Kreu Letërsi Bibliotekë “Krijimi ndodh në errësirë”, tregim nga Luljeta Dano

“Krijimi ndodh në errësirë”, tregim nga Luljeta Dano

Krijimi ndodh në errësirë. Monika Golemi shihte në ëndërr sikur ndodhej në një bibliotekë të stërlashtë, përtej kohërave dhe nuk arrinte të lexonte asgjë në pergamenat e gjata disa metroshe të bëra nga gjethet e palmës me tekste të gdhendura, në shkrimet e papirusëve prej tekstilesh pangjyrë me përzierje barishtesh, të mëndafshta, me lëkurë kafshësh të zhdukura apo në pllakat prej dylli, prej ari, prej argjendi dhe elementësh të tjerë të panjohur. Përpëlitej nga vrundulli i joshjes për vendin ku ndodhej, si dhe nga pamundësia për të shijuar dijen absolute duke lexuar pergamenat, gjersa një zë telepatik i foli: Mos prit të lexosh tekste të shkruar. Diturinë e vjetër do e lexosh nëpërmjet një shqise intuitive të pashfaqur ende.

Ndërmarrja e elektrikut u ndërpriste energjinë çdo dy orë dhe orët e mbrëmjes, gjashtë gjer në tetë ajo i kalonte në shtëpi, mëpastaj shkonte në Ministrinë e Rendit ku merrte komunikatën e lajmeve të ditës. Ishte redaktore përgjegjëse e fletës së tretë të së përditshmes TIRANA BULEVARD, e cila në njerën faqe kishte kronikën e zezë dhe në tjetrën faqen sociale. Mona i dorëzonte tekstet me fotografitë faqosësit dhe punonin bashkë gjer vonë pas mesnate për shtrirjen e tyre në faqe sipas skicës menabò që kishte bërë kryeredaktori. Politika dhe dy faqet e përgatitura nga Mona Golemi mbaronin të fundit, pastaj gazeta shkonte në shtypshkronjë.

U hodh përpjetë prej rrapëllimës së xhamave në dhomat e shtëpisë që shihnim nga bulevardi Dëshmorët e Kombit. Qiriri u fik. Tritoli kishte shpërthyer në qoshe të lulishtes, m’u para Presidencës. Krisma tronditëse e qelqeve të dritareve të pallatit u shoqërua dhe me tingullin e thyerjes së porcelaneve të mamasë në kristalierën e madhe italiane dhe nëpër raftet e tjera ngado nëpër apartamentin me shumë dhoma.

E ëma, nartiotja Eleni Shteto, kishte serrën më të bukur të luleve në ndërmarrjen e gjelbërimit të kryeqytetit. Kur vinin delegacione të huaja i çonin për vizitë të shihnin çfarë kishte kompozuar ajo grua, që dukej se fliste gjuhën e luleve.

Diktatori i donte lulet mbi tryezën e tij vetëm nga dora e Elenit.

Por Mona kishte fobi ndaj luleve të këputura dhe qëkur filloi të kuptonte ende pa folur, qante me të madhe sa shihte një tufë me lule në shtëpi.

Eleni Shteto, qe dënuar nga e bija të mos mbante në vazot e shumta dekorative tufa me lule mbi tryezë. Nga një tjetër pasion i dyfishtë dhe zëvendësues i saj për lulet, porcelanet e cilësisë më të mirë që i zgjidhte të kishin lulërima, njëjtë me natyrën, dukej se kishte në shtëpi një copë pylli të ngrirë në porcelan me bimë fieri, kuçumbele, nusepashke, manushaqe, lulet blu të jakës së këmishave të beqarëve, lulediellin e egër, fruta pylli, zambakë, kokoçele, luleprevezë, yllin e alpeve, manaferrë, luleçaji, zymbylë, trëndafila të përralltë nga të gjitha ngjyrat në setet e plota të servirjes në tryezë prej porcelani Kaiser të Bavarisë, në porcelanet e origjinës Meissen, setet e kafesë dhe çajit, porcelanet e Drezdenit, pjatat bardhë e blu dhe të tjera me reliev varur nëpër mure, peshtafët, supierat e vazot në blu kobalti me lulegjethet e arta, për gati dy shekuj e gjysëm, qyshse gjermanët zbuluan të parët në Evropë sekretet e “arit të bardhë”, në muret dhe kristalierat e shtëpisë së tyre renditeshin nga pasioni i Elena Shtetos dhe rastësia e blerjeve ngjarjet më të rëndësishme të porcelanit gjerman.

