Vonë në 1919, në një studio të mjerë në Paris me shishe vere të shpërndara, Amedeo Modigliani pikturoi një portret të trishtuar të të dashurës së tij 21-vjeçare, Jeanne Hébuterne. Disa muaj më vonë, më 24 janar 1920, artisti i varfër vdiq nga tuberkulozi menjingit në moshën 35-vjeçare. Mbrëmjen tjetër, Hébuterne, tetëmuajshe shtatzënë me fëmijën e tyre të dytë, u hodh drejt vdekjes nga dritarja e katit të pestë.
Gjatë jetës së vështirë dhe të shkurtër të Modigliani-t, çmimi për pikturat e tij elegante e çuditërisht të deformuara ishte më pak se $10, dhe kishte pak blerës. Një qiraxhi i cili i konfiskoi disa nga veprat në vend të qirasë dhe i përdori kanavacat për të arnuar një dyshek të vjetër. Nëntorin e 2004, një ofertues anonim te shtëpia e ankandeve Sotheby në NYC, pagoi $31.3 milionë për portretin e Hébuterne.
Një nga ironitë e shumta në karrierën e Modigliani-t është se një jetë kaq e torturuar mundi të prodhonte një punë kaq të qetë. Arti i tij arriti të bashkonte hendekun stilistik mes pikturës klasike italiane dhe modernizmin avantgard. Poeti francez Jean Cocteau, duke shkruar në 1959, rreth 40 vite pasi të dy kishin shëtitur kafenetë në Montparnasse të Parisit, e quajti Modigliani-n “gjeniun më të thjeshtë e fisnik për atë epokë heroike”. Gjithsesi, historitë e artit tradicional zor se e përmendin. Vepra e tij, si duket, është tepër e vështirë për t’u klasifikuar në kanonin e pikturave të shekullit të XX. Ndoshta, më e rëndësishmja, jeta e tij e gjallë e tragjike u ka bërë hije arritjeve të tija si artist.
“Modigliani në jetën e tij personale, është thuajse një karikaturë e piktorit të keqkuptuar bohemian,” thotë Tamar Garm, një historian arti në University College London. “Nëse Van Gogh është gjeniu i çmendur tipik, Modigliani është i alkoolizuari tipik me tuberkuloz.”
Një retrospektivë e Modiglianit (Phillips Collection, Washington D.C.) tenton ta anashkalojë reputacionin e tij si një përdorues droge i pashëm, dhe një kurvar dorëshpuar. Organizuar nga Jewish Museum në New York City, “Modigliani: Beyond the Myth” ofron një portret të artistit si një intelektual serioz e i disiplinuar, veçanëria si piktor e të cilit pasqyrohet në statusin e tij të huaj si një emigrant italian dhe një hebre në Francën katolike. (Përdorimi i fjalës “mit” është pak çorientues, sepse Modigliani vërtetë ishte një përdorues droge i pashëm, dhe një kurvar dorëshpuar.)
Amedeo Modigliani u lind në portin e Livornos në Toskanë më 12 korrik 1884. Ishte një djalë mamaje ëndërrimtar e i çmuar, më i vogli nga katër fëmijë, në një familje intelektualësh majtist. Babai i tij, një dështak në biznes, nuk qe i pranishëm në shumicën e fëmijërisë së Modigliani-t. Për t’ia dalë mbanë, mamaja e tij, Eugenia, hapi një shkollë në shtëpi, për të dhënë mësime frëngjishteje dhe anglishteje, mes lëndëve të tjera. Një fëmijë i sëmurë, Dedo, siç e thërisnin, pati disa periudha me pleurit dhe në moshën 14-vjeçare për pak vdiq nga edhet tifoide. Dy vite më vonë u diagnozua me tuberkuloz, i cili do ta vriste ngadalë gjatë njëzet viteve të ardhshme. Megjithëse fliste rrallë për gjendjen e tij, dukej i ndërgjegjshëm për shkurtësinë e kohës së tij. Më vonë, në Paris, do t’i deklaronte një miku, skulptorit lituanez Jacques Lipchitz, që mbi të gjitha kërkonte “une vie brève mais intense” (një jetë të shkurtër por intensive”).
