Kreu Letërsi Bibliotekë “Një thirrje e largët”, poezi nga Imri Demisai

“Një thirrje e largët”, poezi nga Imri Demisai

Një thirrje e largët

-Nënës heroinë Lutfie Labënishti*

Vdiq një grua, një nënë, një motër;
Si erë e lehtë vrapo në korije.
Në Ladorisht e kishte gjithë botën,
Thellë në zemër një sëmbim lirie,

Kishte dy orë për ta matur kohën,
Dritën e burgut dhe hijen e lisit;
Ishin të rrallë ata që s’e njohën,
Për krenarinë dhe emrin e fisit.

Dje vdiq një grua, ashti siç vdiset,
I mblodhi pranë zogjtë shtegtarë;
E dinte mirë se duhet të niset,
Të fluturojë larg, sa më parë.

Sa gjatë e priti atë komisari,
Ai që thirrjes kurrë s’i bëri lak;
Sot paska dalë ta takojë i pari,
Pas kaq vitesh të çmallen pak.

Ta pyesë, bletët a janë shtuar,
Si do jetë mjalti në qershor.
Grerat s’qenkan egërsuar,
S’ka autoblinda në oborr.

(Goteborg, 27 Maj 2025)


GRUA E PANJOHUR

Grua e panjohur, me tërë atë nur,
Kush të pikturoi, të vari në mur?
Nga degët e fisit të rëndon një hije,
E ke dhe bekimin, dritë dashurie.

Të shoh të menduar. Shikimin përdhe,
Çfar’ ke përjetuar, mua m’i rrëfe.
Grua e panjohur e shkrirë në vaj,
Përse rri kështu si e zënë në faj?

A thua sërish me burrin je grindur,
A e qanë dështimin, barrën e palindur?
Ndoshta yt shoq të ka prek’ në sedër,
Të ka lënë mënjanë, ka gjetur një tjetër?

Grua e panjohur, e bukur si hënë,
Uroj të kesh fatin, të jesh edhe nënë.
Paskëtaj, të lutem, mos mërzitesh kurrë,
Se ti je dyfish më shumë se një burrë.

Në një atelie, më çoi fati mua,
Të joshem papritur nga hiret e tua.
Grua e panjohur, kudo që të jesh,
Që sot ne e kemi një lidhje mes nesh.


NËNË E BIR

Lëshomë mami, lëshomë!
Ty në zemër do të t’mbaj.
S’jam më i mitur, bekomë,
Se babait dua t’i ngjaj.

Më rriti gjiri yt i ngrohtë
Me aq shumë dashuri,
Tani, fati më ndihmoftë
Ta gjej një nuse si ti.

Unë për jetë do të t’ua,
Me ty nuk shpaguhem kurrë,
Po tani lëshomë mua,
Nëse do të bëhem burrë.

-Të kuptoj, o shpirt i mamit,
Vogëlushi mendjemprehtë.
Ti i di trillet e babit,
Kjo që thua s’është e lehtë.

Nuk ma do zemra
Të të shohë katandisur si ai.
Mbrëmjeve mezi e njoh,
Te parku kur pi raki.

Nuk kam dashur të mërzitesh,
S’të kam lënë ta takosh vetë.
Prit edhe pak sa të rritesh,
Vitet ikin shpejt e shpejt.

Bekomë, mami, se ika
Dhe nuk ke për të më gjetur.
Nëse më ndalon nga frika,
Do të vijë një ditë i dehur.

Do trokas te porta jote,
Do të shaj si shan Ai
Dhe nga helmi i asaj gote
Do të bëj të pish dhe ti.

Ta kuptosh se çdo të thotë
Deg’ e gjakut për një djalë.
Nuk ka tjetër gjë në botë,
As nuk thuhet dot me fjalë.

Biri im, e paç uratën,
Ty të priftë fat i ndritur.
Të më ndjesh mua të ngratën,
Unë këtë s’e kisha ditur.

