Përkthyesi Premysl Vins e vlerëson librin “Çekët dhe shqiptarët”. Kryqëzimet historike, kulturore dhe diplomatike ndër shekuj” si një kontribut të çmuar në temën jo shumë të hulumtuar të marrëdhënieve çeko-shqiptare
Është përkthyer dhe është botuar në gjuhën çeke libri i dr.Dorian Koçit «Çekët dhe shqiptarët. Kryqëzimet historike, kulturore dhe diplomatike ndër shekuj».
Përkthyesi Premysl Vins, drejtues në departamentin e Studimeve Sllavo Jugore dhe Ballkanike, sapo libri pa dritën e botimit, shkroi:
“Jam shumë i lumtur t’ju njoftoj se më në fund ka dalë përkthimi në çekisht i studimit të historianit shqiptar Dorian Koçi me titull “Çekët dhe shqiptarët. Kryqëzimet historike, kulturore dhe diplomatike ndër shekuj”.
Libri është një kontribut i çmuar në temën, jo shumë të hulumtuar, e marrëdhënieve çeko-shqiptare, dhe këndvështrimi shqiptar që përdoret për të parë marrëdhëniet mes dy kombeve mund të jetë me interes për lexuesin çek.
Përgëzoj autorin Dorian Koçi dhe falënderoj shumë Ambasadën e Republikës Çeke në Tiranë, e cila siguroi botimin e saj”.
Por, nëse ke lexuar librin, zbulon se autori ka bërë një studim që shkon përtej kureshtjes “për të parë marrëdhëniet e të dy kombeve”
Dr. Dorian Koçi hap disa dyer të kyçura në labirintet e pikëtakimeve historike të mesjetës. Për ta bërë sa më të lehtë rrugën tek lexuesi, ai ka ndjekur rregullin e artë të parashtrimit teorik e shkencor të situatave dhe ngjarjeve historike, që i kanë paraprirë marrëdhënies mes dy kombeve në një nga periudhat më të trazuara të historisë së mesjetës.
Dr. Dorian Koçi priret vazhdimisht që ta analizojë historinë në rrafshin analitik, aty ku historia merr kontekstin e duhur, duke e mbajtur fokusin në kohën dhe vendin e duhur.
Koha e duhur është pikërisht ajo ku zë fill realiteti kulturor i një qytetërimi të caktuar; tërheqjet e qytetërimeve dhe kulturave më të zhvilluara nga njëra-tjetra, marrja dhe dhënia e kulturave dhe përvojave për mbarëvajtjen e shoqërisë civile.
Për këtë, para se të shkojë tek lidhjet çeko-shqiptare, dr. Koçi jep një pasqyrë të plotë të organizimit të shoqërisë çeke, shtrirje së kufijve dhe sundimeve, por edhe të zhvillimeve kulturore. Ai i bashkon të gjitha hallkat duke na përballur me realitetin historik të kufijve gjeografikë ku gjallonte bota e arbrit.
Fillimin e kontakteve të para shqiptaro-çeke, dr. Dorian Koçi e përcakton në shekullin XV; perifrazuar më tej, ai e cilëson si shekull i Motit të Madh të qëndresës arbërore, ku thekson se në shekullin XV çekët qenë të organizuar në shtetin e Bohemisë.
“Zhvillimet politike dhe shtetformuese patën ndjekur kurbën e zhvillimeve të Europës Qendrore dhe reflektonin ndikimet e Perandorisë së Shenjtë Romake me qendër në Vjenë.
Vendi është ndarë tradicionalisht në tri pjesë, përkatësisht Bohemia (Cechy) në perëndim, Moravia (Morava) në lindje dhe Silezia Çeke (Slezsko; pjesa më e vogël jug-lindore e Silezisë historike, shumica e të cilave ndodhen brenda Polonisë moderne) në verilindje. Të njohura si tokat e Kurorës Bohemiane, që nga shekulli XIV, janë përdorur një numër emrash të tjerë për vendin: tokat Çeke / Bohemiane, Kurora Bohemiane, Çekia dhe tokat e Kurorës së Shën Ëenceslas-it. Dukati i Bohemisë u shfaq në fund të shekullit të 9-të, kur u unifikua nga dinastia Premyslid. Nga viti 1002 deri në vitin 1806, Bohemia qe një shtet perandorak i Perandorisë së Shenjtë Romake.”-shkruan dr. Koçi.
Duke u përfshirë në gjithë këtë kontekst historik, libri “Çekët dhe shqiptarët. Kryqëzimet historike, kulturore dhe diplomatike ndër shekuj” nis me kontaktet e para të Bohemisë me arbërit, që e kanë zanafillën në betejat që Janosh Huaniadi ndërmori në jug të Europës për të ndalur vërshimet osmane.
Dorian Koçi vë në dukje përmes këtij libri se trupat bohemiane filluan të marrin pjesë në të gjitha betejat e udhëhequra nga Janosh Huniadi për të mbrojtur Europën nga invazioni osman, si dhe në ekskursionet e tij në Serbi e Bullgari për të dëbuar osmanët nga Ballkani.
