Kreu Histori Lumo Skëndo: Gjendja në Shqipëri në motin 1922

Lumo Skëndo: Gjendja në Shqipëri në motin 1922

Nga Uran Butka

Mid’hat Frashëri (Lumo Skendo) , kur ishte kryetar i Delegacionit Shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, bashkëpunonte me shumë shtëpi botuese, agjenci të njohura, redaksi gazetash e revistash të Francës, Zvicrës, Anglisë, Italisë, etj, ku botonte artikujt, studimet, informacionet për Shqipërinë, replikat, përgënjeshtrimet, debatet, në mbrojtje të çeshtjes shqiptare te gazetat “The Near East”, “International Revien”, “East Europa”, “Mercure de France”, “Le Monde Nouveau”, “Revue Universelle”, “France Orient”, “Frobenius”, “Corriere delle Puglie”, “L’Indipendance albanaise”, “Tribune libre des nationalites”, “Loa revue de Geneve”, “Les Peuple Libres”, “Le Vie des Peuples”, “La Mercure Suisse”, “The New Stratesman”, “Foreing Affairs”, “L’Humanite” etj.
Mid’hat Frashëri ishte një parashikues gjenial.. Ai ishte i bindur që çështja shqiptare e shtruar për zgjidhje për më se një shekull, do ta gjente më në fund atë, sepse nuk ishte vetëm një çështje e brendshme e Shqipërisë, por një problem kyç i Europës Juglindore dhe më gjerë. “Zhvillimi i ngjarjeve në Ballkan vërteton mirë se ngjarjet në Shqipëri nuk janë aspak të brendshme, por janë pjesë e një të tëre me rëndësi botërore, që do të ketë efekte të mëdha ndërkombëtare në kohën e ardhme”- thoshte ai.
“Për mua ka vetëm një mënyrë që të normalizohet gjendja në shqipëri: mbajtja e lidhjeve me lëvizjen demokratike evropiane dhe rregullimi i marëdhenieve mes vendeve te Ballkanit.
Në shkrimin problematik “Gjendja e Shqipërisë në vitin 1922”, botuar te periodiku francez «Le Monde Nouveau » më 21 prill 1922 ai jep një panoramë të shkurtër të gjendjes së brenshme të Shqipërisë në rëlacion me vendet e tjerë të Ballkanit, duke theksuar se Shqipëria po i kapëcen rebelimet e shkaktuar nga interesat e huaja dhe ka hyrë udhën e paqes dhe sabilitetit.
“Ngjarjet që u zhvilluan gjatë muajit mars provuan se elementi patriotik ngadhënjeu më së miri ndaj elementit turbullues. Megjithëkëtë, nuk duhet harruar se Shqipëria është një vend i pasioneve të forta dhe se opinionin publik është shumë i vështirë për ta udhëhequr e kanalizuar”, shkruante Lumo Skendo..


Para disa javësh, gazetat jepnin lajmin e turbullirave të mëdha në Shqipëri; telegrame nga Roma e Beogradi, duke i zmadhuar gjërat sipas qejfit, paralajmëronin një kryengritje të përgjakshme, marrjen e Tiranës (kryeqytetit të Shqipërisë) nga kryengritësit dhe hyrjen e tyre në Durrës.

Edhe pse gjërat janë ekzagjeruar së tepërmi, ngjarjet nuk kanë munguar të jenë mjaft të rënda: nga data 8 deri në 15 mars, qeveria, shteti dhe vendi kaluan çaste të këqija, duke qenë se Shqipëria , ashtu sikurse pjesët e tjera të Ballkanit, është e banuar nga një popull me pasione politike shumë të forta dhe me reagim shumë të shpejtë. Ja me pak fjalë se çfarë ka ngjarë:

Qysh në muajin dhjetor 1921, një farë grusht shteti përmbyste kabinetin e Pandeli Evangjelit dhe sillte në pushtet Hasan Prishtinën. Dhoma e deputetëve ishte me pushime; por krejt popullsia shfaqi pakënaqësinë e vet, funksionarët filluan grevën dhe nga tërë anët e vendit u shfaq keqardhja për një ndryshim të tillë. Kabineti i Hasan Prishtinës ra pas katër ditësh dhe me kthimin e deputetëve në detyrë, qeveria aktuale nën kryesinë e Xhafer Ypit erdhi në fuqi. Gjithçka dukej se po ecte mirë. Por fajtorët e grushtit të shtetit të dhjetorit të shkuar duhej të dilnin para gjyqit dhe për ta parashikohej ndëshkim. Rrjedhimisht, u shfaq këtu një element i dëmshëm në vend, të cilit i duhet shtuar një tjetër element, në mos antipatriotik, të paktën i hallakatur dhe i futur në qorrsokak: ai i të pakënaqurve për vendimin e Konferencës së Ambasadorëve, konkretisht ata që ankoheshin se Protokolli i 9 nëntorit 1921 i zvogëloi edhe një herë kufijtë e Shqipërisë në favor të Serbisë.

