Kreu Letërsi Bibliotekë “Metafora” poezi nga Giuseppe Schirò Di Maggio

“Metafora” poezi nga Giuseppe Schirò Di Maggio

…ANDALLI \ ANDALI (CZ) …01
…BADHESA \ VILLA BADESSA (PE) …02
…BARILLI \ BARILE (PZ) …03
…ÇERVIKATI \ CERVICATI (CS) …04
…ÇIFTI \ CIVITA (CS) …05
…EJANINA \ EJANINA DI PRASCINETO (CS) …06
…FALLKONARA \ FALCONARA ALBANESE (CS) …07
…FARRNETA \ FARNETA DI CASTROREGIO (CS) …08
…FERMA \ FIRMO (CS) …09
…FIRMOZA \ ACQUAFORMOSA (CS) … 10
…FRASHNITA \ FRASCINETO (CS) …11
…GARAFA \ CARAFPA DI CATANZARO (CZ) …12
…HORA E ARBËRESHËVET \ PIANA DEGLI ALBANESI (PA) …13
…KARFICI \ CARFIZZI (CZ) …14
…KASTËRNEXHI \ CASTROREGIO (CS) … 15
…KATUNDI \ GRECI (AV) …16
…KAZALLVEQI \ CASALVECCHIO DI PUGLIA (FG) …l7
…KEJVERICI \ CAVALLERIZZO DI CERZETO (CS) …18
…KËMARIMI \ CAMPOMARINO (CB) …19
…KUNTISA \ CONTESSA ENTELLINA (PA) …20
…MAQI \ MACCHIA ALBANESE (CS) …21
…MARÇEDHUZA \ MARCEDUSA (CZ) …22
…MARRI \ MARRI (CS) …23
…MASHQITI \ MASCHITO (PZ) …24
…MBUZATI \ SAN GIORGIO ALBANESE (CS) …25
…MUNGRASANA \ MONGRASSANO (CS) …26
…MUNXIFSI \ MEZZOJUSO (PA) …27
…MUNXHIFUNI \ MONTECILFONE (CB) …28
…PALLACI \ PALAZZO ADRIANO (PA) …29
…PICËLIA \ SANTA CATERINA ALBANESE (CS) …30
…PLLATANI \ PLATACI (CS) …31
…PORTKANUNI \ PORTOCANNONE (CB) …32
…PUHËRIU \ PALLAGORIO (CZ) …33
…QANA \ CERZETO (CS) …34
…QEFTI \ CHIEUTI (PG) …35
…RURI \ URURI (CB) …36
…SËNDAHSTINA \ SANTA CRISTINA GELA (PA) …37
…SPIXANA \ SPEZZANO ALBANESE (CS) …38
…STRIGARI \ SAN COSMO ALBANESE (CS) …39
…SHËN BENEDHITI \ SAM BENEDETTO ULLANO (CS) …40
…SHËN JAPKU \ SAN GIACOMO DI CERZETO (CS) …41
…SHËN KOLLI \ SAN NICOLA DELL’ALTO (CZ) …42
…SHËN KOSTANDINI \ SAN COSTANTINO ALBANESE (PZ) …43
…SHËN MARXANI \ S. MARZANO DI SAN GIUSEPPE (TA) …44
…SHËN MITRI \ SAM DEMETRIO CORONE (CS) …45
…SHËN MËRTIRI \ SAN MARTINO DI FINITA (CS) …46
…SHËN PALI \ SAN PAOLO ALBANESE (PZ) …47
…SHËN SOFIA \ SANTA SOPIA D’EPIRO (CS) …48
…SHËN VASILI \ SAN BASILE (CS) …49
…UNGRA \ LUNGRO (CS) …50
…VAKARICI \ VACCARIZZO ALBANESE (CS) …51
…VINA \ VENA DI MAIDA (CZ) …52
…XHINESTRA \ GINESTRA (PZ) …53
…54

…01

Evropa me mijëra ngjyra
Evropa e kufijve të hapur
Evropa e gjuhëve
Evropa e bankave
Evropa e së ardhmes
do të vijë edhe këtu.
Mikpritës i përpiktë,
do të veshësh tët bijë
me kostumin tradicional
e do ta dërgosh në sheshin kryesor
me kanistrën më të re
t’i dhurojë Evropës
sa toka jote prodhon:
vaj verë djathëra.
Nuk mund t’i dhurojë,
vajza jote e pafajshme,
shenjën e dallimit tënd më të lashtë
fjalën arbëreshe
të bjerrë dhuratë të shpirtit.

…02

Mos u nis kaq shpejt, vëlla,
s’ më jep as edhe kohën
të të shtroj bukë e verë
të të flas për jetën time
për vetminë time e për psenë.
Mos rrimë këtu te dera.
Mos u tremb të hysh.
E di se mund të t’ dukem si trau i sprasëm
i një argshi të vjetër tani mbërthyer
nga bunaca e pandjeshme
e këtij oqean-homologimi,
por çdo t’i bënj? Mundet në realitet
të bëhet ndonjë gjë?
Ngushëllimi i pranisë sate – unë e di –
do të më rëndojë më shumë vetminë
që do të pasojë mënjëherë nisjen tënde.
Vetmisë pra do t’i shtoj vetmi.
Zinxhiri im.
Pastaj më qëndron po të mbyllem në vetvete
me shoqërinë e pakëndshme
të regëtimës mekanike të orëve.

