Kreu Çmime “NËNË TEREZA” – NJË JUBILE TJETËR

“NËNË TEREZA” – NJË JUBILE TJETËR

THOMAS FRASHËRI

Kancelar i Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës

DORINA NIKA

Eksperte pranë Kancelarisë
së Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës

Përvjetori i 10-të i kanonizimit të Nënë Terezës, gjatë kësaj vjeshte, përkon me një tjetër jubile, atë të 35-vjetorit të krijimit të vlerësimit honorifik shtetëror që mban emrin e saj. Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës përkujton me nderim, në këtë kontekst, shqiptaren e veprës së madhe njerëzidashëse, si edhe “pajtoren” e njërës prej dekoratave më të rëndësishme të shtetit shqiptar.

Përpara se të kthehej në një simbol të gjallë mbarëkombëtar, Shenjta Nënë Terezë ishte njohur botërisht për angazhimin vetjak përtej të zakonshmes dhe për vetëmohimin e padëgjuar në shërbim të njerëzimit. Pedagoge e dashurisë pa kushte për më të lënët mënjanë, Nënë Tereza sendërtonte humanizëm në përditshmëri, një humanizëm ungjillor, integral dhe universal, i cili ishte karta e saj e identitetit:

Prej kombësisë jam shqiptare, prej shtetësisë indiane, prej besimit jam katolike, prej thirrjes i përkas botës mbarë”.

E lindur Anjezë Gonxhe Bojaxhiu në Shkup, në një familje të lidhur ngushtë me traditat atdhetare, Nënë Tereza u mbrujt me frymën e një “teologjie të shëlbimit përmes shërbimit” gjatë viteve të murgjërisë së saj, duke përthithur më të mirën nga spiritualitetet e mëdha të jetës së kushtuar dhe urdhrave rregulltarë, nga Karmeli te Salezianët e nga Françeskanët te Jezuitët. Nuk është për pasojë e habitshme që jetëgjatësinë dhe frytet e përkushtimit të saj ndaj më të varfërve, ajo i pa të lidhura me themelimin e nje vepre, e një urdhri të veçantë. Bëhet fjalë për Kongregatën e Misionareve të Dashurisë (Congregatio Missionariarum a Caritate), institut rregulltar i Kishës katolike, krijuar më 1950, e cila nuk është pa ngjashmëri, për sa i përket thirrjes dhe misionit, me urdhrat e parë spitalorë që u formuan në Palestinë në agim të vitit 1000.

Për arsye të rrethanave në të cilat u gjend Shqipëria fill pas Luftës II Botërore, vepra e Nënë Terezës jo vetëm që nuk mund të gjente terren për t’u bërë e njohur, por përfundonte gjithmonë e stigmatizuar nga pushteti totalitar. Orvatjet për t’i minimizuar Nënë Terezës figurën dhe veprën erdhën dhe u shtuan natyrshëm pas ndalimit të besimeve fetare në Shqipëri, prej vitit 1967 e në vazhdim.

Ndryshe ndodhte me figurën dhe veprën e saj në diasporë. Me gjithë kontrastet politike brenda komuniteteve shqiptare të shpërndara anembanë rruzullit, Nënë Tereza gëzonte respekt, admirim dhe nderim të thellë. Në vitet 1970, njëkohësisht kur i jepej Çmimi “Nobel” për Paqe, Familja Mbretërore në mërgim i akordonte kordonin e madh të Urdhrit të Skënderbeut, me një motivacion që përmbledh mënyrën sesi ajo shihej dhe përjetohej nga diaspora shqiptare në botë:

E nderuar dhe e dashur Mëma Tereza,

Ka kohë që na ka tërhequr vrrejtjen aktiviteti tuaj i parreshtur. Në mënyrë të veçantë Shqiptarët t’Atdheut e të mërgimit përhera u kujtojnë me simpathi dhe krenohen me ju mbasi ini motra e tyre dhe me sjelljet e me punën tuaj njerëzore nderuat Vendin tonë, i dhatë një shkëlqim të veçantë Shqipërisë. Ju shkruat një fletë t’artë n’historinë e Atdheut tonë.

