Fragment nga “Zjarri i jetës”
Nata ishte e kaltër, me një tejdukshmëri tërë dritë. Nga qielli mavi i errët binin yjet si kokrrat e pjekura të një peme.
Aila buzëqeshi duke menduar se si gjuha nuk ishte çliruar ende nga ajo shprehje naive e primitive “yjet binin”.
Ajo kërkoi me sy yllin, domethënë planetin, ku duhet të ndodhet Inoja.
Në poemën e tij të fundit kishte vargje të tilla:
Duke u kthyer nga shkretëtira e
Hënës
njeriu dashurohet pas planetit të tij
dritëkaltër
me zjarr të dyfishuar…
Me zjarr të dyfishuar.
* * *
Kopshti lulëzonte. Kameljet e kuqe e të bardha alternoheshin me manjolat.
Në një kënd të kopshtit lulëzonte lulja e çajit: një lule si yll i bardhë me pikë të verdhë.
Inoja e pat dashur shumë këtë lule – iu kujtua Ailatit.
Po trëndafilat ishin mrekullia e atij kopshti: trëndafila flakë të kuqe si gjaku, si zjarri, si buzët e një vajze, trëndafila delikatë bojë rozë që u ngjanin kupave të brishta prej porcelani, trëndafila të bardhë me atë magjinë e tyre të pashpjegueshme që shprehet përmes aromës.
Ailati, kur punonte në këtë lulishte të shumëngjyrëshe, e ndjente veten të shlodhur e të përtëritur.
Një flutur iu ngatërrua papritur te fustani blu. Ishte e kaltër me pikla të bardha e bojë kafe.
Ailati e liroi dhe iu kujtua se si dijetarët e kanë quajtur këtë insekt simbol të ortobiozës.
Në mbrëmje ajo ia tregoi këtë episod Betit të vogël.
E bija buzëqeshi. Donte mama ajo, – vërejti duke bërë aluzion për fluturën dhe Ailati u çudit edhe një herë më tepër për atë konceptim poetik të botës që i dallon fëmijët.
Ailën tani e shqetësonin mundësitë e tjera që kishte hapur para saj artikulli i doktoreshës Lora.
* * *
Era e pishës, një erë e këndshme rrëshire.
Inoja i donte pyjet për fshehtësinë dhe thellësinë e tyre; ajo i donte për forcën dhe bujarinë e tyre. I donte edhe si simbol të jetës së gjatë. Vështronte rrathët e lisave që u ngjanin rrathëve që shënon mendimi në ballë të njerëzve.
Aila i jetonte thellë çastet e kaluara nëpër pyje. Në rininë e vet të parë edhe ajo edhe Inoja kishin mbjellë fidane të rinj që tani ishin rritur.
Në vështrimin e Ailës kishte mbetur imazhi i këtyre fidanëve të rinj. Edhe tani që ishin rritur nuk i barazonte kurrsesi me lisat pleq e të menduar, ndërsa Inoja, që jetonte me çastin, i shihte këto drurë ashtu si ishin tani me kurorën e vet të blertë dhe me rrënjë të thella që thithnin lëngun e tokës. Nga halat e tyre të gjelbra pikonte vesa.
Ai dehej me aromën e tyre dhe si fëmijë ndalej për të këputur lulet e rralla, këpurdhat.
Nga deti vinte zhurma e dallgëve dhe kundërmimi i freskët i jodit.
* * *
Ridi mendohet duke vështruar përmendoren e Livit.
Para syve të tij ngrihet perdja e mjegullt e viteve.
Një katror i bardhë. Shtrati, qilimi, dritarja, të gjitha të bardha… hapat e ngadalshëm të njerëzve të veshur në të bardha. Ai kërkonte një ngjyrë tjetër, një ngjyrë që të jepte ndjenjën e pafundësisë, të kaltrën, të kaltrën…
Deti është si qielli i shtrirë në tokë. Ai lidh këto dy botë të ndryshme e të ngjashme: botën e kozmonautëve dhe botën e atyre që i kanë qëndruar besnikë nënës së lashtë, Tokës.
Kjo ngjyrë e bardhë dhe këto hapa të ngadalshme i kujtonin hapat e ngadalshëm të vdekjes e cila po i afrohej në mënyrë të pashmangshme, ndonëse qe aq i ri.
“Shkëmb i bardhë” e kishte quajtur një poet vdekjen. Tani Ridi i kuptonte këto fjalë enigmatike.
Të paktën të kishte vdekur në det.
Vdekja në det nuk ishte vdekje, ishte një shkrirje me kaltërsinë.



