1- Mos humb librin …
Mos e humb librin,
shpikjen më të madhe të lirisë,
gurin e parë të qytetërimit!
Rreziku nuk është
ana negative e mardhënies,
por vetë themeli.
Harroji britmat globale,
inteligjencën artificiale,
në emër,
të ndryshimit, ritmit
gjeneratave të shpejtësisë.
Mos e humb drejtpeshimin!
Shën libri është në bërthamë!
Le të bien gjethe vjeshte,
në mendje ki përherê pranverë.
Mos e humb librin,
përndryshe ndalon
rrotullimin e tokës!
Lutem: mos e humb librin!
2- Të vdekurit të gjithë janë krejt të barabartë …
Të vdekurit të gjithë janë krejt të
barabartë,
e kotë marrëzi e luftës, fuqi e lavdi e mjerë.
Medet, janë këngë që këndohen për ne aty lart,
këtu poshtë, duket nuk kanë më asnjë vlerë.
Askush nuk ka frikë nga kurthet, tradhëtia,
as hijet e intrigës, tinës thikëmprehur.
E huaj është urrejtja, cmira dhe zilia,
pasuria e gjitha, dherave është tretur.
I njëjti terr mbështjell çdonjërin prej nesh,
pa dallim: i mirë a i lig, e kalon urën.
Barazi e përkryer, vallëzojmë në shesh,
e kemi kuptuar, dalluar, herët diktaturën.
Këtu poshtë na nderojnë veç ujërat e nëntokës,
ato që i freskojnë ballin botës.
Të vdekurit të gjithë janë krejt të barabartë …
3- Kryeqyteti këtë vjeshtë …
Në kryeqytet erdhi e njëjta vjeshtë,
si një vit më parë.
Me maret e hurmat nëpër kodra,
të verdhën e argjentë,
sipër puthjeve të dashnorëve,
gjetheve e telajove që i fringëllin era.
Pemët dhe zogjtë shtegëtarë,
u kujtuan se kishin harruar diçka,
që kishte të bënte me hapësirat.
Dhe ata nuk qëndruan në anën cinike
tē endrrës,
për të gjetur dritën nëpër errësirë.
U derdhën shesheve,
bashkë me shirat që shushurinin
sepse tingulli i fluturimit
kishte mbërritur …
Kryeqyteti këtë vjeshtë!
4- Një miku u nda nga jeta …
Një miku im u nda nga jeta e unë,
ende s‘kam mundur të qaj.
Duhet një javë ta rikthejnë,
ndonëse jeta e njeriut
është një çast i vetëm drite,
rrethuar nga hijet.
Arkivoli në një frigorifer spitali,
pret ditën e linjës,
të fluturojë përmbi qiej.
Në pritje, mendja e meitit
pikturon pamjet që ka lumturia,
tek shtëpia e fëmijërisë,
një aeroport i sigurt.
Një miku im u nda nga jeta e unë,
ende s‘kam mundur të qaj.
5- Në katundin e harruar nga bota…
Dy pleq urtakë ngecur në vjeshtë të
braktisur,
godasin njëritjetrin me thumba.
Trishtimet ecin brenda syve të tyre,
vdesin nga mëshira shirat.
Trupat mbushur si me gjemba,
rrinë vetmuar mbi gurët e pragut.
Kujtime varrosur në lëngatë,
trarëve të shqepur,
vese të fshehura në plasaritjet e parvazit.
S’ka më histori me luftë për frikacakët,
pendimet varur në tel si tesha të pathara.
Plehrat bëjnë festë para se të nisë shiu,
pas çdo suksesi, dikush vjen të shkatërrojë.
Era harron të struket, zogjtë ia mbathin,
gjethet rrëzohen, thyerja e qetësisë,
dëshirat vizaton në fytyrat e zhubravitura,
si zhgaravina fëmijësh.
Unë iki më pas, – i tha njëri urtak, tjetrit.
Ti prit. Truri im le të fiket i fundit!
Nuk prisni dot Zotin? – kukuvajka në muzg,
apo është krejt udhëtar i panjohur …?
Panë njëri tjetrin me sytë e zhgënjimit,
nuk ka liri të vërtetë, pa lirinë e dështimit!
6- Monofoni – monofonit të madh kombëtar Roland Çenko.
Ti vjen nga legjenda,
larë nga mjegullat, vesa,
me hapat që torkasin
mbi kalldrëm e ndërgjegje.
Je i sotëm që zgjon agun,
me zëra rrëfenje,
altar guri dhe dritë e nesërme.
Përpara prin kënga,
gurgullimë,
jehona shekujsh,
kujtesë e margjinë.
Mbushin krahërorët e vegjël
të zogjve, shtëpive,
me aroma manxurane,
fije – fije fismërije,
ojna, ojna, e plot hire,
kishëza dashurie.
