Kreu Letërsi Bibliotekë “Mjellmat në Shën Ajves”, tregim nga Charles Casha

“Mjellmat në Shën Ajves”, tregim nga Charles Casha

Lesli mbaroi mëngesin e tij dhe u ngrit për t’u kthyer në dhomën e vet. Si gjithmonë, ai ishte i fundit që largohej nga salla e ngrënies dhe personeli shërbyes që rrinte rreth e qark tavolinës së tij, duke pritur që ai të ngrihej, u vu në lëvizje për ta pastruar tavolinën dhe për të nisur përgatitjen e tavolinave për drekë.

– Pse është gjithmonë i fundit që largohet? – u ankua njëri nga kamarierët.

– Ai e merr shumë lehtë, duke e zgjatur të ngrënët deri në minutën e fundit, – u pajtua me të kamerieri tjetër ndërsa të dy u kthyen në kuzhinë për të vazhduar me detyrat e tjera që kishin.

Lesli ishte zhvendosur në këtë shtëpi për të moshuarit, që ndodhej në një prej rrugëve të qytetit të vjetër historik të Shën Ajvesit, rreth dy muaj më parë. Shtëpia nuk ishte shumë e madhe dhe mund të kujdesej vetëm për rreth njëzet banorë. I gjithë Shën Ajvesi e njihte zonjën Meri, menaxheren e saj, e cila ishte shumë aktive në komunitet dhe duket se bënte pjesë në të gjitha komitetet dhe grupet e veprimtarive në qytet. Lesli ishte i lumtur aty. Atij nuk i duhej të ecte shumë për të arritur në bregun e lumit, ku do t’u bashkohej njerëzve të tjerë, kryesisht pensionistë si ai vetë, të cilët do të uleshin atje, tek stolat që vinin varg njëri pas tjetrit në shëtitore. Mjellmat e shumta që jetonin në lumë do t’u afroheshin, duke shpresuar për ndonjë copëz ushqim. Lesli kishte vendin e vet të preferuar. Ai do të ulej në stolin më afër urës që përshkonte lumin. Çdo mëngjes, si mbaronte së ngrëni, do të ngjitej në dhomën e tij, do të vishte rroba për të dalë dhe do të çapitej atje, duke kaluar rreth dy orë thjesht i ulur në stol duke shijuar pamjen e mjellmave që formonin rrathë në ujë, poshtë urës. Nganjëherë, me të arritur aty do të zbulonte se dikush tjetër ishte ulur në ‘stolin e tij’ dhe do të shëtiste aty pranë ose do të ulej në një stol tjetër aty afër duke pritur që ai ose ajo të largohej. Sapo vendi ‘i tij’ ishte i lirë, ai do të nxitonte ta zinte, përpara se të vinte dikush tjetër.

Nuk e kishte fare idenë pse ishte i lidhur kaq shumë veçanërisht me atë stol. Mos ndoshta sepse ishte pranë urës? Apo mbase ngaqë ishte shumë afër rrugës kryesore? Ose ndoshta kishte ndonjë arsye tjetër që nuk kishte lidhje me vetë vendndodhjen fizike, por më shumë me natyrën njerëzore. Çdo mëngjes, rreth orës njëmbëdhjetë, Rebeka do të shkonte buzë lumit me karrocën e saj me rrota dhe do t’u hidhte mjellmave disa copa buke e gjëra të tjera që do t’i sillte për to. Më pas do të nxirrte një libër nga çanta e dorës dhe e ulur në karrocën e vet me rrota, do të lexonte. Rebeka rrallë dështonte në përmbushjen e detyrimit të saj në takimin me mjellmat, pranë stolit “të tij”. Ndonjëherë ajo do të vinte edhe kur moti ishte i keq dhe kur nuk kishte pothuajse asnjeri tjetër, pasi ishte mbështjellë me rroba të ngrohta, të përshtatshme për ditën. Leslit i pëlqente ta shikonte tek ndiqte rutinën e saj deri rreth orës një pasdreke, kur zakonisht largohej. Ai e dinte që ajo jetonte aty afër, pasi e kishte ndjekur një herë deri tek shtëpia e saj e vogël, në një rrugë të ngushtë, paralel me lumin, që ishte edhe hera kur kishte dëgjuar një prej fqinjave të saj ta thërrisnin, duke mësuar kësisoj se quhej Rebeka.

