Kreu Opinion “Kostumi i trishtuar i librave”, reportazh nga Xhevair Lleshi

“Kostumi i trishtuar i librave”, reportazh nga Xhevair Lleshi

1

Të nesërmen, në orën tetë, akoma pa u zgjuar mirë, u nisëm për në Berat, në një ‘festë libri’. Megjithatë, në rrugë e sipër, devijuam dhe u kthyem për mëngjesin në bujtinën ‘Rubin’ të Z. Fatmir Manushi. Na u duk se vajtëm atje sa hap e mbyll sytë, duke u bujtur pa trokitur fare (siç e ka në kanun çdo bujtinë!) në portën e kësaj shtëpie të madhe e të re, të cilën pronari i saj ua lë për çlodhje me dhe pa qira udhëtarëve kokëkrisur. Mirëpo ne qemë udhëtarë librash dhe vinim për të promovuar. Ah, sa do të doja që në këtë udhëtim të ishte e gjithë brigada e miqve të librit. Se paskej mbetur një brigadë lexuesish, për t’u dhënë atyre mundësinë që të ishin përuruesit e parë të atyre librave, të cilëve boja e shtypit ende nuk u është tharë.

E kishim bërë bastin: po të gjenim një pasunar, i cili do të kishte ardhur për të kaluar dy-tri ditë të kësaj vjeshte me temperatura vere, puna e librave tona do të gjente zgjidhje ideale, për blerjen me paradhënie të bibliotekës së bujtinës! Ky do të ishte një lloj luksi i çuditshëm për bujtinën, me tryeza dhe karrige të praruara që bënin kontrast me natyrën dhe ato çfarë zakonisht kërkon një bujtinë. Po, thoshte Fatmiri, ka edhe turistë librash. Dhe po shfletonte  albumin e piktorit të madh Ibrahim Kodra, mbi një tryezë të rrumbullakët me një këmbë, po edhe shandanë që imitonin. E kam një vepër me dedikim të Kodrës, kur erdhi në Tiranë dhe fjeti në Dajti, më tha tërë krenari. Tani merrem me albumin e tij. Gjithçka e tregonte një zotëri serioz që e kishte lënë shumë shpejt cigaren për hatër të librave. Do të vij edhe unë me ju, tha duke qeshur. Një shëndet këtu, një atje, një gotë verë dhe dy lugë mjaltë, një dru qershie dhe arra që rrëzonte kokrrat e zhvoshkura mbi kokat tona. Dhe të qeshurat. Nga një orë u bënë tri dhe nxitimi ynë drejt Beratit ishte një rekord më vete, ngacmuar nga vera dhe rakia, shtyrë nga dëshira dhe rrëmbyer nga pasioni.

2

Libri na priti me shumë lexues. Lexues?! Shumica miq e të njohur. Të interesuar, ekrani i afishuar që ishte përgatitur nga historiania e njohur Marela Guga, trëndafilat e Beshit, mbesa e zonjës sime dhe lexuesja rekord e librave të mi, po edhe mësuesja e gjuhë-letërsisë shqipe në shkollën ‘29 Nëntori’, poeti dhe romancieri Balil Gjini, Prof. Ing. Avv. Sazan Guri që e sheh çdo gjë në mënyrë të dyshimtë dhe me seriozitet shkencëtari, sërish në presionin e turistëve të shumtë, të cilët vazhdimisht i kërkonin që hotelin në Mangalem ta mbaronte shpejt, përndryshe do të ngrinin çadrat në rrugë të madhe, ndoshta ngaqë askush tjetër nuk gjente mundësi të paguante në kohë.

Duke folur, mikpritësi, që e vuri re ngatërresën e librave të ardhur në formën e një haraçi të pakuptimtë, e trajtoi këtë si një lumë drite që vërshoi brenda në sallë. Gazetarja e RTSH 2, një brune e theksuar, me flokët e zinj, të prerë shkurt e me shëndet të bollshëm, kishte një fytyrë të rrumbullakët, me një tension të irun dhe me shenja të tërthorta, me sy të zinj që lëviznin pa pushim, kërkonte pa pyetur për asgjë intervistën mes librave…

– Kanë ndryshuar të gjitha gjërat! – thoshte. U vonuam shumë. Miqtë erdhën vonë. E di, e di, e ka fajin bujtina, jo biblioteka…

