Kreu Letërsi Bibliotekë Mario Vargas Llosa: Në vend të Markezit

Mario Vargas Llosa: Në vend të Markezit

Përktheu nga spanjishtja Mira Meksi

Udhëtoja me avion nga Madridi për në Las Palmas, kur stjuardesa m’u afrua dhe më tha:

– Atje është një zotëri që ju admiron shumë, që ka për ju një adhurim të madh. Është i turpshëm. Nuk dëshiron t’ju bezdisë, nuk dëshiron që t’i jepni autograf… dëshiron t’ju japë dorën. A mund të vijë t’ju japë dorën?

– Patjetër, le të vijë të më japë dorën, me shumë kënaqësi!

Dhe erdhi një zotëri relativisht i ri, që ishte thellësisht i prekur, thellësisht i mallëngjyer. Më tha pak a shumë këto fjalë:

– Ju nuk e dini se çfarë do të thotë kjo për mua, ju nuk e dini se ç’kanë qenë librat tuaj në jetën time.

Unë isha… nuk dija ç’t’i thosha. Dhe atëherë erdhi goditja e thikës. Më tha:

– …sepse “Njëqind vjet vetmi” më ndryshoi jetën.

Emocioni i atij zotërie ishte i atillë, saqë nuk guxova t’i thosha:

– Shiko, unë nuk jam García Márquez-i. Më vjen shumë keq, ju kërkoj një mijë herë ndjesë, por nuk jam ai që kujtoni ju.

Dhe i dhashë dorën, në vend të García Márquez-it.

Exit mobile version