Kreu Letërsi Bibliotekë “Mbledh hinin nëpër guacka”, poezi nga Elida Rusta

“Mbledh hinin nëpër guacka”, poezi nga Elida Rusta

Burrë i bukur

Burrë i bukur!
Nuk kam me të dvetë kurrë pse heshte gjatë.
Hesht se kështu më djeg má shumë!
Gjithmonë me yje s’flitet,
kanë vrapin e vet.
Anës Bunës jam,
prej kuarci e bore
me zemrën plot limfë dashnie,
e vështirë me u humbë.
Askush nuk din má mirë se ti
si bjen dielli mbi kala,
qysh kalëron fjalëve kjo butësi kërcënuese.
E shtrime bri Rozafës,
të dyja nji sy, nji dorë e nji gji jashtë,
lypi vend me dekë.
S’ka varrmihës që m’i merr masat e trupit,
duhet vorr i sigurisë së naltë tip alkatraz.
Udhës takoj njerëz të dhunshëm,
duen me má puthë arkmortin.
Më marrin në pyetje,
m’torturojnë për romancë të paligjshme,
Gra si unë
prej yjesh e gjarpnijsh,
e kapërcejnë lehtë ferrin,
pak dashni m’duhet
me u nisë me ulërima galaktikave,
me pushue n’krahnorin tánd limer ofshamash
me Prada e rrëshinë pishe,
me ujqën t’pushkatuem.
Fëmijë bjeshkësh e vikingësh,
báj se zemërohem
e bie pingul mbi të njejtën degë.
Ti i ke fajet!
S’më lidhe lakut,
me m’rrit tuj m’puth…


Në vjeshtë ata vrisnin zogj

Në vjeshtë ata vrisnin zogj,
zogj e drerë.
Çdogjë të bukur e vrisnin
e ne me sy çelë
s’na bënte asgjë përshtypje.
Neve që na kishin vrarë
më parë se të vriteshin zogjtë e drerët.
Na kishin vrarë
që mos të pikëllohemi
për këtë vjeshtë të bukur
pa zogj, pa pëllumba, pa drerë…


Shira të mermertë

Erdhën shirat e mermertë të ndamjes,
si flokë skulpturash t’saponxjerra prej dheut.
Shkruajmë me gjuhë
në qiellzat e gojëve hapun prej habie.
Si ásht e mundun?
Përgjigjen veç gjethet që rrzohen vjeshtës kadalë.
Pyjet kanë fillu me u tremb prej zogjve,
lulet janë helmu prej bletëve,
pishat u ikën shkëmbinjve,
ndrruen vend me kallamat n’moçal.
Asgjá nuk àsht e qartë,
s’ka qenë kurrë.
Qysh kur befas biri i zotave Adami,
i tha Evës:
-Ti je grua.
-Unë jam buurrë!!
E vuni përfundi gruan e mollës,
të parën qenie t’revoltueme.
Ja pse bajmë dashni një herë në njëmijë vjet
e vdesim t’përmalluem…


Me pëllumba kam nis letra

Me pëllumba kam nis letra
edhe pse m’i grisnin rrugës.
Gabim t’ká rá në dorë letra e dashnisë
që shkruejta për tjetërkënd.
Nuk ásht për ty!
Jo shpirtin po as shkronjat
s’ ja kupton ti letrës téme.
Diku tjetër ec princi jém.
Me strajcën e metaforave,
prej ylli në yll ai e hedh hapin.
Má i bukur se Sokol Halili
që i qyqonte çikat e Ballkanit,
hipun në gjog të vllait.
Princi jém e ka oborrin përtej hánës
e kuajt i lidh në Mars.
Bijë e gjarpnit të Shasit ilir,
e diellit të Shkëlzenit,
nën të cilin tháj plagët e katër mijë vjetëve,
vuej bukur
nuk m’báhet vonë për Ajnshtajnin.
Asgjá nuk ásht e përafërt,
gjithçka ásht e shkrueme në kromozomin tém.
Ja pse nuk jam si ju!!!
Në mbetsha shtatzánë ndonji vjeshtë a pranverë,
nji planet kam me e lind
të bukur si sytë e fëmijëve.