“Një ditë, unë do t’i flas”, – thoshte gjithmonë Lesli me vete, por nuk e mori kurrë iniciativën. Megjithatë këtë e bëri Rebeka e cila theu akullin, duke i përmbushur kështu dëshirën për të bashkëbiseduar. “Mjellmat më presin rreth kësaj ore. Pa shikoji, ato notojnë drejt bregut të lumit sapo më shohin të afrohem. Janë kaq të dashura dhe më njohin kaq mirë”, – nisi të thoshte ajo papritur e pakujtuar.

– Nuk ngopem duke i parë, – ia ktheu Lesli.

– I kam ushqyer që ditën që Davidi dhe unë u transferuam në Shën Ajves. M’u desh të ndaloja për ca kohë kur u sëmura dhe kjo më trishtoi pafund. Pastaj e mora veten mjaftueshëm për të filluar të vija sërish dhe mendoj se ardhja këtu çdo ditë është ajo që po më mban gjallë. Davidi i gjorë, do të më inkurajonte të vija këtu edhe pse ishte më i sëmurë se unë, sepse e dinte se sa shumë i doja. Ai vinte me mua dhe ulej në atë stolin ku ulesh ti gjithmonë. Kur vdiq, do të mbyllesha përsëri në shtëpi nga trishtimi, por më pas vendosa të vazhdoja të vija. Dhe ja tek jam çdo ditë, duke shpresuar gjithmonë se do të jetë e mundur që të kthehem edhe të nesërmen. Kush e di? – tha zonja e moshuar, duke e nënvizuar fjalinë e saj të fundit me një buzëqeshje.

– Të pashë duke i ushqyer që herën e parë që erdha këtu dhe kushedi për ç’arsye më tërhoqe vëmendjen. Që prej asaj dite, kam pritur këtu që të vish çdo mëngjes, – i tha Lesli.

– Ke pritur për mua?

– Po, më pëlqen shumë të të shikoj tek ushqen mjellmat dhe të flasësh me to sikur të ishin mikeshat e tua, – i shpjegoi Lesli.

– Dhe kush ta dha idenë që nuk janë? – reagoi ajo me një buzëqeshje.

– Kur Davidi dhe unë u martuam, u vendosëm këtu dhe kurrë nuk menduam të largoheshim për të jetuar diku tjetër. Në këtë qytet ndiheshim gjithmonë si në shtëpi dhe më pëlqente të isha këtu.

– Edhe mua më pëlqen, – pranoi Lesli.

– Por… ti nuk je nga këtu, apo jo? – e pyeti Rebeka.

– Jo, nuk jam nga këtu. Kam jetuar në Londër. Emri im është Lesli, meqë ra fjala.

– Rebeka, – tha ajo për t’u prezantuar.

– E di çfarë, – tha Lesli, duke vazhduar shpjegimin, – një herë dëgjova dikë që të thirri në emër.

– Këtu? – pyeti ajo.

– Në rrugën tënde. Kisha dalë për një shëtitje të shkurtër rreth lagjes dhe të pashë që ndalove para shtëpisë tënde. Ishte një grua ajo që të thirri.

– Ah… e kuptoj. Duhet të ketë qenë Xhoana. Ajo vjen më viziton gjithmonë. Ti je vetëm fillikat!

– Kjo është një nga të mirat e të jetuarit në një qytezë të vogël si kjo, ndryshe nga qytetet e mëdha. Merr Londrën, për shembull. Atje njeriu jeton mes kaq shumë njerëzve e megjithatë është sikur të jetë vetëm! Askush nuk kujdeset për askënd, – tha Lesli.