“Është pikërisht ky moment, kur ka gjasa që arbrit dhe udhëheqësi i tyre Skënderbeu ranë në kontakt me trupat bohemiane. Në një kohë, kur pozitat e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, në Shqipëri, filluan të forcoheshin gjithnjë e më shumë, suksesi i tij do të ndikohej natyrisht edhe prej ndërmarrjeve të mëtejshme kundër turqve në vitin 1444, në Varna.
Kjo na bënë të kuptojmë se në një periudhë kulmore të historisë së Europës, dy popuj çekët e shqiptarët kanë gjetur gjuhën e komunikimit të ndërsjellët, siç kuptohet në mënyrë të natyrshme dhe pa gjasa kthimi pas. “-shkruan dr. Koçi.
Analizën e këtyre marrëdhënieve, autori i librit dr. Koçi e bën, jo vetëm në sferën e dukurive diplomatike e politike, por edhe nga pozitat gjeografike, që kanë ndikuar në krijimin e një simbioze të larmishme kulturore, ku bota sllave, katolicizmi, husizmi, reformizmi e bota gjermanike do të bashkoheshin në një identitet të veçantë kulturor bohem, që do të kontribuonte në larushinë e identiteteve kulturore të disafishta të Europës Qendrore.
Gjurmimet e këtyre fenomeneve janë një risi e dr. Koçit në aspektin metodik të studimit, ku lehtësisht mund të ndeshësh në teza kërkimore shkencore, sepse vetë distancat në kohë të pikëtakimeve historike, gjeografike dhe kulturore mes popujve kanë sjellë larminë e identiteteve kulturore, dhe jo vetëm kulturore.
Dr. Dorian Koçi pasi përshkruan me datime korrekte dhe të bazuara në fakte rrugëtimin historik të marrëdhënieve shqiptare-çeke, arrin në përfundimin se gjithsesi, pavarësisht trajektoreve të ndryshme të shtetformimit dhe qendrave administrative, prej nga ndikoheshin në shekullin XV, në kuadër të rrezikut otoman që po kërcënonte Europën, arbrit dhe çekët do të vendosnin kontakte të tërthorta në koalicionet e mëdha antiosmane.
Koçi argumenton se pas betejave të Maricës, 1371, Fushë-Kosovës, 1389 dhe Varnës, 1444, rrugët ishin hapur për një depërtim konsekuent të osmanëve në Europën Lindore, pothuajse periodik në fushatat pushtuese, që organizonin në çdo fillim pranvere.
“Ledhi i parë mbrojtës i Europës qe Hungaria e Janosh Huniadit, rruga kryesore prej nga osmanët depërtonin në Europë. Ndërsa prej vitit 1444, një prapavijë e rrezikshme për ta qenë dhe territoret, që zotëronte Skënderbeu në Arbëri. Skënderbeu dhe qëndresa e tij ishin kthyer tashmë në referenca të rëndësishme për fatin e Europës dhe kjo gjë, jo vetëm që rriste rolin e tij në elitën princërore europiane, por shërbeu shumë më vonë si kredenciale e admirueshme e shqiptarëve në fatet politike dhe kulturore të kontinentit. Figura e Gjergj Kastriotit ka qenë në qendër të vëmendjes edhe të opinionit publik europian. Atij i është kushtuar literaturë e shumëllojtë dhe shumëgjuhëshe. Shembulli i Skënderbeut ka qenë burim frymëzimi për mobilizimin e popujve në luftën kundër rrezikut osman. Në radhët e popujve të Europës Qendore, që kontribuuan për mbrojtjen e Shqipërisë, të Europës së Mesme dhe asaj Juglindore kundër agresionit osman në vitet ‘30-’60 të shekullit XV, nuk kanë munguar as forcat çeke, as eksperienca ushtarake, as edhe armët bashkëkohore çeke. Por s’duhet lënë mënjanë edhe fakti, që tradita e luftës heroike të popullit nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut si në vende të tjera, ashtu edhe në territorin bohem, shekuj me radhë ka qenë e gjallë dhe ka çuar drejtpërsëdrejti ose edhe tërthorazi në përpjekje për arritjen dhe forcimin e lirisë dhe të pavarësisë çekosllovake.
Dr. Koçi i qaset objektit të kërkimit duke sjellë së pari argumente për praninë e trupave boheme në Ballkan, që ligjëron edhe kontaktet e tyre me arbrit. Sipas tij prania e parë e trupave bohemiane në Ballkan përkon pikërisht me betejën e Lipianit në 1434-n, të cilat shquheshin për taktikën e tyre të veçantë për të luftuar në kështjella të ndërtuara me qerre.
“Ushtritë husite të Bohemisë, të armatosura me armët e tyre të sprovuara dhe të pajisura me kështjella të famshme, të përbëra prej qerresh ishin në gjendje të tregonin haptazi sa të forta janë elementet popullore dhe taktika e tyre në luftë shpeshherë me një armik shumë më të madh në numër. Ato luajtën një rol vendimtar për mbrojtjen e këtyre dy vendeve, Polonisë dhe Hungarisë.”, shkruan dr. Koçi.