…03

Më deh. Ka gradë alkolike të larta
kjo mirpritje jote.
Gjaku i tokës sate. Transfuzion.
Unë këtë verë të pagëzuar
me dashuri vëllazërore
nuk e mbaj mirë!
Tryeza e shtruar. Buka që gjeshe ti
por lulet e fjalëve
kundërmojnë më fort se rigoni.
Qesh. Më thua se sekretin e jetëgjatësisë
e ruan në shpellat e tua – barkushe të zemrës.
Unë s’ di ç’ të të them.
S’mund të flitet me objektivitetin e verës.
Por dy fjalë duhet t’i vë në tryezë.
Jam i sigurt se asgjë e asnjeri
s’ mund të të ndërrojë
gjer që në kurmin tënd do të qarkullojë
limfa arbëreshe që të përcakton!

…04

E di, mos ki merak!
S’ ke nevojë të kuqesh!
Kjo botë jona nuk është
bota e çudirave!
Një ditë të erdhi turp
për veten tënde e për fjalët e tua
dhe lipe shkurorëzim nga gjuha jote e parë!
Një perëndi fitimtare veproi mbi ty shndërrimin
e sot ke vetëm gjuhën tënde të dytë.
Mund të mburresh me kaq për ndonjë
pikë qëndrese:
ca pleq belbëzojnë akoma
ndonjë shprehje të gjuhës së parë!
Por rri në pritë – ka qënë përherë në pritë –
furtuna e tmerrshme e asaj perëndie fitimtare:
një vrundull më të vendosur
e as dhe pleqtë s’ do të të qëndrojnë më.
Por ti mos ki merak!

…05

Vendose male të gjalla si mure për mbrojtje
e humnera të pakapshme ku me vrull
rrjedhin ujëra luftëtare pengesa
kundër hyrjes së armiqve. Por armiku
i sotëm televiziv që nuk mundi
nga toka të vijë, me dhunë hyri
nga ajri o nëpërmjet kabllos e tani
është mysafir i përhershëm i gostive
dhe i festave të tua. Por kush gërryen pak
ngjyrën e jashtme të shtëpive të tua
zbulon zemrën tënde të kuqe arbëreshe
e kush fshin pluhurin nga gurët e tu rrugorë
ndien kumbimin e valleve akoma
për të dashurën tënde të lashtë.

…06

Qëndrove në moshën tënde të re
dhe as ke nevojë të fshehësh vitet:
me siguri të ruajti kështu
dashuria dhe dëshira e atyre që të vinin rrotull.
Qëndrove besnike në parimet e dëlirësisë
edhe në kohë në të cilat
të shkëshillohej të ndodheshe e vetme.
Mund të vazhdosh ashtu për mot e monë.
Por trembem se mos të të paraqitet
nga rruga kryesore – në një mesditë
plot diell të hutuar –
ndonjë lajkatar magjepsës
që të rrëmben me turbomakinën e kuqe-flakë

volumin e stereos të gjithë-ngritur
që mbyt thirrmat e tua të kota.

…07

E di se të jap zymtësi kur të flas
për sëmundjet e tua
e se duhet të të vërejë jatroi

një “TAK”, një “çek ap”, analizë e gjakut
e urinave dhe e ndo gjëje tjetër –
se duhet të mbash

por e ke mbajtur prej kohësh,
sidomos kur s’ kishe gjë tjetër të mbaje –
dietën mesdetare
se duhet të bësh lëvizje
t’i shmangesh stresit të jetës moderne!
Rreziku është serioz
sepse ke mundësi të zhytesh
në një përjetësi heshtjesh
ku as edhe heshtja ndihet,
ti që mund të shpëtohesh
ngase akoma e largët është fusha
që bën të rrafshë çdo gjë që prek.

…08

Të gjej të vetme në këtë pyll lisash
plot me druajtje nga ankthet që nata
të derdh më tepër se çdo nxënësie të mundshme
e nga vegimet e tmerrshme që dita
të bën të të kërcejnë përpara.
Më thua me pikëllim se ke humbur
edhe ngërdheshjen e pavullnetshme
të buzëqeshjes së hidhët.
Brenda pyllit edhe dielli është i rremë
dielli që të ndërton shkallë drite

të çahen në duar nëse i prek –
e që kurrë s’ mund të të ndihmojnë
të ikësh nga lëmshet e nënpyllit.
Por në vonon akoma princi yt shpëtues
do ta gjejë krejt të ngurosur kurmin-tënd-lis
me copa veshjeje të ngjitura
si flamur disfate.

…09

Poeti* ynë vdiq gjatë rrugëve shtetërore
mbi shtroja hekurishtesh të përdredhura
me vegime botësh të shajnitura. Megjithatë
shpresa o e ardhmja s’ mund të ketë
kundërmim benzine përzier me gjak
por fryme të mirë njeriu
që do të të trashëgojë brez pas brezit
me të folmen tënde tipike.

*Poeti Vorea Ujko, papas Donenico Bellizzi, lindur në Frashnitë nië 12.6.1918, famullitar i Fermës për 46 vjet, vdiq, pas një aksidenti automobilistik, në Bari më 24.1.1989.

…10

Horizonti yt detar është Joni
i pjellë nga ujërat e tua amniotike
i pagëzuar me lotët e tu
të fortë kripe.
Mbi ankthin tënd të rindërtuar
ngrite ballkone të reja të vëzhgoje
horizontet e kuqe deti
që lindja në agim të bie.