Në fakt, qysh më 1913, koncesione shumë të gjëra iu bënë Serbisë, që vuri nën sundimin e saj krahina të tilla si ajo e Kosovës dhe e Maqedonisë Perëndimore banuar nga një popullsi me shumicë dërrmuese (80 deri në 90 %) shqiptare. Pos kësaj, nga fundi i vitit 1918 deri në fund të vitit 1921, domethënë nga koha e armëpushimit deri në vendimin e Konferencës së Ambasadorëve në Paris, Serbia shkeli  kufijtë shqiptarë të njohur në Londër (1913) dhe shkretoi krahina të tëra, gjë që shkaktoi eksod dhe vuajtje, duke i shtuar elementit tashmë të pakënaqur një kontingjent të ri.

Këta të pakënaqur akuzonin për dobësi qeverinë e Tiranës dhe mendonin se duke e përmbysur, mund të shpëtonin copëza territori shqiptar mbetur nën sundimin serb. Këtyre dy fraksioneve u shtohej një i tretë, ai që e kishte parë veten të zhveshur nga pushteti në muajin janar 1920.

Na duhet të bëjmë pak histori për të sqaruar këtë pikë:

Dihet se gjatë Luftës së Madhe Shqipëria u pushtua nga luftënxitësit, duke u bërë pa dashje shesh lufte. Pas armëpushimit, trupat italiane e shihnin veten zot të krejt Shqipërisë; trupat serbe ishin ndalur në vijën e quajtur vija e armëpushimit e përcaktuar nga gjenerali Franchet d’Espéray mu brenda territorit shqiptar. Në muajin dhjetor 1919, një mbledhje e mbajtur në Durrës krijoi Qeverinë e Përkohshme, mbi të cilën Italia pretendonte se ushtronte kontroll dhe një lloj tutele.

Për të hequr qafe këtë ndikim italian, shqiptarët organizuan një mbledhje të gjerë në janar 1920, në Lushnje, në përfundim të së cilës doli një qeveri kombëtare me prirje të hapur nacionaliste. Nëpërmjet saj, shqiptarët  donin të shkëputeshin nga ëndrra e keqe e klauzolave të Traktatit të fshehtë të Londrës (1915), sipas të cilave Shqipëria ishte e dënuar të ndahej midis Italisë, Serbisë e Greqisë. Po ashtu, nëpërmjet krijimit të Qeverisë Kombëtare, shqiptarët shpallnin vullnetin e tyre të ruanin pavarësinë e vendit, si dhe dëshirën për të jetuar në harmoni me shtetet fqinje.

Mirëpo, për të përmbysur Qeverinë e përkohshme të Durrësit dhe për të krijuar Qeverinë kombëtare të Lushnjës, nuk mund të shmangej një numër i vogël personash të pakënaqur dhe pikërisht mes tyre u rekrutua një element i tretë reaksionarësh.

  *     *    *

Turbullirat ndodhën midis 8 dhe 15 marsit 1922 dhe ngjarjet u zhvilluan shumë shpejt. Rebelët kishin përgatitur terrenin, duke propaganduar se përmbysja e qeverisë aktuale do të sillte çlirimin nga zgjedha e huaj të një krahine të madhe shqiptare; dhe për t’ia arritur më mirë qëllimit, ishte nxjerrë si pretekst mbledhja e një kuvendi kushtetues.

Lëvizja filloi të zbresë nga Veriu me një bandë nën urdhrat e Bajram Currit, nga rajonet mbi Drin, në Lindje të Shkodrës; por përpara urtësisë që tregoi popullsia e këtij qyteti, e cila kundërshtoi të merrte pjesë në lëvizje, rebelët u detyruan të ktheheshin në shtëpitë e tyre, pa bërë asnjë shfaqje tjetër.

Një bandë tjetër, e drejtuar nga Halit Lleshi (major në ushtrinë serbe), u nis nga krahinat në Perëndim të Dibrës dhe marshoi mbi Elbasan; u thye në Veri të këtij qyteti nga milicia.

