Kreu Letërsi Bibliotekë “Natak”, poezi nga Richard Desjardins

“Natak”, poezi nga Richard Desjardins

Natak në gjuhën Inuït, Inuktituk, përkthehet “i pa strehë”. Richard Desjardins ka jetuar në Nunavik, pjesa veriore arktike kanadeze ku ka dhënë mësim, është frymëzuar nga jeta e banorëve të atyshëm. Ai shpjegon diku se, njerëzit e parë në Amerikë, binjakët e autoktonëve të sotëm, duhet të kenë ardhur nga ngushtica e Beringut, midis Siberisë dhe Alaskës, rreth dyzet mijë vjet më parë. Këta eksporatorë të parë primitiv pyesin veten në atë çast vendimtar, përball ngushticës që lidh dy kontinente, duhet të kthehemi dhe ripërballemi me të këqijat tona të deritanishme apo duhet të riskojmë dhe përpiqemi të kapërcejmë nga njëri breg në tjetrin? Është ky çast kur gruja i flet burrit të saj pikërisht ndanë brigjeve të Beringut. Në fakt është një lutje në gjuhën Inuktituk, …dhe burri quhet Natak.

Natak

Ti, ti je bash ai diell që yjet i verbon
Kur vdekjes i flet kaq e ëmbël dhimbja e saj
Për me gjet fushqetën dhe gjuajtur bishën
Për me gjet strehën zot mbi zota ti je imzot
Natak

Nuk mund ta ëndërroj jetën pa ty
Mbart kujtesën e ujrave ku jam kredhur
Tash kur ti jeton, ëndërroj ndërkohë
Gjithë qenia ime lutet pas nesh të jesh
Natak

Nuk dua të vdes mbi këtë gurajë që pata për fat
Nën shikimin e të tjerëve, dhunuar nga zotat
Nuk ka lule kjo tokë për të hedhur mbi trupin tim
E kush do i bjerë tamburëve të lamtumirës?

Do të të ndjek thellëtirave në vidhimë
Por dua tokë, o Natak, më dëgjon !
Në mundsh në do, nëse jeta na do
Do jemi bashkë gjer në çastin e fundit

Por kaq e shqetësuar jam, drita vonon
Çdo ditë e më shumë, heshtja jote më shtyp
Hapi sytë e shiko se si ujqërit na vështrojnë
Kanë zgjedhur çastin e duhur, viktimën
Dhe ja çfarë i shpëton këtij qielli të ngrysur
Psherëtima e demonit mbytur në psherëtima
Zëri ! dridhet nga frika dhe gishtat i janë nxirë
Ndërkohë që të dua, ai bëzan vdekjen

Nëse vdekja shuan e kthen në zero botën
I sigurt qofsh nuk vjen veç për të, ajo
Kërkon numrin ne duhet të fshehim plagët

O Natak i dashur, zemra ime ka kuptuar
Se unë vdes për të vdekur në kët vend fatal
Po, të humbur si hiçi në rrathët e një trungu
Po, ne jemi të humbur por ende të gjallë

Hapi sytë dhe shih këtë re me zogj
Mësyjnë nga ky det i panjohur, ikin ku?
Po të them se atje tej ka bregore me lule
Eja ti shohim, ishullin po imagjinoj

Ku dita ngrihet, më ushqen dhe shtrihet
Mbi pupla të shejta dhe shpella të sigurta
Ku të ketë ujë të ngrohtë si goja jote
Kur vë në gjumë vajzën dhe i mbyll plagën

Nën shejzën e zërit tënd, mblidhen shigjetat
Kopetë e bizonëve ndjellin thërrasin flijimet
Kur hëna të shndrisë në depo të ushqimit
Dallgë frutash do dhurojë për ti dhënë jetë birit
Fati yt është i imi, nuk kemi për të ngrënë më
Do hapim shtigje shpëtimtarë në gji të savanës
Ku do ndezësh lakuriq dëshirën time më të thellë
Që i thëret kënaqësisë tënde, ajo ma shtyp zemrën

E si për mrekulli lutjet tona sikur të plotësohen
Të qetësojnë zotat e çmendur fashisin dhimbjen
Nuk pranoj asnjë prej tyre të më marrë prej teje
Atje ku robi qahet prej dheut dhe ha rrënjë
Nuk kthehem në vende të shkelura e di
Nën ligjet e luftëtarëve që zhveshin shkorret
Kujtesë e djegur me një pishtar në dorë je ti
Po qe se duhet të kthehem, do kthehem në det

Jam e re, Natak, si një drenush në ag
Jeta kërkon nga unë dhe do që ti të vish
Të ëndërrojmë zërat, të dëgjojmë përlutjen
Ti lidhim rremat në veshkat e balenave

Do jemi të parët që do shijojmë bajamet, eja
Kapërcejmë, me vete në bohçe dëshirën e fatit
Më duaj ! Më ndihmo ! Tretet barku im i tharë
E ngopur jam, Natak, më duhet pak zjarr


Richard Desjardins është lindur në Rouyn-Noranda (Abitibi-Temiscamingue) më 16 mars 1948. Kalon fëmijërinë në një familje të përbërë nga pesë femijë. Në një rrajon të njohur si një nga minierat më të mëdha në Amerikën e Veriut. Në një vend ku varfëria, inflacioni, papunësia dhe ndotja e ambientit, tundon qenien njerëzore sa herë që mbyllen vendet e punës. Ajo çka mban gjallë shpirtin poetik të djaloshit, është nëna e tij që do ti jepte edukimin e parë në muzikë me mësimin e pianos. Adoleshen, Desjardins niset në udhën e vet boheme si pianist, poet, kompozitor dhe interpret, rapsod folk, si edhe dokumentarist. Skenarist, produktor dhe realizator, filmat dokumentar, Mizë në flakë (1982), Gabimi Boreal (1999), Populli i padukshëm (2007), Histori e vërtetë (2010), Richard Desjardins ngre zërin mbi padrejtësitë, shfrytëzimin, të drejtat e autoktonëve dhe shfarrosjen e resurseve natyrore të vendit të tij.

Exit mobile version