Kreu Letërsi Bibliotekë Miniatura nga Ridvan Dibra

Miniatura nga Ridvan Dibra

BARI ARTIFICIAL

Më këshillojnë ta heq barin natyral e të egër në oborrin para shpisë dhe në vend të tij të mbjell bar të ri, artificial.

“Ashtë i mrekullueshëm dhe i kandshëm për synin!  Si qilim persian, uniform gjithandej, tapet i vërtetë…”, shprehet plot entuziazëm këshilluesi i parë.

“E ke vazhdimisht nën kontroll: e korr dhe e manipulon kur të duesh e si të duesh…”, kambëngul këshilluesi i dytë.

“Nëse të mërzitet, e ke të lehtë me ia hedhë përsipër shtresën e betontë: nuk të bën kurrfarë rezistence…”, arsyeton në perspektivë këshilluesi i tretë.

Unë, pasi hezitoj për do kohë, i dorëzohem ma në fund vullnetit të shumicës.  Zgjedh farën ma të mirë (domethanë ma të shtrenjtën), marr bahçevanin ma të zot (domethanë ma të kushtueshmin) dhe vetë tërhiqem në pritje.

Pas dy – tri javësh ndodh mrekullia: bari i ri nis e mugullon gjithandej: i njëjtë e i njëtrajtshëm: si një tufë me binjakë të panumërt.

Kurse mbas një muaji bari i ri asht rritë (gjithkund njëlloj, kuptohet) dhe, falë jeshiles së theksuar, oborri para shpisë teme ngjason ma shumë me një pikturë a fotografi, sesa me një oborr real.

Mrekulli për shqisën e të pamit, domethanë për synin!

Tashti priten veçse banorët e zakonshëm e të përhershëm të oborrit tem: zogjtë, fluturat, bletët, krymat, brumbujt, akrepat, rrajzat, zhuzhakët… e lloj – lloj gjallesash, të cilave nuk ua di emnat. Dhe ato nuk vonojnë: asht prag pranvere, koha e tyne.

Dallëndyshet në fillim.  Me siguri, ashtu për çdo vit, do ia nisin fill detyrës së tyne: ndërtimit të folesë diku në cep të dhomës teme të gjumit.  Veçse sivjet “pritshmënitë” i kam ma të mëdha: shpresoj e besoj që folenë e tyne kanë me e ndërtu diku tjetër: te ballkoni i shpisë së re.  Bile, kam shenju edhe qoshen e duhun.

Porse ndodh e paprituna: çifti i dallëndysheve ban disa harqe përsipër oborrit, sqepon dy-tri herë barin e bukur dhe mandej tretet përfundimisht në ajri, duke lanë pas do tinguj vajtues.  Njëjtë ndodh edhe me zogjtë e tjerë.  Sillen për pak kohë të trembun – thua se ndodhen mbi një zonë plot helme – dhe mandej treten larg, në qiell.  Kurse fluturat guxojnë e ulen.  Por vetëm për pak çaste.  Se mandej rrahin krahët me alarm e ikin s’di se ku.  Njëjtë edhe me insektet lloj-lloj.  Më parë largohen, se vijnë.    

Gjithçka e gjallë, me shpirt e me frymë, i druhet si mortjes barit të ri, barit artificial.

Dhe vjen një ditë kur oborri para shpisë teme ngjason me shkretinën.

Një shkretinë e gjelbër,

uniforme,

e njëtrajtshme,

kaq e kandshme për synin.

Njeriu modern.

NJË PLASË

Qysh në takimin e parë konstatuan të mrekulluar se shijet e kërkesat u puqeshin në gjithçka.

Librat e autorët që pëlqenin;

ngjyrat e format;

ritmet e këngët;

miqtë e mikeshat;

baret e klubet;

ushqimet e gatimet…

gjithçka.

Të lindur për njëri-tjetrin!

“Si dy gjysmat e një molle, të cilat bashkohen pa lënë shenjë”, kishte thënë djali. 

“Përjashto një plasë të vogël, krejt të vogël, si një vijë e hollë”, kishte thënë vajza.

Diku nga fundi i takimit, kishin konstatuar duke qeshur se dallonin vetëm në diçka:

Djali i urrente pleqtë (babën e kishte gjallë).

