Kreu Intervista Meliza Krasniqi: Letërsia e shkrimtareve shqiptare: Një emancipim paradoksali grave

Meliza Krasniqi: Letërsia e shkrimtareve shqiptare: Një emancipim paradoksali grave

Meliza Krasniqi është në përfundim të një monografie për shkrimtaret shqiptare të periudhës së gjysmës II të shekullit XX. Secili zë i kësaj monografie do të botohet në një rubrikë të veçantë në “ExLibris”, periodikisht, për të risjellë në vëmendje një pjesë të harruar të historisë së letërsisë shqipe.

Bisedoi Andreas Dushi

A.D.: Prej kohësh keni punuar me një sprovë monografike për shkrimtaret shqiptare të periudhës së gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, dhe këtë po e bëni në një çast kur teoritë gjinore për studimin e letërsisë duken si të tejkaluara. Atëherë, cila qe shtysa dhe nxitja për t’u marrë me këtë temë?

M.K.: Teoritë gjinore në letërsi shpesh eksplorojnë se si rolet gjinore, stereotipet dhe dinamikat e pushtetit ndikojnë në krijimin dhe interpretimin e veprave letrare. Për shembull, teoria letrare feministe heton se si letërsia reflekton ose sfidon normat shoqërore në lidhje me gjininë. “Një dhomë më vete” e Virginia Woolf-it është model klasik që rrëmon betejat historike të grave në botën letrare. Në anën tjetër, studimet maskuline analizojnë se si portretizohen personazhet burra, p.sh. veprat e Hemingway-it, eksplorojnë temat e maskulinitetit tradicional dhe impaktin e pritshmërive shoqërore. Megjithatë, kujtoj se respektimi rigoroz i teorive gjinore e thjeshton së tepërmi narrativën komplekse të letërsisë dhe anashkalon diversitetin e përvojave individuale, andaj nuk është kjo shtysa për t’u marrë me këtë temë. 

A.D.: Nxitja ime kryesore për ta shkruar këtë monografi ka të bëj me mungesën e dukshme të shkrimtareve në tekstet shkollore shqipe, në kurrikulat e fakulteteve (të të gjitha niveleve) dhe në librat e historisë së letërsisë shqipe.

M.K.: Sa të vëshirë do ta përshkruanit procesin e mbledhjes së të dhënave bibliografike për përgatitjen e monografisë? Cilat mund të përmendni si sfidat dhe problematikat kryesore?

Nisja e përpilimit dhe organizimit të materialit lidhur me shkrimtaret shqiptare korrespondon me pandeminë, andaj ishte sfidë më vete aksesi në bibliotekë. Në përpjekjet e mëvonshme hasa në pengesa të vazhdueshme për shkak të mungesës së një burimi të vetëm dhe të saktë informacioni lidhur me autorësinë dhe kohën e botimit të librave. Metodologjikisht, jam mbështetur në konsultimin e leksikoneve, enciklopedive, revistave dhe literaturës së përzgjedhur që përfshinte “gratë e shquara në veprimtari të ndryshme”. E gjithë kjo ka rezultuar në përfshirjen e 82 autoreve dhe katalogimin, mbledhjen, leximin  dhe analizimin e 186 veprave të tyre.

A.D.: A keni arritur në ndonjë përfundim se cili është ai tipar përbashkues që e dallon letërsinë e shkrimtareve gra dhe vajza shqiptare nga letërsia e njëjtë e vendeve të tjera dhe, mendoni se në rastin e gjuhës shqipe kemi të bëjmë me një letërsi feministe?

M.K.: Pikë së pari dëshiroj të ndalem tek termi “feminizëm”, i cili konsiderohet ideologji. Feminizmi është lëvizje socio-politike dhe grup ideologjish që përkrahin barazinë sociale, politike dhe ekonomike të gjinive. Ai përfshin një sërë këndvështrimesh, teorish dhe qasjesh që adresojnë dhe rafinojnë pabarazitë dhe diskriminimin me bazë gjinore. Kjo, si të thuash, prodhoi letërsinë feministe e cila eksploron dhe avokon përvojat, perspektivat, të drejtat e grave, ajo po ashtu kritikon rolet tradicionale gjinore, normat shoqërore dhe pabarazitë sistematike. Andaj ky tip letërsie ka ekzistuar dhe ekziston edhe në letërsinë shqipe.