Kur m’u çajtën ujërat
ishte stinë e mesme – më thua –
e të lindurit e mi shpejt morën
rrugët tokësore të mërgimit
ashtu që sot druaj
pranverat dhe vjeshtat stinë
në të cilat bijve që më qëndruan
zakonisht u zgjohen
dëshira dashurie të jashtme.

…11

Tokë kufitare.
Shoh se jeton
jetë të shumta në përzjerje.
Shoh se si kunj në mish
ke botën e autorrugëve
me flamujt dhe mitet e tyre.
Botë fitimtare kjo!
Ndoshta do ta paguash me çmim të lartë
rreshtimin tënd me kohët.
Të uroj të mos qëndrosh më vonë
si plakë e çmendur
që me ndihmën e duarve
u trashëgon gjërave të pashpirta
fjali të pakuptueshme
ndërsa uturima e motorëve
e mbulon të tërë
dhe gjestet e saj duken
gjuhë shurdhmemeci.
Ribëj llogaritë, të lutem.

…12

Në pragun e këtyre shtëpive
të zbardhura me ngyrat e jugut,
të gjej ulur
ndrikull e tërhequr nga fjalët.
Natyra jote është prej mishi dhe guri

guri më i qëndrueshëm se mishi.
Ashtu ke parë e ke dëgjuar
me qenien tënde prej guri të qëndrueshëm
e ke vuajtur dhe pasur gëzime
me zemrën tënde mishi
trashëgim të çdo brezi.
Mishit i përket pasiguria e së tashmes
gurit qëndresa e këmbëngulja.
Përsiatje nga mësimet e jetës!
Por shpërthejnë papritur
thirrrma lirie:
nipat e tu kthehen nga shkolla
në këtë orë mesdite.
Të uroj t’i shohësh të kthehen
ndonjë ditë e pra përditë
me çantën plot ushtrirme arbëreshe!

…13

Veprat arkitektonike më të bukura,
veprat artistike me nam shekullor
… “Sheshi Shën Marko”
“Kambanari i Xhotos”
“Kulla e pjerrët e Pizës”
“Xhokonda e Leonardos”
“Moisiu i Mikelanxhelos”
“Kapela Sistina”…
janë për mua, që s’ kam vepra monunentale
t’u nxjerr para turistëve,
gjuha ime!
gjuhë e prerë e përçmuar
e ndotur e copëtuar
e thartuar me të mbeturat e shpendëve
si monument i lënë pas dore
e nxirë me smog
në rrezik të vazhdueshëm të prishet
por megjithatë
vepra ime arkitektonike më e bukur
kryevepra artistike e qytetërimit tim!

…14

Duart e stinëve të kanë dhënë formë
të ngjashme me kohën dhe ti
të kohës sjell rrudhat e jashtme
por mban ende shpirtin djalë
ashtu si përjetësia ta dha:
është kjo vetëdija që nuk ke humbur.
Kështu i ke bërë ballë dredhive të thurura
nga bijtë e shumtë të kohës: minutat orët ditët
muajt vitet shekujt. Koha jote armike,
së cilës gjatë luftimit
çdoherë i lë një rreckë prej teje!
Por s’ ka rëndësi për ty mplakja – besoj –
nëse akoma të duan këta djem e këto vajza
të dalë somenatë
nga një lindje e gëzuar pranvere.

…15

Me përëndinë tënde të dhënë të mundur
nga breza bastvënësish
këtu ti mbahesh fort në garën e mbijetesës.
Ke lëkurë të trashë të regjur
nga pesëqind dimra e pesëqind vera.
Po të duash mund t’i bësh ballë edhe
qytetërimit gërryes të acideve.
Po të duash mund të dëftosh
mburojat e tua shekullore: Koroniatët e tu.
Po të duash mund të shpëtohesh
nga valët herciane elektromagnetike
të shkurtra të gjata të mesme,
pa vatur prapa në mesjetë.
Duhet se edhe ne të modernizohemi
me valë herciane elektromagnetike!
Por le të ta them hapur:
sot më jep gëzim të di
se nimfat arbëreshe nuk kanë ikur
nga pyjet e tua e se akoma
i ngjeshin ijët me ujërat e përrenjve.

…16

Nuk të them për dhëmbët e mi
të çarë me përkëdhelje të rënda

vëri në hesapin e një sasie shekujsh –
as për torturat për të mohuar shpirtin
as për shpëlarjen e trurit që të ndërroja mendje
as për provat të më shkulnin gjuhën.
Ku mund t’i bëja ballë i bëra ballë;
ku pat të lija – natyra ime njeriu
ma lejonte – lashë.
Të them vetëm se në sot mund të të flas
me gjuhën që tani dëgjon, do të thotë
se mbi gjënë më të rëndësishme nuk u nënshtrova:
mbi të drejtën të kem fjalën time.

…17

Do të zgjohesh
me të parën qarje të ndërgjegjes sate
dhe syhapur do të kërkosh
horizontin tënd të humbur.
Do të vishesh pra me fjalët e tua
e me ndjenjat e tua do të rindërtosh
zjarret e mençurisë sate.
Edhe së largu do të duket zgjimi yt.
Ndoshta do të jesh pastaj në gjendje
t’u bësh ballë goditjeve të erës

vënë si je përpara syve të fushës –
e ndoshta s’ do të druash
përqafimet plot gjumë të reve
që vijnë nga të katër anët e botës.