Vajza i adhuronte (baba i kishte vdekur).

“Një plasë e vogël”, kishte qeshur djali.

“Krejt e vogël”, kishte qeshur vajza. 

***

Qenë aq të rinj atëherë dhe s’kishin si ta parandienin se ajo plasë do të rritej me kalimin e viteve.

Pa pushim. Derisa të bëhej greminë.

Greminë që do përpinte gjithçka. 

Deri edhe dashurinë e tyre.

Si të mos kishte qenë.

VAZO E RRALLË

Në përvjetorin e pestë të martesës, ai solli në shpi një vazo të bukur – blerë prej dikujt diku nga Orienti i largët.

Vazoja dukej aq e brishtë dhe delikate, sa gruaja pati drojën se mund të thyhej edhe veç me shikim; kuptohet, nëse shikimi do të ishte i ashpër e përçmues.

Kurse shikimet e burrit ishin përplot dinakëri. Edhe si në lojë, i thotë gruas:

“Kujdes vazon! Nëse plasaritet a thyhet, do të qe njëlloj si të plasaritej a thyhej dashnia jonë…”

Kaq u desh që gruaja ta shenjtëronte atë vazo. Edhe t’i përkushtohej e tëra asaj. Duke harruar gjithçka tjetër. Deri edhe vetë burrin. I cili, ndoshta, pikërisht këtë kishte dëshiruar.

***

Në përvjetorin e dhjetë, gruaja e mori vazon ndër duar dhe, kur u bind se ajo nuk kishte pyetur për shikimet – sado të ashpra e përçmuese të kishin qenë ato – e përplasi fort për tokë.

Edhe mori frymë thellë.

Si e çliruar prej një pengu të madh.

ME SORRAT

Për çiftin e ri, gjithçka në vilën e re dukej mirë e bukur.

Me përjashtim të oborrit përpara i cili, ashtu si krejt qyteti, qe i mbushur me sorra gjithë ditën e lume.  Sorrat, si krrokatnin me zhurmë e bënin rrathë të çrregullt përsipër, uleshin mbi degët e pemëve në oborr, duke ngjasuar me ndoca fruta të nxira e të pjekura deri në kalbje.

“Shpezë të shpifura!  Ndjellin ters…”, truante e ankohej gruaja dhe i kërkonte burrit që ta gjente një zgjidhje.  Burri linte punët e veta dhe me gurë e britma i trembte “shpezët e shpifura”.  Porse pas pak kohësh, sorrat ktheheshin prapë, më të shumta e më të zhurmshme.

“Le të rrinë!  Krijesa Perëndie edhe këto…”, qeshte e justifikohej burri dhe i kërkonte gruas mirëkuptim.

Deri një ditë kur të dy, edhe gruaja, edhe burri, u mësuan me sorrat e krrokëritjet e tyre, thua se ato kishin qenë përjetësisht aty.  Tamam atë ditë burri propozoi që ta nxirrnin jashtë, në oborr, kafazin e madh me Pëllumbin brenda; ishte një Pëllumb topolak e i bardhë borë dhe të cilin, gruaja, në mungesë të fëmijës, e donte më shumë se gjithçka tjetër.

“Jo!” kundërshtoi gruaja. “Do ta trembin e trishtojnë sorrat e zeza…”.

“Po!” këmbënguli burri.  “Do ta argëtojnë e gjallërojnë sorrat e zhurmshme…”.

Gruaja pranoi dhe vetë, duke përkëdhelur gjithë kohës me shikim Pëllumbin e saj, e vendosi kafazin në oborr.  Për pak çaste, Pëllumbi ndenji i tulatur dhe i mbyllur në shenjtërinë e vet të bardhë, mandej, sapo dalloi sorrat, nisi të përpushej e të çukiste me sqep hekurat e kafazit – burg.

“Ia hapim derën e kafazit… le të fluturojë jashtë… si dikur në shpinë e vjetër…”, propozoi jo pa drojë burri.

“Por… jashtë janë sorrat… do ta sulmojnë sapo ta shohin…”, kundërshtoi jo aq e vendosur gruaja.

