Kreu Letërsi Bibliotekë Mira Meksi: Për dashurinë e Casanova-s (shënime udhëtimi)

Mira Meksi: Për dashurinë e Casanova-s (shënime udhëtimi)

“Ajo që dëshiroj më shumë në këtë jetë, është të tretem e të humbas në shpirtin e gruas që dashuroj”

– Giacomo Casanova

Ishte kohë udhëtimesh fluturake. Pranvera e prillit kur, nga një dëshirë e beftë, vendosa t’i bija Zvicrës kryq e tërthor, ishte e brishtë dhe lojcake. Kishte ditë kur vezullimi i qiellit jepte sigurinë e njëmendtë se dimri kishte dalë përgjithmonë. Porse të tjera ditë, fërfëlliza e dëborës e bënte të largët kujtimin e pranverës.  Vendqendrimi im ishte Berna dhe udhërrëfyesi, im bir që asokohe jetonte në atë qytet. Që aty, pothuaj çdo mëngjes, nisesha me të për në vendet turistike që përzgjidhja kuturu në libërthin turistik, për t’u kthyer natën vonë, e rraskapitur dhe e mbushur me gëzimin naiv të zbulimit të bukurive të natyrës dhe qytezave mesjetare me kështjella dhe monumente kulture. Dhe sërish më mbetej lakmia për të njohur të tjera bukuri dhe vlera gjatë ditës së re, sa më shumë zbuloja të atilla vise magjike , të cilat në gjuhën turistike quhen “të pashmangshme”. Nuk ishte e zakontë për mua. Sa herë udhëtoj e kam të përcaktuar mirë atë që dua të shoh dhe që, në të shumtën e herës, është objekt i një studimit tim të hollësishëm. Porse pikërisht lehtësia e ëmbël e asaj jete prej turisteje të shkujdesur, ndonëse e huaj për mua, po më çlodhte nga tensionimi i pazakontë që më pat sjellë shqipërimi i një vepre të madhe të letrave universale që më kish marrë një kohë të çmendur…

Gjeneva ishte e pashmangshme në itinerarin turistik. E pashmangshme në Gjenevë, vizita në varrin e Borges-it. Nuk ishte vizita ime e parë në varrin e shkrimtarit të botës që e kisha shpallur me kohë mjeshtrin tim të shkrimësisë. Porse “Qimiteri i mbretërve” sërish më mrekulloi me pamjen e tij të jashtëzakonshme prej një kopshti të selitur që lulëzonte që nga Mesjeta e largët.

Poshtë një peme të madhe bërsheni, simbol i përjetësisë së shpirtit, në numrin 735, mes qetësisë dhe 300 të vdekurve të shquar, prehej Jorge Luis Borges-i që në vitin e largët  1986. Varri i tij thjeshtan ka vec një gurëkoke ngjyrë hiri ku është gdhendur emri në formë harkore, së bashku me vargje të sagave nordike, si edhe një shtrojë prej shkurresh të vogla, përherë të gjelbëruar. Kësaj here guxova edhe të shkruaja emrin tim përmbi një petashuqe guri, siç kish bërë shumkush para meje dhe ta vendosja përmbi kokëvarrin e tij, edhe të merrja një grusht dhé për të mbjellë karafila në saksi…

Porse në një kafene aty pranë, ndërsa gjerbja një kafe shqeto dhe shfletoja prospektin turistik që ndodhej përmbi tryezë, sytë më mbetën te një emër, Versoix. Brenda një grime kohe, tërë Kujtimet e princit venecian të dashurisë, Casanova-s, të shkruara në disa mijëra faqe nga dora e tij,  që i kisha lexuar në tetë volume përgjatë dy vjetëve, u plasën si male dallgësh mbi mua. Mbeta si e goditur në vend, si përpara zbulimit të një qëllimi të madh, sepse kuptova që ai udhëtim ishte bërë pikërisht që unë të shkoja në Versoix, aty ku Henriette-a, dashuria e jetës dhe e vdekjes së Venecianit, kish lënë gjurmën e ekzistencës së saj. Casanova dashuroi shumë gra, bëmat e tij dashurore të përshkruara me hollësi në Kujtimet që shkroi, i dhanë emrin “artizani i seksit” dhe legjenda u thurën për “ngashnjyesin e madh”apo “mjeshtrin e erotikës”. Megjithatë, Kujtimet e Venecianit, të konsideruara si enciklopedia e shekullit XVIII, kullojnë nga dashuria e përjetshme për Henriette-n. Legjenda veneciane tregon se pasi Casanova zbuloi ujin e rinisë së përjetshme, ai jeton në jetë të jetëve dhe në vdekje të vdekjeve me Henriette-n e tij… Sado që shkroi shumë për të, madje edhe kur nuk e përmend me emër, Casanova e mbuloi me një mjergull të trashë misteri identetin e vërtetë të gruas së zemrës, kurrë nuk e zbuloi emrin e saj të plotë, aq sa disa biografë të tij në zë hedhin dyshime për vetë ekzistencën e saj. Njëlloj siç dyshojnë në vërtetësinë e disa fakteve dhe ngjarjeve të tjera në veprën e Casanova-s.