Do na pjellë belaja!, mendova. Por asgjë nuk ndodhi. Takimi vijoi thjesht dhe me recensione që lexohen me zë të ngjirur, ndërsa unë nuk kisha nevojë ta dija. Bëhej fjalë për romanin tim ‘Tërbimi’, botuar nga ‘Plejad’. Librat gjithmonë në mënyrë të parregullt, mbanin një erë të çuditshme. Pastaj vargje për Vexhi Buharanë, ese – fragmente, personazhe të profilizuar dhe portretizuar, të linin shije të ngrohtë, duhet të ishin në shtëpinë e tyre në këtë sallë, duke përgjuar momentet kulmore, që zinte vendin e duhur në komunikimin referues të Kadri Kukës, apo të Aleksandër Çipës, i cili ruante ende ngrohtësinë e metaforës, vijonte duke këmbëngulur për gjuhën, stilin dhe pllazet përshkrimore…

Kjo tingëllonte një gjë fort e këndshme dhe komode për të gjithë. 

Ligjërimin kryesor e mban Marela Guga. Ajo përmbledh 353 tituj të autorit në letërsi, histori, psikologji, enciklopedi, edukim, teatër, estradë, teatrin e kukullave, në radiodramatizime, poezi, romane, tregime, përkthime, tekste shkollore, gati një numër i pafundmë. Shto këtu edhe mbi tremijë artikuj në gazeta e revista. A fliste kjo për një sukses, për një dhanti që nuk shqetësohet për asgjë tjetër përveç shkrimit, apo thjesht për një realitet jashtë interesave?… 

3

Pastaj ligjërimi vijon me romanin ‘Telelkat’, botuar nga ‘Onufri’, për romanin ‘Brenga’, botuar nga ‘Plejad’. Ndërkohë Balil Gjini mbërthen Bajram Karabollin dhe gjen kthinën e duhur për të diskutuar rreth fjalëve të rralla. Një kumt i veçantë për tregimet. Pastaj intermexo të qeshurash, figura e Ahmet Kurt Pashës, për librin ‘Personaliteti i arkeologjisë, ose librin psiko-social ‘Prijësi dhe uni politik’, si një vademekum i të gjitha opozitave për të shkuar drejt pushtetit. Dhe sidomos në këto kohëra pa diell për të…

Librat, tha poeti më në zë i qytetit, kanë një të qeshur prej bufoni, sepse thjesht janë veshur me kostum të trishtuar! Salla u qesh. Në të vërtetë poeti kishte të drejtë. Kështu ka ndodhur dhe kjo rrugë ndiqet, si këst qiraje për t’u paguar. Dhe kjo ndodh ngaqë kreditorët nuk i kanë punët mirë, me atë që jep me qira librat të cilat për ironi nuk i sheh njeri me sy, ose edhe më keq: që nuk do për t’i parë me sy! Më i tmerruar nga të gjithë mbetet lexuesi; ai zë dhe fillon të bërtiturat, me lot të hidhur, mbërthyer nga një krizë e allasojtë, që kur e kishin parë herën e fundit duke lexuar librin, që dëshpërohet shumë ngaqë nuk është realizuar plani i dhurimit të librave (duke parë edhe njerëzit që vrapojnë për të mos pasur kontakt me dhuruesin!)… Libra nuk shiten. Libraritë mbyllen. Librit i duhet të përmbushë shumë detyrime. Thjesht se është bukë thekre që nuk mund ta hajë dot kushdo. Porse lexuesi është trok fare, jo vetëm në këtë moment; ma merr mendja se ka humbur në ‘kumarin’ e librit… Kumari i librit? Ç’thua!? E kujt i bie letra me vrimë për të pasur në dorë tërë këtë lojë të hidhur kumari? LIBRAT E KA DETYRË QEVERIA PËR T’UA ÇUAR NË DORË BIBLIOTEKAVE! Kurse qeverisë nuk i lëviz qimja e syrit! As për biblioteka dhe pale pastaj për libra! Gjysma e bashkive nuk ka një objekt për bibliotekë bashkiake… Pastaj, më e bukura fare: e dini që librat kërkojnë kredi, duan të marrin borxh? Më pas mbeten të gjorë, me gisht në gojë! Librat, zonja e zotërinj, kanë shumë nevojë të marrin vetë borxh dhe kështu krijohet një zinxhir i pafundmë humbjesh, sepse borxhi i parë e kredh në një humbje e, papritur që domosdo doemos do ta fundosë, kështu që tani borxhliu as lule nuk mund t’i sillte…