Të pasnesërmen e këtij luftimi, një tjetër bandë, e drejtuar nga Isuf Elezi, zbriste nga malet në Lindje të Tiranës; ajo ndeshi fillimisht një çetë të vogël xhandarmërie nën komandën e majorit Meleq Frashëri, i cili u vra dhe rebelët hynë në një lagje të kryeqytetit. Qeveria organizoi mbrojtjen dhe luftimi brenda në qytet zgjati pesëmbëdhjetë orë. Duke qenë se mbërritën forca vullnetare, rebelët dorëzuan armët dhe u arrestuan. Thuhet se ministri i Britanisë së Madhe në Tiranë u dha të dyja palëve këshilla për vetëpërmbajtje në këto rrethana të vështira.  

Ndërkohë që banda e Elezit po nënshtrohej, një tjetër lëvizje shpërthente në qytetin e vogël të Shijakut dhe në Durrës, e kurdisur kjo, nga të afërm të të ndjerit Esat pasha; por as kjo bandë nuk pati të nesërme dhe milicët u kthyen pothuaj pa hasur pengesa në këta dy lokalitete.

Filloi menjëherë çarmatimi, operacion tashmë i nisur para se të lindte lëvizja kryengritëse dhe që ndoshta kishte ndihmuar në përshpejtimin e kësaj lëvizjeje.

Rreth dhjetë persona u dënuan me vdekje nga Gjykata Ushtarake dhe u ekzekutuan. U arrestuan edhe fajtorë të tjerë , që janë në gjykim.

Qetësia u rivendos më 14 mars.

*     *    *

    Qeveria e mposhti lëvizjen rebele pa shumë tronditje. Çeta vullnetarësh rendën menjëherë nga të katër anët, sidomos nga rrethet jugore të Korçës e Gjirokastrës. Mirdita, ku serbët ishin përpjekur më kot të krijonin një lëvizje artificiale gjatë verës së vitit 1921, mbajti një qëndrim të hapur në përkrahje të qeverisë. Shumica e komunave i pajisën trupat vullnetare me krejt mjetet e nevojshme dhe me shpenzimet e tyre.

Aktualisht, gjendja e brendshme duket e kënaqshme. Megjithatë, duhet theksuar se, që të shtypje një lëvizje, nuk ishte gjë e lehtë në një vend ku pothuaj të gjithë ishin të armatosur. Streha që kanë gjetur një numër keqbërësish në Itali e Serbi vazhdon të shkaktojë njëfarë shqetësimi.

Qeveria shqiptare nga ana e saj po punon tani të rregullojë marrëdhëniet e veta me fqinjët, të rivendosë me ta lidhje diplomatike, duke qenë se Fuqitë e mëdha e të vogla nuk deshën të rilidhnin me Shqipërinë marrëdhëniet zyrtare të vendosura më 1913. Si pasojë, që prej Kongresit të Lushnjës, qeveria kombëtar ka vuajtur shumë dhe vetëm më 9 nëntor, Konferenca e Ambasadorëve vendosi të njohë qeverinë shqiptare. Sot 13 shtete i janë bashkëngjitur kësaj njohjeje dhe konkretisht: Franca, Britania e Madhe, Japonia, Italia, Belgjika, Zvicra, Bullgaria, Rumania, Serbia, Finlanda, Luksemburgu, Austria dhe Suedia. Por, vetëm Britania e Madhe është zyrtarisht e përfaqësuar nga një Ministër Fuqiplotë në Tiranë.

Rilidhja e marrëdhënieve diplomatike me shtetet fqinje do t’i japë stabilitetin qeverisë shqiptare dhe do të parandalojë këtej e tutje kontrabandën e armëve. Nga ana tjetër, Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve, i cili duhet të caktojë në terren vijën e re të demarkacionit të parashikuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Paris, ndodhet në Shkodër dhe ka nisur punën në fillim të muajit mars. Po ky komision ka si detyrë të mbikëqyrë evakuimin nga Greqia të një territori të vogël, që ndodhet në Jug-Lindje të qytetit të Korçës, arbitrarisht i pushtuar nga trupat helenike; tërheqja e grekëve do sjellë menjëherë përmirësimin e marrëdhënieve midis dy shteteve kufitare, marrëdhënie që, për më tepër, nuk kanë marrë asnjëherë një karakter ashpërsie, pavarësisht nga humori i keq i shfaqur shpesh nga Greqia.

Si të rregullohen këto çështje të mbetura pezull midis Shqipërisë dhe fqinjëve, a do të njohë vallë qetësinë dhe stabilitetin shteti i ri në brigjet e Adriatikut?

 Ngjarjet që u zhvilluan gjatë muajit mars provuan se elementi patriotik ngadhënjen më së miri ndaj elementit turbullues. Megjithëkëtë, nuk duhet harruar se Shqipëria është një vend i pasioneve të forta dhe se opinionin publik është shumë i vështirë për ta udhëhequr e kanalizuar.

Të papritura të vogla mbeten, pra, ende të mundshme për të ardhmen

Exit mobile version