Përmes një kërkimi të shumëfishtë dokumentar, dr. Dorian Koçi depërton nëpër të gjitha labirintet e ndërkomunikimit historik mes dy kombeve, duke hedhur dritë mbi një faktor historik të lënë në hije.
“Trupat bohemiane filluan të marrin pjesë në të gjitha betejat e udhëhequra nga Janosh Huniadi në mbrojten e digës së Danubit për të mbrojtur Europën nga invazioni osman, si dhe në ekskursionet e tij në Serbi e Bullgari për të dëbuar osmanët nga Ballkani. Është pikërisht ky moment, kur ka gjasa që arbërit dhe udhëheqësi i tyre Skënderbeu ranë në kontakt me trupat bohemiane. Në një kohë, kur pozitat e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut në Shqipëri filluan të forcoheshin gjithnjë e më shumë, suksesi i tij do të ndikohej natyrisht edhe prej ndërmarrjeve të mëtejshme kundër turqve në vitin 1444, në Varna. Në atë betejë, meqë mungonin trupa ndihmëse nga Europa Perëndimore, përveç polakëve dhe hungarezëve, morën pjesë mercenarë nga Bohemia. Burimet përmendin ndër to këta komandantë grupesh: Adam Budovec nga Budovi, I cili u vra në luftën e Varnës, Jan Çapeku nga Sani. Ka mundësi të ketë qenë edhe Janiku nga Meçkovi. Edhe në fushatën e re, në vitin 1444, çekët kanë marrë pjesë me shumicë, siç dëshmon numri i madh i kështjellave prej qerresh: mbi 2000.” –shkruan Koçi.
Dr.Koçi nuk i përjashton mundësitë e marrëdhënieve diplomatike të Skënderbeut me Mbretërinë Polake.
Pavarësisht pamjaftueshmërisë së të dhënave dokumentare të ruajtura në arkiva, duke iu drejtuar një literature par excellence, siç është “Historia e Skënderbeut”, e shkruar nga Marin Barleti në gjuhën latine (botuar gjatë viteve 1508-1510), dëshmohet qartë se në përplasjen e mëvonshme të trupave hungarezo-polake me osmanët në Fushë-Kosovë më 1448-n, morën pjesë sërish edhe trupat bohemiane.
“Në betejën e Kosovës në tetor 1448, ushtria e Huniadit, në të cilën bënin pjesë edhe trupat boheme, u thye prej fuqisë turke. Në lidhje me këtë po përmendim raportin e historiografit bizantin Halkokondilit, I cili na tregon se mercenarët bohemë në fushën e Kosovës luftuan me trimëri të madhe më 1448, aq sa gjatë tri ditëve luftë, u mbrojtën në kështjellat e tyre prej qerresh, derisa më në fund, në një luftë gjoks me gjoks, u vranë të gjithë prej jeniçerëve.”-argumenton dr. Koçi.
Ai thekson se pavarësisht se në dokumentacionin historik nuk ka gjurmë të kontakteve diplomatike të drejtpërdrejta të Skënderbeut me diplomacinë bohemiane, rreshtimi që kjo e fundit bëri në kuadër të Perandorisë së Shenjtë Romake me qendër në Vjenë në shekullin XVI-XVII e më vonë bëri të mundur që jehona e aksionit politik dhe e qëndresës arbërore të ndihej në botën kulturore e politike të Bohemisë.
Mandej, të renditësh në zinxhirin e marrëdhënieve edhe këtë fakt kulturor, kupton se pikat e kontaktit të botës çeke me atë arbërore nuk janë sporadike, por kanë një linjë e zhdërvjelltë komunikimi.
Dr. Dorian Koçi argumenton se vepra e Barletit që hedh dritë mbi veprat e përmendura të Heroit shqiptar bëhet burim I zbulimit të lajmit të një letërkëmbimi midis Vladislav Varnjençikut dhe Skënderbeut, që u përkthye në polonisht prej Ciprijanit, nga Seraxa dhe u botua në Brest në vitin 1569. Kjo vepër mbante titullin shumë të bukur: “Historia e jetës dhe e veprave fisnike të Gjergj Kastriotit, të cilin zakonisht e thërrasin Skënderbe” (polonisht: Historia e Zywoice i zacnych sprawach Jerzego Kastryote, ktogo pospolicie Slanderbegien zowia).
Pikërisht kjo ka qenë rruga e zbulimit të kontakteve të botës arbërore me atë çeke nga historian Dorian Koçi: nga betejat e lavdishme në mbrojtje të qytetërimit europian, tek komunikimi elitar kulturor, siç do të ishte edhe vepra historike e Marin Barletit, jo vetëm e përkthyer dhe e botuar formalisht, por edhe e interpretuar në formën e një adhurimi të pazakontë për Heroin Kombëtar të shqiptarëve.
Prej këtij studimi mund të burojë fare qartë edhe një mesazh: Shqiptarët e çekët kanë qenë dy popuj miq, që në gjithë kuadrin e marrëdhënieve të tyre janë të destinuar vetëm për të qenë gjithmonë miq.