Si riosh në Itali, u regjistrua në shkollët e artit në Livorno, Firence dhe Venecja, ku studioi me përkushtim pikturë akademike dhe vizatime të jetës. Ishte i mahnitur nga artistët e Rilindjes Italiane, një pasion që në Paris do ta veçonte nga kaq shumë bashkëmoshatarë militantë modernë. Megjithatë, ai donte të hapte terren të ri. Në moshën 17-vjeçare i shkruajti nga Venecia mikut të tij nga Livorno, Oscar Ghiglia: “Gjithmonë ngrije zërin dhe ec përpara. Njeriu i cili nuk mund të gjejë ambicie të reja dhe as një njeri të ri brenda vetes… nuk është njeri.” Ambiciet e tij e çuan në Francë. “Si artist,” pëlqente Modigliani të thoshte duke cituar Nietzche-n, “një njeri nuk ka shtëpi në Europë, përveç Parisit.”
Duke arritur aty në 1906 në moshën 21-vjeçare, Modigliani doli nga ndarja e klasit të dytë të trenit veshur me një kostum të zi dhe një pelerinë dramatike të zezë. Megjithëse i hollë, dukej më i gjatë se 167 cm, dhe e mbante veten si aristokrat. Në valixhe kishte një botim të vjetër të Dantes (të cilin kishte prirje ta recitonte përmendësh me zë të lartë, ditën apo natën) dhe një riprodhim të vogël të Dy kurtizanet, pikturë nga artisti rilindas venetikan Vittore Carpaccio, të cilin do ta ngjiste në muret e një vargu dhomash të pafundme me qira. Mori mjaftueshëm para nga mamaja për të jetuar pak muaj, nëse do të ishte i kujdesshëm. Por Modigliani nuk ishte kurrë i kujdesshëm.
Në Paris, zbuloi veprat e Renoir, Degas, Gauguin, dhe, ndër më të rinjtë, më radikalët, Matisse dhe Picasso. Cézanne veçanërisht ai e shqiptonte “të admirrrueshëm”, një nga mbiemrat e tij të parapëlqyer; kurdo që përmendej emri i Cézanne, ai nxirrte nga xhepi një riprodhim të Djali me jelek të kuq të piktorit dhe e puthte. Veprat e tij të hershme ishin të zymta, portrete të frymëzuara nga ekspresionistët me ngjyra gri-jeshile të aplikuara pa finesë dhe vijëzime të rënda shumë dukshëm të marra borxh nga Cézanne dhe Toulouse-Lautrec.
Modigliani mori shpejt pozën e bohemianit pompoz: frekuentonte shpesh vendet ku rrinin artistët në Montmartre dhe më vonë Montparnasse, vishte një shall mëndafshi me ngjyrë të ndezur të lidhur nyje në qafë në vend të kollares dhe i përgjigjej nofkës Modi, një lojë fjalësh me peintre maudit (piktor i mallkuar). Artisti rus, Chaim Soutine ishte një mik i ngushtë, dhe Maurice Utrillo, më vonë i famshëm për skenat e pikturuara të Montamartre, ishte shoqëruesi i tij i parapëlqyer për të pirë. Modigliani ishte mik dhe me Picasso-n, megjithëse nuk ishte pjesë e rrethit të tij të ngushtë. Picasso, i cili kishte pamjen e një punëtori me rrobat me arnuara dhe triko peshkatarësh, dukej sikur e kishte adhuruar garderobën e Modigliani-t më shumë se pikturat e tij; në nevojë për një kanavacë, njëherë pikturoi mbi një vepër të Modigliani-t që kishte blerë. Modigliani, nga ana tij, e vlerësonte gjeniun spanjoll por i tha një miku se talenti artistik nuk ishte justifikim për të mos u veshur mirë.
Për shumicën e jetës së tij, Modigliani u njoh më shumë si personazh se sa piktor. Rreth 40 vite pas vdekjes së tij, e bija, Jeanne Modigliani, shkroi se disa njerëz gati zaliteshin nga sjellja e tij sharmante dhe e kultivuar, ndërkohë që të tjerëve u dukej “një budalla i padurueshëm” dhe një “pijanec qejfprishësh i mërzitshëm”. (Jeanne, vetëm një foshnjë kur i vdiqën prindërit, u rrit nga halla në Itali. E njihte të atin vetëm nga intervistat, letrat e dokumente të tjera. Artiste dhe shkrimtare, vdiq në 1984 në moshën 66 vjeçare.)