O monofon vetmitar,
fitimtar ëndërrimtar
që s’je dorëzuar kurrë!
Kendo lavdinë dhe bukurinë e qëndresës:
Moj Gjirokastra me vulë,
me para e mendje shumë …!
7- Nuk dua ta shoh tablon e këtij mëngjesi!
Gjërat janë të sfumuara.
Mjergulla ka mbuluar me ngut
detaje dhe cepa ulëritëse,
djajtë e pendimeve dhe hormonet e
skandaleve,
boshësi analize dhe medie hemafrodite,
që tinëzisht i ka fshirë era dhe nata.
Ikën e përgjumur, kuturu,
midis asfaltit dhe pallateve,
me ujëra të pista mëkati, Lana,
Koha kthyer mbrapsht, rinis nga e para!
Mjegull e grisur,
një makinë e prishur dhe ca fshesare,
botë e çmendur që vrapon e nuk
përshtatet.
Çaste të hutuara,
kujtesë e humbur si shtangie,
prej klithmave të urritura që presin
shpresën
në mes të rrugës të besojnë:
se të jetosh këtu, do të thotë:
të luftosh çdo ditë me djallin!
Bëje sot atë që do të bëje nesër!
Nuk dua ta shoh tablon e këtij mëngjesi.
8- Princesha Argjiro*
Kur ti u vërvite nga bedena,
atë muzg,
ra mjegull e dendur.
Ish kohë e mbarsur me dyshim,
e pabesi,
që linte shikim të keq në sy.
Muzg pas muzgu
ra mjegull gënjeshtare,
shkretëtirë e bardhë,
që ngrihej si mur,
herë si ekran,
ku fshihej konvertim
dhe fara që mbillej …
Çdo mëngjes pamja ndërrohej,
përpihej,
sikur një mallkim,
me çallmë e jeh,
e priste të vërtetën mespërmes.
Pesëqind vjet,
në mjegull të trashë,
u helmuan shpirtëra,
u shurdhuan veshë,
u vranë,
për ta braktisur legjendën.
E qara e foshnjës,
atje mbi shkëmb mbeti.
Nuk pushoi asnjëherë,
për t‘i rrëfyer Njeriut:
që rruga e besimit është më e gjatë,
se çlirimi prej pushtimit …
Princesha u vërvit nga bedenat,
në muzg,
dhe ra përsëri mjegull e dendur…
9- Femër ….
… dhe kishte frikë mos humbte mituria,
qê luante në pyllin e virgjër pasdite.
Pa binte nata dhe demat e egër,
shqyenin hënën dhe yjet në ikje …
.. e kuqëremta e agut botën rilindte …
10- Të grindesh me ty …
Të grindesh me ty për ca vijëzime
mbi egoizmin dhe kultin,
është si të shkruash në ca fletë,
gjëra që kurrë si kemi parë.
Fletë të këputura nga kapakë librash,
që s’pranojnë korrigjime,
cytur nga ca shtysa, shkaras si mendime,
se pas çdo perendimi, nis diçka e re.
Ato bëjnë këmbë të na thonë,
se atdheu ynë nuk është atje ku nuk ka njeri,
ku nuk ndodh asgjë,
ku nuk gjen dot fjalë që pranojnë rrebelim,
ku nuk thua dot, atë që do të thuash.
Është rrugë e gjatë të pendohesh,
të tërhiqesh,
më e mundimshme të pranosh të vuash!
Të grindesh me ty,
është si të mbjellësh dy bimë në një vazo,
ku rrënjët e tyre kapërthehen, ngatërohen …
11- Fëmijë i pafajshëm …
Fëmijëria ime nuk e kuptoi dot,
miqesinë e veçantë me shën Marien,
atje, në katedralen e vjetër,
poshtë kështjellës – kaba?
Mendonte mbase se prania e saj u jepte kuptim
sendeve dhe gjërave,
që ngjarjet të ndodhnin ashtu si duhej,
njëra pas tjetrës.
Shpesh në bashtinën e mistereve,
fëmijëria ime ndiqte pas mollëkuqet,
për t’ia çuar asaj,
deri sa e zinte gjumi mbi bar,
ndërsa qeparizat,
ato pemë të çuditshme,
dukej sikur e dinin dëshirën e fshehtë.
S’ka pasqyra më të kthjellta e delikate,
se sytë e shën Maries për t‘u zbavitur.
Ato sy e mbrojnë ëndërrimtarin!
Kur u rrita dhe ca, ajo më pëshpëriti:
‘’zotat shpikën dashurinë dhe u kënaqën shumë,
pastaj shpikën të qeshurën për të mbuluar brengat…’’
Atëherë isha një fëmijë i pafajshëm …
12- Njerëzit e shtëpive ndën kështjellë.