…18

Po rri këtu në këtë anë bote
shkëndijë e hedhur nga shpërndarja
e një populli të lashtë.
Këtu ngrita muret e shtëpisë së re
e nga e para shkëndijë ndeza një flakë
që zgjat akoma.
E megjithëse ajo imja
është vatër e vogël
duhet ta dëgjosh festën që shpërthen
kur gjithë familja përmblidhet.
Atëherë ushtojnë
si xixa të atij zjarri të lashtë
fjalët tona me tingull aloglot.

…19

E kisha me mua shpirtin tim
kur dola nga shtëpia të veja në punë.
Më pas sa nuk e ndjeva më me vete:
ndoshta e humba – thashë – po ku!
Zura fill ta kërkoja.
Jo se ish aq i çmuar
si mund të duket
por ish një kujtim i atit tim
që e kish pasur nga ati i tij,
me një fjalë e kuptuat se kish arritur tek unë
brez pas brezit. Fakti është
se nuk e kisha më me vete.
Kërkova në fabrikën FIAT;
kontrollova në lokalet publike;
vërejta përposh makinave në vendpushime;
në stacionin e trenave. Asgjë.
Vajta edhe në plazh, por si bën
ta gjesh në mes të asaj çorbe rëre
të ngridhur njerëzish!
Më jep një shqetësim të hollë të mos e gjej.
Hë, mos lozim, thuamëni kush ma mori!

…20

Ke plagë ende të hapura,
të vetmet rrënime të dukshme.
Tërmetet e tua më të rrezikshme
janë depërtimet e holla aq të shumta
të një mënyre të re të eksistencës.
Do të mbarojë pastaj se,
në pleqërinë tënde, bijtë e tu
do të të mbyllin në institutin “Kujtesë”,
ku do të kesh të gjithë ngushëllimet,
por jo ndijimin se je e gjallë.

…21

Ti pate nderimin më të madh
të vëje në jetë Shpikësin
e arbëreshisë militante.
Me këtë nderim të madh
ke jetuar, jeton e do të jetosh.
Në pra rreth teje sot
heshtja rri amull
të mjafton
kur ke festë
të ngrësh flamurin e De Radës tënd
për të dhënë iluzionin e vazhdimësisë.

…22

Bijë e dashur,
duke vërejtur me sy të njomë të huajt,
të vuri me barrë
bujku i mirë lëti që vinte
nga katundi këtu afër. Pastaj u martove
duke zgjidhur problemin kryesor të jetës sate.
Por duke kërkuar të kuptohesh me të

është e logjikshme ngase është yt shoq –
ke filluar edhe të mendosh me trutë e tij.
Tani keni një mendim të vetëm
e një mënyrë shprehëse të vetme,
moj bijë ish-arbëreshe.

…23

Të eksistosh është bukur.
Të dish se eksiston edhe më bukur.
Në pra unë jam një shënim pa vlerë
për turistin e ngutshëm o nuk gjendem

vëmë – në hartat gjeografike
o në librin e madh të historisë
ka rëndësi vetëm për studiuesin
që bën hulumtime.
Më mjafton të paktën
të jem pjesëz e një ideje të madhe
o pjesëz e shpirtit tonë të përbashkët
për t’u ndier plotësuar e i kënaqur.
Por ndalo e dëgjo:
titujt e mi të eksistencës
ia lajmëron botës kambana ime bizantine.

…24

Pallatet e tua katrore prej guri mashkull
pushtet i së shkuarës mbi të tashmen ,
shtëpitë e tua përdhese prej guri femër,
larg nga qendra, në heshtje të përditshme
që kur të zotët përbrenda i mbyllën
varfërinë e pra ikën!
Për problemet e prostatës – pleqëria! –
për astmën e fjalëve
për shkujdesjen e ndërlidhjeve të brezave
për pafuqinë të zgjedësh
nga aq shumë sëmundje atë më të vogël,
dinë diçka planet e tua të ndërgjegjes.
Megjithatë, nga mjegulla
që të mbështjell në vjeshtat,
dëgjova një mbrëmje të iknin për rrugë
fjalë arbëreshe si xixa zjarresh
të sinjalizojnë identitetin tënd
që ende nuk ke humbur.

…25

Lutje të Varibobës*
që ngrihen nga temjanicat
e shtëpive në mbrëmje
mbledhur me mundim
një ditë pune tjetër
gezimi të shihen
të gjithë bashkë të gjallë
të pranishëm dhe me frymëmarrje
në erën e ëmbël të shtëpisë
njerizuar nga kripa e djersëve
bij shoqe shoq
pleq gjyshër lidhje
ndërmjet së shkuarës dhe së tashmes
me ogur të domosdoshëm për të ardhmen
kjo mbrëmje që si tjerat
do të zhduket e thithur nga koha
më parë se të lëjë një rreth
të dukshëm ankthi
mbi njeriun që ndien kohën
si angështitë e veta
Virgjër Shën Mëri e Varibobës
cila kokërr rruzareje
është kjo mbrëmje që bie
dhe cilit mister i përket
ankthi njerëzor i përsëritur
veçse litanive
të një të vetmi mister të hidhur
amin për Varibobën e gjallë
që lë gjurmë
në hirin e mbrëmjes
amin për Varibobën që vë
shpresën në majë të natës
kapërcyer mundimet
pasionet dhe frikën e botës
amin për Varibobën
poet të këtij parrajsi
këtu të pranishëm e të ndërlikuar
aq të prekshëm e njerëzor
amin për lutjet e Varibobës
psherëtima përjetësie
amin përgjithmonë.

