Kujtesa e ujit
Sa shumë ngjarje pa lëvizje!
Gjithë jeta m’u dukërka sot
ky pellg uji që prehet ndanë udhës.
Unë udhëtari shtyj si padashur
një guralec, gamuj etjesh lëvrijnë
rrathëve pellgore…
Fëmijërisht, më shfaqen në të
pasqyra të vetes, ku rrëfehem
për të tëra fytyrëshndrimet e mia.
(Diçka ma bën pllaq-plluq në zemër… )
Gjersa… një rrotë makine
e armagedon tërë pellgun
e uja shpërndahet në të tëra anët.
Gjithë rruzulli një gropë
këmba ime diga për të devijuar
Eufratin me buzët e thara.
Se jeta iu bëka mësues i pandashëm
të paveshit, e s’përton t’ia përsërisë
se uji ka kujtesë më të fortë.
Se uja, se etja e njeriut është e verbër,
kurse uji dëgjon, shikon, flet, përgjon,
uji të mallkon ose të bekon…
O rrugëtar i mjerë, hiqe çizmen tënde
nga grykë e ujit, ti je vetë ky ujë!
Më plasi në buzë dashuria
Sa rëndë më peshon kjo zemër,
pikëllimi i Demetrës më hyri në shpirt.
M’u rëndua pranvera
dhe lulja e sapolulëzuar
më plasi mbi buzë.
Dikush i zbuloi misteret e Eleuzinës.
Kush do t’i kthejë tani stinët?
Një tetor për të harruar
do ta mbaj në gji,
lule e sapolulëzuar
më plasi në buzë
dashuria.
Fushëbetejë
Dhe unë u shfaqa në fushëbetejën time: në hapësirën
e gjelbër të poezisë,
veshur me fustan të bardhë, me gjinj
të enjtur, me kurorë lulesh mbi krye, e në duar
maja e lapsit kullonte gjak.
Por s’ndieja dhimbje.
Bekova, një e nga një, çdo fije bari,
çdo gjethe, çdo vijë uji,
me dheun e ëmbël bëra një kafe,
malet, bjeshkët, qiellin
i rrëkëlleva në gotën e ujit.
I ashpër vegimi që m’u shfaq:
një gjarpër në këmbë, shkretëtirë.
Mbylla sytë, veç për një çast,
dhe u sula në betejën për liri.
Në buzë më mbeti
puthja e fletës së bardhë
— akti i fundit i dashurisë.
Mundus amissus
Ishte njëherë një botë,
ende është,
një domen i paprekshëm bukurie:
natyrë – njeri – Zot.
Kur jetoja në të artën kohë të Rilindjes,
e përsosëm komunikimin, tash,
bluhem nga makina e kohës, jo pak
dhe nga e njerëzve.
Janë mbyllur të gjitha shtigjet,
kushedi për sa shekuj Cerberi do të rrijë në portë
dhe unë, Kafka, në breg.
Tai Chi
Ti e ke luajtur edhe më parë këtë himn:
është si të ecësh mbi një urë të vjetër druri
që lëkundet nën këmbët e tua.
Pa parmakë. Askund ku të mbahesh.
Dërrasat e thyera ta mësojnë humnerën
përmendsh.
E gjitha është çështje ekuilibri.
O fëmijë i dënuar të rrish mbi një këmbë,
me fytyrën nga muri, koha harroi të të kthente
nga vetja. Mbete Piter Pan.
Në çengelin e duarve të fatit, Pegazit tënd
ia përdrodhën frerët. E shaluan hajdutët.
Yzengjitë e tyre goditën gjatë barkun e kohës
derisa fluturimi t’u lodh në krahë.
E di.
S’ka nevojë për gojë dhimbja jote.
Gjembi në sy të kallëzon.
Veç kujto: çfarë hyn në ty, di edhe rrugën e kthimit.
Nuk ka ngushëllim më të madh se çasti, kur,
në terr, prek forcën tënde.
Çdo vdekje është një dërrasë që mungon
në urën ku jeta ende pret të kalosh.
Ka një kohë për gjithçka
Ka një kohë për gjithçka:
Tani jetoj në pyetje.
Përgjigjja është gjallë.
Unë ende jo.
Urtësia e trupit
Ti je vonesa e një shpërthimi drite.
Universi ende mbërrin
nëpërmjet teje.
Trupi yt është biblioteka e humbur
ku materia ruan dorëshkrimet e saj.
Nën lëkurën tënde
ende pulson
zjarri i një supernove.
Oksigjeni që thith,
karboni në qelizat e tua,
u gatuan në zemrën e yjeve të lashtë.
Hekuri në gjakun tënd
ka qarkulluar dikur
në damarët e një dinosauri.
Kalciumi i kockave
ka qëndruar me shekuj
në fundin e oqeaneve.
…………………..
Mësova diçka sot, që e ndieja prej kohësh:
qenkam një lëndë e shtratnuar
në një jetë njerëzore.
Ky dijësim m’i fshiu të gjithë
kufijtë e pronësisë së egos.
Hapa kompjuterin, nisa të shkruaj,
vendosa të bëhem atom.
(Pa)fuqitë e artit
Mbushur e kam shtëpinë, përplot me libra
ikona që presin një besimtar të humbur.
Ua fshij pluhurin me një pëlhurë herë pas here,
e ndodh që, kur shfletohemi,
hyjmë ngadalë në lëkurat e njëri-tjetrit.
