Kreu Letërsi Bibliotekë Lamtumirë, Dan Musliu

Lamtumirë, Dan Musliu

Ramadan Musliu

Ramadan Musliu (31.05. 1954-21.10.2020) Poet, gazetar dhe studjues. Studioi Letërsi dhe gjuhën shqipe në Fakultetin Filologjik të Universiteti i Prishtinës ku mbaroi edhe studimet pasuniveristare. Krijimtarinë letrare dhe publicitike (gazetareske) e filloi herët.
Ka botuar librat poetikë: “Parodia e trupit”, Prishtinë, 1981; “Shqisa e gjashtë”, Prishtinë, 1985; “Pasqyra e të rrëfyerit”, Prishtinë, 1987, “Kënga e sibilave”, Tiranë, 1996; “Në zemrën e gjërave”, Prishtinë, 2004.
Dhe librat studimorë: “Mbindërtimi poetik”, Prishtinë, 1990; “Konfiguracione narrative”, Tiranë, 1998; “Estetikja e dallueshme”, Prishtinë, 2005; “Ekskurs në letërsinë për fëmijë”, Shkup, 2010; “Tangjenta letrare”, Prishtinë, 2012; “Vetëripërtëritja e totalitarizmit”, Tiranë, libër publicistik, 1997.
Poezi të Ramadan Musliut janë botuar në disa gjuhë ballkanike dhe europiane.
Si përshpirtje për ikjen e Tij të parakohëshme në amëshim, po sjellim buketën e mëposhtëme poetike, zgjedhur nga libri i tij “Kënga e Sibilave”, Tiranë, 1996.

TYMI I NJË CIGAREJE

Cigarette tymojnë harresë
Gishtrinjtë
Pikojnë
Pikojnë ngjyrë jodi.

Kur bota doli nga tymi
Kanarinat e shqetësimit
Këndonin ëmbëlsisht
Në kafazin e kohës
Himnin e krijimit.

Ndjenja e dehur
Vallëzon shpuzës së botës
Hidhet e përdridhet
Si balerinë e vërtetë.

Të flemë e dashur
Mbasi këtë cigare
Ta thith deri në fund.


KOHA

Vjetshtë e vonë
Cila dorë I pikturoi arkeopterikset në vitrina
Kërminjtë e vreshtës në lulen e bajames
Koha është që qyqja të këndojë në orën e murit
Dhe të kumtojë se nuk ka më ujë në krua
Më kot Rina e mori shtambën në këtë kohë të vonë
Milosao më kurrë nuk do të vijë
Mbasi tërmet ran ë botë.


MEDITIM MBI BOTËN

Si deti në shishe bota kish furtunë
Shkumë e valëve çohet gjak e dhunë
Verbësia bie si pulëbardhë në valë
Hidhësi e vdekjes a jetës nëpër fjalë
Ngjala e syrit dergjet në liqenin e ngrirë
Flutura e harrimit përdridhet në hapësirë
Njelmëson me gjak fati njerëzor
Kuptimi I jetës mbyllet në metaforë
Pas fjalës së shqiptuar në shpirt psherëtime
Ç’borë tash po resh mbi bebëzën time.


KËNAQËSIA E NJOHJES

Duart gjakojnë
Të ikin nga piktura
Këmbët të tërheqin
Nga shkretëtira e ngjyrave.

Vetëm mendja
Ngorhet nën plisin e bardhë
Të Malit Argjendar.

Hijen e maskoj
Në bariun dalmat
Tek ruan kopenë e shentë
Të shpërndarë
Nëpër Ballkan.

E fantasia si fantazi
Bredh deri më det
Me vorenë të arrijë
Për pesëqind vjet në Kalabri.


KUJTESA E GJALLË

(Aleksandër Moisiut)

1-
Hija e Moisiut nuk zbret nga skena
Reciton rrudhat e mia në ballë.

Zemra më pushon së rrahuri
Mushkëritë të marrin frymë
Membrane vishet me pluhur në vesh
Shikimi tretet në mjegull.

Nga skena nuk zbret ai Hamlet
Shprush zjarrin e fjetur në kujtesë.

2-
U zgjua nën lëkurën time pastaj

Rrobat I shkundi
Thonjtë I preu
Faqet I lau
U shikua në pasqyrë

Me asht e me rrashtë
Ai vetë.


NË NJË ROMAN

Ja mulliri I erës
Që bluan frikën që një shekull
Ku Don Kishoti I sëmurë
Ëdërron fundin e skëterrës.

Rosinanti I kalbur
Hingëllin në një baladë.

Po bie boria për sulm
Don Kishot
Mblidhi eshtrat nëpër shekuj
Dhe nisu përpara.

Shtrihet në hijen e trupit të vet
Dylqinja besnike
Me kurorë dafinash në flokët e përgjakur
Dhe pret të dukesh
Si po vjen me trok nga shkretëtira.

Ja dhe mulliri I erës
Rrënuar në një baladë false
Ja Dylqinja në skëterrë
Duke lexuar fatin tënd në një roman.


URNA

Shëtis gjithë kohën
Nëpër dhomë gazi.

Drita e syrit
U shua në tym
Shpirti në ujë.

Në murin e llamarinës
Trokiti zemra
Nga muri i trupit
Ora vetë.

I mbulova shpresat me flakë
E duart me hi
Vetëm gacat e syrit
Tërë natën e lume
Dritë bënte
Tek ecja nëpër dhomë.
Në mëngjes
Me flokët plot me vesë
U zgjova ndër bimët
Që mbinë nga uria ime.

Exit mobile version