Kreu Letërsi Bibliotekë “Miza në kabinën time” tregim nga Jani Malo

“Miza në kabinën time” tregim nga Jani Malo

Nëse ka një gjë që nuk e honeps fare nga udhëtimet jashtë shtetit, janë kontrollet në pikat kufitare. Më duket se aty të gjithë trajtohen si të dyshuar. Duke e menduar këtë, sa hipa në makinë në Parga, para se të nisesha për në Tiranë, thashë t’i kem gati pasaportën dhe dokumentet e makinës. Hapa xhepin e kroskotit dhe i nxora. U përshëndeta edhe një herë me mikpritësit e mi dhe i futa marshin makinës. Një zë më bëri të frenoj pa ecur as tre-katër metra. Kisha harruar aparatin fotografik në hollin e hotelit dhe roja vrapoi të ma sillte. E falënderova dhe u nisa.

Mizën e vura re që pas kthesave të para. Nuk kisha arsye ta prishja terezinë. Vërtet kishte ardhur pa ftuar, po ishte njëlloj si një pasagjer i rastësishëm e i panjohur, të cilit nuk kishte kuptim t’i jepje muhabet; shpejt do t’i thoshim lamtumirë njëri-tjetrit. Më duhet ta them që në fillim se mizat më bezdisin, i kam inat. Nuk them i urrej. Vetëm gjarpërinjtë dhe minjtë i kam neveri. Nuk besoj se ka njeri që mizën e quan një shoqëruese të mirë. Shoqëria e keqe është si kanceri, duhet trajtuar sa më shpejt që të jetë e mundur, këshillova veten. M’u duk e mjaftueshme ulja e xhamit që ajo të largohej me dëshirën e saj. E quajta këtë si stad të parë të trajtimit. Por ajo qëlloi nga ato mysafire që vërtet nuk priten me mjaltë, por duhen ndjekur me uthull. Të dy e kuptuam se beteja mes nesh do të ishte e pashmangshme. I hodhëm nga një vështrim njohës njëri-tjetrit si luftëtarët para dyluftimit.

Kisha dëgjuar për mungesën e etikës nga ana e mizave, madje edhe për paturpësinë e tyre kur, pa i ftuar, i afrohen tavolinës ku ti drekon dhe të ulen në krah. Nxitojnë të provojnë të parat copën e bërxollës së viçit – nuk refuzojnë as ato të derrit – para se ti ta fusësh në gojë. Guximi dhe trimëria e tyre herë-herë i kalojnë caqet e imagjinatës sonë kur ato sakrifikojnë edhe jetën në pjatën e supës dhe kjo ose kalon pa u vënë re nga ana jonë, ose përfundon duke i shfryrë kamerierit, apo duke e kërcënuar në emër të shoqatave në mbrojtje të kafshëve. Nëse deri më sot kjo nuk ka bërë kauzë, jo se ne nuk kemi ndjeshmërinë e duhur, po sepse ende studiuesit po grinden mes tyre se ku duhet ta fusin mizën, te kafshët apo te shpendët. Tani për tani – dhe kjo po zgjat mijëra vjet – njeriu e quan mizën insekt, pra një sekt brenda llojit, por pa përcaktuar se për cilin lloj e ka fjalën.

Po kthehem te miza në makinë. Nga njohuritë e mia modeste m’u duk si mizë kali dhe e para gjë që i thashë vetes ishte fakti se kisha qëlluar me fat, që kësaj krijese që ma shpifte, nuk i ishte tekur të hynte në makinë me gjithë shoqëruesin e saj, pra me kalin. Hapa xhamat dhe i rashë disa herë borisë që ajo të trembej e të dilte jashtë, po asaj nuk iu drodh qerpiku. E them nga inati se nuk ia pashë sytë, pasi isha i përqendruar te rruga. Ama ajo, me siguri, ca lente nga të syve i kishte kthyer nga unë. Ju e dini, besoj, se në sytë e mizës ka miliona lente gjashtëkëndore dhe secila prej tyre funksionon më vete dhe sheh gjëra të ndryshme.

Pra, isha i bindur se ajo më kishte nën vëzhgim dhe kjo më nervozonte akoma më shumë. Po jo deri në atë masë sa të përpiqesha ta vrisja mizën me pëllëmbë, siç bëjnë disa njerëz kur ajo u rrotullohet dhe është gati t’u ulet mbi majën e hundës. Kjo metodë mund të ishte për mua me më shumë pasoja, mund të humbisja kontrollin e makinës dhe sa para do bënte vrasja e mizës. Ai jorgani që digjet për një plesht nuk është asgjë para vlerës së makinës, apo, mos, o Zot, edhe kokës sime. Dhe më e bukura është se me shumë gjasa miza do ia hidhte paq. Deri më sot në të gjitha kronikat për aksidentet me makinë në asnjë rast nuk kam dëgjuar të flitet për miza të vdekura. Përkundrazi, e di mirë se ato bëjnë të parat inspektimin e kufomave pasi janë ku e ku më të shpejta se makinat e policisë apo se edhe vetë ambulancat.