Ajo çka është për mua përjetësi, për tjetrin
këmishë e forcës.
Mos vallë na tradhtoi relativiteti?
Apo faj i holokaustit të marketingut?
Shoqëri e veprimit që rreh me gurë
shoqërinë e mendimit.
Shumë gjëra kanë ndryshuar,
por jo mjetet e mënyrat e dhunës…
Ajo ç›ka dhemb më shumë
është të veprosh pa pasur nevojë
të pyesësh, të dyshosh…
Nuk pyesim më pse jemi këtu,
i kemi harruar pyetjet e vjetra:
nga vijmë, ku shkojmë,
çfarë drite na përshkon nga brenda.
Mjaftohemi me të pamjaftueshmen,
Dukjes së rreme, Dylqinjës së përkohshme,
i bëjmë elozhe.
Vetë habia habitet me habi të madhe
me paaftësinë tonë për t’u moshabitur…
Si besohet ende në fuqinë e artit?
Nuk di ku gabuam.
Diçka nuk shkoi siç duhet.
Gjatë udhëtimit,
rrëfimi e humbi zërin e tij.
Kompas(t)
E errët kjo natë, i errët ky qytet
yjz të fikur në qiellin e syve të tu
ligje absurde në lajme, në rrjet
lëngon si ujk i plagosur një plagë.
Janë djegur dritat e farit
lundrojmë në terr të gjithë njëherazi
të verbuar, pa ditur ku shkojmë.
E futëm në konservë njeriun
… dhe na pëlqeu vetja.
Dhuratat e vërteta kanë
brenda shpirt
Në pyje ëndrrash ku dal me shëtitë
mblodha ca lule të egra të vogla,
një lloj violete e purpurt e turpshme
që lulëzon rrallë pa të çuar kumt
rritet nën shkurre, larg syve të botës
violeta që mban aromën e lëkurës tënde.
Në orët e para të mëngjesit, kur ato çelin
lëshojnë tërë esencën e kurmit të tyre.
Duhet me qenë syçelë e i zhdërvjellë
me e rrokë për beli atë që u shkru për ty,
e i zgjuar mos me e lëshu.
Çdo gjë ka kohën e vet,
nuk duhet me i ngut me ndodh.
Gjithë ky mund
për të bërë një parfum për ty.
Se dhuratat e vërteta kanë brenda shpirt.
Kam hedhur dy pika në kurrizin e dorës sime.
Mbylli sytë e mbaji erë!
E ndien në flegra aromën e dashurisë?
Hedh dorën ngadalë rreth qafës sate
e lyej me të gropëzën pas veshit
të lë aty diçka veç timen,
pa e vënë re aspak se qenkam bërë ti.
Bardhësi
Natë,
natë e gjatë, e gj-a-t-ë
pis i errët terri i ditës
agu vallë pse rënkon?
një shkëndijë
një shkëndijë
një shkëndijë
le të gdhijë
një fjalë
një varg
një melodi
dëgjoj fëmijë
një re
një shkrepëtimë,
në një qiell pa diell, vetëtin
dhe hapet shtegu
e përtërin, e rrjedh e qetë
kur gurgullin
kur murmurin
si puthje në ballë
e fshehtë, pëshpërimë
lulëkuqe buzërruge
porsi bishtdallëndyshe
më sheh me gojë
më dëgjon me sy
lëkurë më lëkurë erëmon
pakohësi
e çel përpjetë
kurmin përjetë
e rrjedh e qetë
bardhësi
bardhësi
bardhësi
në fund të shpirtit përmbushet velë
një shtjellë hareje – dhembjefjollë
e bukura frymë në më t’pabukurin çast
u harrua, ah, m’u bjerr dhe një varg…
E unë e mjera gazprerë
makinën e jetës ngas përpjetë
te zemër e shkretë
thikë që ngjesh në brendësi
paske qenë, o ujë që pi
dhe dritë
dhe gjak
dhe dashni
xhelat i zi
Qenkam zhuritur, xhani im,
një mijë shtrëngata në gji
o shpirt, o poezi, lësho pak shi
pak shi, pak shi, pak shi,
zgjati duart, më arrij,
të zgjoj të mishtën buzë të fatit.
Ma thuaj një dashuri që s’të bën të vuash
Ma thuaj një dashuri që s’të bën të vuash
Një dashuri që s’është farkëtuar në lotë e zjarr
Më rrëfe një dashuri që në dhimbje s’është sprovuar
një dashuri që s’ka lënduar, që nuk ka vrarë.
Më thuaj një dashuri që s’të lë të pagjumë
Një dashuri që s’të mposht, nuk të përkul
Më rrëfe për një dashuri pa stuhi e tufane
Një dashuri, veç një, që s’perëndon kurrë.
Më thuaj një dashuri që s’i ka njohur mëritë
Zënkat, ndarjet, lamtumirë s’ka thënë kurrë
Më rrëfe për një dashuri pa nerv xhelozie
Një dashuri pa sy, pa shpirt, pa kurm…
……………………………………………..
Ti hesht, o shpirt, e rri menduar
Gishtërinjtë ndër flokë i përshkon.
“S’ka dashuri të lumtur në këtë botë, – thua.
Por, sido që të jetë, është dashuria jonë.”
……………………………………………..
Ti hesht, o shpirt, e rri menduar
Gishtërinjtë ndër flokë i përshkon.
“S’ka dashuri të lumtur në këtë botë, – thua.
Por, sido që të jetë, është dashuria jonë.”