Ishte koleksioni i rrallë dhe i çmuar i një lulishtareje prej gati shtatëqind pjesësh.

Pjesa më e madhe qe blerë në Leipzig dhe u soll me një kamion të madh transporti internacional të eksporteve bujqësore që quheshin Albania. Por edhe në shtëpinë ku hyri nuse Elena Shteto kishte gjetur mjaft antikuarat porcelani. Në Leipzig qe mjekuar për tre muaj në spital, nga osteomyelitis i kërcirit të këmbës ku hoqi me operacion një sekuestër para se të lindtte vajzën.

Figurinat e kafshëve, nudot e hirshme në porcelan të hollë të bardhë, dreri duke vrumbulluar dhe një ansambël i gjashtë grave të bukura, si nimfa me lopën e bardhë, që ishte vetë Evropa në porcelan Meissen, amforat e larta me lule nga poçarët mesjetarë të Nymphenburgut, xhamat e kristalierës, thesari i vogël i Elena Shtetos me rrallësi antikuarati, gjithë farfuritë e xhamat nga plasja e eksplozivit përbri pallatit ku apartamenti i tyre kishte tri dritare të ekspozuara nën rrezen e shpërthimit, qenë bërë kikla.

Mona Golemi ndjeu zemrën t’i ngrijë si porcelan.

Edhe në serën e luleve që Eleni Shteto e ndërtoi me kate duke rritur nga lulet më të përzgjedhura të kopshtit botanik nga tërë bota, ishte sheshuar brenda javës për t’u ndërtuar shumëkatëshin nga firma e ndërtimit “7B”.

– Ah, mama, sikur të kishe pasur pasion metalet dhe jo këto brishtësirat, lulet dhe porcelanet!

Prindërit e saj së bashku me gjyshërit ikën për gjithë natën në Greqi, pesë vjet më parë, para të dielës së votimeve të para pluraliste dhe ende nuk janë takuar me vajzën e vetme, as nuk kanë ardhur dot në shtëpi në Shqipëri dhe as përtej oqeanit, ku Mona Golemi me një bursë të Zërit të Amerikës ndoqi një kurs njëvjeçar gazetarie.

Prej vitesh Mona banonte e vetme në apartamentin me gjashtë dhoma, apartamentin e përbashkuar në një me apartamentin e gjyshërve. Strehimi politik që familja siguroi në Greqi, Mona ka një bindje të verbër që është për shkak se Adem Golemi, gjyshi i saj kishte qenë një nga eksponentët me status të veçantë në Sigurimit të Shtetit, me pseudonimin e pushtetit absolut të atyre që e dinin kodin: Luani i Kuq, por edhe gjyshe Miriami nuk duhej të kishte pasur një post të thjeshtë në strukturat e nëndheshme të shtetit. Një gjyshe e rreptë, pikërisht se nuk e ngrinte zërin kurrë për të edukuar dhe qortuar fëmijën, porse rregullat e saj të nguliteshin si prej një shkolle angleze. Edhe kur bënte punët e shtëpisë Miriam Golemi mbante këpucë me taka të larta.

Gratë e pallatit kishin dalë në ballkone dhe nëmnin elektrikun, policinë, orarin e shtetrrethimit, lokalin Non Stop përmidis pallateve e bulevardit dhe tërë kallamkusuret që e kanë mbushur vendin me krime. Kriza e rebelimit popullor që shkaktuan firmat financiare piramidale, ku u fundosën miliarda kursime private dhënë rentierëve të fajdeve, u pasua me anarkinë e hapjes së depove të armëve të shtetit dhe shkatërrime në masë të institucioneve shtetërore e pasurive private, dëme që u llogaritën më të mëdha se ato të dy luftrave botërore. Njerëz të armatosur gjer në dhëmbë lëviznin sheshit të armatosur gjer në grykë, madje edhe majë tankeve në dhjetë ditët e para të marsit të Luftës Civile kur shteti ra, të cilat e ndanë vendin së kundërti më dysh, jug – veri. Bandat terroriste mbështesnin një nga dy partitë kryesore në vend, jugu mbështeste të kuqtë, veriu blutë. Shtetet fqinje ishin gati për ndarjen e vendit dhe aneksimin e copës pranë tyre, ëndërr nga e cila që me lindjen e shteteve ballkanike nuk hiqnin dorë.