Mendova se duhej gjetur një mënyrë më pak e rrezikshme dhe shumë më efikase për ta hequr qafe. Kisha dëgjuar se mizat përzihen duke varur diku një qese me ujë. Nën refleksin e diellit ajo do t’i dukej mizës si një rrjetë gjigante merimange dhe frika nga burgosja e përjetshme në të do ta bënte të largohej. Hodha ujë në një qese plastike që e kisha në makinë dhe e vara pranë xhamit në krahun e pasagjerit. Eksperimenti rezultoi dështim për mua dhe mjet argëtimi për mizën. Ajo shkonte e përplasej atje gjithë qejf sikur luante me një tullumbace të bardhë, ndërsa nga lëvizja e makinës uji zuri të përhapej nëpër kabinë.

Kur ndalova në doganë, nxora pasaportën dhe hodha një sy edhe nga bashkudhëtarja ime. Ajo nuk bëri asnjë lëvizje. Rrinte e heshtur mbi kroskot.

– Vetëm jeni? – më pyeti polici duke hedhur një vështrim brenda kabinës, që m’u duk se kishte një dozë provokimi.

– Po, po! Vetëm, – nxitova të them me pakëz hutim.

Aty për aty seç ndjeva një lloj frike. Kisha dëgjuar për pëllumbat spiunë, që u vënë mikrofona dhe i përdorin për të përgjuar, por për miza me çip ende nuk kisha dëgjuar të flitej. Trupi i saj kaba – sa mund të përdoret kjo fjalë për një mizë – mund të çonte e shumta te mendimi se ishte një mizë e modifikuar gjenetikisht.

Hutimin tim të përkohshëm polici e përktheu në dyshim dhe kërkoi të kontrollonte makinën. Me një elektrik dore bëri dritë në vrimat ku nuk hynte syri dhe u ra me shkelm gomave. Miza prapë nuk e prishi terezinë. Polici më vështroi çuditshëm, sikur unë të kisha përhapur përreth një aromë aspak të këndshme, bëri shenjë me kokë për të ikur dhe më tha:

– Dhe hiqe atë mizë nga makina!

U dhashë të drejtë atyre që mendojnë se sytë më vigjilentë në botë janë ata të policit dhe të gruas.

I dhashë gaz makinës dhe ndërrova stacionin grek të radios, valët e të cilin nuk kapnin më nëpër rrugën me kthesa, me një stacion vendi. Tallavaja mbushi kabinën. Ishte një këngë për një dashuri të humbur. Miza u zgjua dhe sikur mezi e kishte pritur, filloi të vinte vërdallë nëpër kabinë. Me gjasë kërcente. Por më shumë dukej të kishte melankoli dhe trazim sesa pasion dhe qejf në kërcimin e saj. Ndërrova kanal përsëri. Po miza nuk u dorëzua. Përkundrazi, nën ritmin e muzikës lëvizte nga njëri cep i kroskotit tek tjetri, përplaste këmbët dhe krahët, ndonjëherë edhe kokën në xhamin e përparmë. Në një moment u përkul mbi këmbët e saj dhe ngriti lart dy krahët transparentë në gri të argjendtë. Me gjithë përpjekjen time për ta parë si një helikopter të sapo ulur, ashtu nervoze ngjante më shumë me xhinde xhuxhe. Shtoi shpejtësinë e lëvizjes së krahëve, nuk është çudi të ketë qenë pranë rekordit prej 1000 përplasjesh në sekondë, që thonë se e mban një mizë amerikane.

Ndalonte pak çaste dhe rifillonte me të njëjtën këmbëngulje të frikshme. Përplasej në xham. Rikthehej mbi kroskot. Vraponte. Fluturonte. Përplasej përsëri. Sikur kërkonte të sakrifikohej.

Mund të kem anashkaluar ndonjë detaj dhe ju mund të mos jeni të bindur, por unë jam i sigurt se kaq këmbëngulje rezervohet vetëm për diçka hyjnore.

