Kreu Letërsi Bibliotekë “Motive nga New Yorku”, poezi nga Xheladin Mjeku

“Motive nga New Yorku”, poezi nga Xheladin Mjeku

AUTOBIOGRAFI

Asnjëherë nuk e pash pasqyrën time prej portreti (Jo nga frika se nuk do ta njoh vetveten)
Që gdhendur e ka koha në përftim
Viteve të rrugëtimit plot sprova e trishtim
As nga malli i tretur në shekullin DJE
Sa nga harresa që po na tretë çdo ditë
Po na kthen në kohën e ikjeve të përtej kujtesës
Skutave të durimit në pambarim

Preka me dorë shumë ravijëzime të fytyrës
Erozione të thella deri në palcën e ironisë
Reliefe që m’i rikthejnë pamjet e trishta të jetës
Autobiografia ime
Pikë tjetër e historisë

Edhe në çastet e ikjes së përtej kohës
Portret i ndryrë në mall e trishtim
Harrimi i së djeshmës nuk tretet dot
Në përkushtimin im

Portreti im më vjen ndryshe
Në pasqyrën vizatuar epokash
Me Paqësorin e tallazitur në mes
Autobiografi e shkruar nëpër kohëra
Prej nga çdo çast kujtimet i tres

New York, Mbasditë: 21.09.2018


MOTIVE NGA NEW YORKU

Para sysh më shpërfaqen parreshtur
Pamje horizontesh përflakur nga dielli
Mëngjeseve të vjeshtës së kuqrremtë
Në Manhattanin e pangopur kaltësi
Ku qiellin e shpojnë silueta drite
Pasqyrash të panumërta rrokaqiejsh
Binjakëzim motivesh në reliefin e gurtë

Sa larg preket ndryshimi
Stinët e trazuara erërash tejoqeanike
Sjellin rryma suvalë nga të katër anët e globit
Dhe përplasen shkëmbinjëve
Në New Yorkun e ujdhesës së gurëzuar
Që krahërorin shpuar ia kanë kohërat
E ndërtuar është prej dashurisë njerëzore

Motiv i përhershëm New Yorku
Prej kah bota vërtitet çdo çast
E shemben iluzionet për ndonjë idol
Këtu gjithçka e ka emrin e identitetit
Me vulën e njeriut paqësor

Drita të panumërta neonësh
Mbështjellë nga avuj të kriposur oqeani
Peisazh magjik që mbetet në kujtesë
Mëngjeseve lanë sytë New Yorku
Dhe agimeve u fal buzëqeshje për ditën e re
Jeta kalëron në pakthim

Këtu gjithçka e ka fillimin nga dashuria
Njerëz në ngarendje për ta zënë ditën
Orvatje të parreshtura në kapërcim zikzakesh
Në zbërthim të shtigjeve që shpiejnë në cak
Dhe pak ëndrra të premtuara për një tokë të re

New Yorku shpalos krahërorin e mrekullive
Diell dhe dashuri mes njerëzve
Kënga merr kuptimin e lartësive qiellore
Dhe gërshetohet në njëmijë ngjyra ylberësh
Në majë-majën e Times Square

Bryant Park ngjall kujtime dashurish
Dhe përqafime plot etje përballë bustit të Gëtes
Sa shumë ndiesi për librin në National Library
Bota vërtitet në një çast
Në New York City

Këtyre pamjeve brilante në defilim
Mund t’ua fal tri pika të reja në vazhdim
Për çdo çast preket një veçanti e re këtu
Motive nga New Yorku


JELEKU I FAIK KONICËS

Sa kohë bën nga zemra e Bronxit
Mespërmes New Yorkut
Me zbritë deri në Boston
Me çarterin e parë
Me prek pak dashuri atdheu
Në metropolin e këtij kontinenti
Pak lashtësi zakonore me ndi nga tretëdheu

Atje nuk na pret Faik Konica, kryefjala
As Vasili nuk del para portës së tij të na përqafoj
(Mbase ka kohë që i kanë lënë shënde’në kësaj bote)
Veç me Andrean do të çmallemi paksa
Dhe kujtimeve t’u japim jetë sërish, po ra fjala
Se jetës nuk i dihet, or tungjatëjeta!

Është kohë e keqe, e mund të ndryshojnë rolet
Dikujt i pikë harresa, si mollë e shkëputur vjeshte
Pastaj ikën fija e kujtimeve pa lënë gjurmë
Druaj se mund të ndodh sërish
T’i shkëputet edhe ndonjë kopse jelekut të Faikut
Pastaj u humbet kuptimi
Largësive të historisë

Me marrë rrugë deri në Boston
Për pak çmallje vllazërisht
Faiku edhe mund të na ndiej
Për mirësinë do t’na tumirë rrugëtimin

-Ma ruani jelekun, se mund t’i bijnë kopsat
Dhe prishet ëndrra e dashurisë për atdheun!