Gazetat e përditshme kishin pak ditë që rifilluan të dilnin.

Krijimi i qeverisë së Pajtimit Kombëtar me koalicionin e dy partive kryesore risolli njëfarë rendi, ndonëse çdo ditë mbyllej me një bilanc lufte të vrarësh nga lufta mes bandave, plumbat qorr, aksidentet me arsenalin e ushtrisë që kishte marrë rrugët e nga maskat që grabisnin udhëtarët në linjat e brendshme dhe ndërkombëtare. Njerëzit po blinin masivisht armë në tregun e zi për ta mbajtur në shtëpi në rast pogromi, armë të reja që kishin ende grason e fabrikës së prodhimit. Armë të lehta e të rënda u kthyen në biznes fitimprurës.

Duke ecur mes xhamave të thyer Mona Golemi ngriti qindat e robdeshambrit të gjatë që ia kish dhuruar e emta, Antigoni, pasi festoi pesëdhjetëvjetorin e quajti kufirin e fundit të pritjes për t’u martuar dhe ua ndau pajën e saj fantastike mbesave. Ndezi qiririn që linte pranë derës. Në derë gjendej një tufë me policë që kërkonin terroristin. Specialistët kishin identifikuar se ai kishte vepruar nga lartësia e pallatit duke targetuar lokalin Non Stop dhe diku nëpër skutat e pallatit ndodhej ende i fshehur. Në lajmet e mbrëmjes u dha se nga ai shpërthim, një fëmijë duke dalë nga Non Stop kishte pësuar djegie të rënda dhe dëme të tjera materiale. Pas atentateve të shumta dhe plumbave qorr rrugët e qyteteve mbusheshin me qirinj të shkrirë, memoriale dhe lule.

Shefi i uniformave blu hyri në sallonin e pritjes, por shumë shpejt doli dhe u tha policëve:

– Është plot me libra.

Pasi iu përgjigj telefonatës nga spitali i fëmijëve, Mona u ngjit një kat më sipër për të njoftuar fqinjët me qiri në dorë. E shoqëruar vetëm nga e ëma, vajza e tyre qe nisur me patrullën ushtarake në spital. Pas operacionit të apandesitit kishte humbur dëgjimin, se me të filluar mjekët ndërhyrjen, mbërriti një djalë me automatik në dorë, që kërcënoi doktorët t’i shpëtonin urgjent qenin e plagosur. Të frikësuar ata i dyfishuan vajzës barkçarë dozën e narkozës dhe i nxorrën qenit plumbat.

Ndërmarrja e elektrikut nuk i kishte lëshuar ende dritat, kur ra sërish telefoni. Mona Golemi zbriti një kat dhe trokiti te Zeneli, fqinji nën ta.

– Janë ata të restorantit. Pyesin për nesër.

Zeneli, ish – ushtarak i vjetër i truprojave të udhëheqjes, kishte më shumë se një javë që mbante të prenotuar restorantin për drekën e përshpirtjes së nënës që mendosej se do vdiste me sot me nesër. Plaka nuk po vdiste, por Zeneli nuk e anullonte prenotimin. Se nuk mund të turpërohej ai dhe gruaja, që për shkak të shtetrrethimit të ngeleshin pa drekën e përshpirtjes në lokal. Se në raste vdekjesh njerëzit vinin një për të qarë dhe njëqind për të përqeshur.

           Nga hapja dhe mbyllja e derës, rrymat e ajrit shkundnin nëpër shtëpi aromën e trëndelinës së vjetër nga paja e porsaçelur e Antigonit, që ua ndau mbesave duke qeshur pa asnjë fije trishtimi për burrat që i kërkuan dorën dhe ajo i ktheu mbrapsht.

Qiriri fikej e ndizej nga rrymat e ajrit. Djali i armatosur që kërkonte policia kishte hyrë në apartamentin e saj.

– Motra, mos u tremb! Jam i Komitetit të Shpëtimit të Vlorës. Më ndihmo dhe më ke vëlla e shkuar vëllait për gjithë jetën.

– Si të quajnë?

– Fatjon. Më ke vëlla e shkuar vëllait, mos ki frikë nga unë.

– Fatjon, më ler të mendohem të gjejmë një zgjidhje.

– Drèèè! Motra, me libër shpie paskeni punuar t’gjithë te fabrika e porcelanit?!