Jam femën

Jam femën e dridhem frike,
se prej çasti n’çast,
munden me m’nis me i çue bukë
tém shoqi e dy kunetënve.
Prek gjinjtë e tutna,
njeni mundet me kén nesër n’mur.
Nisem nëpër frikën e madhe,
me vakte n’dorë.
Tre vllazën mshefin vdekjen
si “burra”
mirseardhjen më urojnë.
Ndihem Rozafë në bespremje,
e vjetra vuen dyfish
…dikush prap’ e futi vdekjen në kala.


Ndoshta vdesim tuj u dashtë…

M’u duk pak çka shkrova dje për ty,
e po nisi me shkrue prej fillimit.
Na duhena bukur,
as shumë vonë si te Markezi,
as shumë herët si te Lolita.
E kam kryet pa flokë,
në krahnorin tánd të butë.
S’kam dert
deri nesër të paktën.
I jam nënshtrue amelsisë tánde.
Le të ikin táná sendet e tepërta,
thonjtë e eshtrat pa lëkurë,
piqem në gushtin e buzëve të tua.
Mban mend?
Para shumë vjetësh
t’kam shkrue prej pyjeve.
Me sytë si t’drenushës
kur duen me e plagos
t’jam lut
mos me i pi prrojet ku rrjedh háná,
se disku i saj t’mbetë në fyt,
peshqit të ikin prej ujnave të syve,
nuk muj me pá hijen téme përmbys
në sytë e kaprojve,
as diellin e mjerë që zbret
me shtagën e rrezeve
si plak pjerrtësisë së pyjeve
aty ku ketrat shpesh u harrojnë vendin
farave t’mshefuna e pylli bán festë.
Kjo ásht festa jonë,
në një lëndinë t’humbun.
Ti ke ándrrat e bletëve në buzë,
unë me kryet pa flokë,
s’kam dert deri nesër.
Shportë e thurun
me lastarë shelgjesh lotues
që qajnë hala
për ikjen e zogjve te trembun të Shirokës,
për mbytjen e mjelmës në liqé t’dhimbjes,
me “oh” e “ahe” si petale lulesh.
Këto janë rreshtat e tu
që i mbylle në shtatëqind dryna,
ato kohë kur shkove me u rrit
e mbete po aq.
Ah tiii!
Xhind me llambën e kuqe të fatit tim në dorë.
U djegsh në mall,
flaka të daltë!
Hirin tém hidhe prej ballkoni,
të mbulohen me humusin tim.
Ndoshta
mbijnë njerëz má t’mirë në katin e parë
e ashtu kat pas kati,
qiell pas qielli,
deri te i shtati.
Merre tash qiellin,
shihi njerëzit prej dritares,
ti je dritë e nji bote tjetër,
të lejohet me pá prej nelt,
me u deh thërrmueshëm,
në hánën jeshile të syve të mi.
Nisu drejt qiellit shpirti jém,
veç nji herë lejohet.
Ndoshta vdesim tuj u dashtë…


Mbledh hinin nëpër guacka

Deshta me t’ném,
mandej m’u duke i vogël,
u ndala.
S’ka ligësi dhelpna jote,
ka veç dhimb’,
dhimb shpirti.
Mbledh hinin nëpër guackat
që dikur mbajtën perla.
Na i vodhën piratët kur u puthëm symbyll.
As roje as ushtarë,
të dashuruem ishim.
Ti mbetsh vetëm!
Deksha para teje!
Ndoshta kam fat e nuk çohem má,
vdes me nji ándërr n’gji.
Shkoj prap te kuarci ynë,
rrazë malit të shenjtë mbi kodrën e kishës,
mbylli pas derën e dashnisë.
Meritoj me u dasht deri në hi,
aty ku mbijnë sythe të reja.

Exit mobile version