Kreu Letërsi Bibliotekë “Mall i heshtun”, cikël poetik nga Melita Vjerdha

“Mall i heshtun”, cikël poetik nga Melita Vjerdha

Melita Vjerdha

MUR

Me themele të ngjeshuna me frymë 
të hedhuna që me ngjizje, 
ngritun me dorën e kohës…
I plasaritun nga termete stinësh,
mes shirash me lot, mes rrufeve t’idhnume. 
Si skenar vazhdoj me t’ndërtue
me mundimin e andrrave, 
me shtresën e ndjenjave, 
me gdhendjen e fjalëve…
Me të pa të drejtë,
të fortë e të pathyshëm..
Me kap kupën e qiellit,
me u ndesh me kosoren e Hanës, 
me provu stuhi yjesh
e me u prek me butësi resh.
Shoh anash, ka mure gjithandej
ndërtuem secili në kohën e vet.
Zhurma përhumbet… Du me pa si hidhet valle përjashta.


MALL I HESHTUN

Kam një mijë fjalë në zemër,
kur ndiej se malli m’i rrokullis vargjet
e m’i pikon si mjaltë kujtimet n’shpirt. 
Curril ndër lot rrinë t’varuna mbresat 
e lana n’harresë, 
andej ku zhuriten mendimet e lehta, 
stinët e vjetra, fjalët e ambla e soditjet e pastra. 
Ndijimet e zbehta t’voglisë
kacafyten rrejshëm si n’mjegull 
me gëzimet, trishtimet, andrrat…
e ngeshëm i hapin shteg rrugëtimit 
të shpirtit për me gjallnue gjanat e vdekuna qëmoti. 
E n’mall me i lakmue, tana, se heshtja s’ka zâ…


NUK JEMI TË HUEJ

Në trenin e jetës, 
na, udhëtarë t’zakonshëm,
endemi, ngutemi n’vagona të ndryshëm. 
S’e ndalim hovin nëpër qytete që rrjedhin si lum’ çeliku.
Atje ku humbim kohën në kërkim të vetes,
votrës, qoshkut, rehatisë… 
E ata të presin përvujtshëm në pikën e nisjes.
Prej aty ku more me vete hapin, 
fjalën, qeshjen e parë…
E prap nuk jemi të huej në të njajtin udhëtim të zakonshëm.
Kemi me vete të njajtat pyetje…
të njajtat lodhje, 
të njajtat frika,
të njëjtin egoizëm… 
Nuk jemi të huej edhe kur mes turmash shpallemi të humbun.
Edhe nëse krejt i vetëm e do rrugën 
s’ke me humbë kurr.
Por s’ke me u gjetë askund, prej askujt.
Pra, mos mbet i huej…


ZYMBYL

Nuk asht thjesht nji lule. 
Asht nji krijesë e brishtë
e dashurueme marrëzisht
me atë që e ka 
e s’e len prej saj me u nda. 
Ndoshta nuk ka andrra, 
po andrrën ta mbin ndër sy 
kur aroma e saj puth në buzë
të nesërmen me 
kujtimin fluturak,
etjen e parrëfyeme,
shpresën e ngratë,
derdh emnin në
muzikë ujnash.


BIJË

Mjafton të rrëshqas shikimin
nga ftyra jote prej engjëlli të bardhë.
Në mes të errësinës je hanë e dëlirë.
Ajo bardhësi e freskët,
zambak verbues
që kundërmon edhe poret e shpirtit.
Ind i hollë i qerpikëve
mezi arrin me fshehë
sytë e shndritshëm,
pasqyrë e mijëra botëve të fshehuna.
E vështroj mes frikës e dashurisë
pa emën,
zërat e natës së trishtë shuhen.
Heshtja matet vetëm me frymëmarrjen
ritmike të saj.
Ajo buzëqeshje 
si lule me perla,
shkëlqimi i lagësht ngjyrargjendi
mbi vese kristali…
E mu më dëbohet çdo ethe
çdo akull shkrinë
nga ngrohtësia e përqafimit 
tand,
bija jeme…


MIK 

Nji mik asht nji det. 
Mes zhurit e cekinave t’kujtesës 
rrinë të varuna mbresa 
ndër hapsina t’pashkeluna. 
Thellsinave kthjellohen 
mendimet e turbullta.
Nji mik asht nji lum’.
I rrjedh vitet n’brigje kohnash 
e i pushon në fushgropë 
ditët që përtypin harresë 
e s’bashku rigjejnë forcë 
me ça përpara.
Nji mik asht diell. 
T’i hjedh rrezet si krahë t’purpurt 
e midis ngrohtësisë 
edhe ajri merr ngjyrën 
e përqafjes së mendimeve.
Nji mik asht nji yll. 
Atëherë kur dhunohet dita për diell 
e na dëshmitar të territ 
me lindjen e tij 
xixëllojat meken.
Nji mik asht muzikë. 
Ndez krojet e lotëve 
e meloditë e shpirtit 
e kur nuk ban zâ, 
kërkoj dikund rrotull 
akordin e zanit.
Nji mik s’asht planet, 
as galaktikë, 
as destinacion, 
por mënyrë rrugëtimi…


EKUILIBËR

Jeta asht nji teh i hollë
me ngjyra stinësh. 
Të fton me u ngut me hapa të lehtë
Me le
Me ken’
Me pas’
Me dit’
Me u lumnue
Me andrrue
Me u mbajt për kupës qiellit
kur zhgiandrra t’befason 
Me u kthy
Me rilexu dëshirat
Me dasht
Me drasht
Me u ba nji me nyjet që s’e di ku e kanë fillin kur humbin peshën e ditëve 
e n’humnera të padukshme 
Me u rrëzu
Me me ra 
Me u vra…
E prap me u rigjetë si s’parit
në vizione të dyzume 
Me vu rregull në udhën e ardhshme 
tue pastru gjurmët
N’vetëvete me zbritë
N’pastërtinë e rehatinë
e rrëfimit të përditshëm
E dorën me ia njit atij 
që të hapi sytë mbi re 
Që të mësoj ekuilibrin 
mbi dhé…

Cikli është shkëputur nga libri i ri në botim.

Exit mobile version