Kreu Letërsi Bibliotekë “Koha vjen që unë të iki”, cikël poetik nga Xhelal Tosku

“Koha vjen që unë të iki”, cikël poetik nga Xhelal Tosku

të paktën një natë 
unë fjeta i qetë 
një qetësi si e detit 
nën hënën e qartë 

natën që erdhi pas ditës kur ajo tha po 

si det’ i trazuar unë isha sërish 
në natën kur era frynte si e tërbuar 
dhe qiellit dritë hëne nuk kish 

në natën që erdh’ pas ditës 
kur prapë ajo tha jo

* * *

e qullur nën shi
vjeshta po ikën  nëpër shirat e vjeshtës 

më  ke hyrë në shpirt 
si ky shi në trup të dherave të tokës
bjer o shi o shi bjer 

nëpër fushat e vjeshtës 
vjeshta po ikën nën shi
ti mos ik
ti rri

*  *  *

peshk i kuq akuariumi
të gjithë vizitorët vijnë
kureshtarë qëndrojnë para teje

pastaj largohen një nga një 
ca në parajsë 
ca në ferr 
ca në përjetësi
të tjerë si unë 
humbin në kotësi

peshk i kuq akuariumi 
në muret prej qelqi 
a je i lumtur

*  *  *

i gjithë njerëzimi qëndron mbi dy këpucë
po ecim përpara 
apo po ecim mbrapa

*  *  *

nuk e kam ditur 
çfarë është një rreze drite 

më zbuloi rrugën ku duhej të ecja 

buzëqeshja jote

*  *  *

jam në kopshtin tim me ajër të pastër
jam i thjeshtë krejt

nëse lulja e dorëzonjës do vetëm ujë dhe diell
mua më mjafton vetëm ti

kam dhe unë pjesë që më 
lulëzojnë

*  *  *

trëndafilat e mi i rrit muzika e yjeve. 

nuk ka si netët mbi lumë
mbi fusha mbi kodrinat 

në mëngjes kur të zgjohesh 
eja mblidh trëndafila
 
dita nuk ka yje.

*  *  *

dëgjoj zërin e një lule kamelie

ylli im rroj me dritën tënde 
që vjen tek unë 
pas mijra e mijra vitesh udhë

*  *  *

ti  flet  e qesh

ku fillojnë erërat 
ku pushojnë stuhitë

ti flet e  qesh

si ndizen zjarret
si djegin dashuritë

e vogël e bukur 
syri pse të qan

Z

midis të gjithë atyre që iken 
midis të gjithë atyre që janë
midis të gjithë atyre që do vijnë 
ne jemi dy për të zgjuar njëri tjetrin 
që asnjeri të mos vdesë
në syrin e askujt 

*  *  *

shkputur prej syrit si pika e lotit

që bie s’ dihet ku

ti

*  *  *

unë ta kam shkruajt emrin në pemë
sepse kështu bënin të gjithë në katund
unë ta kam shkruajt emrin në gur 
sepse kështu bënin të gjithë në katund
unë ta kam shkruajt emrin gjithkund 
sepse kështu bënin të gjithë në katund
po dhimbjen time për ty
nuk e ka askush

*  *  *

nëpër qiej nuk ka si ti 
në tokë asnjë nuk është si ti 
vdes dhe nuk e tregoj 

*  *  *

në vetminë e rrugës përmes pyllit
në vetminë e madhe të drureve të pyllit
ja befin ca lule të verdha
ca lule të vogla të bardha 
ca lule blu e ngjyra ngjyra
që ti të harrosh se je pa njerëz 

LETËR NJE MIKU

miku im gëzoj të jesh mirë me shëndet 
uroj të bëhesh biznesmen 
deputet ministër kryeministër 
cfarë të të dojë qejfi 
madje edhe president 
siç janë berë plot të tjerë 
unë kur t’më vije çast i mbramë 
përpara se shpirti t’më rrëzohet 
përpara se trupi t’më dorëzohet 
do ta marr Xhelalin përdore 
do ta çoj në fund të kopshtit tim 
atje ku me duart e mia 
kam mbjellë ullinj darrdha rrush fiq 
kumbulla arra dhe bajame 
dhe e di çfarë do t’i bj 
do ta pushkatoj do t’i fus plumbin 

dhe ti natyrisht 
do rrosh shumë e më shumë se unë
do shijosh gjithë të mirat e kësaj jete 
që i ke mbrritur ashtu si në këtë vend 
i kanë mbrritur plot e plot të tjerë 
dhe në fund të fundit 
une e di çfarë kë për të bërë 
do hash një copë bukë 
dhe do bësh një copë mut 

*  *  *

unë nuk jam rrit kurrë 

çelsin e shtëpisë që ime më
ma vuni në qafë unë e humba

sikur t’ishte çelsi i rritjes
  
gjithë jetën kam qa në vetminë time 

jo unë nuk dua me u rritë
kush rritet vdes përditë.

*  *  *

koha vjen që unë të iki
koha nuk vjen që unë të mos vdes

ferri nuk është se është ferr
as pse jam unë i mirë 
as pse jam unë i keq

ferri është ferr sepse do jem pa ty

Exit mobile version