Kreu Letërsi Shënime mbi libra Lejla Abdullah: Errësira sundon jashtë hekurave

Lejla Abdullah: Errësira sundon jashtë hekurave

Shënime mbi romanin e Besnik Mustafaj “Një sagë e vogël”, botuar në suplementin kulturor të gazetës “Al – Araby”, më 9 mars 2022

Lexuesi zbulon se burgu, që duket si vend, në romanin e shqiptarit Besnik Mustafaj “Një sagë e vogël” nuk është thjesht një vend. Romani, i botuar nga “Al-Aan”, botues dhe shpërndarës, me përkthimin e Ibrahim Fadlullah nga shqipja, trajton ndryshimet e thella psikologjike, që i shkakton burgu të burgosurit, gardianit dhe familjeve të tyre.

Rrëfimi përbëhet nga tre libra, secili prej tyre shpalos një aspekt nga jeta në burg. Romani zbulon botën e errët të burgut dhe, nëpërmjet zbërthimit të padrejtësive, bëhet edhe zbërthimi i njeriut, të cilin e ka krijuar burgu. Ai lloj ndëshkimi nuk arrin të krijojë një njeri i ri dhe i shëruar. Romani nuk del jasht realitetit të egër dhe po kështu atij nuk i mungon shpresa dhe optimizmi.

Në librin e parë: Bardhyl Huta tregon historinë e babait të tij, Omer Huta. Është një rrëfim i mbrujtur nga gjyshi, Oso Huta, me kontradiktat midis të vërtetës dhe dhe të asaj që është e fshehur. Gjyshi, gjatë regjimit mbretëror, kishte qenë i burgosur politik. Omeri u rrit në dy etapa të ndryshme: e para shkon deri në moshën dymbëdhjetëvjecare. Kjo është një etapë, ku fantazia e tij krijon përfytyrimin për atë baba trim, i cili ka në gjoks një zemër dragoi; të babait, me të cilin lavdërohen të tjerët për heroizmat dhe trimëritë e tij. Ai është një burrë, që i kundërvihet shtetit, megjithëse i vockël në krahasim me shtetin e fuqishëm. Ky përfytyrim për babanë trim dhe të ndryshëm sa vjen e rritet në fantazinë e fëmijës, si një formë kompensimi për mungesën e babait në shtëpi. Në krahasim me fëmijët e tjerë, që jetonin nën kujdesin dhe mbrojtjen e baballarëve të tyre, Omeri kishte një baba ndryshe. Ky ndryshim ngjiz krenarinë e fëmijës, megjithëse është i detyruar të jetojë si të ishte një bonjak. Kur Omeri mësoi se babai i tij ishte në burg, iu ndez fantazia dhe vendosi që burgu të bëhet edhe fati i tij.

Burgu nuk është vetëm katër mure, por edhe ëndërrime e mendime

Por një ngjarje rutinë do ta shkatërrojë fëmijën. Kur, bashkë me nënën, vizitoi në burg babain, Oso Hutën, ai ishte në moshën dymbëdhjetëvjeçare. Ai vuri re se i ati s’ishte siç e kishte përfytyruar, por një burrë i dobët dhe i pafuqishëm, i poshtëruar deri në thellësi të shpirtit. Oso qan dhe përqafon djalin e tij, Omerin, i cili, nga ana e vet, ndjen neveri për babanë e tij të ligështuar. I shpërthejnë lotët dhe ikën prej tij, për t’u rritur pa të. Vite më vonë, kur do të jetë për veten e tij baba, ai do ta paralajmërojë të birin, Bardhylin, se po të binte në burg, nuk do shkonte ta shihte.

Siç vepron fantazia në jetën e fëmijës, po kështu vepron ajo edhe tek i burgosurit, i cili, në librin e dytë të romanit është vet Bardhyli. Ai ra në burgun shqiptar pasi vendi u bë Republikë Popullore Socialiste. Bardhyli rikthen jetën e gjyshit të tij pas gjashtëdhjetë vjetëve. Pas njëmbëdhjetë muajsh në burg, ai ka frikë të takojë të shoqen, Lindën. Fantazia e tij seksuale përflaket kur mendon për një takim me gruan e vet të ligjshme. Por fantazinë ia vranë dy paralajmërime: njëri prej shokut të tij në burg, që sheh se ai po shkon në takimin e premtuar dhe i thotë: ” O i gëzuar! Mos u gëzo”! dhe tjetri nga gardiani, i cili i kujton: ”Ruaje gozhdën në tru!”.