Përgjithësisht letërsia e shkruar nga gratë në viteve 1950-1990 ndan karakteristika të përbashkëta si: diskursin feminist, zbulimin e identitetit, angazhimin social e politik, sfidat ndaj roleve tradicionale gjinore dhe eksperimentimin me formën letrare.

Natyrisht dallon letërsia e shkruar nga gratë në evropën perëndimore dhe në Shqipëri; ajo ndryshon në tematikë, stili, rrëfim etj. p.sh. nëse gratë në perëndim e vinin theksin në autonominë individuale ato në Shqipëri, notonin në narrativat e kontrolluara nga shteti dhe trajtonin, kryesisht, temat e emancipimit të grave brenda idealeve socialiste. Një emancipim paradoksal i grave.

A.D.: Po një dukurie shumë më të gjerë, jo vetëm shqiptare, faktit se vajzat dhe gratë shkruajnë poezi më shumë sesa prozë, keni mundur t’i jepni një përgjigje?

M.K.: Dukuria se gratë  priren të shkruajnë më shumë poezi sesa prozë është fenomen që është vërejtur dhe diskutuar brenda sferës së studimeve letrare. Megjithatë, është esenciale t’u qasemi këtyre përgjithësimeve me kujdes, pasi preferencat e të shkruarit ndryshojnë midis individëve dhe faktorët si konteksti kulturor dhe prirja personale mund të ndikojnë në zgjedhjet letrare.

Në shumë shoqëri, historikisht, zërat e grave shpesh ishin të kufizuara ose të shtypura. Poezia, me shkurtësinë dhe cilësitë e saj emocionuese, u siguroi grave një hapësirë të përcjellin mendimet, emocionet dhe përvojat e tyre në një formë më të ngjeshur dhe potencialisht më pak konfrontuese.

Disa të tjerë këtë e lidhin me edukimin dhe argumentojnë se gratë e gjejnë poezinë si një formë të natyrshme për të artikuluar mendimet dhe ndjenjat e tyre për shkak të shkurtësisë dhe rezonancës  emocionale.

Gjithsesi konsideroj se këto janë përgjithësime dhe ka shembuj të panumërt të grave që shkëlqejnë në prozë e zhanre tjera, po aq sa edhe në poezi.

A.D.: Nëse revolucioni seksual i viteve ’60-’70 ndryshoi qasjen e vajzave dhe grave ndaj letërsisë, kryesisht në Amerikë por edhe në Evropë, a ka ndonjë ngjarje të ngjashme e cila të ketë luajtur një rol të ngjashëm për letërsinë e shkruar në gjuhën shqipe?

M.K.: Revolucioni seksual i viteve 1960 dhe 1970, i karakterizuar nga liberalizimi i qëndrimeve ndaj seksualitetit, roleve gjinore dhe marrëdhënieve, me të vërtetë pati ndikim të rëndësishëm veçanërisht në kontekstin perëndimor.

Në Shqipëri, gjatë viteve 1960 dhe 1970, vendi ishte nën sundimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili ruante kontroll të rreptë mbi shprehjet kulturore dhe artistike. Realizmi socialist i imponuar gjatë kësaj kohe i dha përparësi letërsisë që u përmbahej parimeve të ideologjisë komuniste andaj diskutimet rreth seksualitetit dhe gjinisë shpesh udhëhiqeshin nga narrativa zyrtare e barazisë gjinore brenda kornizës së parimeve socialiste. Rrjedhimisht nuk pati ndonjë ngjarje që e theu këtë narrativë deri më 1990. 

Në Kosovë, në dhjetëvjeçarin e viteve ’70-’80, gruaja do të jetë gjithnjë e më e pranishme në fushat e letërsisë dhe kjo lidhet me botimin e revistave dhe shtypit të përditshëm. Revista Jeta e re, Koha, pastaj Rilindja, Fjala, Kosovarja e sidomos Zëri i rinisë kontribuuan në afirmimin e gruas.    

A.D.: Gjatë punës suaj, keni gjetur ndonjë rast kur një grua shqiptare është detyruar të botojë nën emrin e një burri në mënyrë që vepra të kalonte te botuesi, gjë e shpeshtë në perëndim, p.sh., Mary Shelly, më duket, “Frankenshtain” e botoi për herë të parë nën emrin e një burri…

M.K.: Nuk kam hasur raste të ngjashme me atë në kërkimin tim. Megjithatë, gjatë viteve ‘30 në Shqipëri, disa shkrimtare gra përdorën pseudonime, si Musine Kokalari shkruante me pseudonimin Muza, e Selfixhe Ciu me Kolombja. Në Kosovë, kam dëgjuar se disa gra mund të kenë shkruar për burrat e tyre ose anasjelltas. Sidoqoftë, verifikimi i saktësisë së pretendimeve të tilla është i pamundur.