– Atëherë duhet të kesh vënë re një ndryshim të madh kur erdhe të jetoje këtu, – tha Rebeka me një ton pyetës.

– Çfarë të presësh? Është pikërisht ky ndryshim që m’u duk kaq tërheqës rreth të jetuarit këtu. Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë që do të vija për të jetuar në një qytet kaq të vogël. Dikur mendoja se vetëm njerëzit që kishin hequr dorë nga jeta dhe kishin humbur çdo lloj ndjesie iniciative do të vinin të jetonin në një vend të tillë.

– A ke ndryshuar mendje tani?- e pyeti Rebeka.

– Që çke me të! Më vjen keq që nuk kam ardhur më herët, por, si i thonë një fjale të urtë, më mirë vonë se kurrë, dhe nuk është kurrë vonë, apo jo? – konfirmoi Lesli.

– Nuk më kanë pëlqyer kurrë qytetet e mëdha si Londra. Atje njerëzit humbasin individualitetin e tyre dhe shndërrohen thjesht në një statistikë, thjesht në një numër ndër shumë të tjerë. Këtu është ndryshe. Këtu ndihem vetvetja dhe kam kaq shumë kujtime të bukura, – tha mendueshëm Rebeka.

– Unë nuk kam pasur atë lloj jete që ke bërë ti. Jeta ime ka qenë gjithmonë e vështirë… ka qenë gjithmonë një luftë e vështirë deri në arritjen e objektivave të mia, dhe kur i arrita, përfundova i zhgënjyer, – shpjegoi ai.

Rebeka u afrua dhe tha:

– Oh, pa shiko, po vijnë retë. Duket se do të bjerë shi. Mot tipik anglez…nuk mund t’i zësh besë kurrë. Gjithashtu duket se krejt papritur po bëhet më ftohtë.

Lesli ngriti sytë nga qielli dhe pa që Rebeka kishte të drejtë. – Si thua për një filxhan të mirë çaji në një nga këto baret në anën tjetër të rrugës? – e pyeti ai.

Rebeka buzëqeshi: – Faleminderit! Kjo do të ishte shumë e këndshme. Davidi dhe unë frekuentonim shpesh atë atje, – u përgjigj ajo ndërsa tregoi me gisht një çajtore që ndodhej pikërisht përballë këmbës së urës. – Mund të gjejmë një vend pranë dritareve me pamje nga lumi i madh Ous.

Lesli pohoi me kokë: – Nuk kam qenë kurrë atje, por duket bukur. Le të shkojmë para se të fillojë të bjerë shi.

Lesli dhe Rebeka hynë në çajtore dhe u drejtuan për tek një tavolinë në një cep, nga ku mund të shikonin lumin dhe mjellmat që formonin rrathë poshtë urës. Rebeka u ngrit nga karroca e saj me rrota, jo pa vështirësi, dhe u ul në karrige përballë Leslit.

– Këmbët e mia nuk janë më ato që kanë qenë dikur… zor se ka mbetur sado pak fuqi në to, – psherëtiu ajo ndërsa u lëshua në karrige.