“Nuk e besoj.  Duken aq të ngjashme me Pëllumbin tonë.  Si prej të njëjtës familje.  Vetëm në ngjyrë ndryshojnë”, këmbënguli burri.

“Nuk ndryshojnë vetëm në ngjyrë.  Edhe në sjellje, vese e zakone…”

“Ndoshta.  Por unë them ta provojmë…”

Gruaja pranoi dhe vetë, duke përkëdhelur gjithë kohës me gishtërinj Pëllumbin e saj, e çeli derën e kafazit.  Pëllumbi hezitoi vetëm për pak kohë, se mandej, thua se kishte një jetë që e priste këtë çast, gugati disa herë, rrahu krahët dhe fluturoi drejt sorrave.  Ato e pritën me zhurmë e krrokëritje. Disa prej tyre, e rrethuan dhe e çukitën gjithandej me sqepat e mprehtë. Pëllumbi u rrek të mbrohej.  Ndoca pupla të përgjakura u përkundën për pak kohë nëpër ajri, derisa ranë përtokë.

“Bëj diçka!” i tha burrit gruaja e përlotur.

“Duro dhe pak!” i tha gruas burri i hutuar.

Pëllumbi rezistoi si mundi e sa mundi dhe mandej, pasi lëshoi do klithma të pazakonta për natyrën e tij, fluturoi drejt kafazit.  Porse nuk hyri brenda.  Qëndroi përsipër tij.  Si u mor për pak kohë me plagët e veta, fluturoi prapë drejt sorrave.  Prapë e pritën me zhurmë e çukitje.  Prapë rezistencë e pendë të përgjakura.  Prapë kthim mbrapa mbi kafaz, zbutje të plagëve e fluturim drejt sorrave.  Disa herë kështu.

Derisa erdhi një çast kur u duk se sorrat e pranuan Pëllumbin: jo se u dëshmuan dhe aq miqësore me të, por nuk e çukitën ma.   

***

Pas disa kohësh, puplat e Pëllumbit nisën të irnosen; derisa u bënë të zeza krejt.

Kthetrat iu rritën dhe sqepi iu mpreh.

PARABOLA E TERRIT

– Zotëri, ai ka gënjyer.

“T’i shkulet gjuha!”

– Zotëri, ai ka vjedhur.

 “T’i priten duart!”

– Zotëri, ai ka përdhunuar.

“Të tridhet!”

– Zotëri, ai ka thënë të Vërtetën.

“Të sajohen dhe njëqind të vërteta të tjera!”

PËRTEJ MURIT

Ata dy mbërritën në hotelin përballë detit dhe fill, ende pa e këqyrur dhomën e tyre, ashtu siç kishin bërë rregullisht në këto dhjetë vitet e fundit, zunë vend në verandën e madhe, para së cilës shpalosej një pamje magjepsëse e gjithherë e ndryshme.  Me siguri, falë detit e që s’ishte kurrë i njëjti.  Si zakonisht në këto dhjetë vitet e fundit, porositën kafet dhe po si zakonisht burri u rrek t’i përgjigjej sadopak entuziazmit të gruas për gjithçka shihte e përjetonte përballë.  (“Rutina, po aq sa e shkatërron një lidhje, po aq e mban gjallë atë”, përsëriste burri shpesh”)

Sapo mbërritën kafet, në tavolinën ngjitur erdhi e u ul një çift tjetër.  Më të rinj dukeshin.  Djali ishte i zymtë, kurse vajza bionde.  Çifti i sapo mbërritur ia ktheu shpinën detit dhe të dy, djali e vajza, ndenjën për shumë kohë në heshtje.  Kurse burri e gruaja flisnin e komentonin pa pushim çdo nuancë të re atje para verandës.  Deri një çast kur gruaja, krejt papritur, i ndërpreu komentet entuziaste, afroi fytyrën pranë burrit dhe pëshpëriti:

“I njeh këta dy afër nesh?”

“Jo”, tha burri, duke këqyrur me bisht të syrit nga çifti pranë.

“As bionden?”

“As atë”.

“Shihe edhe njëherë.  Mund ta kesh pasur studente…”

“Ndoshta… por nuk më kujtohet…”

“Shihe edhe njëherë!”