*Jul Variboba, prift e poet, autor i Gjellës së Sh. Mëris Virgjër, lindi në Mbuzat më 1724 (‘25) e vdiq në Romë më 1788.

…26

Edhe pak një urth i padukshëm do të më mbulojë
e një xhungël rrënjësh të reja
do të marrë ushqim edhe nga çatitë.
Në pyll-homologim do të zhdukem.
Ndoshta do të dëgjohet një ditë
midis gërmadhave të mia të rizbuluara
kazmëza e arkeologut që kërkon
me tingull vdekjeje një shenjë
për të deshifruar identitetin tim të bjerrë.

…27

E ardhmja e natës agimi. Ti e prite.
E ardhmja e agimit dita e plotë. Ti e jetove.
E ardhmja e ditës mbrëmja. Ti u zhyte në të.
E ardhmja e mbrëmjes nata. Ti me të u përzieve.
Në ciklin e vazhdueshëm të ndjenjave të tua të ndryshme
u ndodh – aty për aty pa vënë re – mungesa
e një agimi e një dite e një mbrëmje e një nate:
një zbrazëti e kujteses!
Humbe një nga të tre shpirtrat e tu.
Sot meshon greqisht e dashuron italisht.
Në librat vetëm rri shkruar si ngjarja ndodhi
se ti shpirtra pate tre.

…28

Foletë e tua shqiponjash,
tani me indiferencë të nxjerra
në diell o në stuhi,
mbajnë ende gjurmë të ndërrimit të pendëve.
Bijtë e tu ktheheshin në fole
pas fluturimeve të para ushtrimi. Një ditë

e prisje, por jo kaq shpejt –
u hodhën drejt largësive.
E di se nxore thirrje,
se vëzhgove çdo gjë që lëvizte
përmbi tokat dhe shkëmbinjtë.
Aritmitë e zemrës sate – më thua –
për iluzionet optike të papritura!

U kthyen vetëm një parë herë, të ndërruar
aq sa dukeshin të lindur në fole të tjera,
dhurata duke prurë të çuditshme.
Largësitë u kishën bërë tani
grumbull kohe pa kujtesë.
Pastaj midis nesh u vendos nderimi
që u jepet njerëzve të huaj.

29

Të bukura atëherë dhomat e tua
dhe e bukur gjindja jote e marrë
nga ato orë të gjalla të pranishme.
Sot rreh një jetë tjetër jo konsekuente
ndërruar orët, ndryshuar mekanizmat e dhëmbëzuar
dhe gishtat prej metali që i shënojnë.
Dhomat e tua i shoh akoma këtu, por zëra
nuk dëgjoj me timbër arbëresh.
Në ndonjë qilar rri i pluhurosur
një ndijim i lashtë i një rënkimi nga zemra.

…30

E orës sime të sprasme nuk di një gjë:
nëse do të ndodhë për shkak të sinkopës
o nëse vdekje me agoni do të kem
natën ditën mbrëmanet menatnet kushedi!
Indiferencë Shkujdesje Ironi tri vajtore
do të më qajnë duke më uruar
kujtim të përjetshëm!
Vdekur pastaj, dhëmbje të vona
kot do të më kushtojë
konferencieri i paguar:
drejt duhej të vërehej
në ditët e shëndetit tim të rremë!

…31

Kush mund ta dijë në ka lindur qeliza e huaj
që do të rritet jashtë mase në kurmin tënd
duke zgjidhur një çfarëdo vendi të koordinatave
të tua trupore. Një qelizë e çmendur
është e pangopur e ua ngjit të tjerave
pangopësinë. Më thua se si masë parandaluese
ke ndjekur rregullat për përdorim të bashkëngjitura
me lindjen tënde: vend i gurtë,
krahë të mbrojtur nga një mal,
nja dy përrenj poshtë në hone,
horizont i hapur nga njëra anë
për të mbajtur larg klaustrofobinë
e për të vërejtur në sy sibaritët në radhë.
Rregullat për përdorim i ke ndjekur; të mbetet
të kontrollosh qelizën e prishjes,
që mos ta bjerë teknika, për shembull,
o kundërmimi therës i industrisë
o larësi i sprasëm hedhur në treg
o telenovela e ardhme në Tv.

…32

Yjësi e Qerres
yje të vrapit të saj
polare e festave të tua
aftësi gjithë arbëreshe
të merret në vendim çdo gjë
për ta paraqitur në tregun e turizmit
pa ditur se më se gjithë paguan
përdorimi i gjuhës
që mban të gjalla zakonet
e që brumos edhe ajrin që thithet.
E tani do të ulërijmë me gjuhën tonë nxitje
qeve më të fortë
sa me qerren e tyre të fluturojnë
më se fërshëllima e erës e të arrijnë të parët
dhe përçuesve të tyre t’u jepen
dafinat e fitores, ndërsa një Pindar i ri
me vargjet e tij me përsosje arbëreshe
do t’i bëjë të pavdekshëm duke i treguar
admirimit të pasaardhësve.
Yjësi e Qerres
në qiellin e këtij katundi arbëresh.