Lesli porositi një ibrik me çaj të freskët dhe disa kekë të vegjël dhe pastaj u ul e dëgjoi Rebekën që tregonte se si i kalonte ditët tani që ishte vetëm. Fqinjët e saj e donin dhe e mbështesnin shumë, duke e ndihmuar me të gjitha mënyrat e mundshme. Ajo nuk kishte dashur asnjëherë të shkonte të jetonte në një shtëpi pleqsh, duke qenë se preferonte të qëndronte në shtëpinë ku kishte kujtime kaq të bukura nga jeta e saj me Davidin, për aq kohë sa ishte ende në gjendje ta bënte këtë. Sa herë që përmendte Davidin, i qeshte fytyra dhe Lesli mundi ta shihte se Rebeka ishte ende shumë e dashuruar me të shoqin. Ai vetë nuk kishte asgjë të tillë në jetën e tij. Nuk kishte kujtime të bukura dhe, ç’është e vërteta, nuk kishte ndërmend të fliste për jetën e vet derisa Rebeka i bëri pyetje që tregonin se donte të dinte më shumë rreth tij. Rebeka e kishte bërë të ndihej mjaftueshëm rehat sa për t’u hapur me të. Kështu ai filloi t’i tregonte për veten: – Unë as nuk e di se kush ishin prindërit e mi. Jam rritur në një jetimore dhe i vetmi vizitor që kam pasur ndonjëherë ishte një burrë plak i quajtur Barni. Në fakt, unë e thërrisja gjysh Barni… Ai vinte një herë në muaj, më sillte lodra, ushqime madje edhe rroba, kalonte pak kohë me mua, pastaj largohej. Asnjëherë nuk e mora vesh se kush ishte ai dhe ç’lidhje kishte me mua. Me sa duket, duhet të ketë qenë një sekret që nuk m’u zbulua kurrë. Kur arrita në moshë madhore, At Patriku më thirri në zyrën e tij. Ai ishte një prift irlandez, me një fytyrë përherë kuqalashe që nuk dukej se kishte ndonjëherë nevojë për rruajtje. Më uli përpara tavolinës së tij dhe më tha: Lesli, është koha që ti të largohesh nga jetimorja dhe të ndjekësh rrugën tënde në botë. Ne të kemi dhënë arsimimin më të mirë që mund të të ofronim dhe shpresojmë të të kemi përgatitur për jetën. Do ta gjesh veten në një botë që është ndryshe nga ajo që je mësuar këtu. Do të hasesh me lloj-lloj njerëzish, njerëz që do të të ndihmojnë dhe të tjerë që do të të pengojnë, njerëz që do të të duan e të tjerë që do të të urrejnë. Përgatitu për çfarëdo që mund të të hedhë jeta atje jashtë dhe ji gjithmonë vigjilent. Mos u beso shumë të gjithëve, por nga ana tjetër, mos u trego as shumë mosbesues. Kur të arrish në një pikë që duhet të marrësh një vendim, mendoje dy herë dhe merr parasysh gjithçka para se të ndash mendjen. Dhe mbi të gjitha lutu…lutju Zotit çdo ditë. Më pas më dha dorën, më zgjati një çantë të madhe letre plot me gjëra dhe më shoqëroi tek dera e përparme. Ata kishin arritur të më gjenin një punë në një magazinë të madhe, mu në të dalë të Londrës. At Patriku më kishte gjetur edhe strehim afër vendit tim të punës, megjithëse paga ime zor se e mbulonte qiranë. Po përballesha me realitetet e zymta të jetës. Në kohën që kisha kaluar në jetimore, nuk kam pasur miq. Kryesisht rrija më vete dhe Vëllezërit që kujdeseshin për vendin ishin paksa të shqetësuar për këtë. Por ky isha unë. I shmanga të gjithë dhe u mbylla në botën time të vogël. Më dukej se brenda meje kishte një boshllëk që nuk do mund të mbushej kurrë. Ndërsa u rrita dhe u bëra më i vetëdijshëm për jetën time dhe boshllëqet në njohuritë e mia në lidhje me këtë, e kisha pyetur gjysh Barnin se kush ishin prindërit e mi dhe, në fund të fundit, kush isha unë. Ai nuk më tha asgjë. Ç’është e vërteta, më kishte thënë të mos e pyesja më për këtë, pasi ai nuk dinte gjë. Ndërsa koha kalonte, vizitat e tij u bënë gjithnjë e më të rralla derisa u ndalën fare. Kur e pyeta At Patrikun se ku mund ta gjeja, më tha se nuk kishte asnjë informacion për të më dhënë. Në fund, nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të përballesha me faktin se isha i vetëm në këtë botë. Me sa dija, nuk kisha as familje as të afërm. Duhet të kem patur, se unë nuk rashë nga qielli, por nuk dija asgjë rreth tyre dhe ndoshta as ata nuk dinin gjë për mua. Jeta ime ishte e gjitha një mister.