Sipas Kujtimeve, ai e takon Henriette-n në një bujtinë në Cezana, aty rreth vitit 1749. “Ishte veshur si burrë dhe ndodhej në krahët e një oficeri hungarez, i cili dinte vetëm gjuhën e tij. Ishte pinjolle e një familjeje fisnike franceze të Provence-s, aventuriere që jetonte në arrati, për shkak të familjes që kërkonte ta dorëzonte murgeshë. Bukuria e kësaj vajze më robëroi në çast”, shkruan Casanova. Ajo duhej të ishte pak më e madhe se ai në moshë, e regjur në aventura, e rrethuar nga një mister magjepsës, ndërkohë që veneciani ishte vetëm një rishtar aventurier. Henriette-a është shpirti i tij binjak, një grua që si ai, e ka marrë vetë në duar fatin e saj, është dubli i tij femëror, dhe pasioni i dashurisë i moleps për vdekje që të dy. Ajo i mëson shijen e aventurës. Është dashuri absolute. Nisin jetën e përbashkët, tanimë vajza vishet me petka të mrekullueshme femërore, nga aventura në aventurë nëpër Itali për muaj me radhë, duke ushqyer me gjakun dhe shpirtin e tyre një dashuri sa vetë universi. Giacomo i shkon pas francezes në arratinë e saj. Henriette-a është e edukuar, e kultivuar dhe shijehollë, e zgjuar e me humor dhe adhuron, njëlloj si Giacomo i saj, filozofinë. Në Parma janë të pranishëm në një koncert, dhe Casanova shkruan: “Çfarë surprize! Henriette-a ngrihet dhe duke i bërë lëvdata djaloshit që kish luajtur a solo, i merr violonçelin dhe, me një pamje modeste dhe të qetë, i thotë se do t’ia rriste edhe më tepër shkëlqimin. Sa s’fluturova kur e dëgjova të luante a solo dhe pastaj duartrokitjet që e bënë pothuaj të shurdhët orkestrën!”

Porse lumturia e tyre ndërpritet dhunasi në Versoix të Gjenevës në janar të 1750. Një njeri i familjes së saj e njeh, dhe ajo është e detyruar të kthehet në Francë. Ndarja është e dhembshme. Casanova e ka zemrën copë. Ajo hipën në një karrocë që largohet nëpër dëborë, dhe kur kthehet në dhomën e bujtinës Des Balances ku kanë jetuar të dy, ku janë dashuruar si askund, ai gjen fjalët e fundit që ajo i ka lënë të shkruara…

