Nga Edison Çeraj
Pse nuk ka autor përmbledhja me përralla Një mijë e një net? Sepse disa “mesazhe” ekzistojnë para “autorit”; ato thjesht duhen kujtuar, domethënë rrëfyer. Duhen rrëfyer, sepse natyra jonë është harrestare, ose e thënë më shkoqur: jemi qenie që prekemi nga “epidemia” e harresës. Çfarë harrojmë ne? Sipas të gjitha gjasave, ne harrojmë atë që na ruan si të tillë, si njerëz, njerëzoren, duke u dhënë pa e vënë re pas çështjes se si të jetojmë. Kështu, çështja se pse jetojmë, vjen një ditë jo dhe aq e bukur e zbrazet nga çdo domethënie, nga çdo shenjë, e për pasojë thjesht e shohim si të tepërt. Thellë-thellë ne e dimë që nuk është kështu, por tashmë kemi frikë, një frikë që i ka lënë vendin moskokëçarjes.
Mbase për këtë arsye të rriturit nuk i lexojnë dot përrallat, e jo se ato janë për fëmijët.
Fëmijëria është gjendja më e kulluar e njerëzores, ja pse me të drejtë na duket sikur përrallat janë vetëm për fëmijët, sepse në këtë rast kemi përputhje të plotë mes dy gjendjeve që përfaqësojnë të njëjtën gjë: tejkalimin e kohës dhe të hapësirës dhe mungesën e çdo kuptimi që kushtëzohet prej tyre. Është pikërisht ky tejkalim që na nguc, që nuk na lë të qetë, pra, që na kujton se koha dhe hapësira nuk janë realiteti i fundmë, por fundi i realitetit që ne kemi ndërtuar në një bashkëveprim të kushtëzuar me to, dhe ajo që vlen në fund nuk janë “arritjet”, por se sa e kemi ruajtur “fëmijën” brenda nesh.
Pra, të rriturit nuk i durojnë dot përrallat sepse ato u kujtojnë se kanë kryer një krim: se kanë vrarë “fëmijën” brenda tyre.
Përrallat na kujtojnë se thelbi i paraprin ekzistencës, ndaj dhe ne përfshihemi aq lehtë në botën e tyre magjike, pavarësisht botës empirike, ekzistencës, e cila vijon me ligjësitë e saj logjike teksa ne jemi arratisur prej saj. Nëse ekzistenca do t’i paraprinte thelbit, kjo arrati/ shkëputje nuk do të ishte e mundur, dhe për pasojë përrallat do të ishin vetëm përrallisje. Në fakt, për disa të tilla janë, ose kohë e çuar dëm.
Përrallat na kujtojnë se njeriu është çfarë ndien, do dhe imagjinon, e jo çfarë thotë dhe vepron, pasi këto të fundit janë të kufizuara nga rrethanat, këto bija besnike të kohës dhe hapësirës.
Në njëfarë mënyre, të gjitha përrallat janë një përrallë e vetme. Kemi të bëjmë me një arketip themel, i cili shpërfaqet me një morfologji të ndryshme duke u përshtatur në kohë dhe hapësirë, në varësi të nevojës për kujtesë.
“Që kur Claude Lévi-Strauss tërhoqi vëmendjen mbi teorinë e paraqitur në vitin 1928 nga folkloristi rus Vladimir Prop, sipas së cilës të gjitha përrallat e botës nuk do të ishin veçse variante të një modeli të vetëm përrallash, ideja e rikrijimit të formulës së një përralle universale ka pasur sukses midis studiuesve.
Meriton kësisoj të jetë shënjuar, së paku si kuriozitet, fakti se së njëjtës intuitë, qoftë edhe e shmangur, ia kish arritur, pesëdhjetë vite më parë, një folklorist mantovan, Isaia Visentini, i cili në vitin 1879 shkruante në lidhje me gërshetimet e përrallave popullore që gjenden kudo të përsëritura dhe të lidhura në mënyrë të ndryshme sipas një numri të përmbyllur kombinimesh: ‘Ai që është marrë me këto përmbledhje të veçanta, e di më mirë se unë se është një lëmsh i pambarimtë: njëra futet tek tjera, si unazat e një zinxhiri, ku shpesh më ka lindur në kokë mendimi për të krijuar nga ajo rrëmujë novelëzash një lloj përralle të vazhdimtë, në të cilën parashikoj lidhjet sekrete, por për të cilën më mungon koha e ndoshta edhe durimi. E pastaj kush do ta merrte parasysh lodhjen time? Është edhe e tepërt nëse do të gjej ndonjë lexues të ri për këto përralla, sapo të dalin në dritë.’” (Calvino, 2015)
Kështu, përrallat nuk kanë “autor”, por vetëm “vjelës” që i përcjellin herë pas here. Ato nuk mund të krijohen: thjesht mund të përkthehen, përtej kuptimit të parë të përkthimit.