Përkrahësi i parë i Modigliani-t ishte Paul Alexandre, një kirurg i ri dhe më vonë një tregtar që drejtonte një lloj kolonie arti me buxhet të ulët në një shtëpi të vjetër në Rue du Delta të Parisit.
Modigliani pikturonte aty pa qira dhe ia jepte kanavacet Alexandre-it për 10-20 franga secilën, dhe skicat për ndoshta 20 centima. Nuk ishte shumë, por doktori e linte artistin ta rimerrte veprën nëse mund të gjente një ofertë më të mira. Mes 1909 dhe 1913, Modigliani pikturoi tre portrete me bojë vaji të Alexandre-it. I pari ishte një portret tradicional me subjektin duke pozuar me dorën në bel. E fundit, të cilin artisti e pikturoi nga kujtesa e tij, është më dallueshëm “modiglianeske”, me penelatat e shpejta, fytyrën e zgjatur dhe sytë e bardhë që do të bëheshin marka e tij.
Modigliani kishte futur shtatë piktura me akuarela dhe bojra vaji në ekspozitën e Salon d’Automne në Paris në 1907 dhe pesë vepra në Salon des Indépendants në 1908, por tërhoqën pak vëmendje. Përveç Alexandre-it, askush nuk dukej i interesuar në artin e tij. I hidhëruar, e zhyti veten në gdhendje guri, frymëzuar pjesërisht nga skulptori rumun Constancin Brancusi, mik dhe komshi. Modigliani ishte i bindur se Rodin dhe ndjekësit e tij e kishin korruptuar skulpturën me mbështetjen e tepruar në argjil – “tepër baltë” – e quante ai. Skulptorët e vërtetë, deklaronte, gdhendin direkt nga guri. Për ta bërë këtë, ai vidhte copa guri gëlqeror nga kantieret e ndërtimit. Për një skulpturë të rastësishme në dru, merrte tranversa lisi nga linja e re e metrosë që po zgjerohej për në Montmartre.
Nga rreth 1909 deri 1914, megjithëse pluhuri i gurit i dobësonte mushkritë e brishta, Modigliani gdhendi një seri kokash guri të mëdha, shumë të stilizuara. Me hundët e tyre jashtëzakonisht të gjata dhe gojët e vogla të mbledhura, veprat masive kombinonin qetësinë e skulpturave të varrit të hershme të rilindjes me drithërimën ekzotike të monoliteve në Easter Island. Ai gjithashtu vizatonte dhe pikturonte kariatide – figura mbajtëse arkitekturale – gati si i fiksuar.
“Ndikimi i artit tribal, sidomos i skulpturës afrikane, te avantgardët në Paris gjatë kësaj periudhe nuk mund mbivlerësohet,” thotë Mason Klein, kurator te Jewish Museum, i cili beson se vetëdija e mprehtë e Modiglianit për veten si hebre (megjithëse nuk e praktikonte) dhe si i jashtëm e hapi kundrejt pasurisë të artit joperëndimor. “Nëse sheh skulpturën e tij,” thotë Klein, “sheh ndikimin jo vetëm të artit afrikan por artit Khmer dhe artin e Greqisë arkaike, Egjiptit dhe Romës antike. Sheh dhe një prani ikonike të artit bizantin.”
Fatkeqësisht, kokat e gdhendura të Modigliani-t ishin thjesht tepër të çuditshme për të tërhequr blerës. I përdorte si mbajtëse gjigande qirinjsh në studion e tij pa rafte ku shpesh flinte e punonte. Një bllok gëlqereje që e kishte transformuar në një kariatid të përkulur ishte tepër e rëndë për të që ta merrte nga toka boshe ku e gjeti dhe e gdhendi. Miqtë e tij e shpëtuan shpejt pas vdekjes së tij në 1920. Tani është në koleksionin e Museum of Modern Art në New York City.
“Skulptura e ndihmonte të mendonte se si mund t’i thjeshtosh format, si mund të tregosh thelbin e diçkaje duke përdorur mjetet më të thjeshta të mundshme,” thotë historiani i artit Tamar Garb. Kur Modigliani u rifokusua te piktura rreth 1914, vepra e tij kishte një energji dhe vetëbesim të ri.
