Kreu Letërsi Shënime mbi libra Leonidha Mërtiri: Dimensioni i dhembshurisë dhe humanizmit në poezinë e Mero Bazes

Leonidha Mërtiri: Dimensioni i dhembshurisë dhe humanizmit në poezinë e Mero Bazes

Pasi lexon librin me poezi “Shi me baltë” të Mero Bazes, provon një ndjesi të çuditshme që të shoqëron ngrohtësisht dhe nuk të lë pa iu kthyer me të njëjtën dëshirë këtyre poezive përsëri. Dhe kjo ka arësyet e veta. Sepse trupi i secilës prej tyre është skalitur me një ngrohtësi të rrallë, që buron natyrshëm në tërë qënien e vetë nga gjithçka e përjetuar.

Publicisti dhe gazetari i njohur Mero Baze, i dashur dhe i kërkuar nga lexuesi për editorialet e përditshme dhe shkrime të tjera, na befason këtë radhë dhe me poezitë e veta, të mbledhura me kujdes në “Shi me baltë”. Autori i poezive të hershme, si gjimnazist dhe student, botuar në gazetën “Studenti” dhe “Zëri i Rinisë” apo në librin e viteve të shkuar “Jug”, tani vjen me këtë libër dinjitoz, ku çdo varg e strofë të futin në një botë të shumëdëshiruar, poezi të vërteta nga një zë i veçantë, që i jep impulse reale poezisë sonë.

Pas kësaj, pyetja legjitime: Përse iu vonuan ato lexuesit, në këtë heshtje të gjatë, teksa qëndronin në habitatin e tyre? Kështu, publicistika e Mero Bazes ka qënë pranë e pranë poezisë që prushëronte për të dalë në dritë denjësisht këto ditë, për ta shijuar me tërë forcën këtë dhuratë të mrekullueshme që i bëhet lexuesit. Ndërkohë, kemi të drejtë të pohojmë, se kjo befasi e bukur na shton optimizmin për poezinë e sotme shqipe, por dhe për atë që “Shi me baltë” radhitet me dinjitet krah atyre të poetëve më në zë, në fondin më të mirë të poezisë së sotme shqipe. Dhe pse ka poezi të shkruara në vite, ato vinë të freskëta, natyrshëm, me sensibilitet të admirueshëm.

Pa u ndalur në vlerat reale të gjithanshme të librit, për të cilat me të drejtë është folur dhe shkruar, po i qëndroj një fakti tepër të rëndësishëm: Në të katër ciklet e librit ndihet një shpirt tepër i dhemshur, dhemshuri që bie në sy dhe bëhet objekt i këtyre mbresave, ku po ndalem shkurt dhe ku dashuria për Atdheun, për njerëzit e tij është majaja e mbrujtur në këto poezi.

Publicisti, gazetari Mero Baze, që fshikullon me editorialet, shkrimet e veta anët negative në jetën tonë të përditshme, aferat e ndryshme kudo dhe te kushdo që shfaqen apo lartëson e promovon ato çka vendin tonë e rritin, në poezitë e tij ndjen dhembjen e thellë për braktisjen e fshatit të vetë, të vendit në tërësi, me dashurinë e madhe për ta. Jugu i bukur, por mbetur pa njerëz. Atdheun, me të cilin Mero Baze është lidhur pazgjidhmërisht, ndryshe nga të tjerët, duke ia ndjerë nga afër pulsin në çdo hap, nuk e idealizon atë, por jep frymëmarrjen reale të tij në rrugën e tranzicionit. Të prekshëm kjo dhembje që dhemb dhe ky shqetësim tek sheh që “…Atdheu rritet pa pasur të vegjël/, Ngre shtëpi si prind me shumë fëmijë./Edhe pse vatrat bosh kanë mbetur/,Dhe askush s’e di kush do rrijë…”. Apo tek sheh portat e mbetura pa shtëpi, ndërsa, siç thotë poeti,“…rri vras mendjen, si është e mundur/, që portat e drunjta mbijetojnë si hekur/, dhe oxhakët rrinë-kokalla mbi gërmadha/, të vetmet gjymtyrë të kufomës pa tretur/. Dhe më tej tablloja ndriçohet qartazi dhe ndjen tonet optimiste përmes një figuracioni ekselent kur autori thotë se “…kuptoj pak nga pak kush vdes në fund/, kur vdekja merr vërtetë një jetë, një njeri/, portat ruajnë skeletin e jetës së fikur/, oxhakët shpresën të ndizen përsëri”.

Tronditëse dhe dallgë të forta emocionesh sjellin poezitë për humbjen e njerëzve të dashur, të nënës dhe babait, por dhe të shokëve dhe miqve, të bashkëfshatarëve. Kuptohet. Këto poezi nuk mund të mos ishin fryt i një shpirti të ndjeshëm. Njerëzor, ku humanizmi ngërthehet organikisht. Pas kësaj, dhe shpirt të gurtë të kesh, lexuesi nuk mund të mos  përfshihet nga një përjetim i thellë.

Kështu, libri flet për pjekurinë artistike të autorit, si mjeshtër i fjalës dhe vargut të rimuar, i përdorimit të figurave letrare, sidomos metaforës, por dhe krahasimit, aliteracionit etj, duke i dhënë poezisë së tij të shumëpritur origjinalitet të veçantë.

Duke përsëritur vlerësimin e poetit të njohur Ilirian Zhupa, bashkohem me bindjen, se “pavarësisht nga zejet e shumta, me fjalën që ushtron, poezia është dhe mbetet për Mero Bazen “thembra e Akilit”. Një poezi e vërtetë.

Exit mobile version