Kreu Letërsi Shënime mbi libra Luan Rama: Dhori Qirjazi, rilindës i kohëve moderne në poezinë shqipe

Luan Rama: Dhori Qirjazi, rilindës i kohëve moderne në poezinë shqipe

Ndër studiues të letërsisë; historianë, kronikanë apo kritikë të saj, por edhe në shkrimtarë të ndryshëm, gjejmë shumë që janë rrekur të na shpjegojnë modernitetin e letërsisë shqipe të viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar dhe autorët që i prinë këtij procesi, duke ua njohur meritën Dritëro Agollit, Ismail Kadaresë dhe Fatos Arapit, të cilët, shenjuan kthesën dhe bënë kapërcimin e madh, duke e bërë poezinë në veçanti, por edhe letërsinë shqipe në tërësi më bashkëkohore, më të larmishme, më moderne e më të pasur, jo vetëm në përmbajtje, por edhe në formën e shprehjes artistike, në gjuhën, figuracionin, e përdorur etj.

Pa dashur të merrem me të gjithë ata që ia atribuojnë meritën e këtij kapërcimi tre shkrimtarëve tanë të mëdhenj, pra Ditëroit, Kadaresë dhe Fatos Arapit, sepse në fund të fundit shijet, vlerësimet, qasjet janë krejt individuale, dua të theksoj se vendosja e “kufinjëve” të meritës vetëm tek roli i këtyre të treve, i ka hyrë padrejtësisht në hak një të katërti në fakt, Dhori Qirjazit, emri dhe vepra e të cilit qëndron me po aq dinjitet si një kontributor i rëndësishëm përkrah emrit dhe veprës së tre të tjerëve.

Dhori Qirjazi, sikundër e cilëson me plot të drejtë Ismail Kadare, “jo vetëm ka qenë një nga poetët më të talentuar shqiptarë, por hynte ndër ata shkrimtarë, që me aq sa ishte e mundur në atë kohë, përpiqeshin të mbronin me këmbëngulje vlerat njerëzore dhe universale të artit”. (Intervistë dhënë gazetarit Robert Rakipllari, gazeta “Panorama” 15 shtator 2009).

Përkundër e përndryshe prej një poezie dogmatike e patetike, të varfër figurativisht e për rrjedhojë edhe emocionalisht, të shkruar prej poetëve të kohës së Luftës gjuha e të cilëve ishte hyjnizuese për partinë dhe për socializmin, ç’ka në fakt më shumë se sa poetë i bën ata rapsodë të asaj kohe, Dhori Qirjazi dhe tre të tjerët bashkëkohës të tij, Dritëroi, Kadare dhe Fatos Arapi, e ngritën poezinë shqipe në lartësinë e të qenit art. Të njejtën gjë bën në prozë, sidomos me romanin edhe moderni i parë i kohës së vet Petro Marko, i cili vetëm për frymën dhe risitë që solli meriton shumë më tepër vemendje e vlerësim prej studiuesve të letërsisë shqipe të shekullit të kaluar.

Kësisoj, në një farë mënyrë ata vendosën edhe urat e komunikimit jo në kuptimin kronologjik, por në cilësinë e mendimit dhe të vargur poetik, të gjuhës dhe mjeteve shprehëse, të figuracionit dhe të pasurisë stilistike, me poezinë dhe artin e Migjenit që kishte shenjuar lartësi referenciale të poezisë shqipe, të cilën, ata që erdhën më pas si Shevqet Musaraj, Luan Qafëzezi, Fatmir Gjata, Llazar Siliqi, Kolë Jakova e ndonjë tjetër, nuk ia dolën jo që ta mbërrinin dot, por as guxuan që ta tentonin.

Fakti që Dhori Qirjazi ishte i vetmi nga të katërt që nuk pati fatin të shkollohej jashtë Shqipërisë së atyre viteve, nuk e bën atë asnjë grimë më pak të zotin për të qenë në një rradhë me ata, me gjithë rolin, me veprën dhe me kontributin e vet si krijues i një poezie të re, i një fryme të re, i një mendësie të re dhe i një lartësie të re artistike.

Nuk ka qenë e lehtë padyshim, por sfida të tilla i dallojnë poetët dhe shkrimtarët e zotë e të talentuar, nga të tjerët më pak të tillë.

Duke na e sjellë atë kohë dhe gjithë sa u bë për të mbërritur tek ai ndryshimi cilësisht përcaktues për fatet e mëtejme të poezisë dhe letërsisë shqipe, që jo thjeshtë duhej të ndahej nga vargëzimi i rëndomtë dhe poezia e ditirambeve mediokre që e bënte atë të ngjashme me letërsinë e bejtexhinjëve, por që të mbërrinte të ishte vazhduese e traditës më të mirë që prej De Radës e tëhu, Dritëro Agolli ka thënë: “Dolëm një brez i ri shkrimtarësh që filluan të shkruajnë ndryshe. Në këto vite filloi një farë polemike. Unë, Kadare, Fatos Arapi, Dhori Qirjazi e poetë të tjerë, filluam të ngrinim zërin për një poezi të re, jo rrobë të traditës, por të afërt me realitetin, me ndjenjat dhe njerëzit”. ( Intervistë dhënë Xhaferr Rakipllarit, WordPres.com, 25 tetor 2007).