– Epo, tani nuk kemi më asgjë, na i theve, ti!

– Motra, të blen vëllai gjithë fabrikën, vetëm më ndihmo sonte.

Dëgjoheshin zërat e skuadrës së policëve ende para pallatit. Mona Golemi i kalkuloi rrufeshëm me mend tërë situatat e mundshme duke menduar më të keqen që krimineli të ishte dhe i droguar.

– Motra, ma bëj këtë nder, për Zotin, mos ki fare frikë, se nuk do të vijë e keqe nga unë.

– Fatjon, edhe ti mos ki frikë nga unë. Jam gazetare e radios dhe nuk spiunoj njeri.

Kur udhëtonte me punë në periferi të largëta Mona Golemi thoshte gjithmonë kur e pyesnin se ku punonte, që ishte gazetare e Radios Kombëtare, e vetmja atëherë. Ende nuk kishin filluar radiot private. E përdorte si një mburojë, për të mbajtur një brez sigurie distancë para të panjohurve të çuditshëm që e shihnin si një çupërlinë delikate nga ato që gënjeheshin kollaj, drogoheshin e rrëmbeheshin në mes të ditës dhe në shesh të qyteteve për t’u trafikuar në perëndim. Statusi i gazetares së radios gëzonte respekt për ngrohtësinë e marrëdhënies njerëzore, por edhe impononte një marrëdhënie afërsie me shtetin.

– Fatjon, me këto gjëra nuk bëhet shaka, ndaj do e zgjidhim në favor të të dyve ne. Do e bëjmë kështu, do të presim edhe pak, pastaj unë do shkoj të vishem se po më shkon ora e emisionit në radio dhe vjen më merr makina e punës. Do i them shoferit që je kushuriri im nga Vlora. Do të të çojmë dhe do zbresësh ku ta mendosh se është më mirë për ty. Ti do më presësh këtu, atje është banja dhe në kthinë frigoriferi nëse do diçka. Unë do të kaloj pas asaj dere në fund tek apartamenti i gjyshërve dhe do e kyç nga brenda, sa të vishem për punë.

Ai ishte i panjohuri i njohur për të, si gazetare e faqes së kronikës së zezë dhe çështjeve sociale.

Ishte i njëjti tip djali me një a dy pistoleta nën brez, i pashkolluar, i rënë në para nga trafiqet e paligjshme ose nga fitimet marramendëse prindërore në tregun e etur për gjithçka të shitshme dhe pa rregulla. Ky tip në delir bënte të fortin kudo ku ndodhej.

Sepse kishte një gropë të madhe në gjoks, Uni – n e pambushur. Mjaft të mbushte atë: Unë Jam! dhe nuk kishte rrezik për momentin.

Kishte para saj në shtëpinë e zhytur në errësirë kriminelin, i cili me lehtësinë që mund të vriste njeriun e të shpërthente tritolin mund të bëhej qengj po t’ia shëtisje mendjen me fjalë, ta pyesje duke i dhënë mundësi të përgjigjej për gjëra që e ngrinin shpirtërisht, zakonisht dobësi për ata që e llastuan si një djallush me bisht, ndoshta gjyshi i ikur nga jeta, ndoshta babai, sa të ushqente gropën e uni – t delirant në gjoks.

Makina e gazetës mbërriti para hyrjes, por pak më përtej sa mori kthesën e parë në Bllok, Fatjoni kërkoi të zbriste. Eci pa frikë mespërmes rrugës qendrore të Bllokut, aty, në qendër të qendrës.

Mona Golemi mori komunikatën e lajmeve të ditës në Ministrinë e Rendit dhe i mbaroi faqet e saj pas mesnate më vonë, se zakonisht. E kishte lakmuar si profesion gazetarinë, por po ndjehej çdo ditë e më shumë e frustruar nga kushtëzimi i pronarit të medias që kërkonte nga gazetarët zbulimin e lajmeve duke mbuluar thelbin e tyre.

U kthye në shtëpi e stërlodhur. Pasi kapi një batanije leshi në dritaren me xhamat e thyer, hoqi këpucët e pallton dhe fjeti pa u ndërruar në dhomën e gjyshërve.

