Kreu Opinion Mehmet Kraja: Sprovë për një portret të Zija Çelës

Mehmet Kraja: Sprovë për një portret të Zija Çelës

Në 75-vjetorin e lindjes së shkrimtarit

Zija Çela është nga shkrimtarët e paktë te ne që ka arritur të krijojë autorësi, që domethënë se vepra e tij i ka shenjat e njohjes, ka emblemën e saj. Për të arritur në këtë pikë, kur shkrimtari krijon një opus letrar përfaqësues, Zija Çelës i është dashur të identifikojë dhe të konsolidojë rrethin tematik të veprave të tij, të identifikojë postulatet e veçanta autoriale, të jetë vetja e tij dhe të mos i ngjajë askujt.

Kanë kaluar më shumë vite nga takimi im i parë me prozën e Zija Çelës. Ishte një numër i kufizuar tregimesh, botuar atëbotë në Kosovë, që më nxitën kureshtjen dhe më pas më bënë lexues të pasionuar të veprës së tij. Për këto vite, unë kam lexuar pothuajse çdo gjë që ka shkruar Zija Çela, duke përfshirë edhe ato vepra që kohësisht shkojnë më larg se takimi im i parë me botimin e Prishtinës. Megjithatë, përshtypjen e takimit të parë me prozën e tij do ta mbaj në kujtesë gjatë gjithë kësaj kohe: një shkrim pasionant, jashtëzakonisht i zhdërvjelltë, me frazë të gdhendur, i frymëzuar, i sinqertë, i ndërtuar mbi një njohje të mirë të strukturës tekstore dhe kompozicionale të prozës.

Leximi i vazhdueshëm i veprës së Zija Çelës nuk më ka larguar nga përshtypja e parë, mirëpo tani gjërat kanë filluar të komplikohen deri në atë shkallë, sa e kam të vështirë të përmbledh në një frazë përshtypjet e mia, sa herë lexoj një libër të këtij shkrimtari. Sepse tani vepra e tij është polivalente dhe shumëdimensionale, kërkon analizë të hollë tekstore dhe tematike, kërkon lexim të përqendruar dhe njohje teorike.

1.

Zija Çela nuk i ka shtuar kërkesat vetëm ndaj meje, i ka shtuar kërkesat ndaj lexuesit shqiptar në përgjithësi, sepse nëse do ta ndjekë shkrimtarin, lexuesi duhet të jetë i vetëdijshëm se aventura e leximit është aventurë e njohjes, se aventura e njohjes është aventurë e dijes. Edhe përkundër faktit se ne nuk mund të bëjmë një matje të saktë, unë shpreh bindjen time të thellë se këto fenomene qëndrojnë në lidhshmëri me njëra-tjetrën: rritja e Zija Çelës në letërsinë shqipe është imanencë e kësaj letërsie, është rritje e kërkesave të lexuesit shqiptar.

Edhe një gjë duhet pasur parasysh: Zija Çela identifikohet si shkrimtar përfaqësues i letërsisë shqipe në kohën kur, në mileun shqiptar, ndodhin ristrukturime dhe përmbysje të mëdha. Ndryshe nga shumë shkrimtarë të kësaj periudhe, të cilët nuk arrijnë t’i kapin këto rrjedha, me Zija Çelën do të ndodhë një fenomen tjetër: ai do të jetë në krye të shkrimtarëve shqiptarë që, në pikëpamje letrare, nuk e traumatizon rënia e një sistemi vlerash dhe ngritja e një sistemi të ri vlerash. Ai do të jetë në krye të radhës së shkrimtarëve shqiptarë, i cili rënien e një shkolle dhe metode letrare, siç ishte realizmi socialist, nuk do ta përjetojë si çorientim. Përkundrazi. Përparësitë e braktisjes së kësaj shkolle letrare dhe fuqizimin e pluralizmit të metodave dhe shkollave letrare, ai do ta materializojë me veprat e tij më të arrira, që domethënë se Zija Çela as në kohët më të liga nuk ishte rob i konventave dhe kufizimeve.

