Kreu Letërsi Bibliotekë “Nën ombrellën e shkrimtarit”, tregim nga Delvina Kërluku

“Nën ombrellën e shkrimtarit”, tregim nga Delvina Kërluku

Natë e Premte qëlloi ajo natë. Zakonisht këtë natë predikimet ishin më të shumta, më të devotshme, më të përshpirta. Lutjet i drejtoheshin shtegut të dashurisë. Dhe jo çfarëdo dashurie, se edhe këto të bekuarat dashuri nuk i ngjajnë njëra tjetrës: ka dashuri dhe Dashuri, por edhe DASHURI! Fjala është për dashurinë e pazakonshme, që është përjetuar, përjetohet e do të vazhdoj të përjetohet jo njëlloj si të tjerat, por shumë më ndryshe. Aq më ndryshe sa s’di ta.., si ta them. Për ta kuptuar duhet përjetuar, e që ta përjetosh duhet ta meritosh. E, që ta meritosh duhet të jesh ndryshe nga të tjerët. Duhet të jesh shkëmb që mos shembesh e të të zërë përfund dashuria. Edhe unë që tregoj nuk e di si jam e kush jam me të vërtet, përveç guximit prej të marri që s’dyshoj ta kem, apo më mirë të them: ta kem pasur.

Zhani, të cilit, në lutjet e mia, i’a kisha përmend emrin nja njëqind herë, zëshëm në errësirë, e pa zë në dritë. Në këtë gjendje më gjeti fjala e tij. Lajmi për librin e tij të ri, ma rrënqethi trupin, të cilin ai me siguri e kishte përjetuar ose imagjinuar. Ishte nga ato dridhjet e puthjes së parë, që pëshpërit zëri burrëror “E virgjër”! Që të jetë habia më e madhe duhet t’u them se kjo nuk ndodhte për herë të parë. Brenda faqeve të pakta të atij libri, ishin përjetimet e një jete, shtigjeve të së cilës me hope, kisha shkelur edhe unë. Nuk di a i gëzohesha, apo i frikësohesha, ose më bëhet sikur të jem në luftë a në paqe me veten dhe me të. Unë çdoherë e kundërshtoja, kur fliste për histori të dështuara dhe të rifilluara. Ai fliste me pasion se si duhet Atdheu, duke mos harruar asnjëherë që ta lidhte këtë dashuri me ndonjë fije të kuqe me dashurinë për vashën. Thoshte, e mua më habiste, se ç’është ajo dashuri për Atdheun, pa dashuri për vashën?!. Unë i thosha: ndaji me shpatë. E Zhani ma kthente: Po ku ta gjesh atë shpatë, që nuk ekziston. Ose mund ta posedojnë ata me gjysmë shpirti, me gjysmë zemre!!! Ku ta dish? Eh, eh: Mëmëdheu dhe Vasha! Por Zhani im, nuk është si ata dashnorët lëpirës, qyramanë, qaramanë, zvarritës, servilë të pështirosur që të neverisin me atë peqe e lepe të tyre, edhe të stisur. Që të rrinë gatitu njëzet e katër orë, duke u shtirur se të duan pa fund. Jo. Zhani të do në mënyrën e vet, di të të gëzojë edhe të të hidhërojë, di të të marrë në krah, por edhe mos të të mbajë përdore si do ti e kur do ti. Di mos të të ndahet me ditë e javë, por edhe mos të shohë me javë e muaj. I tillë është Zhani. Unë përherë e qortoja për këto heshtje të gjata. Më premtonte dhe harronte! Nuk harronte se donte të më harrojë, por e rrëmbente dashuria tjetër: për Atdheun, duke dashur t’i falë atij një varg poezie, apo një faqe proze më shumë e më të arrirë. Ç’dashuri mund të jetë kjo për një vashë të re, kur kohën e lirë të saj, ai i përkushtohej tokës mëmë? Kështu mund të gjykojnë shumica e vashave. Dhe unë as i gjykoj, as i paragjykoj. Punë për to. Edhe unë gati kështu mendoja në fillim, por u rrita e u “poqa” nën ombrellën e Zhanit, që për Atdheun flijonte dhe flijoi gjithçka. Më kishin rrit lotët e mallit, vallë?!