Shtëpi të pjerrta ndën kështjellë,
që e dorëzoni çdo ditë hisen tuaj të diellit,
sipër në bedena.
Thuhet se janë gurët e stërthinjur ato që e marrin
dhe gatuajnë gojëdhëna, mite, legjenda.
Driataret e vogla atje poshtë,
kanë ftohtë,
hapen me kujdes.
Ka rënë mjegull si perde e trashë,
autoritet – vertikal,
(si u shpik kjo fjalë?)
mu në mes të jetës, mespërmes.
Pastaj bie hija,
hija kështjellore ajo që komandon,
ajo që pret, që ngjeth,
(rritur në hije medet!)
Myshqet e lagështa, sarmaçet, lianet,
kapërthyer mureve më së miri,
nga frika mos zbulohet ndonjë sekret.
Pesha e fatit ka kërrusur çdo ëndërr nate,
dita i falet hijes kështjellore
që krijon përmasa të paqarta,
të rrejshme, ujore.
Mbetur ndryshk i trashë në doreza porte,
gozhdë të shtrembërta, mentesha që ulërasin,
horizont i humbur,
ka rënë pa ndjenja dhe një spreth’
pëllumbash,
që varet në ajër i këputur.
E dorëzojnë çdo ditë hisen e tyre të diellit,
lart në bedena,
sakrifikueset e përjetshme,
ato të duruarat, të urtat.
Ndërsa njerëzit e shtëpive ndën kështjellë,
heshtin, jetojnë më pak se të tjerët,
sidomos burrat …
13- Orakujt e turmës.
Orakuj që nuk shkuat në tempull të Delfit,
e s‘mund të ktheheshit me mantel të bardhë.
Ngatërruat rrugën, hytë shtëpive publike,
po kjo s’ka rëndësi kushedi se çfarë.
As ëngjëj errësire, zogj – lajmesh s’u bëtë,
të parathoshit fatin për turmat që ju donin.
Ata prisnin çmimin e këpucëve, të bukës,
ditën kur do vdesin, kur do dashuronit.
Ata donin, ç’nuk donin, qëndruan në pritje,
si masë pa formë, e shurdhët, qorre.
Kur ju nxitonit nga një çarter në tjetrin,
nga Dubai, Stambolli, në bankat offshore.
Ç’të bënin të mjerët që s’dinin asgjë,
ç’tërmet vrastar do t’i zinte, ç›pandemi.
Në kaos qeverie, për postet dhe pronat,
për tregjet e naftës asnjë njohuri.
Pritën një shenjë me sytë nga qielli,
mos fati qe shkruar açik pas një reje.
Ç›vajzë do merrnin për nuse trashëgimie,
krushq të pasur apo krushq të një feje.
Mbetën në udhëkrye, pa ditur ku shkonin,
duartrokitës turme, ndjekës hileqarë.
Orakujt e tyre, t’i gënjenin – përtonin,
po kjo s’ka rëndësi kushedi se çfarë.
14- Premtimet e vjeshtës.
Kërkomëni. Jam në Kishën e Labovës,
kur disa vjet pas ikjes së Jezu Krishtit në qiell,
perandori Justinian vuri kurorë me
Antigonën,
vallëzuan vashat dy ditë papushim, dhe çifti,
dëshirat e dlira i shkroi në gjethe ligustre.
Ca shtëpi, ca ujëra, ca gurë, ca këngë, ca brigje,
ca mahnitje si shenjtëria e vjeshtës,
të marin gojën dhe ia japin bukurisë.
Harlisem nëpër pyll, në dredhoret e
pemëve,
e dal i mbushur me ëndrra,
ku dhe drita është tjetër dritë.
Vetëm në dy minuta më pas, shkëmbej mesazhe,
me një reportazh proteste,
qullur me gaz lotsjellës,
fshikulluar me shkopinj gome,
orakuj që ndjellin, shesin fantazitë e tyre,
tërbohet fjala, ndjen qortimin, ‘’ç’kërkon e folura’’
kur ka tjetër histori për syrin e njeriut?
Mos më lini të vdes në premtime të kota vjeshte,
fletë të këputura, gjethe të verdha, që të mbajnë frymën.
Shkrimet i kam sjell me vete,
në gjuhën amtare,
ju lutem mos e ndroni vendin e datave,
të muajve!
Në rrugën e gjatë drejt vetvetes
mos e lini njollë në mjegull, ndërgjegjen.
Në qafë paçi veten!
Më ka marrë malli të shoh një trumbë çupëlinash,
që bredhin të lira bulevardit të vjeshtës …
Shënime
- * Princesha Argjiro u hodh nga bedena e kalasë së Gjirokastrës mbi një shkëmb, për të mos rënë në duart e pushtuesve otomanë. ↩