Libri nuk arrin të mbajë më të fshehta, ndonëse është mësuar me plot shfrime e afinitet, madje duke dëgjuar lloj-lloj simpatie apo edhe ca gjëra që përfillen dhe ardhangen me plot respekt. Përderisa libri nuk tregon vetë për problemet që ka, patjetër me atë gojën që ma ka të stërmadhe e që i lejohet për t’u shprehur fort, i sigurt, se hallet e tij i dinë të gjithë dhe po ashtu kur është fare e qartë se të tërë tallen edhe duke u përsjellë në mendimet e veta.

Së pari, qeveria e do shumë librin, prandaj ajo e ka lënë krejt dhe menjëherë në mëshirën e fatit, kështu që vetëm Zoti e di që ajo s’ka lënë gur e kusur pa lëvizur për ta pasur përsëri në shërbimin e saj! Domethënë për të përgjuar vdekjen klinike të librit. Dhe asgjë nuk përfundon këtu arsyetimin, duke dhënë madje edhe këshilla, me këshilltarët e pafundmë, si ta bëjë më rozë situatën. Dhe kjo nuk qenkej detyrë aq e vogël. Britmat bindëse thonë, se libri ka vdekur dhe shtëpitë botuese presin ngushëllime. Fond publik për librat nuk ka. Listat e librave që ‘duhen blerë’ janë bërë me kujdesin makut të miqësisë, duke rokanisur më kot kokën nëpër shkëmbinj…

Por, ndërkohë, asgjë nuk thuhet hapur. Përtypen fraza, ndërsa ligjërimi për librat në këtë takim vijon. Ora mbaron, mbyllen diskutimet, flet autori, preken librat me dorë (si të thuash u fërkohet koka) dhe çdo gjë mbyllet me një ‘të lumtur e të gëzuar’. Mos vallë kjo tekë po ia shkatërron triumfin librit? Midis të gjithë atyre ngjarjeve që e brohorisin atë, të mendosh se s’ka asgjë që mund t’i sjellë tjetër epokë atij! O Zot! Sa fatkeq që është!

Në sallë futet një grua e moshuar, me shtat të lartë, veshur sipas modës, që i ngjan një zonje të rëndë e që shfaqet të shohë të rinjtë e shkollës së mesme ‘Kristo Isak’. Pastaj flet menjëherë për motin që ka nisur të vijë ndër mendtë e veta, një kohë e thatë që ia vlen të dalësh shëtitje. Ju thoni që të kemi bibliotekë edhe në shëtitore? Nuk besoj. Prandaj mos u tallni me librin në këtë mënyrë… Ndërkohë ajo flet me katër a pesë persona që kanë ardhur për ta takuar atë dhe, natyrisht, edhe librin…

4

Dhimbja për librin nuk është lehtësuar. Një drithërimë e lehtë i kalonte nëpër shpatullat gjithsecilit që e do librin, pa e futur nën mbulesat e ngrohta të saj, me lëvizjet e ngathëta e përtace që e bën secilin të mërdhijë. Pak e nga pak, buzëqesh me mendimin se librat tani e tej do të vishen edhe më bukur prej tutorit që e ka në dorë. Tutori janë bibliotekat. Bibliotekat publike. Ata që nuk i lë kush që të pasurojë fondin me libra për t’u lexuar. Mos përfytyroni një Shqipëri me 3000 biblioteka (mos o Zot!), por të paktën me 300 të tilla. Ç’flet! 61 bashki, 61 biblioteka! Hm. Plus 11 biblioteka lagjeje Tirana. Domethënë 72 biblioteka!   Mos harroni: 200 biblioteka institucionesh dhe pjesa që mbetet biblioteka universitetesh të rëndësishme e të parëndësishme, dy bibliotekat kombëtare etj. A do të mbetet shpirti i tyre po aq i vogël sa edhe është shprehur, madje që të nesërmen e vrazhdë? Po ja që duhet bërë detyra zotërinj! Ngrini biblioteka që të shpëtoni gjuhën shqipe dhe librin shqip! Jo shkarrashkrimet, por librat!  Dhe librat e mjera na kanë përmbytur, thjesht ngaqë nuk i merr njeri, jo se kanë superprodhim, jo! Ndërkohë, teksa zhytet në gjumin e madh, më në fund, do dalë një burrë ose grua në këtë vend, që ta marrë në krahët e vetë librin, ëndrra e ethshme në një kohë të nënshtruar nga ethet, po ndoshta edhe si një bubullimë e zgjatur edhe brohoritjesh.