Ndërsa i dha fund kësaj pjese të historisë së tij, qiejt u hapën dhe filloi të binte shi me gjyma. Rebeka thirri: – Falë Zotit që erdhëm këtu! Do ishim bërë qull po të kishim qëndruar atje jashtë.

Mjellmat mund të shiheshin ende duke notuar në rrathë më të ngushtë, poshtë urës. Nuk kishte njeri që t’u ofronte ushqim në brigjet e lumit, kështu që ato nuk kishin asnjë arsye për të dalë nga streha e krijuar prej urës. Rebeka zbrazi edhe një filxhan çaj për vete dhe i tha Leslit:

– Historia jote duket interesante. Do të doja të dëgjoja më shumë…

– Nuk dua të të mërzis me të, – tha Lesli.

– Aspak! Të lutem, vazhdo. Vazhdo, Lesli, – e nxiti ajo.

Lesli u mbështet në karrigen e tij, mori frymë thellë dhe vazhdoi historinë e tij:

– Në kohën që kalova në jetimore, kisha patur mbrojtjen e vëllezërve. Megjithatë, disa djem prireshin të më ngacmonin, të më tallnin, me fjalë të tjera, përpiqeshin të ma nxinin jetën. Isha i vetëdijshëm se duhet t’i dilja për zot vetes në këto situata dhe mënyra e vetme ishte të ngrija zërin dhe të hakmerresha… diçka që, sidoqoftë, nuk isha i përgatitur ta bëja kurrsesi. Unë thjesht nuk isha i aftë për këtë. Isha shumë frikacak. Do të gjeja ngushëllim duke kërkuar një qoshe diku dhe atje do të ëndërroja për fantazinë time të vetme – se si një ditë do të kisha biznesin tim, do të bëhesha i pasur dhe atëherë askush nuk do mund të më bënte më asgjë. Kjo dëshirë dhe shpresë ishin ndoshta ato që më ndihmuan të mbijetoja. Një herë në muaj, në jetimore organizohej një mbrëmje kinemaje dhe Vëllezërit do të na shfaqnin një film. Më kishte bërë veçanërisht përshtypje një film i marrë nga romani i Çarls Dikensit, “Një këngë Krishtlindjesh”. Ishte një skenë e veçantë që më ngeli në kujtesë. Ebenezer Skruxhi që shfaqej çdo natë duke numëruar gjithë gëzim paratë që kishte kursyer. Në ditët e sotme e konsideroj magjepsjen time me atë skenë si diçka mendjelehtë, por atëherë ishte ajo që ndjeja. E pashë Skruxhin si një njeri të fortë. Ai ishte i paprekshëm dhe mund të blinte e të bënte çfarë të kishte qejf… ai kishte diçka që unë nuk e kisha pasur kurrë… paratë! Në atë stad të jetës sime, isha i bindur se të ishe i fuqishëm dhe të ishe i sigurt nga të tjerët duhej të kishe para.

Një nga klientët më të mirë që kishte punëdhënësi im ishte Amariahu; një tregtar hebre i shumicës, që blinte nga ne mallra me shumicë, pastaj i shpërndante në qindra pika shitjesh me pakicë. Një ditë, duke pritur që të vinte shefi im për të diskutuar çështje biznesi, ndaloi për muhabet dhe biseduam. Me sa duket i pëlqeva dhe më ofroi një punë tek ai, me pagë më të lartë nga sa e kisha.

Rebeka buzëqeshi me këtë: “Çifutët nuk është se mbahen për këtë.”