Me këtë prirje shumë vjet më parë e kam lexuar romanin e tij “Mali i tejdukshëm” dhe, nga kjo distancë kohore, e them me bindje se ky roman është paralajmërim i hershëm nëse jo i rënies së realizmit socialist dhe të sistemit që e mbante atë, atëherë gjithsesi një shenjë paralajmëruese e “liberalizimit” të tij, nëse mund të thuhet kështu. Ndryshe as që mund të ndodhte, sepse, sikundër do të vërtetohet më vonë, shkrimtarëve si Zija Çela nuk u pritet dot një kostum për të gjitha stinët. Shikuar nga ky këndvështrim, Zija Çela është shkrimtar që materializon në letërsi ndryshimet substanciale në botën shqiptare.

Po në këtë kuadër, do theksuar se intensifikimi i komunikimit ndërmjet shqiptarëve nuk do të krijojë disfavore për këtë shkrimtar, siç ndodhi me disa autorë të tjerë, qoftë në Shqipëri e qoftë në Kosovë. Arsyeja është e thjeshtë: Zija Çela ishte rritur më shumë dhe ishte më mendjehapur se ç’mund të lejonin kufizimet dhe ndasitë në hapësirën tonë letrare. Ai do të lexohet njësoj si në Shqipëri e si në Kosovë, si në Tetovë dhe si në Ulqin.

2.

Për arsye kryekëput letrare, do të përsëris këtu disa të dhëna biografike dhe bibliografike të Zija Çelës. Të shumtë janë ata që kanë thënë dhe thonë se biografia e shkrimtarit është vepra e tij. Por shkrimtari ka një jetë, të cilën duhet ta jetojë për ta realizuar atë vepër. Jetëshkrimi i Zija Çelës, si i shumë shkrimtarëve të tjerë, është pararendës i veprës së tij, me ndryshimin që ndonjëherë kufizohet me fatalitetin e përkundërt: se shkrimtari bën jetën për të shkruar veprën.

Së pari Shkodra. Zija Çela ka lindur në Shkodër (25 mars 1946), por këtë qytet, si topos, nuk do ta gjeni shpesh në veprën e tij. Në vend të kësaj, do të gjeni një mori pa fund reminishencash, detaje, konfigurime ambientale, karaktere personazhesh, në përgjithësi lëvizje të panelit të shkrimtarit që nxjerrin në sfond tiparet shënjuese të këtij mjedisi. Janë mijëra detaje të paemëruara, të zhvendosura në hapësira të tjera të rrëfimit, por që e kanë gjenezën në arkitekturën e kujtesës së fëmijërisë. Sikundër do të vërejmë, Zija Çela në veprat e tij, veçmas në ciklin e romaneve më të mira, ndërton subjekte metaforike, një mikrokozmos imagjinar, i cili në dukje të parë është i mbindërtuar vetëm përmes imagjinatës dhe fantazisë. Mirëpo arkitektura e kësaj bote imagjinare në esencën e saj është botë e fëmijërisë, e trysnisë që vjen nga kujtesa e shtresuar dhe që nuk hiqet kurrë nga mendja e njeriut. Përveç kësaj, është edhe një element tjetër që hyn pandjeshëm në vepër nga jeta e shkrimtarit: një fëmijëri e rëndë, e vështirë, gati e pamundshme, e cila ka prodhuar ndjeshmërinë e tejskajshme për fatet njerëzore. Zija Çela në romanet e tij vendos baraspesha sociale, nëse mund të thuhet kështu, për të cilat ai mund të mos jetë i vetëdijshëm, sepse këtë nuk e bën me prirje botëkuptimore, ose diçka e tillë. Autorit kjo i buron vetëvetishëm, sepse është pjesë e subkoshiencës së tij, e shtresimeve të ndërdijshme, të cilat në vepër reflektojnë humanizëm pothuajse deri në vuajtje për njeriun si individ dhe për njerëzimin në përgjithësi. Nëse i referohemi Frojdit, duke marrë në konsideratë këtë fëmijëri të vështirë, ai kishte dy zgjidhje: ose të bëhej shkrimtar humanist, ose mizantrop. Zija Çela zgjodhi më të mirën.

