënyrën se si ai angazhohet në çështje politike ose në cilat shoqata, parti apo grupe bën pjesë. Politika e romancierit i ka rrënjët në aftësinë e tij për të fantazuar dhe për ta vënë veten në situatën e dikujt tjetër. Në sajë të kësaj aftësie, ai bëhet jo vetëm një person që zbulon rrethana njerëzore të pashprehura më parë, por edhe një zëdhënës i atyre që nuk arrijnë të dëgjohej zëri i tyre dhe zemërimin të cilëve askush nuk e vë re; ai bëhet zëdhënës i fjalës së shtypur dhe i gjërave që nuk janë folur. Romancieri nuk ka nevojë, siç më dukej kur isha i ri, të ketë ndonjë dëshirë të madhe për politikë, ose mund të jetë jashtë saj për një qëllim krejtësisht tjetër … Qëllimi i Dostojevskit me ”Shpirtrat e vdekur”, romani më i madh politik i të gjitha kohërave, ishte të polemizojë kundër simpaziesve rusë të perëndimëzimit dhe nihilistëve, por sot ne nuk e lexojmë kështu këtë roman; për ne ky është një libër që zbulon një sekret të madh për shpirtin e popullit sllav, për realitetin rus, një sekret që mund të zbulohet vetëm në formën e një romani. Ne nuk mund ta fitojmë këtë lloj njohurie duke lexuar gazeta dhe revista ose duke parë televizor. Këtë njohuri shumë të veçantë dhe unike, këtë njohuri shqetësuese dhe dërrmuese që na frikëson me thellësinë e saj dhe na ngatërron me gjithë thjeshtësinë e saj përmes tregimeve të historisë dhe jetës private të njerëzve dhe kombeve, e marrim duke lexuar me vëmendje e durim romanet e mëdhenj. Mund të them se, kur u ngrit tema, u ndjeva shumë pranë këtij sekreti të rrënjosur thellë në histori, këtë sekret që shpërfaqet mes poshtërimit dhe krenarisë, mes turpit dhe zemërimit, që Shpitrat e vdekur” të Dostojevskit i pëshpëritin në vesh lexuesit. Pas kësaj ndjenje afërsie qëndron – do të doja të thoja – dashuri-urrejtja dhe tensioni mendor i një shkrimtari që ndodhet mes dy botëve dhe që pa qenë vetë perëndimor megjithatë është mahnitur nga shkëlqimi i qytetërimit perëndimor.
Pra, tani arritëm në çështjen “Lindje dhe Perëndim”.
Duke marrë parasysh se si disa organe të shtypit në Perëndim e interpretojnë sot shprehjen “Lindje dhe Perëndim”, mendoj se gjëja më e mirë ndoshta do të ishte të mos them asgjë, ndërsa gazetarët të ngrenë këtë çështje shumë të pëlqyeshme për ta. Sepse në shumicën e rasteve, perceptimi është se vendet e varfëra të Lindjes nuk janë të përgatitura për t’u integruar me gjithçka që rekomandon Perëndimi dhe Amerika. Me këtë këndvështrim, bëhet një aluzion se kultura, mënyra e jetesës dhe politika e pjesës së botës nga vij unë është diçka që i mërzit njerëzit në Perëndim, madje mund të pritet që shkrimtarë si unë të propozojnë një zgjidhje për këto çështje. Këtu më duhet të shtoj menjëherë se një ton i tillë mospërfillës përfundimisht bëhet pjesë e problemit. Por sigurisht që ekziston një çështje reale mbi marrëdhëniet midis Lindjes dhe Perëndimit dhe se nuk bëhet fjalë vetëm për një qëndrim dashakeq nga ana e Perëndimit. Ka të bëj më shumë çështjen mes të varfërve dhe të pasurve, dhe paqes.
