Kreu Letërsi Bibliotekë “Më bëj një vend, në trishtimin tënd”, poezi nga Arben Velo

“Më bëj një vend, në trishtimin tënd”, poezi nga Arben Velo

Qyteti që grryhet nga mëria e vet

Në këtë qytet dashuria s’ndalohet
As thashethemet s’ndalin në këtë qytet
Ai i ngjan lumit, fryhet ,dobësohet
dhe grryhet në ije, nga mëria e vet.

Kur mërzitë ndezin tymtarët,
vesat përdridhen në oxhakët e bardhë
njerëzit tejmbushin kafenetë
dhe kthehen papritmas në tymtarë.

E kanë mësuar aritmetikën e erërave,
gënjeshtrat, legjendat që ngjallin dhe varre
Thashethemet frymojnë në mace të zeza,
që i rrisin kotelet si lajme

Në këtë qytet dashuria s’ndalohet
as thashethemet s’ndalin në këtë qytet
Ai i ngjan lumit, shëndoshet, dobësohet
dhe grryhet në ije, nga mëria e vet


Daullet e dritës

Netëve,
Kur shkoj..
te një fshat,
(buzë hajatit të Vjosës
eshtë ngulur si patkua)
Nuk di pse xixëllonjat grisin daullet e dritës
për mua!
Dikur,
në atë fshat
një vajzë,
gjithëe pranveren e kam pritur..
Buzë hajatit të shpirtit
si xixëllonjë,
..m’u fik .papritur.!


Vdekja e shirave

Në moshë fare të re..ah vdiqën sot shirat!
ombrellat mbajtën zi,ulur gjysmështizë
Gjanica, flokët e ujrave i shprishi
si te Kadareja, plaka Nicë..!

Sa dua të kthehem në varrezë shirash,
t’i mbaj brenda meje perjetësisht këto ujra
ah lumi i mbledh, njësoj si Plaka Nicë
eshtrat e shirave në pellgje të humbura!


Rrëmbimi i Verës nga Vjeshta

O gjinkallë,ti flaut vertebrash!
shpëtoje njerëzimin nga heshtja.
Eja, t’a këndojmë së bashku
rrëmbimin e Verës nga Vjeshta

Kësaj vere, veç gjurmët i mbetën
mbështjellë me shira të kërthinjtë
Thonjtë e padukshëm të vjeshtës
gjarpërojnë mbi lëkurë shalqinjsh.

Tenton rëra, tek gishtrat e ujrave
të ngrejë kala, si vitin e shkuar
harron që rrëmbyesja Vjeshtë
si Trojën,kalanë ka rrëzuar.?

Po ikën kjo verë,iku dhe kjo ditë
retë si fletthirrje nga gënjeshtra
Gjinkallë, o flaut vertebrash
Shpëtoje njerëzimin nga heshtja..!


Shartesa e Hënës

Babai, për mua shartoi në gorricë të egër, hënën
“Do të zërë”, tha përmbi trung të pemës
me pendë zogjsh mbështolli plagën e ndezur të saj
“ U bëfsh dardhë e embël moj hënë ”, -uroi babai
I vogël, Unë shkundja hëna të paçelura
i mblidhja në duar, fruta të pjekura peme
Ti ngjaja babait,shartoja sythe prej saj
në trungje ëndërrash prej vere.!

“Netëve të korrikut
kur shlodhem nën një pemë të bardhë
…nga babai…
e vjel hënën,si dardhë..!


Nipçes emigrant

Dashuria më ka urdhëruar nipçe,
të mbaj mallin në dorë si zemër e prerë…
Italinë me Shqipërinë se ndau një det,
një shigjetë e ndau,dalë nga fyti im, i çjerrë

Nuk jam Promete, të jem atje ku sduhet të jem
(ikja e tim vëllai, m’a ka grryer mëlçinë)
avionët janë shkabonjat që më grryejnë shpirtin
kur ngrihen, ikin dhe bosh pa Ty vijnë…

I veshur me shtatë malle, nipçja im,
takohemi,si dy smartfona pa gjumë
ngjishen dhe shtyhen fjalët shqipe brenda meje
cila fjalë të kthehet dolli për Ty më shumë.

Dashuria më ka urdhëruar nipçe
përjetë ta kem fytin tim të tharë
cdo ditë më del që andej një shigjetë
dhe iu prish dy shteteve kufirin detar.


Trotuaret e Vjeshtës

Një lypës i shpërfillur u shtua përmbi pllaka
si vulë dhimbjeje,vendosur mbi zarf.
U trandën gjethet,vrapuan si këmbë patash
mbi shpatulla u ndalën, i lanë autografë.