Shumica e piktorëve që bën emër në fillim të shekullit XX morën pjesë në lëvizjet e reja me teoritë dhe manifestot e tyre: fauvizmin, futurizmin, e të tjera të ngjashme. “Modigliani ishte gjithmonë anomali,” thotë Klein. “Vepra e tij nuk përshtatet me kategoritë standarde të historisë së artit si ekspresionizmi apo kubizmi. Të mos pikturoje natyra të qeta dhe të ishe ekskluzivisht i përqendruar te portretet ishte shumë e pazakontë, në mos unike, në kohën e tij”. Por Modigliani ishte i lumtur të qëndronte mënjanë. Charles Beadle, një gazetar anglez i cili kontribuoi në biografinë e 1941 të Modigliani-t të titulluar Artist Quarter, e kishte njohur artistin në Paris rreth 1913. “Njëherë”, shkruan Beadle, “kur e pyeta si e quante ‘metodën’ e tij, ma ktheu me mendjemadhësi: ‘Modigliani! Kur një artisti i duhet t’i ngjitet një etiketë, ka humbur!”
Impulsiv dhe argumentues, Modigliani nuk kishte as prirjen as aftësitë shoqërore për të bërë portrete me pagesë. (Në një pikturë të hershme të një baroneshe franceze që gjuante dhelpra, ai e ndërroi xhaketën e kuqe flakë të gruas në të verdhë kanerine. E fyer, baronesha refuzoi ta paguante për pikturën.) Shumë nga subjektet e tij ishin miq ose të njohur. Portreti i ti për Jean Cocteau është një përziere e shkathët “e pamjes” markë të Modigliani-t – sy të papërputhshëm, hundë të shtrembëruar, kokë të zgjatur të balancuar mbi një qafë si bazament – dhe kryelartësinë e akullt të poetit. “E sheh Cocteau të ulur aty si perandor në karrigen si fron me një vetull të ngritur, i gatshëm për të përzënë vërejtjen idiote të ndokujt,” thotë Klein. Piktura ka elemente të karikaturës por nxjerr rëndesën e një portreti mbretëror.
Po aq zbuluese janë edhe pikturat e Modiglianit të Paul Guillaume, tregati i tij i parë serioz i artit. Në një portret të 1915, Guillaume duket elegant dhe me vetëbesim, me një mustaqe të vogël dhe një dorë me dorezë që po mban një cigare. “Modigliani shkroi ‘Novo Pilota’ poshtë figurës,” thotë Klein. “E shihte Guillaume si ‘Pilotin e ri’ të tijin, një anëtar i mençur i avantgardit i cili do t’i avanconte karrierën. Por sheh gjithashtu mosbesimin për këtë gjithçkanjohës kozmopolitan në mënyrën se si e ka theksuar animin mendjemadh të kokës, kostumin luksoz, cigaret, sikur Guillaume të ishte një tutor që shishte veprën e Modigliani-t.”
Sigurisht, janë interpretimet e stilizuara të grave melankolike e mospërfillëse të Modigliani-t që janë më të njohura sot. Por ajo që i bën portretet e tij të mbesin në mendjen e njerëzve është parehatia që mjegullon fytyrat e subjekteve të tij. “Të gjithë janë si fëmijë të lënduar, megjithëse disa prej këtyre fëmijëve kanë mjekër ose thinja,” shkroi romancieri rus Ilya Ehrenburg, i cili gjithashtu e kishte njohur artistin në Paris. “Besoj se Modiglianit, bota i dukej si një kopsht fëmijësh i madh që drejtohej nga të rritur të pasjellshëm.” Fëmija me pamje të brishtë që po shtrëngon duart te Vajzë e vogël me blu, në fakt, sapo e kanë qortuar. Artisi e kishte dërguar për një shishe verë, dhe ajo ishte kthyer me një limonatë.
Ndoshta parehatia reflektonte gjithashtu barrën e varfërisë së vetë Modigliani-t. Ai ishte përzënë nga një sërë dhomash në Montmartre dhe Montparnasse dhe flinte në hotele me një frangë nata, dhoma pritjeje në stacionet e trenit dhe ndërtesa të braktisura. Ai ia dilte, gjithsesi, të ruante elegancën e tij pavarësisht financave, dhe tërhoqi një numër të madh të dashurash, megjithëse lidhjet e tij prireshin të ishin të rrufeshme e të shkurtra. Ndryshe nga miqtë e tij artistë, ai refuzonte të punonte punë të ndryshme, megjithëse përpjekjet e tij për të shitur veprat e veta zakonisht përfundonin keq. Duke shkruar në 1925, piktori Maurice de Vlaminck kujtoi Modigliani-n që po i tregonte disa vizatime një tregtari që i kishte ardhur në studio: kur tregtari po kërkonte zbritje, “Modigliani, pa fjalë, mori pirgjet e letrave dhe i drejtoi me kujdes, bëri një vrimë mes gjithë pirgut, i vuri një pe në mes dhe i vari në banjë.”