Vijnë këtu, pastaj, fakte të tjera të jetës së shkrimtarit. Pas studimeve  për gjuhë dhe letërsi, ai u caktua të ushtronte detyrën e mësuesit në Krumë, në rrethin e Hasit. Të paktë janë njerëzit e Shqipërisë, që u ka shkelur këmba në atë vendbanim: nja dy orë rrugë pasi të kesh kaluar Kukësin, një ngjitje pa fund nëpër kurrizin e maleve për të arritur atje, prej nga sheh vetëm qiellin që të rri mbi kokë dhe kreshta malesh deri në cepin e skajshëm të horizontit. Njerëzit e atij vendi kanë vetëm një përparësi: janë më afër Zotit dhe çlirshëm mund të komunikojnë me të, nëse ai ka durim t’i dëgjojë.

Zija Çela do t’i kalojë disa vjet këtyre viseve dhe, nën dritën e një llambe me vajguri në fshatin Helshan, ku Kukësi ndahej si administrim me Tropojën, do të bëjë hapat e parë në Letra, çka më pas do t’i japë emër në letërsi. Shkruan tregime dhe romane: “Pëllumbat e janarit”, “Buletini i borës”, “Një verë pa lamtumirë”, “Eklips” etj. Pavarësisht se në vitet tetëdhjetë, pas shumë peripecish shkrimtari do të arrijë të kthehet në Tiranë, ky fakt biografik do të lërë gjurmë të pashlyera në krijimtarinë e tij. Realiteti i Krumës është aq i çuditshëm, aq i pamundshëm, sa që kufizohet me fantazinë. Nuk janë më motivet e një jete të bërë në një ambient të tillë, që do të bëhen tematikë e veprave të shkrimtarit, siç është rasti me romanin “Mali i tejdukshëm” (1989), por është një kapërcim pothuajse i vetvetishëm i shkrimtarit “në anën tjetër”, në botën e pangjashme të çudisë dhe mrekullisë.

Pikën më të ndritshme në këtë kthesë e përbën romani “Gjaku i dallëndyshes”, i botuar në vitin 1990, që njëkohësisht është fillim i një faze të re në krijimtarinë e Zija Çelës.

3.

Në fund të viteve tetëdhjetë dhe në fillim të viteve nëntëdhjetë, kur shumica e shkrimtarëve shqiptarë përfshihen nga dilemat e kthesës së madhe, Zija Çelën e gjejmë të ketë shpallur tashmë programin e tij letrar. Atë nuk e huton tranzicioni i rrëmujshëm. I çliruar nga shtrëngimet e realizmit socialist, ai do të realizojë ciklin e parë të romaneve të rëndësishme (“Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhokondës” dhe “Banketi i hijeve”), me të cilët do të bëhet model i frymës së re në prozën shqipe.

Por në çfarë realisht konsiston ky model?

Në përvetësimin kreativ dhe selektiv njëkohësisht të pluralizmit të shkollave letrare, duke ruajtur drejtpeshimin ndërmjet zërit të vet origjinal dhe kërkesave në rritje të lexuesit shqiptar. Ky lexues, pra lexuesi shqiptar, tashmë ka mundësi të lexojë dhe të absorbojë krejt atë letërsi që dikur ishte e ndaluar. Ka mundësi të bëjë krahasime, të kultivojë shijen, të pasurojë dijet letrare. Zija Çela, ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë shqiptarë, që nuk arritën të ecnin në hap me kohën dhe me zhvillimet e saj dinamike, bëhet autor që letërsinë e tij e vendos në raporte komunikimi dhe konkurrence me prozën bashkëkohore kontemporane. Lexuesi shqiptar, i cili tani mund të lexojë Markesin, Sabaton, Kunderën, Buzatin, Kalvinon, Grasin, njësoj si Xhojsin, Prustin, Sartrin, Kamynë, mund të lexojë më me ëndje edhe Zija Çelën, sepse, nga njëra anë, ai sublimon arritjet e mëdha të prozës së shekullit XX në ndërtimin e fakturës tekstore dhe të prosedeut, ndërsa, nga ana tjetër, me tematikën e veprave të tij qëndron afër preokupimeve të botës shqiptare, duke u bërë jehonë pësimeve dhe dilemave të saj.

Pas botimit të romanit “Banketi i hijeve”, personalisht kisha një dilemë: çfarë rruge do të merrte tani krijimtaria e Zija Çelës, sepse mund të bëhej fjalë për një cikël të mbyllur veprash, për një ezaurim shterrues të një mënyre shkrimi dhe të një tematike letrare.