Për të gjitha këto vendosëm t’u akordojmë dekoratën më të lartë t’Urdhërit të Skënderbeut – Gjergj Kastriotit – një tjetër bir’i denjë i racës sonë kreshnike”.

Nënë Tereza u mbulua me vlerësime honorifike nga njëri skaj i tokës në tjetrin. Në fillim të viteve 1980 mbretëresha Elisabeta II e dekoroi me Urdhrin britanik të Meritës. Në lidhje me vlerësimet, në përvujtërinë e saj, ajo i përmbahej një parimi: të mos refuzonte asnjë “lëmoshë” që i dhurohej, qoftë materiale, qoftë morale, por t’i vinte të gjitha në shërbim të veprës së misionareve të dashurisë kah të varfërve dhe të sëmurëve.

Në këtë kontekst, pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, regjimi komunist në Tiranë filloi të ndryshonte dora-dorazi qëndrim ndaj figurës dhe veprës së saj. Si për të korrigjuar harresën dhe shpërfilljen ku ishte lënë Nënë Tereza, dekorata e parë që do të krijojë shteti shqiptar i paskomunizmit, më 1991, do të jetë pikërisht një urdhër me këtë emër. Por në zanafillë u desh që Nënë Tereza të vinte dy herë për vizitë në dheun e të parëve. I mposhtur tashmë nga aura e saj dhe nga ndryshimet e vrullshme shoqërore që po ndodhnin në Shqipëri, pushteti u ndie i detyruar të bënte një hap para, sado të çalë, për t’i vënë në vend veprës dhe përkatësisë së saj shqiptare të drejtën e munguar. Me dekret nr. 7434, datë 1 dhjetor 1990, Nënë Tereza u dekorua me klasin I të Urdhrit “Naim Frashëri”. Motivacioni e cilësonte

një personalitet i shquar botëror që, i frymëzuar nga dashuria e pafund për njerëzit, sidomos për të varfrit, të sëmurët e të uriturit, u ka kushtuar atyre tërë jetën e vet. Veprimtaria vetëmohuese e Nënë Terezës, shpirti i rrallë i sakrificës dhe ndjenja e lartë e humanizmit të saj, kanë fituar simpatinë e mbarë njerëzimit. Shqiptarët janë krenarë për këtë bijë të madhe e të nderuar të tyre”.

Dhënia e kësaj dekorate dëshmonte për mundimin e pushtetit për t’i gjetur nobelistes nderimin që i shkonte për shtat. Në nomenklaturën e dhjetra dekoratave të regjimit komunist, me emërtesat e tyre të politizuara dhe në antinomi me qenien e saj, vetëm emri i dëlirë i Naimit mund të bënte, në pamje të parë, njëfarë kuptimi. Por edhe këtu paradoksi ishte i madh. Motivacioni me të cilën kjo dekoratë iu dha Nënë Terezës nuk përkonte kurrkund me kriteret ligjore të këtij vlerësimi asokohe. Kur i kalon ato në revistë, mbetesh ndërdyshas.

Ndoshta ky paradoks, dhe me siguri lidhja morale shumë e dendur që u krijua mes Nënë Terezës dhe shqiptarëve pas dy vizitave të saj – më 4 mars 1991 u çel në Tiranë shtëpia e parë për misionaret e dashurisë, në shërbim të njerëzve në nevojë, të moshuarve, të personave me aftësi të kufizuara dhe të vetmuarve -, i diktuan Kuvendit të parë pluralist nevojën që, me ligjin nr. 7522, datë 30 tetor 1991, “Për miratimin e Urdhrit Nënë Tereza”, të krijonte, nën emrin e shenjtores së ardhshme, të parën emërtesë honorifike të shtetit shqiptar të pasdiktaturës. “Urdhri Nënë Tereza” u jepej “shteteve,  organizatave,  shoqatave,  firmave  si  dhe  shtetasve vendas a të huaj për shërbime të shquara humanitare dhe bamirësie ndaj Shqipërisë”.