Ëndrrat poetike të të burgosurit transformohen kështu në një lloj holuçinacioni, që vazhdon gjatë gjithë kohës së takimit me gruan. Ai përfytyron të jetë i pranishëm bashkë me ta, në dhomën  e posaçme të takimeve brënda burgut, edhe polici, mbajtësi i uniformës ushtarake, gjë që e pengon atë të sillet normalish me gruan e vet. Shto edhe frikëra të tjera, që e brenin me ngulm trurin e tij, si ajo për Lindën, humbja e besimit në vetvete si dhe ajo miza, që i gumëzhinte vazhdimisht në vrimën e veshit. Të gjitha këto e penguan afrimin e Bardhylit me gruan e tij. Gjatë përçartjeve të tij pasqyrohet sa e madhe është dhuna, që aplikon shteti  kundër armiqve të vet. Kjo e shtyn Bardhylin të mendojë se ajo dhomë takimesh ishte përgatitur për takimin e babait me gjyshin e tij dhe për takimin e atij vet me gruan e tij. Por ajo tashmë ua kalon pajisjeve të tortures në burg. Kjo, sepse i burgosuri e kupton dhimbjen që e ka pllakosur, duke shkatërruar, në mënyrë të pandreqëshme, përfytyrimin e vjetër për të dashurit e tij.

Në librin e tretë të romanit “Një sagë e vogël” ngjarjet  zhvillohet jashtë tij. Për lexuesin bëhet e qartë se i gjithë romani shtjellohet rreth detyrës dhe përgjegjësisë. Shkrimtari tregon historinë e tre shembujve, që e japin këtë preambulë para botës. Kjo, sepse pas largimit të italianëve dhe në pritje të pushtimit të Shqipërisë nga gjermanët, organet e shtetit ishin inekzistente. Por, si gazetari, si gardiani ashtu dhe ushtaraku i dalë në pension mbeten besnik të përgjegjësive të tyre. Secili prej të treve është shembull i njeriut, të cilin e burgosin përjetë përgjegjësitë e tij. Burgu nuk është vetëm në kështjellë, por edhe në veprimet që njerëzit kryejnë gjatë jetës së tyre.

Shpërbërja e përvojës së burgut nuk do të thotë se njeriu del prej tij i shëruar

Linda tregon historinë e gjyshit të saj, Hyqmet Hidit, me qëllimin për të kuptuar kompleksin e nënës së saj për burgun, pasi ajo refuzoi martesën e vajzës së saj me Bardhylin. Ajo deshi ta martojë atë në një vend, ku s’kishte burg politik. Linda arrin tek historia e gjyshit: në kohën, kur italianët largohen, të burgosurit ikin nga kalaja-burg, duke marrë me vete gardianët, me qëllim që t’i ndëshkonin për keqtrajtimin që u kishin bërë. Por ata e lënë Hiqmet Hidin të lirë, sepse ai kishte qenë i mëshirshëm me ta. Në pritje të qeverisësve të rinj të Shqipërisë, gardiani Hidi nuk mund ta durojë burgun të zbrazur. Ai mbledh gurë dhe i mbyll nëpër biruca. Për këtë ai konsiderohet i çmendur, duke bërë me turp gruan dhe vajzën e tij, nënën e Lindës. Kjo pas një thashethemi, sipas të cilit, ai do t’i arrestonte të dyja për të bërë  një burg të vërtetë me njerëz të burgosur.

Në roman jepen shumë tregime rreth çasteve të fundit të Hiqmet Hidit në burg, para se t’i vinte fundi. Në vend të dhunës shtetërore, romani zbulon një lloj tjetër dhune: dhunën e njerëzve. Kemi aty historinë e një gazetari pa gazetë, e një luftëtari pa ushtri dhe e një të burgosuri pa qenë në burg. Në këto shembuj, që jetojnë me një punë në boshllëk, rrjedh shakaja e njerëzve, pas të cilës fshihet poshtërsia e tyre. Në pritje të ardhjes së nazistëve, përballë egërsisë së njerëzve dhe dhunës së tyre, që vijnë si pasojë e përvojave të këqia lidhur me aparatin shtetëror, mbeten pikëpyetjet e të çmendurit për përfundimin e diktaturës.

Nga errësira e burgut, vend i mbyllur, i cili përbën një laborator të pasur për çdo shkrimtar, Besnik Mustafaj transmeton pikëpyetjet për burgun, në mes të mureve të kalasë, tek të gjithë llojet e tjerë të burgjeve, duke filluar nga përfytyrimet e personazheve për veten e tyre dhe për të tjerët e duke përfunduar te përfytyrimet e ndryshme rreth burgut, që kanë të tjerët në mejdisin shoqëror, si dhe për arbitraritetin e tyre në fatin e njeriut. Ndërsa errësira e egër e burgut e merr errësirën e saj nga lidhjet që ka me mendimin dhe nga shkatërrimi që i bën njeriut nga brënda.

Përktheu nga origjinali:

Sulejman Tomçini

*Lejla Abdullah është shkrimtare dhe kritike letrare e njohur tuniziane.

Exit mobile version