…33

Ndoshta ë ky vendi
ku mund të shuhen pasionet,
ku mund të mbyllen sytë si një perde
mbi kronikën e përditshme e dhelpërinë
dhe mund të hapen me përpjekje për t’u lindur
në një botë jo të sëmurë nga të metat.
Ndoshta këtu do të harrojmë, sepse të largëta,
decibelet shqetësuese të së tashmes.
Ndoshta këtu do të marrim
spontaneitet e do të rikthehemi në fëmijëri,
katund i butë për zemrën e me shqiptim puhie.
Do të ribëhemi njerëz gati për mbrujtje.
Por në orën e caktuar, fijeve të shtrirë
në mbrëmjen katundare
u vërsulet sigla rrëmbyese e televizionit
dhe katundi rimerr lidhjet me jetën.

…34

Do të veshësh petka me lajle,
do të zmadhosh sytë me rimel të fortë,
do të lyesh buzët me të kuq të ndezur
jashtë skajit natyror të të duken më mishtore,
do të ngjyesh thonjtë e mprehtë – thika dashurie –
do të vësh në krye një kapelë të çuditshme
e në këmbë këpucë të lustruara me taka të larta;
do të dukesh vërtet një magjistare moderne
gati të bësh një të vetme magji të rëndësishme:
se njerëzit e tu të bëhen të fortë si Skënderbeu-Supermen
se njerëzit e tu të dashurojnë gjërat që ti dashuron,
se njerëzit e tu të flasin gjuhën që ti flet,
se njerëzit e tu të shkruajnë gjuhën që shkruan ti!
Por si mund të thyesh konkurrencën
e magjistareve pas-moderne
tepër të specializuara në magji ultra gjumësjellëse?

…35

Të gjej këtu në pragun
e dritares së këtij deti,
flokë toke e gruri, kundërmim dielli,
e re në lëkurë
sikur të kishe lindur dje.
Ashtu përfytyron rini
as u vë veshin psherëtimave
mbi ditët e tua të tashme.
Në këtë orë të ndryshimit të puhisë
vjen nga deti Adriatik flladi
që pak më parë
ka përkëdhelur mëmën shqiptare të lashtë.
Pra vishesh me mjegull dhe melankoli.

…36

Dëshiroja të dija
për hapje-mbylljen tënde të përditshme
të dyerve dhe të flegrave
sy veshë gojë të shtëpive të tua,
për orët që ndërrojnë petka
e shkojnë të shpejta nëpër rrugët,
për ndijimin e pandryshueshëm në ajër
që japin ndërrimet e tua të dukshme

i dukshëm edhe shpirti yt i pandryshuar –
e për faktin se çdo gjë që di për ty
është sikur ta dija që kur nuk e mbaj mend.

…37

U veshe me një emër të hijshëm
e ke të hijshme dukjen
kur manteli yt është qielli
dhe shtroja jote bari me pupla.
Shëndeti yt prandaj
në shikimin e parë duket i mirë,
por mos kërko, jatrua, të palposh
nyjëza në gjirin e saj o ta hapësh
për analiza vaginale:
sëmundjet e saja do të kenë tani
ecuri në drejtim të njëanshëm
nëse nuk i jepet në transfuzion
një vullnet i ri.

…38

Takova këtu një vajzë spixaniote
që mburrej për rrënjët e saja
përpara meje që ushqehesha
me fjalët që i dilnin nga goja.
E i thamë së bashku arbërisht
shprehjet e zakonshme
se gjaku nuk bëhet ujë
se gjaku ynë është i shprishur
se jemi gjithë të një gjaku!
Por unë dëshiroja të flisja
për buzët e saja arbëreshe
për sytë e saj arbëreshë
për shtatin e saj të hijshëm arbëresh
për ecjen e saj arbëreshe
për mendjen për ëndrrat për dëshirat
për gjithçka që kish arbëreshe e jo vetëm
për gjakun tonë të përbashkët
që edhe nga afër
na mban njeri-tjetrës larg!

…39

Poezi e Serembes*
sy të zinj të vajzës
që takuam me shikimin tonë
premtim dashurie të përjetshme
poezi e Serembes
degë ulliri flamur paqeje
për këto shtëpi të paprekura
në kujtimin e kujt u nis
poezi e Serembes
trëndafil dhe gjemb të mbledhur së bashku
simbol i ëmbël e i hidhët i jetës
poezi e Serembes
shëtitore e hijesuar
faltore ndjese
për dashuritë e pakëmbyera
je ende tani ky katund
i shpirtit tonë arbëresh
çast i jetuar në një realitet të përpiktë
me dëshpërim a entuziazëm të mënjëhershëm
poezi e Serembes
ke marr me vete
këtë katund të shpirtit
të dashur e të urryer për sa i jepte
e për sa nuk i jepte ushqim
lakmisë sate për horizonte më të gjerë se sa
mund të të ofronte një dritare e vetme e hapur
mbi këtë botë tonë me një përmasë të vetme
e andaj më mirë Amerika
zbulimi i një bote të re – Toka Toka!
por kush më mirë se ti di
se zbuluesi ka nevojë
për Amerika të reja që të zbulohen ngaherë
e se bota njëpërmasore
e vendit ku ke lindur
është ajo që më se gjithë
ndoshta ka nevojë të zbulohet
poezi e Serembes
pa varr ku të këndohen
si lutje vjershat e tua
mbi të cilin
trashëgimtarja e dashurisë sate antike
vajza me sy të zinj
të vendosë një lule
e trishtuar nga fati yt i çuditshëm
shpirt që endesh akoma
lajmëtar i arbëreshisë.

*Zep Serembe, poet lirik nga Strigari (1843), vdiq ne Brazil me 1891.(1843/1891).

