Kreu Letërsi Bibliotekë Lirika nga Roland Gjoza

Lirika nga Roland Gjoza

IA ÇMONTOVA TRUPIN

ia çmontova tupin
të shikoja ç’kishte ndryshe prej meje
ajo rrinte dhe më kqyrte e habitur
me dy sy kafe të errët në duart e mia
zemra aty i rrihte
e kuqe
si imja
të gjitha të tjerat
si të miat
ku ishte magjia?
ia montova përsëri trupin
duhet t’i çmontoja shpirtin
m’u desh të mësoja gjuhën e hijeve
çmontova hijet
njëlloj si të mijat
ku ishte magjia?
çmontim dhe montim
arrita te dashuria.

E KUSH E MBAJTI FJALËN?

do dal për gjah
të vras mesnatat
bashkë me hënën e plotë të majit
bashkë me detet në zbaticë
që kanë hyrë në një trivargësh haiku
bashkë me vilarët blu të jargavanëve
mbi portat me iniciale
bashkë me urat
plot me dryna të kyçur të dashuruarish
që çelësat i hodhën në lumë
e kush e mbajti fjalën?
do dal për gjah
me një pushkë të gjatë në krah
të vras mesnatat
ëndrrat me porta të hapura
se vjen ajo sërish
pas infarktit të tretë
më bën me infarkt të katërt
do vras mesnatat
më parë do shkoj nga urat
të hap drynat
me një çelës kopil
të dashuruarit të dashurojnë përsëri

KAM MBETUR VETËM FILLIKAT

kam mbetur vetëm fillikat
më vetëm se vetëm
as mish, as skelet
shpirtin e harxhova në letër
s’jam as erë, as ajër, as pemë
ndoshta fjalë e humbur në hapësirë
po sytë i kam, vetëm sytë
dhe shoh një kometë që zbret
bishtin e gjatë e mbaj unë
është një kometë veshur nuse
zbret prej blusë të shkojë në blunë e deteve
dhe unë jam një shoqërues
zbresim e zbresim, tani s’jam vetëm
dhe kam një ndjesi prej dashnori hajdut
zë dhe i bëj korte si një parvenu
ende pa ia parë fytyrën dhe hiret pa ia parë
urra! s’jam vetëm, paçka se fjalë kam mbetur
as mish, as skelet, po as shpirt, vetëm sy
por ndiej sikur të isha trup
të dua, të dua, i them, të dua, kometë
dhe si një hajdut e vjedh
me kometën jam martuar,
fjala e humbur në hapësirë
lind kometa të tjera blu

S’E KAM FAJIN UNË

ti më ndjen kur të vijë tinëz
dhe të shtyp në brinjë
s’e kam fajin unë
dy oqeane na ndajnë
dhe po ai qiell është për të dy
prandaj ndodh kjo mrekulli
jo prej largësisë
po prej shpirtit
asgjë s’do të ndodhë sigurisht
edhe në qoftë se t’i prek gjinjtë
dhe nga gjumi të zgjoj
s’e kam fajin unë
janë ndjenjat që luajnë
edhe në qoftë se ti drithëron
dhe pëshpërit; mos, mos..
gishtërinjtë e mi të gjatë të shkasin nëpër kofshë
pastaj atje
atje
afrohen e të ngacmojnë
me ngulm prej të çmenduri
s’e kam fajin unë
edhe në qoftë se ti trallisesh në një orgazmë pa fund
një lëng veshtullor
ngjitës
të kullon poshtë dhe të tërbon
më ndjen me llahtarë si të depërtoj
s’e kam fajin unë
mos më mallko
për netët pa gjumë
për mëkatin pa gjurmë
më kap po munde
thirr policinë
po edhe ti e di
s’e kam fajin unë

PUTHJA

elektrike është puthja, prej saj
me dritë u mbush trupi
s’ndodh nga vërshimi i lumenjve
mbi diga
mjaftojnë dy buzë që bashkohen

e kopjoi edisoni!

s’është llamba e tij që ndriçon netve
s’vjen prej hidrocentraleve, centraleve atomikë
drita
po prej puthjeve

mos e shuani!

DHE UNË BIE NË DASHURI

31 tetor 2014, halluin
dhe unë bie në dashuri
me të gjithë të vdekurit që kanë mbushur Nju Jorkun
të gjallët kanë ikur
të vdekurit varret braktisin
një herë në vit kjo ndodh
në tetor
kur ata ringjallen
dhe unë dal me një maskë të Edgar Allan Po
jo për festën
po për Euridikën time që e kërkoj nëpër avenjutë dhe stritet
sonte të gjitha femrat janë euridike
dhe të gjithë meshkujt orfe
vetem unë edgar allan po-e
jo, s’më kishte vajtur ndërmend se në broduej
do të shihja një vajzë me flokë të verdhë ku binte dëborë me pllaze të mëdhenj
me sy blu ku dyndej errësira me njëmijë hëna
që mbante në duar detet e veriut në kohen e agimit boreal
ajo vinte drejt meje e hareshme dhe thërriste; jam annabel lee
eja me mua në rrafshnaltën me dëborë
poshtë është oqeani blu dhe kasollja jonë me rrota
eja ta shtyjme dhe të shkojmë përgjithmonë
kërkoja euridikën e deteve të mesdheut dhe gjeta annabel lee
në detet e veriut ku dashuria kishte rrota
dhe nata kishte rrota
me rrota dhe kasollja
shkuam përgjithmonë dhe ishte 31 tetor
2014