Lesli nuk duket se u argëtua nga komenti i saj dhe u përgjigj me seriozitet: “Për këtë nuk di ç’të them. Ata janë biznesmenë të mirë dhe shumë punëtorë. Ndoshta reputacioni i tyre është i ekzagjeruar, sepse përvoja ime ishte në fakt e kundërta. Fillova punë tek çifuti dhe me kalimin e kohës ai filloi të më trajtonte si djalin e vet. Ashtu si unë, edhe ai kishte përfunduar i vetëm në jetën e tij. Kishte disa të afërm, por me kalimin e viteve kishte humbur çdo kontakt me ta. Mësova shumë prej tij. Mësova se si të fitoja para, që ishte gjëja që më fali më shumë kënaqësi në jetë. Erdhi koha që Amariahu të dilte në pension dhe unë vazhdova të drejtoja biznesin në vend të tij. Kur vdiq, ai më la të gjithë pasurinë e vet, duke përfshirë edhe biznesin. E vetmja gjë që më kishte detyruar të bëja në testamentin e tij ishte ta varrosja në Izrael, ku gjithmonë kishte dashur të shkonte, por nuk kishte arritur asnjëherë. Ai kishte lindur në Poloni para luftës dhe kur ishte vetëm pesë vjeç, kishte ardhur në Angli me familjen e tij për të shpëtuar nga nazistët.

– A e respektove kërkesën e tij? – pyeti Rebeka, krejtësisht e përfshirë në këtë rrëfim.

– Po, sigurisht! Amariahu kishte qenë për mua babai dhe nëna që nuk i kisha patur kurrë. E doja përtej asaj që mund të përshkruhet me fjalë, – tha Lesli me emocionin që dallohej në zërin e tij.

Rebeka qëndroi në heshtje për disa sekonda duke medituar. Ajo hodhi vështrimin nga dritarja dhe pa se dielli po nxirrte kryet nga retë që po shpërndaheshin, duke lëshuar rreze zhbiruese në tokë. Shiu kishte pushuar dhe jashtë dukej bukur.

– Po del dielli, – tha ajo dhe tërhoqi karrigen me rrota atje ku ishte ulur. – A dalim përsëri jashtë dhe ulemi në diell?

– Ide e mirë, – tha Lesli, ndërsa u ngrit për ta ndihmuar të kthehej në karrigen me rrota. – Shpresoj që moti të mos bëhet përsëri me re.

Lesli dhe Rebeka u larguan nga çajtorja dhe u kthyen në breg të lumit, por nuk u ndalën më në vendet e tyre të zakonshme. Lesli e pyeti Rebekën nëse donte të shëtiste nëpër qytet një copë herë, në rrugët e mbushura me një sërë dyqanesh të vogla. Atë ditë ishte ditë pazari në Shën Ajves dhe Rebeka shijoi çdo minutë të shëtitjes në rrugën kryesore. Kur e kuptoi sa vonë kishte shkuar, i kërkoi Leslit ta çonte në shtëpi.

– Faleminderit, – tha ajo kur arritën tek dera e saj e përparme.

– Ndoshta shihemi nesër, – guxoi të thoshte Lesli.

– Unë vij për të ushqyer mjellmat pothuajse çdo ditë, siç e di mirë edhe ti…, – u përgjigj ajo, thuajse me turp.

– Po, e di – tha ai me një buzëqeshje të druajtur. – Shihemi nesër, atëherë.

Ata u përshëndetën dhe Lesli u largua, ndërsa Rebeka hyri brenda në shtëpinë e saj.

Miqësia e tyre rritej dita-ditës, duke u forcuar gjithnjë e më shumë. Ata do të takoheshin pothuajse çdo ditë, duke jetuar sipas rutinës që ishte vendosur në kohën kur ishin njohur për herë të parë me njëri-tjetrin. Në fillim, do të ushqenin mjellmat që prisnin dhe pastaj thjesht do të uleshin dhe do të lexonin derisa të vinte koha për të kaluar rrugën dhe për të shkuar në çajtore për çajin dhe kekët e zakonshëm, në këndin pranë dritares. Vetëm ditët shumë të ftohta ose të stuhishme do t’i pengonin për këtë.

