Kreu Arte pamore Mr. Prof. Zake Prelvukaj: X-FLASIN

Mr. Prof. Zake Prelvukaj: X-FLASIN

Gjatë ngarendjeve nëpër botë kemi rast të ndeshemi me imazhe të ndryshme të cilat, edhe pse na shfaqen si të njohura për ne, u qëndrojmë në distancë, përkatësisht nuk kemi dëshirë dhe as emocion që t’i pranojmë. Në këso rrethanash, duke u përpjekur të gjeja një shenjë mbrojtëse, krijova ciklin X-talk, jo si ekuacion të vlerës në matematikë, por si argument të funksionit të formës dhe të koncepteve artistike. X-at, përndryshe, na shërbejnë për t’u orientuar dhe mbrojtur. Ndërkaq, për mua, këto shenja ndihmese dhe paralajmërimi janë shenja që gjenden gjithkund, që mund të hasen kudo dhe te çdo popull, pavarësish gjendjes sociale të tyre: qofshin ata të varfër, apo të pasur, të bardhë apo të zinj, shkencëtarë apo bujq… X-at mund të jenë me kuptim psikofizik, por gjithmonë janë të pranishme për të na ndihmuar dhe paralajmëruar. Si të tilla mund të marrin format e veta kreative artritike, me mesazhe shumë të forta. Në këto raste, kur shfaqen me mesazhe të qarta, ato flasin, tregojnë se gjithçka ka të kundërten e vet (negacionin), si individi, shoqëria dhe populli në përgjithësi. Sado që për X-at mendojmë se janë të panjohur, na del e kundërta: pikërisht aty ekziston e njohura, prandaj duhet shfrytëzuar rastin për të komunikuar dhe hulumtuar. Përmes X-ave si caqe, në ekspozitën X-at flasin , kam kërkuar ndihmën në ngjarjet  e vitit 1999, që ndodhen në Ballkan.  Nisur nga kushtëzimet shpirtërore dhe të rrethanave ekonomike dhe politike të cilat zakonisht ndryshojnë, si artistë, si krijues të vlerave të artit, kurrë nuk mund të jemi indiferentë ndaj këtyre rrethanave. Prandaj, nisur nga përvoja e mosqenies indiferent, periudhat e ndryshme krijuese japin rezultatet e veta. Si shembull i kësaj bindjeje janë edhe X-at flasin, të cilat ndryshojnë në formë, ngjyrë dhe në mënyrën e të shprehurit. Këto shprehje shpesh janë të revoltës, të kënaqësisë, durimit, kërkimit dhe shoqërimit. Kjo që u tha më sipër ishte shtytje që X-at gjetën vendin në opusin tim krijues, apo ndoshta unë i kërkova si shenj pozitiv dhe mjaft sfidues për krijimtarinë time. 

Exit mobile version