Kreu Opinion Namik Dokle: Takim me Heminguein

Namik Dokle: Takim me Heminguein

Nga ditari i udhëtimeve

Shumë herë, gjatë udhëtimeve të mia në vende të ndryshme, kam shkruar një ditar udhëtimesh për disa përshtypje të veçanta, sidomos për ato që lidheshin me letërsinë dhe kulturën e popujve të tjerë. Dëshiroj të ndaj me lexuesit e ExLibris përshtypjet e mia nga vizita në Shtëpinë-muzé të Hemingueit, në Kubë.


Emri kilometrik i francezit Roger Joseph D’Orn Duchamp de Chastaingne, me siguri do të ishte harruar prej kohësh, nëse,në vitin 1939, nuk do të vinte në oborrin e shtëpisë së tij një njeri që, krejt papritur, e pyeti: “ E shisni këtë shtëpi?” Francezi finok nuk hyri menjëherë në pazar me këtë njeri që akoma mbante një xhaketë ushtarake, në të cilën ishte qepur një pllakëz e bardhë, me shënimin “War Correspondent”.

“Vini nga Spanja?”- pyeti francezi, megjithse ishte i sigurt për këtë, sepse në atë kohë vetëm Lufta e Spanjës kishte mbaruar, ndërsa Lufta e Dytë Botërore ende nuk kishte filluar. Dhe, meqë nuk mori asnjë përgjigje, u përgjigj vetë: “ Nuk e shes, por e jap me qerá.”

Pas pak ditësh, Ernest Heminguei la hotelin “Ambos Mundos” të Havanës, ku sapo kishte shkruar romanin “Lamtumirë, armë” dhe erdhi u vendos në atë shtëpi, në fshatin San Francisco de Paula, në kodrat Vigia, rreth 25 kilometra larg Havanës. Pas një viti, francezit iu mbush mendja që t’ia shiste shtëpinë shkrimtarit të madh. Dhe ai jetoi në atë shtëpi deri sa vdiq, në vitin 1961.

Pas vdekjes, shtëpia-muzé e Hemingueit u bë një nga muzeumet më të vizituar të Kubës. Sapo hyn te porta e saj e jashtme, një grua shënon targën e makinës, numrin e vizitorëve dhe shtetsinë e tyre. Ndërsa kur del, të tregojnë se çfarë numri të vizitorëve u plotësua me ardhjen tuaj aty.

Kur futesh në rrugëzën e mbuluar me gjelbërim të përherëshëm e me një qetësi të jashtëzakonshme, ndjehesh paksa i zhgënjyer. Sikur nuk ndien asgjë nga fama e madhe hemingueiane, sikur ai nuk ka qenë këtu asnjëherë, sikur gjithçka është mbuluar nga heshtja. Por, pas pak, pas pemëve hijeshumë, të shfaqet shtëpia e mbushur me librat, trofetë e gjahut, me makinën e shkrimit, me krevatin ku fjeti, me revistën e fundit që lexoi, me vogëlsirat e panumërta të jetës së tij, që ai i përdori deri në vdekje, dhe të duket se të gjitha ato jetojnë pa të, por me shpirtin magjik që ai u dha. Atëherë ndien se ke takuar vetë Heminguein, ndien se ai vazhdon të jetë gjithnjë aty, i gjallë dhe i përjetshëm.

* * *

Kur po nisesha për në Kubë, miku im Zija Çela, më tha: “ Me siguri do të shkosh edhe në shtëpinë muzé të Hemingueit. Atje është dërguar edhe romani “Lamtumirë, armë”, i përkthyer dhe i botuar në shqip.” Me gjithë dëshirën e madhe për ta parë këtë botim shqiptar në shtëpinë e autorit, qe e pamundur. Në atë shtëpi nuk lejohet askush të futet brenda; gjithë vizita bëhet duke e parë nga dritaret e mëdha, të hapura dhe me parvazë shumë të ulët. Shtëpia ka aq shumë dritare, sa që vizitori mund të kundrojë gjithçka brenda saj, por pa prekur dot asgjë. Por, vështirë se do ta gjenim romanin e botuar në Shqipëri, sepse e tërë shtëpia, në çdo cep të saj, ishte e mbushur me libra. Etazherë të mëdhenj dhe të vegjël. Libra mbi tavolinë, libra në dhomën e fjetjes, libra në dhomën e ngrënies, libra në dhomën e miqve, libra te koka e krevatit dhe, madje, një etazher i vogël me libra edhe në banjë, pranë vaskës. Megjithse nuk morëm pëgjigje të saktë, por një nga ciceronet e shumta, na tha se aty kishte mbi 8000 libra, një pjesë e të cilëve ishin botime të Hemingueit në të gjitha gjuhët e botës.