…40

Përparimi kur arrin tek na është përparim i pazakontë
duket se nuk është në vendin e tij duket lënë aty
përpara derës që më i vullnetshmi ta hyjë në shtëpi.
I shkëlqejnë gjithë pjesët e tija kromatike e nuk shihet
asnjë pikë ndryshku; nëse e prek të jep një ndijim
të ftohti dhe gishtat e tu i lënë një kapuç ngrohtësie.
Vegël e çuditshme përparimi afër bujkut plak
fytyrë të rrudhur, duar shermende hardhish sapo të krasitura.
Send i çuditshëm përparimi afër gruas me xhëllonën
që nga fëmijëria i fsheh moshën të duket
e pandryshueshme përballë lodhjes. Çfarë do të bëjnë
ata me përparimin, nëse nuk ndodh se u shërben bijve
të cilët me siguri tani dinë ç’do të bëhet me të!

…41

Poeti yt kërkon poezi nëpër rrugicat
ku ulur rrinë plakat duke gjetur
punë femërore për duart e tyre rrënjë ulliri.
Poeti yt kërkon poezi midis bankave të shkollës
ku djemtë e vajzat presin njeriun që do t’u ndezë
dritën e mendjes. Poeti yt kërkon poezi
midis gurëve me bujqit përqendruar
t’u japë fryte fara e një dite të tërë pune.
E pastaj fillon të ecë brenda natës
dhe dritat e ndezura që shihen
janë sytë e tij përjetë të hapur.
Poeti yt është këtu si je ti i gjallë e i përjetshëm
dhe shqetësimi i tij ështe i barabartë me tëndin.

*Poeti Karmel Kandreva nga Shen Japku (1931 – 1982).

…42

Ç’ mund t’i japim ne sot kësaj dite
që pretendime s’ka, por është këtu
se këtu duhet të jetë
me kufijtë e saj nga një mesnatë në tjetrën
brenda të cilëve një mundim endet,
një mendim lëviz, birret një fjalë.
Ne mund të rrimë këtu duke pritur
për gjithë orët e saja e asgjë
s’ do të ndodhë me rëndësi.
Një ditë si tjerat.
Ngushullim i dobët të dihet
se është gjithmonë një unazë e zinxhirit
pa të cilin s’ mund t’ arrihet
në evoluimin e së sotmes që do t’ arrijë nesër.

…43

Krenohesh për paraardhësit nga Morea
sikur të thuash se rrjedh me vijë të drejtë
nga princërit e Anglisë
o nga dyert më të shquara
e fisnikërisë romake.
Ti, që nuk di aspak se gjuha jote
mund të shkruhet dhe mund të lexohet,
ti thua Morea për të më treguar pa ditur
vendin dhe kohën e Pellasgëve të lashtë
bij të drejtpërdrejtë të perëndive.
E është këtu që ti do t’arrish:
do të më bindësh mua se Morea jote e ti
nuk mund të rrjedhni veçse nga perënditë!
Por kë do të habitësh, mik i dashur!
Unë plotësisht i bindur jam!

…44

Eliksir fuqie të qëndrueshme jepi
flatrave të pasigurta të hovit tënd
eliksir bindjeje të qëndrueshme jepi
njeriut që do të largojë dyshimet
nga sytë e fëmijëve të tu
eliksir guximi të qëndrueshëm jepi
njeriut që do të rrënojë mure
ndarëse të breznive
që trashëgimia të shkojë nga ati në bir
eliksir jetëgjatësie jepi
njeriut që do t’i japë rëndësi shkollës
sepse lind aty studimi i fjalës
eliksir përjetësie jepi
shpirtit tënd të madh arbëresh
që të mbajë të pranishme të shkuarën
dhe e ardhmja të jetë nga ana e qytetërimit.

…45

Fati i pranishëm në lindjen tënde:
të ishe Atdhe!
E atdhe qe për njerëzit që atë kishën humbur,
për të ikurit që deshën
të mbajnë të paprekur ngjyrën e lirisë,
që deshën të mbajnë besim
në stilin e lutjes së tyre.
E do të jesh gjithmonë atdhe
i së sotmes arbëreshe që ecën,
nëse në kryeqytetin tënd – Kolegjin –
restauron përmendoret e së shkuarës sate,
rihap pinakotekën e mysafirëve të shquar,
nxjerr pluhurin
nga biblioteka e intelekteve të tyre,
pikë e palëvizshme për ata që kanë dëshirë
për të ardhme e përparim.

…46

Në shkon tek ti një don Kishot arbëresh
i armatosur me fjalë fluturake
dhe me entuziazëm jashtë mase,
në cilin krua do ta ftosh të pijë?
Në atë të realitetit
që të zbresë nga ideali
e të shikojë botën me këmbë të ngjitura në dhe
o në kroin e urtësisë
që kali-fantazi i tij
të zbutet e të bëhet i arsyeshëm
për disiplinën e frerëve?
Don Kishoti do të pijë në kroin
e dashurisë së magjepsur
e do të bjerë në dashuri për Dylqinjat e tua,
por nuk mund t’i dashurojë;
do të dashurojë vetëm fjalët arbëreshe
që do të dalin me shqiptim të përpiktë
nga buzët e tyre të ëmbla!

…47

Rrënohesh.
Edhe pak në ti do të qëndrojë
vetëm skeleti i shtëpive ushqim i varfër
për myshkun e mureve.
S’ ke mjete për të fituar jetën.
S’ ke mundësi për të rimarrë frymë.
Asnjë perspektivë.
Bota e cirkut të madh të qytetit grabit
ata pak bij të tu.
SOS. Komë e thellë.
Vrazhdësi.