Shikuar nga kjo perspektivë, romanet dhe tregimet e botuara ndërmjet ciklit të parë të romaneve dhe të atij që do të vijë pastaj, përbën një tranzicion të brendshëm në krijimtarinë e këtij shkrimtari. “Monedha e dashurisë”, “Një fjalë me lejen e Zotit”, “Gjaku im i errët” etj., në të vërtetë përbëjnë një fazë kërkimi në krijimtarinë e autorit. Ai mund të rrinte aty ku ishte, t’i jepte lexuesit shqiptar vepra të arrira, t’i siguronte vetes një komoditet të të qëndruarit horizontal dhe të vazhdonte të ishte i lavdëruar nga kritika, sepse si autor ai tashmë kishte dëshmuar një nivel të lakmueshëm të kultivimit të prozës. Këtë nivel ai vazhdonte ta dëshmonte edhe me veprat e reja.

Por, në vend të kësaj, Zija Çela bën një lëvizje befasuese: rimerr në dorë përvojën dhe potencialin krijues, e rigjallëron kreativitetin dhe i futet një aventure të re, shkruan romanin “Las Varrezas”. Me këtë vepër Zija Çela u kthehet majave të letërsisë, atje ku nuk mund të arrijnë dhe të shkelin shumë autorë. Me këtë roman, Zija Çela bën të ditur se ka ende potencial të pashfrytëzuar, se ka ide, ka forcë rrëfyese, se është një shkrimtar që përvojën e krijuar e rimodelon dhe i jep asaj impulse të reja. “Las Varrezas” është sublimim i arritjeve dhe njëkohësisht fillim i ri: shkrimtari, pa harruar se kush është dhe nga ka ardhur deri aty, do të niset drejt një rruge të domosdoshme, pa kthim prapa, që lexuesin shqiptar ta përballë me ide të mëdha, me ide universale, të cilat nuk është se janë të huajtura nga gjezdisjet leximore, por burojnë nga qenia e tij dhe nga substrati i tij etnopsikologjik. Ideja e sakrificës për njeriun këtu njeh përmasat universale, gjigante, të pakrahasueshme.

Me këtë roman, njësoj si me romanin pasues “SOS, një buzëqeshje”, Zija Çela bën edhe kompromisin e tij të madh në emër të humanizmit: njeriu ynë, sado që priret nga pasionet dhe në përditshmërinë e tij shfaqet i rrënuar si moralisht ashtu dhe në pikëpamje të vlerave të tjera, ai e meriton jetën, do të thotë shkrimtari në “Las Varrezas”, dhe e meriton lumturinë, do të thotë shprehimisht në “SOS, një buzëqeshje”. Ndonëse bëhet fjalë për një supozim krejtësisht hipotetik, në të ardhmen pres nga Zija Çela një roman, ku personazhet i përfshin monotonia e një jete të gjatë pa fund, jo pse mund të jenë qenie të mbinatyrshme që nuk e njohin vdekjen, por ngaqë autori nuk do t’i largojë nga kjo botë, për shkak të një dashurie pasionante ndaj qenieve njerëzore.

4.

Ndërkohë, fati biografik i autorit do të ndjekë një vijë tjetër, po aq mistike në esencën e saj, por të pamëshirshme në raport me ligjet e jetës. Them mistike, sepse një humanizëm dhe një altruizëm i këtillë, që e manifeston autori në krejt veprën e tij, do të duhej të shpërblehej në mënyrë pragmatike me një lumturi të kësobotshme. Mirëpo nuk ndodh kështu, sepse ligjet e proveniencës janë të tjera: Zoti u shkakton vuajtje atyre që i do më së shumti. Zija Çela humb djalin, Dritanin, në moshën e tij më të mirë, një përkthyes i shkëlqyer, një inkarnim i jashtëzakonshëm i fisnikërisë dhe i virtyteve më të larta njerëzore.

Kjo rrethanë mund të bënte që Zija Çela të jepte shenja luhatjeje, të zhgënjehej, të shfrynte mllef ndaj fatit, ndaj njeriut, ndaj botës, ndaj proveniencës, ndaj çdo gjëje. Por ai, pikërisht siç ndodh në librat e shenjtë, gjithë këtë vuajtje dhe pësim e kthen në dashuri.