Në shekullin e XIX-të, Perandoria Osmane u përball me një sërë vështirësish në Perëndim; ndërsa perandoria u shkatërrua dhe pësoi disfata të njëpasnjëshme nga ushtritë të Evropës, xhonturqit dhe udhëheqësit e tjerë të mundshëm, madje edhe monarkët e fundit osmanë, u impresionuan nga epërsia dërrmuese e Perëndimit dhe filluan një sërë reformash perëndimore. E njëjta logjikë qëndron pas perëndimëzimit të Republikës moderne Turke dhe figurës së saj qendrore Kemal Ataturk-ut. Kjo reflekton në besimin se kultura e vjetër – traditat dhe rendi fetar i kohës – është ajo që e bënë Turqinë të varfër dhe të dobët. Edhe unë, që vij nga një familje e mesme e perëndimëzuar e Stambollit, herë pas here kam rënë pre e këtij nocioni me qëllim të mirë, por tepër të thjeshtë dhe të njëanshëm. Optimisti që synon perëndimin dëshiron të transformojë dhe pasurojë kulturën e tij dhe vendin e tij duke imituar Perëndimin. Lëvizja perëndimore osmano-turke, e cila veproi për ta bërë vendin e saj më të pasur, më të lumtur dhe më të fortë, ishte në të njëjtën kohë një lëvizje patriotike, lokaliste-kombëtare – apo quajeni si të doni. Por duke qenë se ata ishin perëndimorë të zellshëm, e shihnin të natyrshme që të kritikonin rrënjësisht disa nga tiparet vetanake kulturore dhe kombëtare, ata madje – sikurse njerëzit në perëndim – mund të gjenin defekte dhe elemente të jovlerave, megjithëse me ndjenja dhe metoda të ndryshme. Nga reagimet që kanë ardhur për romanet e mia po edhe nga kontaktet e mia me Perëndimin, gjithmonë kam ndjerë se kjo më vonë ngjall një ndjenjë tjetër, më të thellë dhe më komplekse – ndjenjën e “turpit”. Çështja e marrëdhënieve midis Lindjes dhe Perëndimit, ose me fjalë më apostrofuese për mua, midis traditës dhe modernitetit, ose midis vendit tim dhe Evropës, bazohet në një ndjenjë turpi që nuk mund të zhduket kurrë plotësisht. Unë gjithmonë jam përpjekur ta shoh këtë turp bashkë me ndjenjën krejtësisht të kundërt, atë të “krenarisë”; aty ku dikush tregon shumë krenari dhe epërsi, fshihet edhe turpi dhe poshtërimi i “tjetrit” – kjo është diçka që e dimë të gjithë. Ose dikush që është i fiksuar pas idesë së poshtërimit mund të na shfaqet si një nacionalist krenar. Romanet e mia janë shkruar duke u bazuar në materialin rreth këtij lloji turpi dhe krenarie, poshtërimi dhe zemërimi. Pasi unë vij nga një vend që troket në derën e Evropës, e di se sa e lehtë është që këto ndjenja delikate të ndizen herë pas here dhe të marrin përmasa të tmerrshme. Do të doja të flisja për këtë turp me të njëjtën pëshpëritje që ndjej kur lexoj romanet e Dostojevskit, sikur të zbuloja një sekret. Diçka që më ka mësuar romani është se ne mund të bëhemi njerëz të lirë, vetëm nëse guxojmë të ndajmë me të tjerët ndjenjat e turpit që kemi dashur t’i mbajmë të fshehta.