Dhe pasi ke dëgjuar këtë informacion, sytë të mbeten te makina e shkrimit “Royal”, me të cilën Heminguei shkroi kryeveprën “Plaku dhe deti” e shumë libra të tjerë. Ajo është vendosur mbi një etazher librash. Asnjë karrige aty pranë, megjithse sapo ke dëgjuar ciceronen, e cila, shumë qartë ka shpjeguar: dhoma e punës. Ja një krevat i vogël, ja një etazher tjetër, më i vogël, një shishe rum “Havana”, dy lapsa, syzet e holla me skelet metalik, por… ku është karrigja? Dhe atëherë merr vesh se Heminguei kishte zakon që aty të shkruante në këmbë. Për ta patur makinën në lartësinë e përshtatshme, ai i ka vënë poshtë një mbajtëse të vogël. Të shkruarit në këmbë nuk e shqetësonte fare, mjaft që të mos kishte vizita, apo telefonata në kohën kur punonte. Duke e parë atë dhomë 4.83×4.20 m., me ato gjëra të kursyera rreth makinës së shkrimit, nuk ke si të mos kujtosh fjalët e tij të njohura: “Të shkruarit më është bërë si një ves, por edhe si kënaqësia më e madhe. Vetëm vdekja mund të më ndajë.” Dhe kur shikon syzet e tij, vënë mbi revistën “Sea Frontiers”, e fundit që lexoi në këtë shtëpi, të duket sikur ke dëgjuar zërin e vetë vdekjes: “ Unë e ndava nga shkrimi…” E ndau nga makina, por kurrsesi nga njerëzit.

Të gjitha dhomat e shtëpisë komunikojnë me njera-tjetrën me hapësira të gjera, pa dyer. Nga dhoma e punës kalon në një sallë të madhe, 13.35×7.85 m. E mbushur me libra, piktura me tematikë nga ndeshjet e toreadorëve me demat, dhe me koka kafshësh të ndryshme, të vëna nëpër muret e dhomave. Një kokë gizele duket sikur qan dhe ankohet: “Pse më vrave?” Dhe dëgjohet pëshpërima e shkrimtarit: “Nga dashuria; doja të të kisha pranë…” Janë trofetë e Hemingueit gjuetar, që sjellin aty jehonat e pyjeve dhe të xhunglave të Afrikës. Në këtë sallë rrinte mbrëmjeve, lexonte ndonjë libër, ose revistë, pinte ndonjë koktei, që e përgatiste vetë në bar-bufénë familjare dhe dëgjonte muzikë. Ai ishte i apasionuar pas muzikës. Pranë gramafonit të tij, është edhe një etazher ku ruhen mbi 800 disqe me muzikë të Bahut, Luis Armstrongut, muzikë popullore, zarzuela, opereta etj.

Pranë kokës së bukur të drerit të kuq, është vënë edhe një kopje pikture të Francisco Goyas, e cila, për Heminguein, ishte dy herë e dashur: e kishte blerë si dhuratë për gruan e tij të katërt, Mari Welsh, dhe i kujtonte Spanjën, dashuria për të cilën nuk iu shua kurrë. Diskoteka e tij ishte e mbushur me muzikë spanjolle. Pak më tutje ka edhe një kujtim tjetër: një ndenjëse e ulët për të çlodhur këmbët. Shpinëza e saj është qëndisur nga gruaja e dytë e Hemingueit, Polinë Pfeifer. Ndërsa në dhomën e studimit, vërtetë që ka shumë libra, por të krijohet përshtypja që Hemingueit nuk i pëlqente të studionte aty. Tavolina është e mbushur me dhjetëra relike: gradat e dy luftërave botërore, figurina druri, bilbila, fotografi të gruas dhe të miqve, kujtime e dhurata të ndryshme; kështuqë, mbi atë tavolinë s’kishte ku të vinte asnjë libër. Ajo, në të gjallë të shkrimtarit, ishte bërë një mikromuzeum personal. Po në atë dhomë, në një etazher të mbuluar me beze të kuqe, Heminguei kishte vendosur më shumë se dhjetë thika afrikane të llojeve të dryshme, të cilat i përdorte kur shkonte për gjah. Një koleksion pushkësh tregon pasionin e tij për armët. Aty afër armëve kishte lloje të ndryshme bastunesh afrikane, të dhuruara nga krerët e tribuve Wacamba dhe Masai. Ato ai nuk i përdorte, por i ruante si kujtime të shtrenjta, ndërsa kur dilte në shetitje, përdorte një shkop të thjeshtë, paksa të shtrembër, thuajse të ishte një barí fshati.