Me lot gëzimi e prita lajmin për librin e tij të ri. Më befasoi me kuptimin dhe rëndësinë që i jepte vetmisë. Shpesh citonte një thënie të dikujt, apo të vetën se njeriu ka dy shokë me peshë: Librin dhe Vetminë! Duhet ta pranoj se në fillim nuk e kuptoja, pastaj duke imituar atë, u binda në këtë të vërtetë. Ai i këndonte vetmisë në Vetminë e tij të thellë. Aty i gjente dy dashuritë e mëdha. Pastaj i shpaloste faqet e librit për të gjithë. Jo, jo. Më falni. Jo për të gjithë, por vetëm për të privilegjuarit. E të privilegjuar janë ata që lexojnë. Përsëri gabova: për ata që DINË të lexojnë, se sa për të lexuar, lexon një botë e tërë. Doemos edhe unë i përjetoja thellë fjalët e tij, në vetminë time, që e përmbushte. Kot nuk më pëshpëriste zëri i poetit “por kur të jesh mërzitur shumë, në rafte të librave kërkomë”. Një zjarr në shpirt më ndizej, në kërkimet e mia. Dhe sa herë kam qeshur me veten sepse, e kam kërkuar kudo, dhe Zhanin e kam gjetur në libra. Ndërsa mendimet më kanë dërguar tjetërkund…

Nuk do të doja të sillesha si femër, kur ai më ikte larg, por më shumë si nënë, kur merrte udhë i biri. Siç thash, në fillim unë mendoja më shumë si shumica e femrave. Përse t’ju gënjej. Edhe mendoja vakët për dashurinë tonë. Me dyshime jo të pakta kur ai largohej, apo heshte. Edhe mua më trazohej një vrer dyshimi për besnikërinë. Pastaj, fundja, pse të mos mendoja, kur një farë vale ma përvëlonte kraharorin. Është e çuditshme të jesh aq larg dhe t’a ndjesh aq afër atë që mendon se të do. Leximi i librave, ma mundësonte takimin me të dhe me dashurinë. Të gjithë dashurinë! Prandaj, në maturinë time, fillova të përzgjedh me kujdes librin që lexoj. Unë dashurohesha shpesh me librin, aq sa pëshpëritja:- E dashuroj shkrimtarin. Ndonëse ndodhte që nuk e kisha parë. T’a shikoja në ato ndejat, në tavolinën ku qëndronte shpuzorja, çibuku, shkrepësja, lapsi dhe fletorja e shkrimtarit edhe vasha e tij me një fustan të bardhë, të gjatë, me një republikë mbi kokë, që i’a mbulon më shumë bukurinë e syçkave të saj, se sa e hijeshon. Por, buzët, me buzëkuqin e kuqërremtë bien në sy. Si mund t’i rrijë përball një bukuri e rrallë një shkrimtari shpesh me shpirt të shkretuar. Ja që privilegji qenka i tij!

Unë isha përhumbur në fjalët që lexoja nga libri i sapo arritur, në postën time. Ishte vetë shpirti i tij, ai shpirt që i këndonte aq bukur dashurisë dhe bukurisë.

Nisa ta lexoj librin, por mendja më qe dyzuar: Do doja ta di si ndjehet ai kur e lexoj librin e tij. Ose: Mbase nuk do ishte më mirë që ai të mos e dinte se i’a lexoj librin, e kështu s’do ketë shansin të më kritikojë nëse s’e kam kuptuar të tërin. Pastaj kthehesha me këmbë në tokë: Ai ma ka dërguar me qëllim që ta lexoj, se i pëlqenin mendimet e mia, qofshin edhe në formën e vërejtjes së butë. Juve ju intereson ta dini se çfarë vërejtje i bëja? I thosha: dua më shumë dashuri. E ai përgjigjen e kishte në maje gjuhe: në librin tjetër do të të dua më shumë!

Epo, jam bërë një harraqe. Harrova të them se, para se ta shfletoj librin, i hodha një sy kopertinës. Çela faqen e parë dhe aty takova emrin e piktores. Xhelozia më përpiu. Thash: po si s’ma lanë njëherë vetëm mua Zhanin tim këto femra?! Por kësaj radhe u përmbajtja dhe nuk shtova asnjë epitet denigrues për piktoren, të cilën as që nuk e njihja.

Kështu e shtynim kohën. Dhe vitet poashtu ecnin…

Exit mobile version