Ndër poetët e atij brezi, poezia e Dhori Qirjazit e përafron atë më shumë me Lasgushin, aq sa mund ta themi pa hezitim se në një farë mënyre ai u bë Lasgushi i kohës së vet.

Lirizmi i Dhori Qirjazit është më i brishtë, më lakonik, më personal. Është në jo pak raste më i beftë dhe më spontan edhe se sa e gjejmë në tre të tjerët (Dritëroi, Kadare dhe Fatos Arapi).

Ai na vjen përmes një vargu elegant, plot muzikalitet, pa epitete e slogane krahasimesh të stisura, por, përmes përqasjesh mataforike që burojnë natyrshëm prej thellësise së shpirtit të poetit, të cilin nuk e ndrynë dot as koha dhe as njerëzit e vegjël të kohës që nuk e donin Dhori Qirjazin.

Me muzikalitetin e ndjerë e plot ngjyra, me gjetjet poetike dhe përjetimet emocionalisht elegante, fare thjeshtë por shumë bukur Dhori Qirjazi u bë dhe mbetet padyshim një zë dhe kontributor ekselent në të gjitha pritjet dhe prurjet letrare të kësaj kohe në letërsinë shqipe.

Unë bashkohem me studiuesin Shaban Sinani kur thotë se “Nëse duam të krijojmë ‘yllësinë’ e brezit të viteve ’60 është një katërshe që nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin sepse çfarë ka dhënë njëri nuk e ka dhënë tjetri. Yllësia këtë kuptim ka, kur të gjithë së bashku formojnë të bukurën. Është Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi dhe çuditërisht i harruar në mënyrë të padrejtë Dhori Qiriazi” (Sh. Sinani, intervistë e dhënë për televizionin abc, 15 dhjetor 2019).

Dhori Qirjazi nuk jetoi dhe nuk punoi në Tiranë siç e patën fatin tre të tjerët, por ky fakt nuk mund të shërbejë si kriter vlerësimi apo qëndrimi ndaj tij, kur është fjala për t’i dhënë vendin që meriton në historinë e letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar.

Dhori Qirjazit iu desh të mbijetojë në kuptimin e plotë të fjalës në Kolonjën e tij të dashur, e m’u në mes të luftës për të mbijetuar, poeti shfaqej si një sfidant me këngët e tij të dashurisë për jetën, për njeriun, për natyrën dhe vendin e tij.

I vetëveçuar (në fakt i lënë!) në një kënd të poshtëm të vendit, ai botoi sa ia lejuan rrethanat të botojë, dhe ne njohim vetëm një pjesë, pjesën e shpallur të veprës së tij, por jo dhe atë në dorëshkrim dhe çfarë “ia dhuroi” popullit përmes këngës folklorike kolonjare.

Studimi dhe botimi krahasues i poezive të tij ashtu si mund të gjenden në dorëshkrim në variantin e parë dhe se si janë botuar përgjatë viteve, por edhe identifikimi dhe botimi me emrin e tij i shumë teksteve të këngëve që ai shkroi për asamblin folklorik të Kolonjës ( poeti Hamit Aliaj për shembull ia doli sa qe gjallë t’i botonte tekstet e shumta të këngëve që ka shkruar për ansamblin folklorit të Tropojës), mbeten një mision dhe përgjegjësi që duhen kryer, ç’ka jo vetëm do të na jepte veprën e plotë të krijimtarisë së Dhori Qirjazit, por do t’u krijonte mundësi studiuesve të letërsisë të qëmtojnë në krijimtarinë e tij, e cila është ende një fushë e pa lëvruar prej tyre.

Siç qe në traditën më të mirë të brezit të vet, edhe poeti Dhori Qirjazi është gjithaq edhe një shqipërues i talentuar i disa prej poetëve dhe shkrimtarëve më të njohur të letërsisë botërore si Petrarka, Bajroni, Bërnsi, Tolstoi, Kuazimodo, Rumiu, Niçe, Nekrasov e shumë të tjerë, duke na u shpërfaqur kësisoj në një përmasë intelektuale që e bën atë njërin prej emrave të mëdhenj të poetëve të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar.

Fjalëpak dhe mençurisht i thjeshtë, punëtor i palodhur i arsimit dhe i dijes, njeri fisnik dhe qytetar i dinjitetshëm, me emrin dhe veprën e tij si rilindas i kohëve moderne, Dhori Qirjazi poet dhe përkthyes, folklorist dhe studiues i traditës së qytetërimit shqiptar, me gjithçka ka bërë, ka shkruar e na ka lënë trashëgim, i bën nder letërsisë shqipe. Heshtja ndaj tij as ia cënon emrin, as ia zbeh vlerat, as ia zvogëlon meritat dhe kontributet.

Exit mobile version