“Pse u dashka?…”

“Shihi, të lutem!  Sepse ata dy na urrejnë… biondja sidomos…”

Burri hodhi një shikim më të vëmendshëm nga çifti pranë dhe sakaq u drodh – si t’i kishin hedhur ujë të ftohtë përsipër: ata të dy, biondja sidomos!, po këqyrnin plot urrejtje.  Urrejtja e tyre shfaqej hapur, lakuriq, paturpësisht.  Burri i bëri prapë apel kujtesës, por më kot: ata dy pranë ishin krejt të panjohur për të.

“Ndoshta nuk e kanë me ne, por me librat e mi”, u rrek të bënte humor burri.  Por gruaja nuk qeshi.  Kërkoi të ngriheshin që aty e të mbylleshin në dhomën e tyre.  Fill pas tyre, u ngrit edhe çifti pranë.        

Ndodhi ajo ë cilës burri i druhej: dhomat i kishin krejt ngjitur…

… Sapo të shtriheshin, si zakonisht, do t’i vinte radha seancës seksuale.

Burri tha se ndihej i lodhur.

Gruaja do të justifikohej me mungesën e dëshirës.

Të nesërmen, aspak si zakonisht, do të zgjoheshin larg njëri – tjetrit, secili në cepin e vet të shtratit.

“Si fjete?”, pyeti burri.

“Keq”, tha gruaja.  “Gjithë ëndrra e makthe.  Si mund të flesh e qetë, kur e di që diku pranë, përtej murit, është dikush që të urren për vdekje?  Qoftë edhe pa shkak…  Po ti, si fjete?”

“Njëjtë edhe unë”.

Burri, me vesin e përhershëm të shkrimtarit, deshi të shtonte se “ndjesi të tilla duhej të provonte edhe ai popull që ishte i detyruar të jetonte, punonte e ëndërronte pranë një armiku të përhershëm dhe urrejtjes së tij…”.

Por nuk foli.

Patetikën e përgjithësimet nuk i pëlqente dhe aq fort.

VAJZA DHE DETI

Çdo përpjekje për të përfituar diçka prej saj, konsiderohej kauzë e humbur.

Këtë e kishin provuar gjithë ata që lakmonin hiret e shumta të vajzës; por edhe ata të pakët, që synonin shpirtin e saj të turbullt. 

“Lodhemi krejt kot”, kishte thënë më në fund mëtuesi i parë.  “Ajo bën dashuri veç me Detin.  Edhe ndihet e plotësuar”.

“Duket sikur i përket një tjetër realiteti”, kishte thënë mëtuesi i dytë.  “Edhe sikur vjen prej epokash të tjera, të largëta”.

“Deti është fetish për te, magjik dhe i shenjtë”, kishte thënë mëtuesi i tretë.  “E adhuron më shumë se secilin prej nesh”.

* * *

Në një muzg të ngrohtë vere, kur Deti qe më i paqtë se kurrë, gjetën në Breg trupin e pajetë të vajzës.

Dukej si përfundim logjik i një dashurie të pamundur.

TRI PIKA HELMI

“Ti je diçka e mrekullueshme”. 

“E veçantë”. 

“Krejt ndryshe prej të tjerave”. 

Këto tri (3) fjali ia kishte thënë ai studentes së sapoardhur e cila, si pa dashje, qe shkëputur prej shoqeve.

(Fjali të rastit, të thëna pa qëllim nga profesori. 

Ose me ndonjë qëllim të largët. 

Ku me e ditë?)

Ajo ishte shtangur.  Sytë i kishin marrë një ndriçim të beftë, kurse trazimet përbrenda s’përshkruheshin. Dhe fill qe ndier ashtu: e veçantë, pa asnjë lidhje me “të tjerat”.

***

Në përfundim të vitit shkollor, ajo studente prej së cilës priteshin rezultate të shkëlqyera, kishte mbetur thuajse në të gjitha lëndët.

Shumëkush e konsideronte dhe e trajtonte si një prostitutë të rëndomtë.

Kurse profesori, po atë vit, ngjiti dhe një tjetër shkallë në karrierën e vet akademike.

Exit mobile version