Sinqerisht, filloi të më vinte keq për dhimbjen e saj. U ndjeva në faj po aq sa edhe këngëtari që me muzikën e tij melankolike i kishte trazuar ndjeshmërinë e brishtë. Për një çast harrova edhe bezdinë edhe neverinë. Kishte diçka përtej së zakonshmes së jetës së një mize. Të hyja brenda hallit të saj e kisha të pamundur, por edhe ta quaja mizë të çmendur do ishte mendjelehtësi. Me të drejtë shkencën e kishte tronditur lopa e çmendur, por lajthitja e krijesave kaq të vogla zor se do bënte njeri të merrej seriozisht. Në një kthesë miza pati një avari të vogël, përplasi kokën fort në xham dhe ashtu e trullosur ra në ndenjësen e pasagjerit. Egoizmi im paskej qenë i pashembullt. Nuk i kisha kërkuar të vinte rripin e sigurimit dhe as i kisha dhënë kokore, megjithëse rregullorja e qarkullimit rrugor nuk parashikon as njërën dhe as tjetrën në rastin e qenieve jonjerëzore.

Ajo qëndroi pak çaste pa ndjenja. Pastaj lëvizi, shkundi krahët dhe, si për të më bërë karshillëk, bëri disa xhiro të plota nëpër kabinë. Shumë shpejt iu rikthye ritualit të saj të shëtitjeve mbi kroskot. E di që hapat e saj, edhe pse në dukje përplaseshin fort, qenë shumë të butë, por mua në vesh më vinin të fortë, dëgjoja trokun e këmbëve të saj, a thua se kishte veshur këpucë me taka.

Pak më tej, një tufë lopësh më prenë rrugën. Aty për aty kujtova se bytha e kalit është një nga vendpushimet më të preferuara për mizat. Nuk kisha ndonjë informacion nëse kjo vlente edhe për bythën e lopës, gjithsesi mendova se ky ishte rasti për ta provuar. Edhe pse nuk mund ta dija nëse ky mendim ishte edhe në kokën e mizës, hapa xhamat e të katër dyerve me shpresë se gjeta momentin për t’u ndarë në paqe me bujtësen time të paftuar. Gabova. Iu nënshtrova një pritjeje të bezdisshme, derisa ajo filloi edhe një herë me ato përplasjet e forta në xhamin e përparmë. Nëpër mend më kaluan lloj-lloj marrëzish, e megjithatë nuk isha në gjendje të kuptoja arsyen e këmbënguljes së saj prej mushke për të mos dalë nga kabina. Edhe pse dukej sheshit se ajo po luante me nervat e mi, e këshillova veten të ruaja qetësinë. Po ta gjykoja me cinizëm, do thosha se me gjasë po synonte që fjalën kokëmushkë në fjalorin e shqipes ta zëvendësonte me kokëmizë.

Më në fund u dorëzova. I hapa rrugë mizës. Le të bëjë ç’të dojë, thashë me vete.

Edhe pas kësaj, ç’është e vërteta, nuk pashë asgjë të re në sjelljen e saj që të më bënte të ndërroja mendim për mizat. Ndërrova vetëm radhën e fjalëve: deri sot kisha menduar se mizat janë të ndyra dhe të bezdisshme, tani them se janë të bezdisshme dhe të ndyra. I hoqa sytë nga miza, po mendjen tek ajo e kisha. Mendoja mbërritjen në Tiranë. Hutimin e zakonshëm të atij që vjen për herë të parë në një vend të huaj ku nuk njeh njeri. Një mendim i frikshëm më kaloi në kokë. Po sikur të mos më ndahet, të më kërkojë t’i gjej hotel apo edhe t’i jap darkë. Po sikur…

Pa kuptuar më filloi dhimbja e kokës. Hapa krahun dhe ndalova makinën. Miza dukej e heshtur, e lodhur. Pa fuqi, shpresëhumbur. Zgjata dorën e djathtë dhe hapa xhepin e kroskotit për të marrë një tabletë për dhimbjen e kokës. Miza kërceu dhe u ul butë, fare butë, mbi pëllëmbën e dorës sime. E mora si shenjë ndjese. Mos u pendua për andrallat e shumta që më kishte sjellë? Nuk e ngacmova. Zgjata dorën në sirtar dhe kapa kutinë e tabletave. Kaluar mbi dorën time hyri edhe miza.

Atë që ndodhi më pas nuk do ta besoni. Nëse nuk do ta kisha parë me sytë e mi, nuk do ta kisha besuar as unë. Kur nxora dorën nga xhepi i kroskotit, mbi pëllëmbë qëndronin dy miza. Të pashqetësuara, po edhe pa turp, ishin shtrënguar fort me njëra-tjetrën.

Vetëm pak sekonda më vonë, lidhur trup më trup, të bashkuara në një, ato fluturuan tej dritares. Nuk di pse desha të besoj se diku do ta kthenin kokën prapa dhe disa nga ato miliona lentat e syve të tyre do të përcillnin drejt meje një përzierje ndjenjash të ndryshme.

Shpresova të mbizotëroheshin nga mirënjohja. 

Exit mobile version