Përveç disa shumave që ndonjëherë ia dërgonte mamaja nga Livorno, Modigliani mbijetone kryesisht me skica të shpejta të njerëzve në kafene të cilat i këmbente me monedha, një vakt, ose pije. Vlaminck kujtoi dinjitetin e rastësishëm të Modigliani-t teksa punonte te Café de la Rotonde: “Me një gjest milioneri e mbante letrën (në të cilën ndonjëherë shkonte aq larg sa firmoste emrin e tij) sikur të mbante një pagese me çek për dikë që sapo i kishte blerë një gotë uiski.”
Në 1916, Modigliani u miqësua me një tregtar arti me kohë të pjesshme të quajtur Leopold Zborowski, një emigrant polak dhe poet i vetë-stilizuar i cili ia doli t’i jepte artistit një pagë mujore të vogël në këmbim të dhënies së rregullt të pikturave. Marrëveshja nxiti shpirtin e piktorit si dhe të ardhurat e tij. Si pjesë e marrëveshjes, Zborowski i dha artistit një dhomë, ushqim, materiale për të punuar dhe hapësirë studioje, bashkë me qymyr për ta ngrohur. Qymyri doli thelbësor në dimrin e ftohtë të 1917, kur, me inkurajimin e Zborowski-t, Modigliani pikturoi një rresht nudosh të mëdha të cilat janë mes punëve më të pashlyeshme të artistit.
“Modiglian-i ishte një piktor thellësisht italian, dhe ishte qartësisht i interesuar në gjuhën e trupit, e cila është gjuha e artit italian,” thotë Griselda Pollock, një historiane arti te University of Leeds në Angli e cila shkroi për nudot në katalogun e ekspozitës për Jewish Museum. “Kur qëndron para disa nudove të Modigliani-t, bëhesh vërtet me turp duke qenë në praninë e një fiziku kaq të sinqertë. Por edhe pse njihet si burrë i pashëm me shumë dashnore, këto ishin kryesisht modele të punësuara nga Zborowski. Nuk i njihte.”
Zborowski çuditërisht shiti një nudo për treqind franga, por përgjithësisht ishin problematike. Francis Cardo, një mik shkrimtar i Modigliani-t, e bleu një për apartamentin e tij si beqar. “Mëngjesin tjetër”, kujtoi, “kur pastruesja erdhi për të rregulluar dhomën, gati ra e vdekur nga pamja e pikturës mbi shtrat.” Për shfaqjen e parë solo të Modigliani-t, te galeria Berthe Weill në Paris në dhjetor 1917, një nudo e madhe u vendos në vitrinën e dyqanit, matanë rrugës nga një stacion policie. Duke parë një turmë që po mblidhej në natën e hapjes, policia investigoi dhe urdhëroi që të hiqeshin gjithë nudot. Kur Weill kërkoi një shpjegim, inspektori turfulloi, “Ces nues… ils ont des p-p-poils!” (Këto nudo… kanë qime trupi!”) Shfaqja e planifikuar që prej një muaji u mbyll para se të fillonte zyrtarisht, megjithëse Weill ia doli të shiste dy vizatime. (Dyzet vite më vonë, gratë e Modigliani-t ishin ende duke rritur tensionin e gjakut. Autoritetet e postës në New York City e vlerësoi një prej kartolinave të GuggenheimMueseum me një nga nudot e shtrira të papërshtatshme për postën e SHBA në vitin 1950.)
Kur Modigliani takoi të dashurën e tij të fundit dhe më të përkushtuar, Jeanne Hébuterne, në 1917, ajo ishte një studente arti premtuese 19-vjeçare. U shpërngul menjëherë me të, duke lënë të tmerruar familjen e saj borgjeze që kishte marrë një artist të dështuar, hebre për më tepër. Çifti ndau një apartament të rrënuar në Rue de la Grande Chaumière ku, sipas një qiraxhiu të mëvonshëm, “mund të shihje rrezet e diellit që shkëlqenin përmes një pjese të murit”.
