Kreu Opinion Lili Sula: Studentët e letërsisë në Ditën Botërore të Librit

Lili Sula: Studentët e letërsisë në Ditën Botërore të Librit

Departamenti i Letërsisë i Universitetit të Tiranës kremton në të 12 vit Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit përmes veprimtarish që përcjellin vlerën e librit në transmetimin e dijes e të kënaqësisë së leximit.

Ky vit erdhi ndryshe, na munguan auditorët, na mungoi një pjesë e veprimtarive që hijeshonin ambientet e brendshme e të jashtme të Fakultetit për çdo 23 Prill e që e shndërronin atë në ditë feste për studentë e pedagogë. Por pikërisht këtë vit akademik, me ngjarje e situata të pazakonta, që do të mjaftonin për të mbushur me dëshpërim edhe një jetë të gjatë njerëzore, nuk mund ta linim pa u takuar, aq më tepër kur ishin të parët studentët që u interesuan për veprimtaritë e Ditës së Librit dhe ishin plot ide.

Të bindur se sot është shumë më e nevojshme për të zhvilluar veprimtari me studentët e njëherësh me bindjen se u takon studentëve të Letërsisë të jenë në qendër të saj, mbështetëm idetë e tyre.

Prej vitesh Festivali i krijimit letrar është pjesë e pandarë e veprimtarive të Departamentit të Letërsisë. I ideuar dhe i organizuar nga vetë studentët, nën kujdesin e pedagogeve dhe poeteve, Viola Isufaj dhe Belfjore Qose, pjesëmarrësit transmetuan dashurinë për librin e letërsinë në përmasën më qenësore të saj, të shpirtit krijues. Festivali përshfaqi shpirtin krijues të studentëve në komunikim artistik të përbashkët, si dëshmi e përvojë e kreativitetit dhe talentit të tyre e si pjesë e traditës së studentëve të Degës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe, të Universitetit të Tiranës, prej të cilëve kanë spikatur personalitete të dijes albanologjike, studiues të mirënjohur të letërsisë, mësues të përkushtuar, shkrimtarë e poetë të shquar.

Këtë vit, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe të Leximit, që mbështet e inkurajon autorë të rinj, publikuam dy libra online: Festivali i Krijimit Letrar, 2017-2019 dhe Tinguj nga sirtarët, përmbledhje me studime nga studentët mbi Zef Zorbën. Synojmë që këto botime të ndiqen nga të tjerë për të vijuar traditën, që i takon studentëve të letrave të bukura, në publikimin e krijimeve të tyre.

Botimi i krijimeve të studentëve, Festivali i Krijimit Letrar: 2017-2019, përcjell një komunikim plot sensibilitet me misterin e krijimit, me gjurmë nga jeta studentore e formimi profesional, të mbushur me lexime të autorëve të famshëm të letërsisë sonë e asaj botërore, sa dhe me lexime vetjake. Ai vjen në këto kohë të pazakonta për të gjithë e frymon fuqinë e fjalës artistike kundër izolimit, mpak distancimin social ndërmjet nesh, duke na përcjellë dashurinë për letërsinë e leximin përmes udhëtimit imagjinar nga jeta e përditshme e studentëve, te raportet e tyre intime, nga shqetësimet sociale të vërejtura me sy kritik, te pyetjet e mëdyshjet individuale në rrafsh meditativ e filozofik.

Në 100-vjetorin e lindjes së poetit Zef Zorba, një ndër më të mirëve poet të vargut modern të poezisë bashkëkohore, që i ka munguar gjatë lexuesit e letërsisë sonë, në shenjë mirënjohjeje e vlerësimi të pamatë për kontributin e tij në letrat shqipe, u botua libri Tinguj nga sirtarët. Profesoresha Viola Isufaj ka përgatitur për botim këtë përmbledhje studimore mbi krijimtarinë e poetit, e para e këtij lloji, me punime të studentëve të degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, që vjen si dëshmi e parë e dëshirës dhe vullnetit të tyre për punë kërkimore. Para pak vitesh, ajo bëri të mundur përfshirjen e veprës letrare të Zorbës në programin mësimor të lëndës së Poezisë Shqipe Bashkëkohore, për të vijuar me studimin e veprës së tij edhe me udhëheqjen e tezave të diplomave, duke iu qasur këtij poeti nga pikëvështrime të ndryshme e të thelluara. “Në gjysmën e dytë të një shekulli plot pështjellime politike, të cilat nuk lanë pa prekur e dëmtuar trungun e letërsisë shqipe, bëjnë jetë në errësi, për t’u shfaqur më pas, në dritë të plotë, këta poetë (M. Camaj, Z. Zorba – shën. im) me modelet më ekzemplare të shkrimit të poezisë moderne shqipe”, shprehet ajo nëpasthënien e librit. Studentët rrokin poetikën e veprës së poetit në marrëdhënie me hermetizmin (“Përkime e ndikime në poezinë e Zef Zorbës”, Marinela Hysenllari), me muzikën (“Marrëdhëniet muzikore në përmbledhjen poetike Buzë të ngrira në gaz”, Adriana B. Sadiku) dhe religjionin (“Kalvari i marrjes së kryqit: poezia Sa mirë, atëherë…”, Ledio Hala), për t’iu qasur shqipërimit të poetëve të mëdhenj italianë që na ka lënë poeti Zorba (A Silvia e G. Leopardit, në përkthimin e Z. Zorbës, Kristiana Mihani).


Një tjetër shprehje afiniteti për librin, letërsinë e leximin përcjell Vox Lettera 2020, që bashkoi studentët e Klubit të Dramës e pedagogët e Departamentit të Letërsisë, nën kujdesin e profesoreshë Erenestina Halilit. Në shenjë nderimi e respekti të jetës dhe krijimtarisë së autorëve tanë që kanë përvjetorë këtë vit: P. Bogdani, N. Frashëri, A. Z. Çajupi, Gjergj Fishta, Faik Konica, L. Skëndo, V. Prenushi, L. Shantoja, E. Koliqi, Z. Zorba, A. Pipa, M. Camaj, A. Pashku, F. Rreshpja , Xh, Spahiu, S. Hamiti, studentë e pedagogë përmes realizimit mbresëlënës të video-mesazhit, artikuluan fuqinë e komunikimit artistik përtej çdo distancimi social.

Lili Sula

Në ditën simbol të Librit dhe të së Drejtës së Autorit, Departamenti i Letërsisë, i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës bëri bashkë studentë e pedagogë në një realitet virtual, duke i zhvilluar veprimtaritë online në faqen e Fakultetit (të aksesueshme edhe në You Tube). Ai iu bashkua veprimtarive të UNESCO-s për Ditën e Librit 2020, e cila në këto kohë të turbullta për të gjithë thekson rolin e leximeve të përbashkëta për të ndihmuar njëri-tjetrin të dalim nga vetmia e për të krijuar ndjenjën e bashkësisë nën moton se “Librat kanë aftësinë unike për të na mësuar e argëtuar. Përmes autorëve, kulturave e botëve të ndryshme, ato janë mjet shtegtimi përtej përvojave tona personale e njëherësh mjet depërtimi në skutat më të thella të botës sonë të brendshme.”

Exit mobile version