*

U nisëm menjëherë për në Versoix, që ndodhej rreth dhjetë kilometra larg Gjenevës, në breg të liqenit Leman. Diku kisha lexuar, a dikush më pat thënë se bujtina  Des Balances ekzistonte ende në ditët e sotme. Kërkova në Google dhe aty ishte. Që prej shekujsh. Një hotel i vogël familjar, tradicional, në qendër të Versoix-së, në adresën 18 Rue de Boucherie. E gjetëm lehtësisht; ishte një ngrehinë alpine trikatëshe me çati të pjerët të errët, me një fasadë të gjerë në gri të çelur, me dritare të mëdha e të thella të kornizuara me të bardhë dhe kanata prej druri në një gri më të zënë. U futëm në derën e ngushtë të hotelit, e cila ishte e hapur dhe porsa hymë brenda, pamë që në të majtë ishte një dhomëz me një tryezë, e cila duhet të shërbente si pritja e hotelit, por që nuk kishte njeri. Kështu që morëm menjëherë shkallët që ndodheshin pranë derës së hyrjes, pasi thirrëm që të na dilte dikush për të na pritur. Askush nuk u përgjigj. Ngjitëm shkallët e ngushta prej druri dhe në sheshpushimin e katit të dytë pamë një sobë druri antike dhe disa objekte të tjera të shumëvjetra që duhet t’i përkisnin historisë së bujtinës. Frymë njeriu. Vazhduam dhe u ngjitëm në katin e sipërm.  Në çastin që rekesha të orientohesha për të gjetur dhomën që Casanova përmend te Kujtimet, u dëgjua një rrapëllimë çapash që ngjiteshin shpejtasi nëpër shkallë dhe një grua e gjatë, e hajthme, me flokë të thinjura të ngritura topuz, si një dhaskalicë angleze e shekullit XIX, u shfaq në krye të shkallëve dhe na pyeti rrëmbimthi: “Kush jeni dhe çfarë kërkoni?” Ishte e zonja e hotelit. “Dhomën e Casanova-s dhe të Henriette-s” thashë unë e zënë gafil, ndërsa vështrimi i ngulët i syve të saj të vegjël ngjyrë hiri më dogji që prapa syve me xham të trashë. Kisha folur pa e menduar gjatë atë që duhet t’i shpjegoja zonjës së hotelit, lehtësisht, njëlloj sikur t’i thosha “po kërkojmë dhomën ku fjeti Richard Gere-i javës që shkoi”. Kaluan disa çaste përpara se zonja e hotelit të përgjigjej sikur të ishte e përgatitur prej kohësh për atë pyetje që nuk e habiti aspak: “ky nuk është muze, është hotel…”. “E dimë”e ndërpreva unë dhe duke iu lutur shtova “Studioj biografinë e Casanova-s. A mundet vetëm t’i hedhim një sy dhomës?” “Kemi ardhur nga larg” shtova kur pashë një lloj mëdyshje te gruaja me pamje dhaskalice angleze të epokës viktoriane. Porse e zonja e hotelit kish marrë tjetër vendim. “Hoteli që kërkoni ndodhet në Gjenevë”, tha prerë. U ktheva dhe vështrova tim bir, i cili nuk kish folur gjer atij çasti. “Do rrimë këtu sonte”na u drejtua ai të dyjave. “Na duhet një dhomë me dy shtretër zonjë”, iu drejtua asaj më pas. Nuk pata kohë të thosha një fjalë, sepse zonja e hotelit na shoqëroi përnjeherë në katin e dytë dhe na dha çelësin e dhomës.  Me ta marrë çelësin zbritëm dhe dolëm jashtë hotelit. Ishte ora shtatë e mbrëmjes dhe duhet të gjenim ndonjë restorant për të darkuar. “Si do t’ia bëjmë”, pyeta tim bir. “Nuk do kthehemi sonte në Bernë? Do ta kalojmë natën këtu? “ A nuk e pe si na shmangu zonja? Nuk të duket se po fsheh diçka?” m’u përgjigj.  “Sigurisht. Nuk dëshëron që ta kthejë hotelin në pelegrinazh të adhuruesve të Casanova-s” thashë. “ E ç’do të fitonte? E keqja është se nuk kemi pizhama për të fjetur apo ndonjë rrobë për t’u ndërruar, as furçë dhëmbësh.” “Verifikojmë ç’të mundemi më vonë dhe nisemi kurdoqoftë për në Bernë”, e mbylli bisedën im bir. U ulëm në një kafene- restorant aty pranë dhe darkuam ngadalë. Rreth orës nëntë u kthyem në hotel. Prej së largu vështrova me kujdes fasadën e tij dhe vura re se në katin e tretë siç e llogarisnim ne shqiptarët, apo në të dytin sipas vendasve, dritarja në fund fare djathtas ishte e vetmja që i kishte kanatat e drunjta të mbyllura. “Ajo duhet të jetë dhoma, Marin”i pëshpërita tim biri. Dritat në dhomën e pritjes së hotelit ku qëndronte dhaskalica angleze e kohës viktoriane vazhdonin të hapura