Kur hapi sytë në mëngjes, u ndje më e rraskapitur, se kur ra në gjumë. Nuk ishte nga tmerri i çmendurisë absurde të një realiteti që po shthurej dita – ditës, sa nga dhembja e thellë për vetminë e saj. Me prindërit dhe gjyshërit flisnin rrallë në telefon. Dyshuese se mos nuk ishin fizikisht pas telefonit, por kishin lënë për të kaseta të gatshme të rregjistruara më parë, Mona u bënte teste me kujtime të tyret të largëta, fjalët konvencionale, grimasat në përdorimin e batutave familjare, që nuk mund t’i dinte kush tjetër. Kur merrte përgjigjen e saktë, i terej ankthi. Ata ishin mirë aty pas fillit të telefonit që i lidhte dhe po flisnin bashkë në kohë reale. Por nuk kishin ikur vetëm ata. Pothuaj tërë fqinjët e tyre të vjetër kishin shitur apartamentet dhe shkuan në emigrim. Dy djemtë më të vegjël të Adem Golemit, Isaku kishte ikur me gjithë familjen e tij në Amerikë dhe i vogli, Andi, ende beqar dhe ollçaku i shtëpisë edhe më larg, qe vendosur në Australi. Shoqëria e ngushtë e Mona Golemit me të cilën qe rritur, shoqëria e gjimnazit, e universitetit, të gjithë iknin, iknin, duke u shkulur përfundimisht nga ky vend. Ajo takohej në të përditshmen e saj me njerëz të rinj dhe puna nuk i linte më kohë për veten.

Hodhi tek plehrat sa më shumë mundi të mbledhë nëpër kuti kartoni qelqet dhe porcelanët e thyer. Doli të gjejë një punishte xhamash për dritaret.

Me të gjithë tregtarët që foli, ata përpiqeshin t’i mbushnin mendjen, me këtë rast të zëvendësonte dhe dritaret, por Mona Golemi këmbëngulte vetëm për vendosjen e xhamave të thyer. Më në fund e gjeti artistin e xhamit, Tan Korbin që merrte me të njëjtën përgjegjësi profesionale, si ndërtuesin e fuqishëm, si porositësin më modest të xhamit për ndonjë kornizë fotografie të vogël. Telefonoi pronarin e gazetës dhe i kërkoi tri ditë pushim, se ishte sëmurë dhe pa xhama në shtëpi. Me vendosjen e xhamave në dritaret, etazherët dhe kristalierat, iu fut pandalim pastrimit të apartamentit të madh, duke mos lënë asnjë pjesëz xhami përtokë dhe asnjë objekt qelqi e porcelani sadopak të ciflosur a të krisur në raftet e kondrabufeve dhe kristalierave. I kishte fobi enët e qelqit dhe të porcelanit kur kishin ndonjë ciflosje sadopak të dukshme ose të padukshme. Fare pak pjata e filxhanë që ishin të mbyllur në sirtarë e kuti kishin shpëtuar.

Kur u zgjua në krevatin madhështor të gjyshërve me dru arre, stil Louis XV, mendoi se do kish fjetur njëzet e katër orë pa ndalim, gjer në agun e ditës tjetër, por jo. Kishte fjetur dymbëdhjetë orë, ishte mbrëmje dhe kishte ende dhe një natë pushim. Ndezi qiririn e lënë mbi komodinë dhe u ngrit. Bëri një përshesh me kos, arra e me mjaltin e ngrirë disavjeçar prej rigoni të kuq nga malet e Labërisë, të cilin i gjyshi, Ahmet Golemi e kishte depozituar me shumicë.

Vendosi fishën e shkulur të telefonit në linjë, por nuk pati më nga telefonatat e zakonshme për fqinjët.

Dhoma e gjyshërve i qe dukur gjithmonë e stilit të vjetër, e papreferuar prej saj, por befas ndjeu joshjen për ta kthyer në dhomën e vet. Do ta lyente dhe do bënte disa ndryshime të vogla. Hapi dollapin e rrobave dhe nisi të provojë fustanët e gjyshe Miriamit. Vetëm dy – tre prej tyre i bënin ngjitur pas trupit, Miriami kishte mbetur tepër elegante. Në anësoren pa një dorzë të vogël rrumbullake, e rrëshqiti dhe mbeti para një dere dhome.

Pas dollapit të rrobave zbuloi derën e një dhomë sekrete.

Gjysma e fasadës anësore që sheh nga bulevardi kishte qenë gjithmonë e veshur me pllakatë, ndaj dhoma e izoluar dhe e fshehtë nuk duhej të kishte dritare.