Qoftë i nderuar yt atë,
Atë s’do ta shaj më kurrë.
Prit të të jap një dhuratë,
Se ti sot u bëre burrë.


Shënim i poetit Resul Shabani

*) Vdekja tinëzare nuk priti as edhe 60 ditë, që Nëna e Madhe Lutfie Labënishti (21 Korrik 1940-26 Maj 2025), bashkë me familjarët e saj, ta kremtonte 85 vjetorin e lindjes. Mbase me këtë rast do t’i kujtonte dhe do t’ia kujtonin momentet e gëzuara, por edhe ato të trishtuara të jetës së saj. Nëna Luftie do t’i sillte ndërmend çastet e lumtura, por edhe të trishta me bashkëshortin e saj, veprimtarin dhe të burgosurin politik, Kadri Labënishti; luftën e saj për emancipimin e femrës shqiptare të këtyre anëve; kujdesin e veçantë për familjen e nëpërkëmbur e të përndjekur nga shoqëria; përkujdesjen për veprimtarët e çështjes kombëtare, duke shndërruar shtëpinë e saj në vatër të ngrohtë e të sigurt për luftëtarët e lirisë dhe të barazisë. Ishte kjo Nëna Heroinë që më 15 Qershor të vitit 1992, doli në mbrojtje të pragut dhe familjes së saj me ç’kishte në dorë, para 1200 policëve maqedonas, të cilët, me pretekstin e ndalimit të hapjes së shkollës së mesme në gjuhën shqipe në Ladorisht, mbollën tmerr në tërë fshatin, duke bastisur, plaçkitur e shembur edhe shtëpitë, siç ishte rasti me shtëpinë e poetit Lebit Murtishi, veprimtarit Verdat Kolonja, etj. Nga mllefi, të shoqëruar nga gjashtë autoblinda, arrestuan tërë familjen e Nënës Luftie, bile edhe foshnjën 5 javësh. Bashkë me tmerrin, lanë edhe dy gjurmë plumbash në portën e oborrit dhe u larguan si “triumfatorë”, për të vazhduar “misionin” antishqiptar edhe në Biti Pazar të Shkupit, në Gostivar et., etj., Dhe populli i Ladorishtit, Strugës dhe më gjerë, ia shpërbleu këtë kontribut kësaj Nëne me pjesëmarrjen masovike në përcjellën për në banesën e fundit. Kujtimin dhe respektin për të popullata shqiptare do ta ruajë deri në amshim. Ka shumë të ngjarë që ky sulm barbar mbi familjen Labinishti, rrënjët do t’i ketë tek mllefi dhe vreri i grumbulluar për hakmarrje, shumë më herët, meqë njëri nga kryefamiljarët, Murat Labënishti (1909-1946), ishte një patriot, intelektual, filozof, student i Sorbonës, politikan, komandant i çetave të forcave të rezistencës kombëtare të Strugës, që për ideal kishte Shqipërinë Etnike. Në kohën e Mbretërisë ishte nëpunës i lartë në Nënprefekturën e Peqinit, kurse më 1944, ishte kryetar i Nënprefekturës së Strugës. Gjyqi Ushtarak i Maqedonisë e dënoi me 101 vjet burg, kurse ai i Beogradit me vdekje. Dhe për ironi të fatit – e vrasin komunistët shqiptar të Lumës. Murati është poeti i parë i Strugës, nëse nuk e pranojmë hipotezën e poetit dhe profesorit Latif Berisha, i cili thotë se poeti arbëresh Zef Serembe, ka prejardhje strugane.

Poeti dhe mjeku strugan Imri DEMISAI, i cili e njihte së afërmi Nënë Luftien, nuk mund ta qetësonte ndryshe shpirtin lirik, pa i kushtuar poezinë NJË THIRRJE E LARGËT, të cilën e sjellim këtu për lexuesin shqiptar.

Exit mobile version