Edhe suveniret që blinte gjatë udhëtimeve të tij, lidhen me pasionet e shkrimtarit. Demat e egër i shikon në piktura. Koka të mëdha demash e bizonësh, që ai ka vrarë, janë vendosur nëpër mure. Pastaj një vepër origjinale që e ka blerë në Paris, më 1957: një kokë demi e punuar në qeramikë. Ndoshta kjo kokë demi, paksa kapriçioze, e ka frymëzuar Heminguein të shkruaj në një tregim të tij për “një dem që, pasi goditi toreadorin, sillej rrotull, si një maçok i hutuar”, detaj artistik, të cilin Gabriel Garcia Marquez, e pat quajtur “një gjepurë gjeniale”, e natyrshme për shkrimtarë të përmasave të Hemingueit. I pasionuar pas gjahut, por edhe i vetëdijshëm për të papriturat që mund të sillte gjuetia e luanëve dhe leopardëve, disi supersticioz, Heminguei mbante në shtëpi një figurinë afrikane prej druri (një grua e ulur galiç), që, sipas besimit afrikan, të mbronte nga rreziqet e gjahut.

Objekte të tjera, piktura, qeramika, punime në bakër etj. të kujtojnë edhe një pasion tjetër të Hemingueit: peshkimin. Por me veprën “ Plaku dhe deti”, ky pasion personal i tij kaloi krejt në hije, sepse pakkush kujton shkrimtarin peshkatar dhe kujtojnë plakun e tij, sivëllezërit e të cilit i njohu në fshatin e peshkatarëve Cojimar; njeri prej tyre, Gregorio Fuentes, ishte mik i shkrimtarit, deri në fund të jetës së tij. Me motobarkën “Pilar”ata dilnin shpesh për peshkim. Barka e Gregorios është një nga objektet më të vizituara, në oborrin e muzeut. Nuk e di sa e vërtetë është, por dikush më tha që, kur shteti ia mori motobarkën, për ta vendosur në muzé, në këmbim i dhanë një apartament banimi.Sidoqoftë, atje ku Heminguei peshkonte një lloj të veçantë, peshkun-gjilpërë, zhvillohet një konkurs, në të cilin, peshkatarë të ardhur nga vende të ndryshme, garojnë kush do të zerë peshkun- gjilpërë më të madh. Pas garës, pjesëmarrësit shkojnë në hotelin “Plaku dhe deti”, në oborrin e të cilit gjendet monumenti i Plakut, në ndeshjen e tij të përjetëshme me peshkaqenët.

Heminguei ishte shumë mikpritës. Në dhomën e ngrënies, të mobiluar sipas shijes spanjolle, ai vinte gjithnjë tri karrige, për vete, për gruan dhe një “për çdo mik që mund të vinte papritur”. Çdo ditë, në tavolinë, vihej një pjatë më shumë. Një dhomë e veçantë, e rregulluar sipas shijes veneciane, ishte enkas për miqtë.

* * *

Kur ke ardhur te dritarja nga e ke nisur vizitën, ke një dëshirë të papërballueshme për t’u rikthyer edhe një herë nga e para. Është pushteti tërheqës e i fuqishëm i letërsisë hemingueiane që të mban të gozhduar e të palëvizur, aty, mes pemëve dhe luleve të panumërta.

Duke kaluar përsëri portën e shtëpisë, mendjen ta ka pushtuar vetëm një emër: “Heminguei… Heminguei…” Emri i pasunarit francez që i pat shitur atij këtë shtëpi, ka mbetur në pluhurin e kohës.

Exit mobile version