– Në vitet e fundit të jetës sime, më në fund kuptova se çfarë do të thotë të kesh një mik! Pse vallë prita kaq gjatë? – do ta pyeste veten shpesh Lesli.

***

Kur më erdhi lajmi për vdekjen e teze Rebekës sapo isha kthyer në Angli nga Brukseli. Po atë mbrëmje, u nisa nga shtëpia për të shkuar në Shën Ajves, që të mund të merrja pjesë në funeralin e saj, në kishën e Gjithë Shenjtorëve. Mendoj se isha e vetmja nga gjithë të afërmit e saj që i ruajti kontaktet me të përgjatë viteve. Të paktën, kjo ishte ajo që kishte shkruar në një nga kartolinat e përvitshme të Krishtlindjeve. U ndjeva shumë keq që nuk kisha gjetur kurrë kohën për ta vizituar në Shën Ajves, veçanërisht pasi bashkëshorti i saj, Davidi, kishte ndërruar jetë, duke e lënë krejt të vetme. Megjithatë, kohët e fundit, më shkruante më shpesh se më parë, dhe më fliste për dikë që quhej Lesli, të cilin e kishte takuar pranë urës ku shkonte rregullisht për të ushqyer mjellmat.

Me të gjitha përgatitjet për varrimin ishin marrë miqtë e saj, mes të cilëve ishte edhe Xhoana, e cila më telefonoi me lajmin për vdekjen e teze Rebekës. Me ç’duket ajo ishte shoqe e ngushtë me Rebekën, e cila e kishte udhëzuar specifikisht Xhoanën që të më kontaktonte kur të vdiste. Kishte më shumë njerëz nga ç’prisja të merrnin pjesë në varrim. Ajo u varros në varrezën e vogël jashtë kishës që e kishte dashur aq shumë, pranë bashkëshortit të saj Davidit, i cili prehej në paqe aty, prej disa vitesh tashmë. Tani, më në fund, ata ishin përsëri bashkë. Bëra disa foto të varrit si kujtim dhe i premtova vetes se do të kthehesha së shpejti për t’i vendosur lule tezes dhe xhaxhi Davidit. Kisha planifikuar të shfrytëzoja rastin që ndodhesha në Shën Ajves për të vizituar muzeun Norris, po ashtu edhe kishëzën e famshme të ndërtuar mbi urë, diçka që më thonë se është vërtet e rrallë. Teze Rebeka më fliste gjithmonë se si ky qytet, me lidhjet e tij me Oliver Kromuellin, kishte një histori interesante.

Kur po dilja nga oborri i kishës, rrugës për të ngrënë drekë tek “The White Hart”, birraria në fund të rrugës, një burrë i moshuar erdhi drejt meje dhe më tha se donte të fliste me mua. Ai më tha se kishte qenë një mik i ngushtë i teze Rebekës. E bëmë rrugën bashkë derisa arritëm tek shtëpitë e Kishës së Lirë. Ai ishte Lesli, miku për të cilin tezja kishte shkruar aq shumë në letrat e saj të fundit.

Lesli më ofroi një çaj dhe ne hymë në ndërtesën e Kishës së Lirë, brenda asaj godine. Kishte shumë të moshuar të ulur në tavolinat e hollit, duke pirë çajrat e tyre dhe duke ngrënë kekët që, sipas Leslit, i piqnin vetë zonjat që kujdeseshin për kishën. Ishin shumë të mira dhe aspak të shtrenjta.

Unë dhe Lesli biseduam për një kohë të gjatë, derisa erdhi koha që të ndaheshim nga njëri-tjetri, pasi i kisha premtuar se do ta zbatoja pa diskutim planin që kishte menduar. Ai dukej i lumtur dhe më falenderoi pa masë.