Një zotëri, i veshur me shumë stil, ngrihet në këmbë aty në sallë, duke u përkulur. Zhyli ose Heloiza e Re, tha, Heloiza e Zhan Zhak Rusoit, aty ka mbetur halli! A do të botohet? Pa e ditur që është botuar. Në atë çast, pa fare drojë, tepër i qetë, pa e kthyer kokën prapa, duke shtrënguar gazetën tub, vë syzet dhe e lexoi titullin e artikullit me zë të lartë, në këmbë përpara dritares. Hunda e tij shfrynte një epitet të guximshëm. Libri qenkej bërë maskara! Edhe kjo duhej!…

Askush s’e çante kokën se aty s’flitej seriozisht për librin! Librin si brendi. Por një djalë për t’u vlerësuar, do t’i përgjigjej me të njëjtën monedhë mirësjelljeje për stilin e këndshëm të shkrimit të një libri. Por jo hipotetik. Edhe ky e rilexoi titullin e librit tërheqës disa herë, madje, duke deklaruar me ashpërsi se të gjithë librat e kanë djallin mes këmbëve. Ndoshta prandaj ka edhe kundërshti kategorike që të shpjegojnë më shumë, kënaqur prej këtij aluzioni të paturp të cilin për çudi di ta zbërthejë mirë e bukur kushdo që ka pesë pare mend…

Titulli i librit të ngacmon, shpesh të tërheq e të ngroh, por deri në atë moment mbetet gjysmë i përgjumur, pa i ardhur ndërmend se përsëri ethet e triumfit të kapin lehtësisht bukur. Ah, mirë! Një mëngjes letrar i këndshëm, i bukur! Në bujtinë. Në bujtinën e Fatmir Manushit, të cilin e mban në gojë tërë Tirana. Dhe të mendosh, Tirana! Por a do të mjaftonte që të kishim vetëm bujtina leximi? Ngaqë shumëkush ka dashur të diskutojë në lexime librash në bujtina. Mos është e tepërt të lexohen në shtëpi? Apo edhe në qendra letrare. Të paktën pasi bëhet leximi, sipas specialistëve, emocionet japin dhimbje në stomak. Mos për këtë zuri t’ia tregojë sallës me veshë të mprehtë, gjithçka që ka ndodhur në mbrëmjet letrare, duke u dehur prej tregimit të dëgjuar, përplasur në tokë nga duartrokitjet? Po, por, e qeshura duhet ta kishte imagjinuar këtë prej kohësh!…

Jo, jo, kurrë nuk mund ta parashikosh një ditë leximesh. Tirana – kryeqytet i rinisë evropiane, në një nga projektet u mor me klubet e leximit. Klubet! Leximet! Dhe u vunë në lëvizje fjalët, gjithnjë duke marrë një pamje serioze, e duke quajtur se libri është mëma e dijes. Mos! Ç’na the! A nuk është nëna e dytë libri, meqë nëna e vërtetë është bashkuar me të atin dhe gjyshen e librit, po edhe ka zënë dashnorë të tjerë, teknologjinë e përsosur të… gënjeshtrave, detektorin e tyre që hedh valle në sheshet e rinj të qyteteve, shtruar me tapete mermeri të imituar…