Që në pragun e kësaj lirie, megjithatë, filloj të ndiej në thellësi të zemrës sime se sa e vështirë është të përfaqësosh dikë dhe çfarë dileme morale është të përçosh fjalën e dikujt tjetër. Ndjenja e brishtë për të cilën kam folur – pavarësisht nëse është nacionalizëm, turp apo patriotizëm i ndjeshëm lokal – çon në ankth si në pasqyrën e romancierit ashtu edhe në imagjinatën e tij. Një realitet që mban sekrete ndjenjat e turpit që na ngjall, nëpërmjet imagjinatës krijuese të romancierit, bëhet një botë tjetër që nuk mund të jetë më e fshehtë, por duhet të dalë në sipërfaqe. Kur romancieri luan me ligjet që drejtojnë botën dhe gjeometrinë e fshehtë të jetës, si një fëmijë që luan me lodrat e tij dhe me një intuitë që ai vetë nuk e kupton plotësisht, lind një ankth tek të gjithë – familjet, shoqatat dhe komunitetet, të afërmit dhe njerëz të tjerë të afërm. Megjithatë, ky është një shqetësim që na bën të lumtur. Sepse kur lexojmë një roman, kemi ndjenjën se bota në të cilën jetojmë është një konstrukt, ashtu si përrallat dhe tregimet, dhe aty ekspozohen gjërat që kanë qenë të fshehura në familje, shkolla dhe shoqëri – dhe çfarë është më e rëndësishmja – falë romanit ne mund ta imagjinojmë këtë. Të gjithë e dimë se çfarë kënaqësie është të lexosh romane: na pëlqen të dëgjojmë se si një person bën rrugën e tij mes njerëzve të tjerë dhe se si mendja e tij ndikohet dhe ndryshon nga konfrontimet me botën. Është po aq emocionuese të ndjekësh vëzhgimet dhe përshkrimet e autorit mbi gjithë këtë që ka të bëjë me marrëdhëniet e njeriut me mjedisin dhe atë çfarë ka aty. Jemi të vetëdijshëm se ajo që lexojmë është edhe produkt i imagjinatës së autorit dhe material nga bota në të cilën jetojmë. Romanet nuk janë kurrë tërësisht fantazi, por asnjëherë krejtësisht realitet. Të lexosh një roman do të thotë të ndeshesh me një realitet që është aty sa rezultat i imagjinatës krijuese të autorit aq edhe i kuriozitetit të së kaluarës, përmes pjesëmarrjes sonë. Kur ulemi në një cep të dhomës ose shtrihemi diku me një roman në dorë, imagjinata jonë funksionon vazhdimisht dhe udhëton midis botës së romanit dhe botës sonë reale; duke lexuar romaninm, kemi filluar kështu të imagjinojmë diçka “tjetër”, me të cilën nuk kemi qenë në kontakt më parë dhe me të cilën nuk jemi vërtet të njohur. Ose bëjmë një udhëtim në shpirtin e dikujt që i ngjan shpirtit tonë. Unë i numëroj të gjitha këto detaje në mënyrë që tani t’ju tregoj për një imazh që shfaqet herë pas here në imagjinatën time. Ndonjëherë përpiqem që syri im i brendshëm të shohë në të njëjtën kohë secilin lexues, aty ku janë ulur me romanin e tyre në duar, mjedisin e tyre dhe struken në ndonjë kënd ose kolltuk. Në një moment të tillë më shfaqen para sysh një mijë e prapë një mijë lexues të tjerë nëpët qytete të ndryshme dhe vende të tjera të botës; ata lexojnë romanin dhe përpiqen të krijojnë një imazh të njerëzve dhe botës që autori ka krijuar. Ashtu siç ka bërë autori, lexuesi tani përdor imagjinatën e tij për të vënë veten në vendin e dikujt tjetër. Në këto momente, emocione të tilla si toleranca, përulësia, keqardhja, dhimbja dhe dashuria trazohen në shpirtin tonë; letërsia e mirë nuk ka të bëjë me prirjen tonë për të gjykuar, por me aftësinë tonë për të vënë veten në situatën e një personi tjetër.
Në ato momente kur përpiqem të përfytyroj të gjithë lexuesit e mi tek janë ulur në qytete dhe lagje të ndryshme, në rrugë dhe sheshe të ndryshme dhe e vënë në lëvizje imagjinatën e tyre, kuptoj se në thelb unë mendoj se si një komunitet, një grup, një komb – apo çfarëdo qoftë ai – mund të krijojë një imazh të vetvetes. Në ditët e sotme, besimet, grupet etnike dhe kombet e ndryshme e përdorin romanin për ta promovuar atë dhe diskutuar tezat e tyre më themelore. Prandaj ndodh që shumica prej nesh, pa e kuptuar, fillojmë të fantazojmë për shoqërinë apo grupin të cilit i përkasim vetë, edhe kur nxjerrim një roman të ri vetëm për t’u larguar nga mërzia e përditshmërisë dhe për t’u argëtuar. Kjo është ajo që e bën romanin kaq të pranueshëm ndaj zhgënjimeve, dobësive dhe komplekseve të kombeve të ndryshme, si dhe lumturisë dhe krenarisë së tyre. Romancierët bien vazhdimisht në pozicion të papëlqyer nga autoritetet për shkak të ndjenjave të tilla, dhe fatkeqësisht ka ende shembuj të intolerancës që nuk është e pritshme; romanet digjen dhe autorët ndiqen penalisht.