Dolëm dhe plaku u largua me hap të qetë në rrugën e tij. Zuri të binte një shi i lehtë, kështu që kalova rrugën dhe hyra tek “The White Hart”, një nga baret më të vjetra në Shën Ajves, hëngra drekë dhe u ktheva në shtëpi me trenin e mbrëmjes.

Disa javë më vonë, u ktheva sërish në Shën Ajves. Arrita rreth orës njëmbëdhjetë të mëngjesit. Tregu i së hënës ishte në kulmin e vet dhe duke qenë një ditë e jashtëzakonshme me diell, njerëzit kishin vërshuar në rrugën kryesore në qendër të qytetit, duke u endur nga njëra tezgë në tjetrën e duke shfrytëzuar në maksimum motin e ngrohtë. Mallrat që ofroheshin ishin të shumta dhe të larmishme, por unë nuk kisha asnjë interes të bëja pazar aty. Isha atje me një mision. Të cilin më duhej ta kryeja. Puna që kisha porositur ishte gati dhe më duhej të shkoja të shihja produktin përfundimtar dhe të paguaja sa të ishte e nevojshme. Eca gjatë gjithë kohës përgjatë rrugës kryesore deri te bregu i lumit, rrëzë urës. Mjellmat ishin aty si gjithmonë, poshtë urës, dhe unë pyesja veten nëse e dinin se tezja ime Rebeka ishte larguar nga kjo botë. Edhe burri i moshuar ishte atje gjithashtu, i ulur në një stol të sapovendosur, shumë pranë urës. Sapo më pa duke ardhur, buzëqeshi me kënaqësi dhe u ngrit për të më uruar mirëseardhjen. Dukej i lodhur por i lumtur. Ai tregoi me dorë një pllakë bakri në stol, ku ishin gdhendur fjalët:

Në kujtim të David dhe Rebeka Djukut

– E përfunduan! – thirri ai, me fytyrën që i shkëlqente nga kënaqësia.

Mjellmat me sa duket ende po presin që të vijë tezja ime, – thashë ndërsa hodha vështrimin përreth dhe pashë mjellmat që formonin rrathë pa ndonjë qëllim të caktuar, me sqepa të hapur, duke shpresuar që dikush t’u hidhte copëza buke ose ndonjë ushqim tjetër.

– Po. Ato ishin mësuar me vizitat e saj. Tani po kujdesem vetë për to deri sa…

Ai nuk e përfundoi fjalinë, por unë e dija se çfarë donte të thoshte. Ai mori pak bukë nga një qese që kishte sjellë me vete dhe i hodhi disa copa mjellmave në lumë, duke i përfshirë në një furi të gëzueshme, tek kapnin copëzat e ushqimit me hijeshi me sqepat e tyre të gjatë e të gjerë. Qëndrova atje me të për njëfarë kohe dhe kjo ishte hera e fundit që e takova plakun Lesli, mikun e tezes sime, Rebekës.

***

Kaluan pesë vjet. Në breg të lumit, tani ka një tjetër stol, që mban gjithashtu një pllakë bakri. Fjalët e gdhendura në këtë stol janë:

Në kujtim të Lesli Martinit

E mbajta deri më një premtimin që i kisha bërë në ditën e funeralit të tezes sime!

Pas kësaj, e vizitova Shën Ajvesin çdo vit dhe ndoshta ndonjë ditë edhe unë do të dal në pension për t’i kaluar vitet e fundit të jetës sime në qytetin me të cilin isha lidhur aq shumë. Mjellmat do të jenë ende aty. Leslie ishte kujdesur për këtë pak para vdekjes së tij. Ai kishte dhuruar një shumë parash për të ngritur një fondacion që do të siguronte se për mjellmat do të tregohej kujdes përgjithmonë. Ai e kishte bërë këtë në kujtim të tezes sime, Rebekës, që i kishte dashur ato aq shumë dhe që i kishte bekuar vitet e fundit të jetës së tij me miqësinë për të cilën kishte qenë përherë i përmalluar.

Exit mobile version