Hébuterne ishte e hollë me sy si bajame, fytyrë të zbehtë dhe gërsheta të gjata kafe të hapur. Ishte aq e përmbajtur sa gruaja e Zborowski-t, Hanka, më vonë nuk kujtonte t’i kishte dëgjuar ndonjëherë zërin. Modigliani e prezantonte si “më e dashura” e tij – një nofkë që mesa duket nuk e kishte përdor kurrë me gra të tjera – dhe iu betua me shkrim se do të martohej me të (megjithëse nuk e bëri kurrë). Dashuria e Hébuterne-s për Modigliani-n ishte me sa dukej pa kushte; ajo madje i falte të pirën dhe daljen nëpër klube.
Në 1918, me Parisin nën bombardimin Gjerman, Hébuterne shtatzënë dhe Modigliani me shëndetin e tij të brishtë që po i përkeqësohej, Zborowski organizoi një pushim artistik në Provence, për veten, familjen e tij, dhe një grup artistësh (duke përfshirë Modigliani-n Hébuterne-n), që zgjati gati një vit. Aty, paleta e Modigliani-t u bë më e ndezur dhe kompozimet e tij më të theksuara. Hébuterne lindi vajzën e tyre, Jeanne, në Nice, në 28 nëntor 1918. Në verën e 1919 ishte sërish shtatzënë. “Po shëndoshem dhe po bëhem qytetar i respektueshëm i Cagnes-sur-Mer,” i tha Modigliani i tmerruar një miku artist. “Do të kem dy fëmijë; është e pabesueshme. Është e pështirë”.
Arti i tij më në fund po vihej re. Atë verë, Modigliani dhe Utrillo ishin yjet e një ekspozite të rëndësishme në Londër. Romancieri dhe kritiku ndikues Arnold Bennett shkroi në katalogun e ekspozitës që portretet e Modigliani-t “kishin një ngjashmëri të dyshimtë me kryeveprat.”
Në një faqe të bllokut të skicave të tij, Modigliani zhgarraviti, “Një vit i ri. Këtu fillon një jetë e re.” Thotë kuratori Klein: “E shkroi këtë në Paris tre javë para se të vdiste. E dinte që po vdiste, por punoi deri në fund.” Modigliani-n ndoshta e zuri pneumonia. I dobët dhe i rraskapitur, u shemb në shtëpi dhe u çua pa ndjenja në një spital bamirësie, ku vdiq dy ditë më vonë.
Në funeralin e tij shkuan më të njohurit e botës së artit të Parisit: Picasso, Léger, Derain, Brancusi dhe qindra të tjerë. Në shërbimin e funeralit, vajtuesit raportuan se u ishin afruar tregtarë të etur për të blerë pikturat e Modigliani-t. Galeritë me veprat e tij në stok i dhjetëfishuan çmimet; blerësit i dhjetëfishuan sërish. Kopjet përmbytën tregun. Edhe zyrtarët e policisë ishin të etur për pikturat e tij. Mamaja dhe vëllezërit e motrat e Modigliani-t në Itali nuk përfituan kurrë – kishin pak, në mos asnjë, nga pikurat e tij. Trashëgimia e vetme e Jeanne-it katërmbëdhjetë muajshe ishte koleksioni i marrë për të nga miqtë artistë të babait.
Katër vite pas vdekjes së Modigliani-t, romancieri francez Michel Georges-Michel e bëri heroin tragjik të melodramës Les Montparnos, të cilën e vuri në skenë në operën La Bohème. Që atëherë, jeta e Modigliani-t është romantizuar në libra të tjerë, skena e filma, më së fundi një film nga shkrimtari-regjisor skocez Mick-Davis, luajtur nga Andy Garcia. Historiani kulturor Maurice Berger, i cili ka ekzaminuar reputacionin pas vdekjes të artistit thotë se Modigliani “nuk ka qenë kurrë i dashur nga historianët e artit modernist, të cilët e konsiderojnë jo dhe aq të rëndësishme veprën e tij, por publiku e ka dashur gjithmonë: elegancën, finesën, stilin. Dhe njerëzit gjithmonë e duan një histori të mirë.”
Marrë nga The Smithsonian Magazine
Përktheu Enxhi Hudhri