Ç’JANË KËTO FLAKË NË DËBORË

ç’janë këto flakë në dëborë
që e djegin
e bëjnë shkrumb
flakë që pështillen si lianë në mishin tënd të bardhë si kristal
e bëjnë më të ri
e bëjnë më të bukur
në mishin tim flakërojnë me njëmijë brirë djajsh
bën diell me flakë
bën vjeshtë me brinjë të shqyera
nga një dorë barbare
nga një dorë ledhatare
nga një dorë sensuale
me zemrat përjashta që pikojnë gjak
jo vetëm një brinjë
po të gjitha brinjët u bënë eva
se kështu vjen pranvera
me femra prej poleni në ajër
që i bëjnë meshkujt të lulëzojnë
me aroma që ende s’ekzistojnë
me ngjyra që ende s’i njohim
dhe kaq fort kundërmojnë
sa të gjithë parfumet
e l’acoste dhe kristian dor
dhe i këputin me dhëmbë
dhe iu marrin erë me zemër
dhe iu copëtojnë shpirtin me përkëdhelje
dhe mishin ua shqyejnë si hijena
femrat
të gjitha janë eva
s’ka më adamë
do të shkruhet bibla e re
zoti s’do të thotë të bëhet dritë
po të bëhet femër!

PO DAL, THASHË

po dal, thashë
jashtë vetëm zogj kishte
dhe drurë
pastaj dolën ketrat në lirishtë
dhe xixëllonjat kandileve iu këputën flakët e akullta
dhe i tundën për të verbërit në errësirë
sa kohë kishte shkuar pa menduar për ty
ku e paskam patur mendjen?
një flutur e madhe tund brirthët e gjatë dhe lëviz krahët sikur fërkon yjet
dhe kalamendet
si e dehur me verë
e ndjek si një parandjenjë
si një flirt qe shkoi
të kisha harruar për një kohë kur u mora me shkrime
po ja, prap m’u kujtove
sa herë jam vetëm
dhe xixëllonjat flakë akulli këpusin prej kandileve
dhe ketrat vrapojnë me shpejtësinë e hijeve
kur i ndriçojnë dritat e makinave
pse m’u kujtove sonte?
diçka ka ndodhur se dhe era vjen prej larg si soprano
suvalë e oqeanit brigje të largët mbulon me sajnë dhe shkumë
dhe retë dynden prej pafundesisë me një aromë shiu që ende ështe frut
ndoshta dhe ti mendon për mua
po s’të dhemb as kujtimi
jam mashkull
një brinjë ma kanë shkulur
dhimbje ndiej më shumë
kush u dashurua dhe nuk u trishtua në fund?
rri dhe mendoj për ty
sikur kjo është kinemaja
sikur kjo është opera
edhe po të mos vish
edhe po të mos shoh më kurrë
rri dhe mendoj për ty

KRIPËN S’E KANË DETET

kripën s’e kanë detet
kripën e ka gruaja
pse i këndoi euridikës orfeu
dhe petrarka laurës
dante beates?
kripën e ka gruaja
ajo është deti i lakmuar
pse nuk i këndoi euridika orfeut
laura petrarkës
beate dantes?
burrat janë barka
shkojnë nga deti në det të shijojnë kripën e bekuar
shkojnë larg
detet rrinë në vend
e ka kot verdi me dona mobile
dhe kur brigjet braktisen varg e vistër
fajin e kanë barkat
që lakmojnë kripën
pse nuk i këndoi euridika orfeut
laura petrarkës
beate dantes?
sepse s’ishin barka, po dete
a ka ndodhur ndonjëherë që të këndojë deti për poetin?
kripën e ka gruaja
kjo është çështje e ndërlikuar
kështu thotë dhe shekspiri

ASGJË NUK NDODHI ME NE

asgjë nuk ndodhi me ne
asgjë e rëndësishme
veç trëndafila këputëm
dhe iu morëm erë
u lagëm në shi
dhe me topa bore luajtëm
pastaj unë te kushtova një poezi të vogël
që ti e mbajte në kutinë e bizhuve
ku kishe vetëm një gjerdan me gurë te rremtë
dhe asgjë më
ç’të kujtoj tjetër?
prandaj e pritëm të qetë humbjen e rinisë
dhe kthimin e fletës së fundit të biblës sonë
apokalipsin e moshës që mori hijen e ciklonit
ah, harrova
dhe një tjetër poezi të vogël të kushtova
për bukurinë që s’të humbi pothuajse
ndonëse mori rrudha
dhe flokun e thinjur ta leu me platin
dhe buzët me të kuq
bashkë
gati gjashtëdhjetë vjet pa u penduar
pa bërë faje të rënda
tani rrimë përballë njëri-tjetrit si dy perëndime të shuar
se fjalët na kanë shkuar si shtergë madhështorë
në vendet e ngrohta të kujtimeve
ç’ka mbetur tjetër?
sa herë ke ditëlindjen unë harroj të dhuroj një buqetë me margarita
ti nuk harron kurrë
të më japësh një të puthur
prej ndjenjës prap lot të nxjerr syri
dhe një sekret të fundit
ju lutem, mos ia thoni
unë jam si një zjarr në rrafshinën me dëborë të vjetër
ajo ende më thotë të dua

MOS I HIQ TË GJITHA

mos i hiq të gjitha
të gjitha mos i hiq, lëre mbrëmjen përjashta të bjerë
dhe hënën të kalojë midis kofshëve të gjata
dhe mos e hiq oqeanin që largohet
as manhattanin që duket si një kupë me lapsa
eja me gjithë reklama
se ty të shkon shkëlqimi
të gjitha mos i hiq
eja dhe bjer mbi mua
me gjithë botën përjashta
të bëjmë dashuri universale
në një shtrat kozmik

Exit mobile version