Kreu Letërsi Bibliotekë “Kënga e fundit” poezi nga Ardita Jatru

“Kënga e fundit” poezi nga Ardita Jatru

Ardita Jatru

Psyche

Lahu zemër
lahu
me ujë perëndie
se fati do të ndrijë,
në mos nuk ësht’ nisur,
një ditë tek ty do të mbërrijë.

Dhe ajo
mbledh shiun në një kovë
ulet në prag
dhe prêt
me durim sa të mbushet.
Pastaj merr kovën
hedh brënda pak hi
nga zjarri i mbrëmjes
dhe nis e lahet.
Dhe shkrihet uji i perëndisë
i rënë nga qielli
flokëve të mëndafshtë
zbret lugjeve
shpërndahet krahëve
dhe bie furishëm si ujvarë.
Në fyejt e saj të njoma,
ndal frymën

pikë
pikë
pikë
fati
tek këmbët

dhe poreve të tokës zhduket
e niset sërish për në qiell
të bëhet uj’ perëndie
ta mbledh ajo në kovë
e të lahet.

Lodron fati me të,
ajo nuk di.


Legjenda e Safos

Ku është Faon që s’duket gjëkundi mbi det?
Mos varka të kthehet nuk i bindet?
A ndoshta puthet me Aferditën në ndonjë breg?
Oh, Faon!
Safo të pret, buzë greminës tek fari
dhe më digjen mollëzat e gishtave mbi harpë
dhe zëri më meket nga këngët e mallit
për zjarrin që më ndeze shpirtit të etur
ti rinoshi im, i bukuri peshkatar!

U ngrit dielli në majë të qiellit krenar
dhe deti vezullonte si perlë
fluturojnë rreth shkëmbit ca ëngjëj me krahë
në majë pret Safo si hënë e zbehtë
Lefkadhën sheh, Itakën , Kefalonian
dhe një çast bëhet dielli prush mbi det,
në rrëzë të shkëmbit me britma vijnë ca dallgë
dhe shfaqet tutje horizontit një pikë e zezë
në mes të vijës, që zmadhohet e rritet
dhe ngrihen zogjtë nga degët për në qiell
ca klithma pulëbardhash,
të trembura shkundin krahët
ndalon këngën Safo
dhe me sytë e padurimit prek pikën që vjen e rritet
e një tufë me flutura i shpërthejnë nga gjoksi,
kreh flokët me gishtat e gjakta,
shkund cepin e ngritur të fustanit të bardhë,
kafshon buzën dhe bëhet gati për çastin,
kur t’i shfaqet Faon peshkatari përballë.
Rrëmben harpën nga toka dhe këngën nis:

Faoni im i bukuri peshkatar!
Ktheu sa më parë në gjoksin e gruas që digjet.
Na vraftë Erosi të dyve me një shigjetë
dhe perënditë e Olimpit na bëfshin një varr.
Kthehu e bëhu pika e mbylljes në varg!

Dhe buza i bëhet gjak nga padurimi
dhe gjaku i piket në gushë mbi fustan
kur pandeh që pika e zezë horizontit
ish’ Itaka, që nga erërat, në qiellin e kthjellët u shfaq.
Gjëkundi s’duket varka.

Faon ku je, oiiiii dashuri,
majë shkëmbit u thava një stinë nën far.
Me vargje lirike vrava pritjen
dhe telat m’u këputën mbi harpë.
Faon, ku je o dritë,
jam grua e mbytur në mall.
Më shkrumboi dielli
më lëkundën erërat,
më gjunjëzoi nata,
qielli më rëndon mbi krye si pllakë,
u verbova tashmë,
nga kripa e dallgëve sytë m’u thanë.

Faon, o peshkatar,
kjo, është e fundit fjalë,
u bëftë pritja ime lule e egër mbi shkëmb
e trupin tim e përpiftë kjo dallgë që vjen furishëm.
Refuzimi yt legjendë u bëftë.
Po shkoj në Hades, përfundimisht
të endem me shpirtrat mëkatar.
Lamtumirë o fitimtar!

Dhe Safo lëshoi harpën në tokë
zbathi këmbët mbi barin e vestë
çliroi trupin nga fustani i hollë
dhe e hodhi vrik në humnerë.

Lamtumirë o far!
Lamtumirë o peshkatar!


Prezantim i detyrueshëm për kopertinën pas librit

Jam dyzet e tetë vjeç.
Jam e lumtur
Përderisa kam një familje.
Kam bërë pakt me subkoshiencën.
Shkruaj poezi të sinqerta.
Tani e di,
e re paskam qënë e bukur
por me mungesë vetëbesimi.
Të paktën të ma thoshte nëna.

Jam shumë e ndjeshme.
Spontaniteti im shpesh keqkuptohet.
E vogël kisha një ëndërr.
Tani e kam harruar fare.

Jetoj tridhjetë vjet në Greqi.
Shoqja ime e ngushtë është Elpida.
Nuk kam votuar kurrë.
Ushqej macet e lagjes.
Kemi ndarë zonat me zonjën Violeta.
Dikush duhet ta bëj.

Jam dyzet e tetë vjeç.
Nuk kam formim akademik.
Vuaj nga fobia sociale.
Më ndjek origjina ime.
Marr përgjegjësitë e të tjerëve mbi shpatulla.
Në fund të ditës
bie në gjumë e vdekur.

Jam me fat
që kam një burrë të mirë
e s’ka tentuar ndonjëherë të më vras.