Libri autobiografik “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes” e dëshmon pikërisht këtë, ndërkohë që romani “SOS, një buzëqeshje” është përgjigja më e jashtëzakonshme, e pashembullt, e pangjashme që një shkrimtar mund t’u japë sfidave dhe pësimeve të jetës. “SOS” është ndër arritjet letrare më të realizuara të Zija Çelës dhe njëra ndër majat më të larta të prozës sonë. Rrëfim metaforik, shprehje e kondensuar, lehtësi gati fluturuese e shkrimit romanor, leksik dhe frazeologji vërshuese, kompozicion i sunduar me gjeturi dhe siguri të madhe, këto janë vetëm disa nga komponentët që krijojnë vlerën e këtij romani dhe që leximin e tij e bëjnë një kënaqësi estetike të dorës së parë. Me një fjalë, me këtë vepër Zija Çela arrinte përsosjen, ndërsa paskëtaj i mbetej vetëm ta verifikonte atë.
Dhe verifikimi nuk vonon, në krye të vitit kemi në dorë romaninë vepër e shkëlqyer. Është një gjetje e jashtëzakonshme dhe unë jam mrekulluar jo vetëm me gjetjen, por edhe me mënyrën se si autori e ka trajtuar dhe shtjelluar, duke i dhënë një formë inovative dhe solide, një kompozicion ku gërshetohet në harmoni narracioni romansor me elemente të dramës. Gjatë leximit dhe përparimit të subjektit, zgjerohet shkallë-shkallë edhe këndështrimi, respektivisht shumohen këndvështrimet dhe pasurohet tabloja. Vendi dhe ambienti metaforik-simbolik funksionon për mrekulli. Tashmë autori dëshmohet një mjeshtër i pashoq në ndërtimin e konfiguracioneve të këtilla metaforike. Fifara është projeksion i një Shqipërie, i një Kosove, i shumë qyteteve të ngjashme në botë, sepse siç thotë njëri nga personazhet, “ngjashmëritë ndoshta gjenden ngado. Aty ku jeton, njeriu i shkretë jepet pas ëndrrës së vet. Mirëpo njerëzimi një ëndërr të përbashkët sheh, veçse diku shihet më herët dhe diku më vonë. Prandaj ka versione.” Për më tepër, ky ambient ka interferenca edhe me situatat dramaturgjike të “Hamletit”, ca marrëdhënie shpesh intertekstuale, por që funksionojnë vetëvetishëm. Njësoj si heroi i Shekspirit, me bëmat dhe pasionin e tij Juli Jusi e çon situatën drejt përfundimit të pashmangshëm, veçse një përfundim ku tragjikja dhe grotesku, përdorur me aq elegancë nga autori, fuqizojnë njëra-tjetrën dhe shkrihen së bashku. Është një tekst i përfunduar dhe nuk mund të preket në asnjë detaj të tij, sepse kështu ndodh në fazën e lartë të mjeshtërisë së prozës. Në të vërtetë, sado që secili nga romanet qëndron më vete, “Las Varrezas”, “SOS, një buzëqeshje” dhe “Goja e Botës” përbëjnë një trilogji. Janë tre romane të mëdha të letërsisë shqipe.

Dhe kështu, roman pas romani për të ardhur deri tek botimi më i fundit, “Lavjerrësi i Qytetit”, i cili sjell një dramë me konotacion universal dhe porosi të gjithëbotshme. Dramë e krijuar nga ligësitë e vanitetet njerëzore, kur e mira dhe e keqja ndërrojnë vendet, kur vesi ia zë vendin virtytit, kur e pandershmja ngrihet mbi të ndershmen, në një shoqëri ku vlerat morale këmbehen me pasionet e ulëta, duke humbur çdo masë për të identifikuar të drejtën e të vërtetën. Në këtë pikë, në ndërtimin e një realiteti imagjinar dhe metaforik, Zija Çela i ngjan një Oruelli të letërsisë shqipe.

Në fund, dua të them se Zija Çela është nga shkrimtarët e paktë te ne që ka arritur të krijojë autorësi, që domethënë se vepra e tij i ka shenjat e njohjes, ka emblemën e saj. Për të arritur në këtë pikë, kur shkrimtari krijon një opus letrar përfaqësues, Zija Çelës i është dashur të identifikojë dhe të konsolidojë rrethin tematik të veprave të tij, të identifikojë postulatet e veçanta autoriale, të jetë vetja e tij dhe të mos i ngjajë askujt.

Exit mobile version