Për mungesë fati,iku dhe një natë,
nga qëmenata gjumëprerë, u ngul këtu
I shtroi mjegullat e ëndërrave atje mbi asfalt
në vend të monedhave, mbledh hëna kuturu .

Përbri një grua,ngushëllohet nga gazetat
(stërpikur me politikë dhe sherre të fundit)
misërpjekësit shpalosin kapitujt e misrit
t’i djegin në thëngjij ëndrrash prej burri

Një bust pikëllimi është lypësi kur përkulet
sikur lexon kapitujt e krenarisë së tij
strehon në xhepa gjethet, si këmbë patash
ti lexoj në mbrëmje si fathënëse të tij!


Pa titull

Kur liria erdhi në fshatin tim..
Shtëpia ime u bë një xhami !


Fshesarja

Cdo rrugë e ka nga një statujë
Ajo është Poseidon i rrugëve.
Fshesat e thyera janë “natën e mire”,
miti i vesës, i janë baluket.

Dritë e neonit që i rrjedh mbi shtat
i fsheh dremitjen atje mbi fshesë.
Sqepi i guguftusë, si një skulptor
i gdhend në buzë veç fol dhe qesh.

Një jetë të tërë tinguj prej fshese
rekuiem lotësh dhe psherëtima
Bishti i fshesës,shpata që pret,
mbetje,akuj,dhe vetëtima.

Cdo rrugë e ka nga një statujë
Ajo është Poseidon në tokë.
Dhe me karrocë,gjithë stinët mbledh
fshesarja monument i lotit!


E çuditshme

Asgjë e çuditshme s’po ndodh këtë ditë
sekretet e njerëzve,vrapojnë mbi asfalt.
Si viza,pikëpresje në letra kardiologu
nga zemra urbane, që ka pësuar infarkt

Asgjë e çuditshme s’po ndodh këtë ditë
njerëzit shesin e blejnë mëri të vogla civile.
Nëse prishet koha,dashuritë janë krisur
dhe koskat ndjejnë reaumatizëm, dhimbje..

Asgjë e çuditshme s’po ndodh këtë ditë
unë ndiej dhimbje në kyçet e këmbëve
Tensioni i grindjeve në lagjen time
më plasi artieren e brendshme të këngëve.


Zgjoje kujtimesh

Te një fshat, me lumenj i mbështjellë
me shtëpitë si koshere dhimbjeje,
është një burrë,ka shtëpinë mbi vjeshtë
dhe shpirtin e shpërndarë mbi pyje.

Di të shartoj hijet,me trungjet e mollëve
me gërshërë përrallash, që s’trembin fëmijë.
Nën ato mollë dikur unë putha si Adami
një Evë të trembur, një Evë kërthij.

Kur blegërijnë delet e erës, trishtimet e tij
i hanë në heshtje , si gjethe…
atëherë nën gardhin,që rrethon një shtëpi
Ai mbledh zgjoje hënash në heshtje!


Shtëpia e braktisur

Dy herë e braktisur, dy katëshja shtëpi
me këmbë në shekullin e shkuar
Nga kati në kat bredh vdekja, mban zi
për vete dhe vdekjet mërguar.

Me thonj zia ia grreu suvanë,
me klithma xhamat ia theu.
Zogjtë cijatjet i kanë varrosur
Oborrit nën kodërza prej dheu

Përvajshëm era shkulmon dritaret
të kalbura nga pritja e gjatë.
Dy herë shtëpia jep shpirt çdo ditë,
nga një herë për çdo kat .

Dy herë e braktisur,dy katëshja shtëpi
me këmbë e kokë në vetmi.
Shurdhohet dhe vdekja nga këmbanat e vdekjes
dhe nuk e kupton asnjëri..!


Bëmë një vend në trishtimin tënd!

Bëmë një vend
në trishtimin tënd
Qyteti i bie
daulles së mungesës tënde
muza bie në gjunj
në fund të kopështit
të vrarë nga vjeshta.
Mos luaj me tupanët e lotit.
Nuk do të ketë më verë këtë vit.
Në një dramë dimri,
do të aktrojnë pyjet e prera
varur në supet e mi.
Do të ketë shira të shkretë
që vdesin në ujë
Të ikur që s’do të kthehen,
braktisurit me biografi të mirë.
Unë do të jem kujtesa jote
në një sqep metafore
mezi mbaj në shpatulla
daullet e mungesës tënde.
Hallet sot mbulohen me mjegulla
dëshirat I mbështjellë nata.
Kujtimet harrojnë veten si çadrën e shiut
në lokalin e lagjes.
Kam kohë
që nuk psherëtij për Ty
dhe orët e zgjimit
e mbaj si kryqe nëpër dhëmbë.
Bëmë një vend
edhe në trishtimin tënd!

Exit mobile version