Në zemër të Bostonit po e preke jelekun e tij
Si me e tok dorën e përqafimeve me Bacën
Borxh ia kemi kurdoherë pak çmallje
Si vëllau – vëllaut në çdo rast
Ai gjithmonë kishte qëndrim vertikal
Në rrebeshe kohe – shtizë flamuri
-Ty të njeh historia
O, Faik burri!


UNË ARRITA PARA TITANIKUT

E njëjta rrugë shpiente kah Atlantiku
Edhe uji po atë ngjyrë ruante si ngahera
Veç rrugëtimi ndodhi më shpejt
Titaniku kish ngelur në gjysmërrugën e harresës
Derisa po zbarkonim në “Xhon Kenedi”
Atij duhej t’i ketë ikur ora e ankorimit

Arrita para Titanikut
Se nisjet i bëmë krejtësisht ndryshe
Derisa kujtesa më rikthen në kohën tjetër
Përmbysje shpirtërore në paracak
Ku uji në mes e frika kishte mbërthyer bashkudhëtarët
Në lashtësinë e pritjes së ankorimit

Titaniku kurrë nuk ktheu rrugën e tij të kalimit
Një ditë do të arrijnë edhe të tjerët
Paçka se në mesrrugë ka disa pengesa sa shekulli
Dhe bordi është zbrazur plotësisht
Veç alga e gjitarë e përshkojnë tejpërtej
Në përkujtim të kohës së pakthim

Me Titanikun një ditë mund të takohemi në New York
Dhe ta kthejmë orën e fillimit nga shekulli në përftim

Mbi Atlantik fryjnë erërat ndryshe
Dhe rrugët vijnë për së afërmi deri në Pikëqëllim
Ujërave oqeanike ka tollovitje
Përplasje që trandin shekujt në vazhdim
Këtu ndahen shtigjet
Edhe caku ka tjetër Pikëtakim

Titaniku mund të ankorohet shpejt
Kur unë do të rikthehem shtigjeve të së djeshmes
Dhe ngarendja do të vazhdoj
Pa mos u takuar kurrë
Në Portin e fundit

Sa kohë mund të ketë në mes takimeve tona
New Yorku mbetet po ai
Mikëpritësi i ndodhive të befasishme
Derisa Titaniku një ditë do të ankorohet
Në kobin e lavdisë së fundosur oqeanike
Se përmbysjet ndodhin gjithnjë
Kur nuk e parafytyron njeri!

Në New York arrita para Titanikut
Fatet e kthejnë historinë
Në pikën zero të rinisjes
Që në fillim


HEMINGWAY MUND TË KTHEHET SËRISH

Me Hemingwayn desha të takohem
Rrugicave me kalldrëme të futura në tokë
Gjeniun e kërkova që me rrezet e para të diellit
Në agun e ditës që po lind
Ai nuk po vinte për kaq shekuj jete
Atyre viseve të harruara në kohë

-Nuk kthen dot Hemingway!
Më sqaruan herakët vendas
-Ka ikur kahmotë që këtej
Me oqeanin në përballje
Derisa ta arrinë lundrën e peshkatarit plak!
Ktheva rrugën në kahjen tjetër të ardhjes
Me durimin që ta takoj një herë tjetër

Ai edhe mund të kthehet në një stinë
Kur qetësohen erërat mespërmes oqeanit
Sërish do ta kërkoj rrugicave me kalldrëme
Të lashta sa kujtimi i përhershëm për mikun

Patjetër do ta takoj kur t’më rastis rruga
Ernest Hemingwayn


MBRËMË I BËRA DITËS NJË FOTOGRAFI

Mbrëmë i bëra ditës një fotografi
Kur dielli mbyllte orarin e punës
Dita matej me ikjen e turmave si hije
Derisa nata po mbytej në errësirën e saj
Përmes neonëve i kapa mrekullitë e çastit

E kthyer mbrapsh rridhte jeta
E natës i kthehej dita me vrull
Ky qytet kahmot vuan nga pagjumësia
Turma njerëzish derdheshin si lumë
Bulevardeve të pafund

Ditës i bëra një fotografi
Të zënë në mesnatën e saj të përhershme
Ajo sikur flirtonte me yjet dhe neonët
Dy drita që ndillnin agun në mesnatë
E turma zbrisnin bulevardeve çdokund

Mbrëmë i bëra ditës një fotografi
Që të nesërmen ta kem pasqyrë të një fillimi të ri
Këtu në Bronx çdoherë ndodhin mrekulli
E dita New Yorkut i fillon me agmbrëmjen
Si në ëndrrat me shtojzavalle
Ku mrekullitë bëjnë veç mrekulli

Mbrëmë i bëra ditës një fotografi
Kur dielli mbyllte orarin e punës së tij
Vërtetë këtu edhe veç një fotografi
Ka kuptimin e çdo fillimi të ri!

Mbrëmë i bëra ditës një fotografi
Që New Yorkun e agmbrëmjeve të bukura
Ta kem kujtim përgjithnjë

Exit mobile version