edhe pasmesnate kur u shtriva të qetësohesha e veshur përmbi shtrat, ndërsa im bir shihte një film bardhë e zi në televizor. E lodhur nga pritja që m’i kish tendosur nervat humba në gjumë. Kur u zgjova befas, e trembur nga ikja e kohës, pashë se kisha fjetur disa orë të mira dhe se agimi nuk do vononte të vinte. Brenda panikut që më kaploi, u kujtova se gjatë bisedës së shkurtër me zonjën e hotelit kisha pikasur në jakën e këmishës së saj prej tyli që mbulohej nga një shall i madh e i trashë, një kapëse- medaljon prej fildishti në formë ovale, qarkuar nga një rreth i hollë i artë, i cili mbante brenda një portret në profil të gdhendur. Po si nuk më ishte kujtuar më parë. “Bëj be Marin se e kam parë me dhjetëra herë atë portret! Është Casanova” shpejtova t’i tregoja me një frymë. Im bir më tërhoqi pas vetes duke më pëshpëritur “nuk kemi shumë kohë” dhe dolëm në korridorin e heshtur. U ngjitëm në majë të gishtrinjve në katin sipër, dhe po në majë të gishtrinjve iu avitëm derës së dhomës së fundit djathtas që përkonte me dritaren me kanata të mbyllura. Kishim vendosur t’u shkonim gjërave gjer në fund për të mësuar të vërtetën. Me vete kishim një kaçavidë majëhollë që e kishim marrë nga makina. Dera e dhomës që kërkonim nuk kishte dorezë si të gjitha dhomat e tjera. Habia jonë ishte e madhe kur, ndërsa përgatiteshim të hapnim bravën e derës, padashur krahu im e shtyu dhe ajo u hap. Nuk ishte e mbyllur. Drita e korridorit na zbuloi për një çast brendësinë e saj. U ndalëm të mëdyshur në pragderë, por shpejt pamë se ishte bosh. Një dhomë krejt e thjeshtë, me një shtrat të madh, me disa orendi të pakta përqark; por sa hymë brenda, në terr, ndjeme një ajër ndryshe, një aromë të tjetërllojtë, të cilën më vonë arrita ta identifikoja si kujtimin e largët të aromës së pomadës me jasemin. Ndjemë peshën e një kohe tjetër. Shpejtova të hapja kanatat e dritares së madhe që dukej si e ngallmuar. Nuk ishte punë e lehtë. Im bir erdhi dhe me ndihmoi. Hapëm me vështirësi kanatat e brendshme që dukeshin sikur kishin një jetë të tërë të mbyllura. Xhami që ngrihej sipër ishte i dyfishtë dhe i mbuluar nga një kortinkë prej tyli të lashtë që jepte përshtypjen se ishte ngjitur pas tij. Kanatat e jashtëme u hapën me një gërvimë çjerrëse dhe drita e përqumësht e agimit vërshoi në dhomë. Vura re se mobiljet e thjeshta të dhomës ishin të ngjyrosura dhe të lyera me llak sipas teknikës së shekullit XVIII arte povera. Në anën e majtë të shtratit, përmbi një komodinë të zbukuruar me motive florale në një ton të blertë pastel ndodhej e pluhurosur një vepër e Ariostos. Poshtë saj, në shpinë të një libri tjetër dallohej emri i Petrarkës. Ndërkaq im bir po mundohej të hiqte kortinkën e tylit nga xhami i ulur; ajo pothuaj iu thërmua në duar. Drita e agimit ishte bërë më e fortë dhe e kulluar. Iu avita xhamit të çliruar nga kortinka prej tyli; fjalët e gdhendura mbi xham përpara pothuaj dyqind e shtatëdhjetë vjetësh me diamantin e unazës dolën të plota dhe të qarta përpara syve të mi: “Ke për ta harruar edhe Henriette-n.” Jashtë dritares kishin nisur të binin fjolla dëbore të pastër. Hodha vështrimin përtej dhe pashë udhën që çante përmes pyllit për në Versonnex të Francës. Me sytë e kujtimit pashë karrocën që po e shkëpuste Henriette-n nga krahët e Casanova-s tek largohej me shekuj nëpër të.

Zbritëm poshtë. Në majë të gishtrinjve, ndonëse ishim të bindur se hoteli ishte krej bosh. Na priste zonja e hotelit. Na serviri kafe. Pasi paguam, i zgjata dorën me mirënjohje për t’u përshëndetur. “Emri i saj ishte Henriette Jeanne-Marie Boyer Fonscolombe” më tha ngadalë në formën e lamtumirës, dhe unë u përqëndrova te kapsja-medaljon në jakën e këmishës së saj prej tyli. Isha shumë afër. Me habi zbulova se portreti i gdhendur në fildisht brenda rrethit të artë nuk ishte ai i Casanova-s, por profili i bukurisë së pashoqe të Henriette-s.

Exit mobile version