Jam rritur në një shtëpi ku njerëzit lexojnë romane.
Babai im kishte një bibliotekë të madhe dhe kur isha fëmijë ai më fliste për shkrimtarët e mëdhenj që sapo përmenda – Manin, Kafkën, Dostojevskin, Tolstoin, siç flasin baballarët e tjerë për pashallarët apo njerëzit e shenjtë. Të gjitha këto romane dhe autorë të mëdhenj u bënë pjesë e konceptit të Evropës për mua që kur isha fëmijë. Tani kjo nuk është vetëm sepse unë vij nga një familje e Stambollit që besonte sinqerisht te perëndimi dhe që me pafajësinë e tyre e shihnin dhe donin ta shihnin veten dhe vendin e tyre si më perëndimorë se sa ishin në të vërtetë … Një arsye tjetër pse ndodhi kështu është se arti i romanit është një nga llojet më të mëdha të arteve që janë shfaqur dhe zhvilluar në Evropë. Për mendimin tim, arti i romanit, krahas muzikës orkestrale dhe pikturës pas Rilindjes, është një nga gurët themeltar që e bëjnë Evropën Evropë dhe që kanë formësuar identitetin e saj. Nuk mund ta imagjinoj Evropën pa romane. Kjo vlen për mënyrën e të menduarit dhe të kuptuarit, shkrimin kreativ dhe aftësinë për të vënë veten në vendin e dikujt tjetër. Por është edhe sepse romanet janë dëshmitarë të një kulture dhe historie të tërë. Fëmijët dhe të rinjtë në shumë vende të tjera të botës kanë pasur kontaktin e tyre të parë real me Evropën përmes romaneve; unë jam një prej tyre. Le të kujtojmë kohët kur, në kufijtë e Evropës, një kontinent i ri ose një kulturë dhe qytetërim i ri ra në kontakt me artin romak dhe nëpërmjet tij u frymëzua të krijonte shprehjen e tij letrare dhe për këtë arsye edhe t’i afrohej Evropës. Këtu mund të përmendim lindjen e romanit rus dhe romanit latinoamerikan, i cili është pjesë e kulturës evropiane… Vetëm duke lexuar romane shohim se si kufijtë e Evropës, historia evropiane dhe vetë Evropa po ndryshojnë vazhdimisht. Evropa e vjetër e përshkruar në romanet franceze, ruse dhe gjermane në bibliotekën e babait tim, Evropa e pasluftës e fëmijërisë sime, Evropa e sotme – të gjitha janë vende dhe ide që ndryshojnë. Megjithatë, unë kam një perceptim për Evropën e pandryshueshme dhe tani do të flas për këtë.