U vu në kërkim të çelësit të saj. Ra telefoni.

Mona Golemi foli me të katër familjarët e saj, por nuk u tregoi asgjë nga ndodhitë e çmendura të ditëve të fundit. Kishte një vetëkontroll për çdo herë që flisnin në telefon duke besuar se kishte një vesh që i përgjonte duke i rregjistruar.

Çelësin e dhomës së maskuar e gjeti, në çastin e fundit kur i humbi shpresat për ta gjetur në brendësi të grupit të matrioshkave mbi komodinën nga ana ku flinte gjyshe Miriami. Me frikën më të madhe që kishte provuar ndonjëherë në jetë, çkyçi derën. Era e rëndë e mosajrisjes disavjeçare të mbyste. Dhoma ishte një magazinë, dhe me një shikim të parë nuk dalloi pajisje përgjimi, ose që të kishte shërbyer për përgjimin e banorëve të pallatit.

La dyert e dollapit dhe dritaret hapur në errësirë një copëherë.

Paramendoi se raftet metalike lyer me bojë vaji e të mbushura përplot me kuti po jeshile metalike, dosje të mëdha luksoze që nuk mund të ishin prodhuar në Shqipëri, duhej të kishin materiale përgjimi e dokumenta të rezervuara, në mos edhe pajisje përgjimi të sofistikuara. Ishte dhe një dollap me dy kanate i blinduar me një spango dyfishe që dilte nga brenda njerit prej kapakëve, kryqëzohej në dorezat rrumbullake të kapakëve dhe qe fiksuar tek kapaku tjetër me plastelinë dhe e vulosur sipër me gërmën L dhe numrin 1. E pushtoi një angushti e madhe për provat e krimit që mund të gjendeshin aty. Nga padurimi nuk priti gjatë, mbylli dritaret edhe me perdet e rënda duke ndezur dritat në të dy dhomat. Dollapin e blinduar nuk e hapte dot pa gjetur çelësin.

Filloi me dosjet.

Mbi njerën prej tyre shkruhej: POEZI. Brenda dosjes ndodheshin poezi të shkëputura, shkruar me shkrim dore apo të daktilografuara, e rrallë ndonjë prej tyre kishte inicialet e emrit në fund të vjershës. Nga zverdhja e letrës në tonalitete të ndryshme, mund të qenë shkruar edhe katër – pesë dekada më parë. Mona Golemit vetëm poezi dhe histori me poetë nuk do ia kishte marrë mendja se ndodheshin aty në depozitën më të rezervuar të gjyshit të saj.

Sapo kaloi fasha orare e dy orëve, ikën dritat sërish.

La dritaret hapur në errësirë dhe u mblodh në kanape me një batanije. Nën dritën e qiririt kurdisi zemrekun e gramafonit Victor Talking Machine me manivelën.

Perëndia thotë emrin e Tij për herë të parë. “Perëndia i tha Moisiut: “Unë Jam Ai Që Jam”. Dhe Ai tha: Thuajini popullit të Izraelit: Unë Jam – i më dërgoi tek ju”. (Eksodi 3:14)”.

Vuri pllakën me valsin Love’s Joy në gramafonin të vjetër duke tentuar fort të zbraste kokën edhe nga mendimi më i imët dhe të shijojë pavarësinë komode ndaj elektricitetit. Përkëdheli në stampën ikonike të markës tregtare vendosur në mes të kasës, qenin e bardhë Nipper që dëgjon me kokën e anuar në grykën e hinkës së gramafonit tingujt hyjnorë të muzikës dhe reagon sikur të kishte dëgjuar zërin e të zotit të vdekur, Mark Barraud, vëllait të piktorit, Francis Barraud.

Pikëllimi i qenit Nipper pas dy vitesh, për të zotin e ndjerë. Hes Master’s Voice.

Kur erdhën dritat ndjehej e kapitur dhe u rikthye për të fjetur në dhomën e saj. Dritaren dhe kanatat e dollapit antik në dhomën e gjyshërve i la hapur për gjithë natën të ajroseshin.

Pikëllimi i Mona Golemit, se kush ishte ajo vetë. Po prindërit dhe gjyshërit e saj, kush ishin? Ku ishin ata dhe me ç’urdhër? HMV.

Sapo u mbushën pesë vjet pa u takuar.

Hes Master’s Voice.

Exit mobile version