Kreu Letërsi Bibliotekë “Nuk ashtë e lehtë”, poezi nga Ingrit Luani

“Nuk ashtë e lehtë”, poezi nga Ingrit Luani

ExLibris gjurmon talentet e reja sepse beson tek risitë. I tillë na u duk edhe vargu i Ingrit Luanit: i freskët dhe befasues. Pavarësisht se në hapat e para, poetja e re shkodrane ka nerv femëror dhe ndjeshmëri për tema që s’perëndojnë asnjëherë, siç është vendi dhe roli i femrës në shoqëri. Ajo përcjell dyshimet, pakënaqësitë, ëndrrat dhe të panjohurën e jetës me një gjuhë që kërkon përtej klisheve emocionale, nganjëherë duke rrezikuar të duket si e përditshme. Megjithatë tek vargu i saj fshihen të papritura dhe emocione që përçohen nëpërmjet një gegërishtje të paqtë dhe të përditësuar.


Dashnia

Kur rrudhat e mija
t’i pyesin nji fmi

çka â dashnia,
s’e di buztë e mija
si kanë me përmbledh
shiun,
diellin
e drandofillet
në nji.
Po n’kjoft’se floktë e thinjuna
kanë me u përpjek
me mbulu’ t’vërtetën me urti,
fmisë me i rrfye nji përrallë
me fund të lumtun,
unë kam me pritë
që ta zanë gjumi,
me i thanë lehtë te veshi
se dashnia â nji pllumb i bardhë
që gjen forcë me u ngritë
me fluturu,
me ardhë te ti prap
edhe mbasi ia kanë thye krahët.

I dashurumi

A e ke ba provë me u djegë si cigarja,
me e lân shpirtin mu ba hi
që mbush nji zemër t’huej?
Po me u vjetrue si vena,
tue sjellë nëpër mend natën e fundit
që ke ba “gëzuar” për dashni?
Po me çilë si drandofille
mbas nji dimnit të gjatë
e me t’shndritë sytë se t’ka qesh rishtas dielli?
Mos u mundo me e mohue,
Të gjitha i ke provue!
Cigarja,
vena
e drandofillet,
herët a vonë,
përfundojnë gjithmonë
n’dorën e të dashuruemve.

Mërzitem

Mërzitem
kur gjarpnit m’duhet’ m’i ndejtë afër,
edhe pse s’pranoj me ba “gëzuar”
me helmin e tij.
Mërzitem
kur e përkora shkrihet e bahet baltë
ku mund t’rrëshqasish e t’thesh qafen.
Mërzitem
kur ndjeshmënia t’kthehet kundër
e përpjekjet me t’hjedh n’zjarrm
n’emën t’padrejtësive.
Mërzitem
kur jeta ia zgjat dimnin
njeriut me zemër t’madhe
vetëm që t’keqit me i ra maska
e me u dukë sheshit.
Gjithsesi,
mërzitë janë re në lëvizje
që e dojnë diellin,
besimin n’Zot.

Jeta

Jeta ka me t’mshehë shumë përgjigje,
ka me t’thanë gjithnji “shndosh kur t’rritesh…”
dhe ti ke me kuptue se je rritë
atëherë kur t’i ndiesh lot’ tue të rrjedhë
s’parit n’shpirt e mandej nëpër faqe…
Kadale-kadalë s’ke me pasë ma nevojë për jetën,
ke me i pasë përgjegjet përballë,
por ke me i pa përmes syve t’mendjes,
se t’zemrës edhe djallin e shohin me kunorë ejllit,
jo me brena.
Ti dhe jeta keni me u takue gjithmonë në t’njëjtin vend,
aty ku ndihet frika e vdekjes,
se veç aty keni mu ndi të lira,
keni me u gri, me u përçmue, me u urrye
e n’fund me u dashtë edhe ma fort
se përpara.

Kur bjen n’dashni

A e ke pa erën kur ngatrrohet
nëpër krahët e flutrave ndër lule?
Ashtu mor mik
mendimi kapet fijesh
te nji e rrahun zemret
e jetës i bjen hija e nji zojushe plot hire.
A e ke pa diellin
kur e puthë renë n’faqe?
Ashtu mor mik
lind nji ditë e re mbas shtrëngate,
ban “gëzuar” për andrrën
dhe frikën e çon eks!

Nuk asht e lehtë

Nuk asht e lehtë
me gjetë vendin tand n’nji botë
që ma s’shumti ka kashtë që merr flakë
se sa ura që t’nxjerrin n’anë tjetër…

Nuk asht e lehtë
me mbrojtë ãndrrat që ke
n’nji botë ku mbreti jeton nën tokë
dhe ushtarët e tij bahen miq me ty.

Nuk asht e lehtë
me ia hapë krahët kësaj bote
që i rreshton t’dashtunit tuej
si gurë shahut në krahët e vet,
e mandej t’thotë me zgjedhë
prej kujt don dhimbjen e prej kujt lumtuninë
se bota jote asht gjithmonë n’dorë tyne.

Me e mbajtë mirë me t’keqen

I thanë mbaje mirë me t’keqen,
se kur bjen nata
dielli ikë e mbetë vetëm.
I thanë mos del kundër s’keqes
se ajo ka shumë motra e vllazën,
ajo do t’u harronte, e keqja do t’mbërrinte brezin tjetër.
I thanë çka t’kushton
Me u bâ edhe ti e keqe,
“Kurrgja!” – i tha,
“Thjesht m’duhet me lindë edhe nji herë,
por s’pranon Zoti!”

E dashtun

E dashtun, a e din fajin tand?
Ke lind femën!
A e din çka don me thanë?
Ke me u përndjekë e gjallë dhe e dekun!

N’fillim kanë me t’thanë
se me pasë nji fat t’mirë
duhet me dijtë dhe jo me ndi.
Mandej kanë me t’mësue
si me heshtë e me shtrëngue dhambët
që mos me pasë nji tjetër ma t’mirë.
E n’fund kanë me t’akuzue se nuk ndjeve,
çdo andërr t’vrame ke me e kapërdi me nji gotë lot.

E n’kjoftë se i shkelë n’kallo
dhe bahesh e fortë,
kanë me t’dalë para si ushtri e madhe,
e gatshme me derdhë edhe pikën e fundit t’gjakut
veç me fitue ndaj teje!

E dashtun,
mos iu tremb kësaj shoqnie
ku burrat harrojnë se mbrenda grues që kanë përballë
ka gjithmonë nji vajzë
që asht largue prej babës, idhullit të saj,
n’emën të dashnisë për te.

E dashtun,
mos iu dorëzo kësaj shoqnie
që ka frikë t’vërtetën që ke n’zemër
dhe të vret me paragjykime
që ty liria me t’ardhë e idhtë, me heq dorë.

E dashtun,
mos harro se farën e jetës
ta ka besu ty Zoti me e rrit,
jo atyne që shkatrrojnë
sa herë ndihen të dobtë!

E dashtun,
Jetoje çdo ditë me kryet nalt!

Gabimet, mëkatet e dobësitë
s’janë gjithmonë gra t’pamoralshme,
janë edhe nana, motra e vajza burrash,
por ma së shumti loja tyne e preferueme.

Ata që vrasin në emën të tyne
janë pjella e njî shoqnie t’kalbun,
t’pabesë
që i luten Zotit
dhe i binden djallit!

Exit mobile version