5

Të ndihesh i mallëngjyer së tepërmi për librin! Lexuesi i vjetër është gati t’ia japë të qarit. Por ja që dikush vazhdon të përsërisë se e kaluara është thjesht e kaluar, oh, një e kaluar edhe e ndyrë dhe gjërat nuk mund të ndryshojnë kështu çdo ditë. Për një kohë të gjatë vetë natyra kishte mundur të përkujdesej për librin në rënie të lirë; sepse në familje, e akuzonin se po shkatërrohej së bashku me njerëzit e saj të rrënuar. Si mund të ndodhte kjo, Zot i madh! Ai, libri, mos nuk ka kërkuar të dijë të fshehtat e jetës? Ndërkohë që po ta pyesje hollë-hollë libri mendonte se gjithmonë kishte jetuar ashtu si duhej. Tani, kishte ardhur momenti që ai (libri, domethënë!) të merrte një pozicion të ri dhe të shikonte ndjenjat e vërteta për të ardhmen. Nuk ka tjetër gjë të mirë në këtë botë, përveç ndershmërisë dhe punës. Apo jo? Ja, më në fund u dëgjua një gjë për t’u dëgjuar… E po, fundja, një ditë, do të na tregosh si është kjo punë, ti e di që ne jemi të mbyllur, kyç, e s’del fjalë prej nesh… Do të kujdesemi, si jo, edhe për librin, sikur të ishte djalë princi. E kuptove? E pra, fjala e mirë dhe guri në trastë! Bravo, ja kjo qenka!…

Një miku im, shkrimtar e jo llafe, rri-rri dhe e shkrep koburen e fjalës. Shkruante, ashtu në dalldi e sipër, se përse nuk e kthejmë gjithë tetorin në panaire libri në çdo qendër bashkie, gjithnjë si nismë e vullnetarëve të librit? Nuk është fjala për Grupet e Bashkëpunimit Vullnetar! Panairi do të jetë një ‘grua’ e respektueshme dhe e sjellshme, është si një mike e vjetër; ajo të rri pranë dhe të shoqëron kudo. Dhe mos harroni që ta përzieni me teknologjinë. Se pa të edhe panairi, edhe gruaja që zë në gojë, janë kot, të lëna rrugës. Panaire, domethënë pazare libri. Prania e librit në fillim, duket sikur i mërzit pak njerëzit. Mirëpo, kur mësojnë sesi ishte, zë t’i hedhë vështrime të buta, të shoqëruara me një buzëqeshje sido të zbehtë, të cilën e formon kushdo në fytyrën e tij të ëmbël. Ja, këto gjëra të munguara kanë për të qenë ekstravagante, të zgjeruara në balle, madje edhe të stolisur me një pupël të lartë, gjithnjë me maninë për t’i rindrequr të gjitha veshjet, që për çudi dalin skarco, domethënë janë të trishtuara. Fundja trishtimi i ka ngecur në dorë librit dhe vetëm ai e di se çfarë i shkon kësaj gjëje të mjerë, po edhe pse duhet një marifet shtojcë, kurdoherë stilim i ri, me duar e me këmbë. E pra, le ta lëmë pas rrugën dhe librin dhe ky le të vijë pas nesh. Kushedi mbase gjen ndonjë bamirës…

Po të dëgjosh mendjen e shkrimtarëve për librin, e hëngre. Dëgjomë mua se nuk flas kot. Unë e di mirë ku i dhemb dhe vihem të dëgjojë historinë që ka në majë të gjuhës, gjithnjë e kurdoherë, i bie fyellit me një vrimë, tregon përrallën e jetës së tij, me një farë krenarie, duke mbajtur në duart e nxira fatin e vet. Edhe në rrëfim duhet mirëbesim. Ndërkohë, në intervale të shkurtra, dëgjon të fshehtat e librit që qenkan edhe të fshehtat e jetës, pa rrëfyer kurrë ato që ka brenda vetes, as për pensionin mizerabël e misterioz, ruajtur në një dhomë ku nuk hyn dot asnjeri. Kupton dot gjë nga kjo histori libri? Më thuaj. Se kështu duket që edhe librat marrkan pension! Çudi! Lëre më mirë, se kur hesht del më bukur.

Në të vërtetë libri s’ka asgjë supersticioze. Mirëpo, kur është fjala për librat, kjo është diçka krejt tjetër, ai nuk e duron dot gënjeshtrën, talljen, kurrë nuk ka gënjyer, se do të ndodhte prore diçka e pakëndshme. Ç’bezdi! Njerëzit, kalimtarët e rastit, e shohin aristokratin e mjerë të hedhur rrugës, duke shtrënguar buzët me kujdes e takt, por përplot filozofi…

Tiranë, më 28 tetor 2023

Exit mobile version