Europa është tani një çështje shumë e brishtë dhe e ndjeshme për një turk. Ashtu si shumica e turqve të tjerë, unë mbaj brenda vetes shpresat e një njeriu dashamirës që troket me padurim në portë dhe dëshiron të hyjë brenda, por që në të njëjtën kohë ka frikë nga refuzimi dhe ndjen zemërim të justifikuar për këtë. Kjo është një çështje shumë afër ndjenjës së turpit për të cilën fola pak më parë; ju trokitni te porta dhe në pritje e sipër merrni premtime që ju ngjallin shpresa, por më pas nuk ju lejojnë të hyni. Fatkeqësisht, ndërkohë që Turqia po afrohet më shumë me Evropën dhe anëtarësimi i plotë i Turqisë në Bashkimin Evropian ka filluar të duket si diçka e realizueshme, kundërshtimi ndaj Turqisë po bëhet gjithnjë e më i qartë mes politikanëve të caktuar në Evropë. Në zgjedhjet e fundit, disa politikanë që mbajtën një qëndrim politik kundër Turqisë dhe turqve përdorën metoda që mendoj se janë po aq të rrezikshme sa metodat e disa politikanëve turq që do të donin të shihnin një konflikt me Perëndimin dhe Evropën. Është një gjë të kritikosh shtetin turk në çështje të tilla si mungesa e demokracisë dhe – të marrim një shembull tjetër – situatën ekonomike, por krejt tjetër të shikosh me përçmim të gjithë kulturën turke, ose nëse marrim situatën në Gjermani, të gjitha ata njerëz me prejardhje turke që janë shumë më të varfër se gjermanët dhe jetojnë një jetë shumë më të vështirë. Turqit e dëgjojnë këtë shpifje me ndjeshmërinë e atij që troket në portë dhe kërkon të pranohet brenda. Një nxitës i nacionalizmit anti-turk në Evropë për fat të keq kontribuon në nxitjen e një nacionalizmi anti-evropian të vijës së ashpër në Turqi. Ata që besojnë në Bashkimin Evropian duhet të kuptojnë sa më parë që çështja qëndron mes paqes dhe nacionalizmit. Të gjithë do të zgjedhim mes këtyre të dyjave – ose paqen ose nacionalizmin. Unë mendoj se ideja e paqes është arterja e Bashkimit Evropian dhe besoj se mundësia për paqe që Turqia i ofron Evropës nuk do të refuzohet. Çështja ka ardhur në një udhëkryq, ku zgjedhja është mes aftësisë së imagjinatës së një romancieri dhe nacionalizmit të atyre që djegin libra.
Vitet e fundit, unë kam folur shpesh në favor të anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian dhe rrjedhimisht kam marrë shumë pyetje mosbesuese dhe të dyshimta. Dua t’u përgjigjem atyre menjëherë. Dua të them se gjëja e parë që Turqia i ofron Evropës është paqja; kur një vend mysliman dëshiron t’i bashkohet Evropës dhe nëse kjo iniciativë e paqes pranohet, kjo do të thotë siguri dhe forcë për Evropën dhe Gjermaninë. Në romanet e mëdha që kam lexuar në fëmijërinë time dhe kur isha i ri, nuk ishte krishterimi, por fati njerëzor që i dha Evropës karakterin e saj të veçantë. Unë u mahnita nga këto romane, sepse aty tregohej për Evropën në kuptimin e njerëzve që përpiqen të jenë të lirë dhe krijues dhe të jenë në gjendje të ndjekin vullnetin e tyre. Evropa mund të mburret me faktin se idetë e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë filluan të mbijnë në pjesë të tjera të botës jashtë Perëndimit. Në një Evropë paqeje të karakterizuar nga iluminizmi, barazia dhe demokracia, turqit duhet të zënë vendin e tyre. Një Evropë që anon vetëm drejt krishterimit bëhet, njësoj si një Turqi e rënduar nga feja, një vend i mbyllur, që shikon prapa dhe jo përpara dhe pa ndjenjën e realizmit. Për njerëzit si unë, të rritur në një Stamboll të perëndimëzuar, laik, nuk është e vështirë të besosh në Bashkimin Evropian. Mos harroni se Fenerbahçe, skuadra e futbollit që kam mbështetur që fëmijë, tani luan në Kupat e Europës. Ka miliona turq që, si unë, janë plotësisht të bindur për këtë, që Turqia ka një vend në Evropë. Megjithatë, më me rëndësi është se edhe një shumicë e madhe e turqve konservatorë dhe myslimanë dhe përfaqësuesit e tyre politikë sot duan ta shohin Turqinë në Bashkimin Evropian në mënyrë që të mund të ëndërrojnë dhe të formësojnë Evropën e së ardhmes së bashku me ju. Pas shekujve me grindje dhe luftëra, do të duhej të jetë e vështirë të refuzohet ky gjest paqeje. Nga ana ime, nuk mund ta imagjinoj një Turqi pa Evropën dhe as nuk mund të besoj në një Evropë pa Turqinë.