A.D.: A është zhvilluar dhe a zë vend natyrshëm kjo letërsi në kontekstin letrar shqiptar?

M.K.: Pozita dhe statusi i gruas në rrjedhat intelektuale dhe letrare ka kohë që është formuar dhe ajo po forcohet dita ditës. Në këtë pikë letërsia e shkruar nga gratë është mjaftueshëm e konsoliduar për të qenë pjesë e natyrshme jo vetëm e korpusit letrar por edhe e kanonit letrar shqiptar. Në Shqipëri dhe në letërsinë shqiptare të periudhës 1939-1990 do të duhej të përmendej medoemos Musine Kokalari, Adelina Mamaqi, Natasha Lako, Helena Kadare, Floresha Dado, Diana Çuli, Mimoza Ahmeti, Edi Shukriu, Flora Brovina, Fehime Selimi, Lindita Aliu Tahiri, Qibrije Demiri, Sevëme Fetiqi etj.   

A.D.: Nëse e shohim letërsinë nga një prespektivë shoqërore, çfarë të veçantash kanë këto gra që shkruajnë? Çfarë formimi, çfarë origjine, moshe etj.?

M.K.: Përpjekja ime për ta shkruar këtë monografi nuk ka të bëj assesi me ndarjen midis dy gjinive, ky opinion është diskriminues.  Në letërsi nuk ka “letërsi të grave dhe të burrave”, ndonëse burrat do ta dëshironin ta kalonin atë në kategorinë e dytë, të na quajnë seks i dytë, siç e thotë De Beauvoir. Pikërisht për këtë unë e kam titulluar monografinë “Shkrimtaret shqiptare” duke mëtuar ti trajtoj jo si të veçanta por si pjesë përbërëse e të rëndësishme të historisë së letërsisë shqipe. 

Shqyrtimi i shkrimtareve shqiptare nga këndvështrimi social përfshirë formimin, origjinën, moshën dhe elemente të tjerë kontekstuale është divers. Në mënyrë tipike, këto autore kanë edukim formal, pasi kanë përfunduar studimet e larta. Një e përbashkët intriguese është vendbanimi i tyre në zonat urbane dhe jo në mjedise rurale. Për më tepër, një aspekt që vlen të përmendet është se ato fillojnë të shkruajnë në një fazë të hershme të jetës së tyre.

A.D.: Deri në botimin e monografisë, secila prej pjesëve, profileve të shkrimtareve vajza dhe gra do të botohet në “ExLibris”, apo jo…?

M.K.: Jam në fazën e fundit të përfundimit të monografisë “Shkrimtaret Shqiptare 1954-1990”, aktualisht në procesin e finalizimit dhe rishikimit. Më pas, planifikoj ta përkthej dhe në anglisht. Duke qenë se shumë nga autoret e paraqitura këtu, nuk njihen gjerësisht, kam menduar të publikoj secilin profil brenda serisë së gazetës “Exlibris”. Kjo i shërben qëllimit të dyfishtë të ofrimit të profileve informuese dhe nxitjes së interesit të lexuesve. Propozoj të paraqesë një kolonë periodike, të titulluar mbase “Art femina”, një Bioletër koncize që përfshin një mini-biografi, bibliografi dhe analizë. Gjithashtu me këtë rast dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për bashkëpunimin, vullnetin dhe kontributin tuaj të lavdërueshëm në gjithë punë që e bëni.

A.D.: Dhe në fund, po një pjesë e dytë, për shkrimtaret nga ’90, deri më sot, mendoni se është e nevojshme? Është ky projekti juaj i ardhshëm?

M.K.: Pasi kam përfunduar “Veprën e Musinesë” dhe këtë monografi, kujtoj se është koha për t’u ndalur këtu. Studimet letrare kërkojnë distancë kohore dhe objektivitet shkencor. Prandaj, e pranoj se është e parakohshme të fillohet me një studim të periudhës pas viteve ‘90-ta. Në të ardhmen, kam në plan të angazhohem me një temë më të ndërlikuar, duke përfshirë kryeveprat letrare shqiptare. Për këtë qëllim ia kam dorëzuar zyrtarisht Institutit Albanologjik të Prishtinës propozimin tim.

Exit mobile version