…48

Kjo erë livani
që lë pas teje
këto këngë arbëro-bizantine
që ecjen tënde ritmojnë
këto të veshura pontifikale
që kurmin tënd rrethojnë
me hijesi mbinjerëzore
më japin mornica nga emocioni
princeshë lindore.
Është e kotë që ta fsheh:
unë bie në dashuri për ty
për çdo psherëtimë livani
për çdo ndryshim melurgjie
për çdo shkëndijim
të kokrrizave ari të petrahilit tënd
princeshë lindore.
E edhe kur ceremonia do të mbarojë
e ti do të vishesh
me xhins e fanellëz të firmosur
do të më pëlqesh njësoj
sepse – ta themi qartë –
kemi një zëmër të lashtë
por mendja rri në shekullin e ardhshëm.

…49

Eja kur vishem dimri e kam rezerva
e mëlmesë të ndanj me miqtë
para dashurisë së një vatre.
Do të të dhuroj me një frymë
horizonte të ngjashme me frikën
që ndoshta shpirti i dendur i temjanit
do të të heqë
e ndoshta para teje midis ikonave
do të shohësh të vallëzojë
lindja e paharruar.
Por mos më bëj pyetje pa takt
për qenien time të sotme o të nesërme:
unë me siguri di vetëm kush isha dje.

…50

Rri me duar në kryq te hija
që ky diell vazhdimisht i javës
vizaton me shtëpitë: mund të më marrësh
për njeri të papunë o pensionist
që s’ ka tjetër mundim veç t’i ndërrojë
vendin karriges të mos bjerë
hijen që mblidhet.
Problemet e mia i shkrij herë herë
në gatishmërinë e kripur të shpirtit tim;
por nuk duhet të bredhim; edhe pak
do të bëjë hyrjen e tij pontifikale
Mijëvjeçari i Tretë e nuk dua të rri
me krahë te muri të vërej indiferent.
Në pritje, do të vesh xhaketën time më të re
e në sythin lulja-ime-Skënderbe’ prej bronzi
do të bëjë figurën e saj të mirë.

…51

Veprimet e vogla të përditshme
orët e punuara me durim zejtari
gjestet e punës të zmadhuara
para një publiku fëmijësh
sa sidoqoftë të qëndrojë kujtesë

-se asnjë gjest i arbëreshit
s’ është pa histori –
tingëllimi i zgjatur i zërave
që vërshojnë në mesditën diellore
ndijimi absurd
se gjithë sa dëgjon sheh e prek
duhet me forcë të zhduken
sado që të jenë aq të gjalla aq në shëndet
dhe nuk di në cilën përmasë
të gjitha këto mund të përsëriten
po të vijë rasti të përsëriten,
të çel në buzë një gaz të çuditshëm
e i buzëqesh ajrit të bjerrë
sikur se ky ajër i bjerrë
të ketë futur ndonjë gjë absurde
në përbërjen e pamjes plot gjallëri
që të rri përpara syve.

…52

Më duket se jam si qelq i brishtë
e të udhetoj në këtë Jugitali
bashkë me disa të tjera qelqe të brishta.
Por imja është brishtësi e dyfishtë:
kam një arsye të parë, kam një arsye të dytë.
Jugu im i dyfishtë.
Të qenit tim prej qelqi ushqehet
me çdo thërrimë drite e të dritës pëson
humorin e ndryshëm. Ashtu jetoj e rri
me druatjen time delikate,
sepse mund të shndërrohem në mijëra pasqyra
të mijërave diejve të thërrmuar
sapo rrëzuar përdhe e thyer
nga një frymë më e vendosur e erës.
Të brishta kështu edhe shpresat e mia!

…53

Agimi ngjyrë e pëlhurave të mia të tejdukshme
më lind nga duart në gjest dhurate
me esencën e gjineshtrës kulluar nga nata.
Dua ngjyrën e virgjërisë sime,
por nuk di gjer kur mund
t’u bëj ballë fjalëve me mjaltë
të tregtarëve artikujsh kozmetikë
që digjen me dashuri përpara derës sime.
Mosha ime e vërtetë është lëkura ime e butë.
Edhe një përkëdhelje mitare
lë shenjën e saj.
Çdo mbrëmje do të mbyll natën gjer në agim
sa esenca e gjineshtrës të mos shpërndahet
në shkëlqimin akademik të yjeve.

…54

Ju dua toka arbëreshe,
me dashuri pasioni,
si më i ndezuri dashnor,
e megjithëse njoh grimin e zbukurimeve,
kremrat kundër rrudhave,
duart papritur të mbajtura mirë

-lënë për pak mënjanë
punët shtëpiake o të arave -,
të veshurat sipas modës së sprasme,
çorapët mëndafshi që hollojnë kofshët
dhe fshehin gërvishtjet e kallameve
a venat blu të ditëve,
më rrini mirë edhe kështu
sepse jeni akoma në gjendje të ndezni
zjarre më të larta se dritat
e festave katundare,
jeni në gjendje të jepni mornica sanguine
më se darkat spontane në të cilat
toçitet vera nga toka në gjak,
më rrini mirë edhe kështu
sepse nuk do të plakeni kurrë,
ngase e përjeshtme është rryma juaj jetësore
dhe aftësia juaj
për rifitimin e rinisë.

(nga Botimi i parë, Hora e Arbëreshëvet, 1990).

Exit mobile version