Kërkoj falje për një fjalim të tillë politik.
Bota që dua t’i përkas është padyshim bota e fantazisë. Nga mosha shtatë deri në njëzet e dy vjeçare doja të bëhesha artist dhe dilja nëpër rrugët e Stambollit për të pikturuar qytetin. Kështu që në moshën njëzet e dy vjeçare e braktisa pikturën dhe fillova të shkruaj romane; kam treguar për këtë në librin “Stambolli”. Tani mendoj, se në fakt, s’ ka rëndësi nëse është pikturë apo letërsi. Ajo që ka rëndësi për mua, qoftë njëra apo tjetra formë e artit, është dëshira për të ikur nga kjo botë e mërzitshme, mbytëse dhe zhgënjyese që njohim të gjithë, për t’ u strehuar në një botë tjetër më të pasur, e cila është më e thellë dhe më e shumëanshme. Për të qenë në gjendje ta imagjinoj këtë botë tjetër të mrekullueshme në detajet më të vogla, çdo ditë më duhet të ulem vetëm për një kohë të gjatë në dhomë, qoftë për ta paraqitur atë me penel dhe ngjyra, si kur isha i ri, ose ta krijoj atë me fjalë, siç kam bërë gjatë tridhjetë viteve të fundit. Këtë botë të dytë e ngushëlluese, të cilën e kam krijuaj në vetminë time për tridhjetë vjet, e ndërtoj natyrshëm me materia e botës që njohim të gjithë, nga përshtypjet e marra në rrugë dhe në shtëpitë e njerëzve në Stamboll, Kars dhe Frankfurt. Në të njëjtën kohë, bota reale e cunguar gjallërohet me një magji shumë të veçantë përmes aftësisë së romancierit për të rrëfyer dhe imagjinatës sonë.
Do ta mbyll me pak fjalë për këtë gjendje shpirtërore për të cilën romancieri jep gjithë jetën për t’ia zbuluar lexuesit. Për mua jeta është diçka jashtëzakonisht e ndërlikuar, e çuditshme dhe e pakuptueshme dhe diçka që mund të na bëjë të lumtur vetëm nëse vihet në një kontekst. Ajo që na bën të ndihemi të lumtur ose të pakënaqur zakonisht nuk është jeta që jetojmë, por kuptimi që mendojmë se ka. Unë ia kam kushtuar gjithë jetën eksplorimit të këtij kuptimi të jetës; që në botën e sotme kaotike, të vështirë dhe me dinamikë të shpejtë, me zhurmën dhe ulërimën e saj, të përpiqem të gjej një fillim, një pikë qendrore dhe një fund të këtyre gjirove marramendëse të jetës – diç që mendoj se mund ta bëj vetëm duke shkruar romane. Kur mbarova romanin “ Bora” dhe e botova, m’u duk sikur takoja hijen e Ka-së sa herë që dilja në rrugët e Frankfurtit – heroin e romanit, Ka-së që ecte andej dhe që më ngjante paksa. Më dukej sikur qyteti kishte marrë një kuptim të veçantë për mua dhe se kisha gjetur epiqendrën e tij. Mallarmé kishte shumë të drejtë kur thoshte: “Çdo gjë në këtë botë ekziston për t’u përfshirë në një libër”. Padyshim, librat më të mirët për të kuptuar gjithçka në këtë botë janë romanet, mendoj unë. Edhe tani, pas kaq shekujsh, kjo aftësi kryesore njerëzore, arti i të rrëfyerit dhe aftësia për të kuptuar të tjerët, shprehet më së miri në romane. Çmimin e madh që më ndani tani e shoh si një shpërblim për një shërbim besnik që i kam bërë artit të madh të romanit për tridhjetë vjet dhe me këtë dua t’ju shpreh falënderimet e mia të përzemërta të gjithëve
——
*Fjala falënderuese mbajtur me rastin e marrjes së çmimi për paqe nga rrjeti i bibliotekave gjermane, Frankfurt, 2005