Homazh i ndjerë, e për pasojë i përligjur, nga njëra anë, por sakaq veprim fort i diskutueshëm në pikëpamje të ligjësive dhe seriozitetit të nderimeve publike të një shteti, nga ana tjetër. Për dy arsye. Së pari, emërtesa “urdhër”, në rastin e Nënë Terezës, ishte e papërshtatshme sepse dukej si dublikim i zbehtë i organizatës rregulltare që kishte themeluar. Së dyti, krijimi i një dekorate me emrin e një personi të gjallë bie ndesh me traditat e urdhrave dhe medaljeve në vendet e qytetëruara. Për ironi, dekorata me emra personalitetesh ende në jetë nuk u krijuan as gjatë regjimit komunist, kur kulti i individit kishte arritur kulmin. Çudia që përfaqëson, për atë kohë, e tillë emërtesë honorifike del qartë në pah me rastin e dekorimit të vetë Nënë Terezës, kësaj here nga shteti pluralist. Për nga natyra e veprimtarisë që zhvillonte, kriteret e duhura për dekorim përmbusheshin në urdhrin që mbante emrin e saj. Po a kishte kuptim që Nënë Tereza të dekorohej me “Urdhrin Nënë Tereza”? Shteti e mendoi të “kapërcyer” ngërçin, duke i akorduar “Urdhrin Nderi i Kombit” në vitin 1996.

Sidoqoftë, “Urdhri Nënë Tereza” e gjeti vendin e tij në sistemin hibrid dhe të ndërlikuar të nderimeve publike të Shqipërisë në tranzicion në vitet 1990-2023. Me ligjin nr. 8113, datë 28 mars 1996, “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, atij iu njoh vetëm një shkallë: “e Artë”, dhe u rendit në vendin e 5-të të dekoratave kombëtare, pas urdhrit të sapokrijuar “Mjeshtër i Madh i Punës” dhe përpara urdhrit “Naim Frashëri” krijuar në vitin 1965. Nga viti 1996 e deri në vitin 2013, ai u dha me motivacionin “për akte të shquara humanizmi ndaj kombit shqiptar dhe njerëzimit”. Të njëjtin motivacion mbajti ligji nr. 112/2013 “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, kur “Nënë Tereza”, si të gjithë urdhrat e tjerë e humbi këtë cilësi, për t’u shndërruar në një “dekoratë”, po me një shkallë. Nga viti 2013 e deri më 2023, “Dekorata Nënë Tereza” renditej e 4-ta në prezeancën e vlerësimeve honorifike të Republikës së Shqipërisë.

Jehona e përbotshme e emrit Nënë Tereza i dha vlerësimit honorifik eponim një prestigj jo të vogël në vitet 1991-2023, i cili u konsolidua edhe për faktin se, ndryshe nga vlerësime të tjera honorifike, urdhri dhe më pas dekorata “Nënë Tereza” u dhanë me kujdes dhe kursim. Ndër vite janë identifikuar 163 subjekte përfituese, prej të cilave rreth 74% janë individë dhe 26% janë subjekte të tjera.  Në mesin e të vlerësuarve gjenden personalitete të shquara, organizata humanitare dhe bamirësie, institucione të shëndetit publik, misione ndërkombëtare shpëtimi, si edhe struktura të tjera të angazhuara në ndihmën sociale, mbrojtjen e fëmijëve, përballimin e emergjencave dhe mbështetjen e kategorive në nevojë. Brenda kategorisë së individëve rreth 66% janë shtetas të huaj, ndërsa 34% janë shtetas shqiptarë. Ndërkohë, në kategorinë e personave juridikë apo subjekteve të tjera, rreth 69% janë subjekte të huaja dhe 31% janë subjekte vendase. Ndër të dekoruarit mund të përmenden:

Jacques Diouf, Kardinali Mikel Koliqi, Alois Mock, Hillary Clinton, Mbretëresha Geraldinë, Giulio Andreotti, Stipe Mesic, Pjetër Arbnori, Nexhmie Zaimi, Anthony Athanas, Dërgut Aliu, Mukaddes Koçer, Mohammad bin Abdulkarim Al-Issa, Kontigjenti i Operacionit “Pelikan”, Shoqata Ndërkombëtare e Vullnetarëve Laikë, Misionet humanitare amerikane, saudite, austriake, britanike, daneze, emiratase, franceze, greke, gjermane, italiane, turke dhe zvicerane gjatë krizës së refugjatëve kosovarë në vitin 1999, si edhe Organizata shqiptare e Urdhrit të Maltës dhe shumë organizata, fondacione dhe shoqata, veprimtaria e të cilave ka spikatur dhe përkuar me motivacionet e dhënies së këtij vlerësimi.

Vlen të theksohet se “Dekorata Nënë Tereza” i është dhënë edhe vetë Kongregatës së Misionareve të Dashurisë të themeluar nga shenjtorja shqiptare, vite pas vdekjes së saj, në vitin 2016.

Sistemi aktual i nderimeve publike, kodifikuar në ligjin nr. 93/2022, “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, hyrë në fuqi në mars 2024, e ka ruajtur emërtesën honorifike “Nënë Tereza” në formatin e një medaljeje të nivelit kombëtar me tri shkallë (Ar, Argjend, Bronz), dhënia e së cilës bëhet me dekret të Presidentit të Republikës, pas shqyrtimit të kandidaturave nga Kolegji i Urdhrave dhe Medaljeve. Kriteret e dhënies janë më të shtjelluara krahasimisht me të mëparshmet. “Medalja Nënë Tereza” jepet tashmë “për merita dhe kontribute të shquara në fushat e bamirësisë, përkujdesjes mjekësore dhe sociale, angazhimit vullnetar në ndihmë të kategorive në nevojë, si dhe në zhvillimin e shoqërisë e vlerave humaniste”.

Si emërtesë honorifike “Nënë Tereza” u reformua, por u ruajt në sistemin e ri për dy arsye. Së pari, sepse përfaqëson vlerësimin e parë honorifik të shtetit pluralist shqiptar dhe përbën, kësisoj, një moment historik të veçantë në shkëputjen e vendit nga e kaluara. Së dyti, sepse emri “Nënë Tereza” nuk tregon vetëm identitetin e një njeriu, por mishëron tashmë një vepër e cila është shembullore dhe domethënëse në bamirësi, përkujdesje, vullnetarizëm, vlera njerëzidashëse. Do të kishte qenë e vështirë që kjo vepër dhe kjo domethënie, të ngjizura në zemrën dhe në mendjen e një shqiptareje të madhe, e të mbartura në mënyrë të pandërprerë për tri dekada si “patronazh” i një dekorate te rëndësishme, të zëvendësoheshin me emra të tjerë për t’i siguruar vazhdimësinë një nderimi kombëtar në fushat e lartpërmendura.

*****

“Medalja Nënë Tereza” është dekorata e 6-të në rang në Republikën e Shqipërisë dhe medalja e 2-të civile për nga rëndësia. Nga pikëpamja pamore ajo paraqitet në formën e një rombi rrezatues të punuar në argjend të praruar, me imazhin e shenjtores në lutje, gdhendur në një medaljon rrethor në qendër. Shiriti është në mëndafsh me ujra, i ndarë vertikalisht në dysh – i kaltër me të bardhë – në respekt të simboleve të veshjes që mbante dhe të ngjyrave të kongregatës që themeloi. Bordurat janë kuq e zi në kujtim të prejardhjes së saj shqiptare dhe të traditës atdhedashëse të familjes në të cilën lindi dhe u edukua.

Exit mobile version