Kënga e fundit

Ana,
kujdesu për mua
krihmi flokët me gishtërinjtë e hollë
se për ty kam krijuar një himn.
Eja, lamë për të fundit herë
dhe e dashur, falmë,
siç ti fal shiun kur gjethet rrëzon në tokë, padashur.
Në sirtar është një fletore pentagrami,
hape në faqen e fundit dhe këndoje pa zë.
Pranoje si dhuratë,
pastaj thuamë, nëse i mungon diçka
që të jetë e përsosur.

Ana,
një mollë pret për ta qëruar. Qëroje ti!
Në vazo, lulja është etur për pak ujë. Ujite ti!
Shallin e bardhë, dy dimra pa u veshur, vishe ti!
Dhe tani, hape dritaren e dashur,
të shijoj melodinë e pyllit teksa zhvishet këtë stinë.
Oh, në kokën time ka veç heshtje.
E ndien dridhjen e ajrit?
Është fryma e Zotit.
Fytyra jote, shëmbëlltyra e Tij!
Kam qenë i humbur pa ty, Ana,
hutaq si një i verbër,
mjeran si një i shurdhër.
Ana,
qeni po angullin,
paralajmëron shtegtimin e shpirtit.
Po ç’ka përtej pyllit, Ana…?


Erdhi një ditë

Dhe erdhi një ditë, atëherë
që na thanë gënjeshtrën më të madhe
e hëngrëm me bukë
dhe fjetëm të uritur.
Krijuam dhe një zot
e nëna ime jepte gjak
treqind gramë në muaj për tremijë lekë
dhe puthja e saj vinte era plumb mëngjeseve
me qumështin në çantë.
Nëna ime e re, anemike, dukej plakë,
babai në burg,
vëllezërit e mi, të rritur para kohe.
Dhe erdhi pastaj një tjetër ditë
perëndinë tonë e shkelëm me këmbë gjith’ urrejtje.
Poetët e oborrit dogjën poezitë.
Pastaj morëm arratinë e s’pamë nga ikëm
mes katër udhëve të çuditur,
Ne, të varfërit e botës.
Dhe erdhi dita sot,
mbiu e njëjta farë e vjetër,
fara u bë trung
trungu u bë pemë me rrënjë të forta.
Nga një pikë e tokës,
ndjek udhën e kthimit nëpër qiell.
Me aeroplane letre,
i çoj të fala nënës.


Hemikrania

Bri meje
marshon pikëllimi 
dhe ca emigrantë të paligjshëm 
që vrapojnë të fshihen.
I blej cigare një pakistanezi që më lutet.
Hidhërimin e tij ndez
dhe alarmohen venat.
Ankthi im
ngre shtizën.
Valëvit flamurin e betejës mbi kokën time.
Më bren ndërgjegja.
Fytyra ime
e bardhë
si hëna.

Qëndroj para psiqiatrit
e pagjumë
ulem.
Më pyet për gjëra që s’i mbaj mend.
Komike kujtesa ime.
Unë qesh.
Mbarojmë seancën.
Ngrihem
dhe vrima e zezë në prag, më gëlltit
e më pështyn në rrugë.

Kështu kthehem tek ty
pa vetëdije
si fëmijë i vrarë, nga refuzimi
për pak lojë.


Fustani

Nëna ime kishte vetëm një fustan
e lante natën dhe e thante pranë furnelës.
Ditën e vishte me aromë të re
Nuk e pyeta asnjëherë pse nuk blinte një të dytë
Nuk desha të kishte një të dytë
Unë ashtu e njoha
me fustanin me lule rozë,
deri te gjunjët.
Kur bleu një këmishë mëndafshi të verdhë
e preva copash natën me gërshërë
dhe mbusha xhepat.
Nëna heshti dy ditë
e unë gëzohesha nga brenda
që ajo vishte prapë të njëjtin fustan
dhe i përsërisja vetes,
sa dua t’i ngjaj.
Tani kam filluar të kuptoj nënën.
Pikëpyetjet e atëhershme i zgjidha,
nga dalin ofshamat
kam filluar të kuptoj
dhe vetëm pse copëtohej,
pse luftonte vetëm.
Fundja pse duhej të kishte një fustan.
Për të gjitha këto, kuptoj një gjë,
rritem dhe i ngjaj asaj
por me fustane të ndryshme
luftoj vetë i dytë
dhe stinët e mia thinjen para pasqyrës.


Kërthi

Kur doli nga burgu
me gjërat e tija të vogla
në një thes prej cohe mbi kurriz
ndaloi tek kafja e parë.
Rrofiti disa kafe.
Luajti një dorë domino me një të dehur
që s’kishte kundërshtar
pastaj u nis tek stacioni i autobuzëve.

Në shtëpinë e vjetër
që i qe djegur çatia disa herë
gugisnin pëllumbat.
Rrobat e varura në tel shkujdesshëm
i shëmbëllyen me kufoma të thara
nga kujtesa.
Lëshoi thesin me gjërat e vogla
në derën e kyçur
dhe u ul në gurin e vjetër
mbi pus
dhe priti.

Më në fund
u shfaq në oborr ajo
në dorë me një kërthi.
U përshëndetën ftohtë
Luftuan një copë herë.
Pastaj të lodhur
futën armët në brez
dhe heshtën.
Ai mori thesin e tij në krahë
dhe u drejtua kah pragu tjetër.
Ajo, në qelinë e saj me çati të djegur
në dorë me kërthinë
që belbëzonte «bukë»!


Një fëmijë ha luleshtrydhe

Një fëmijë ha luleshtrydhe.
Ha dhe qesh.
I shtrydh frutat me të dyja duart
dhe gojë e vogël e njerëzimit
mbushet me pafajësi.
Pastaj duart i kalon fytyrës
dhe i përplas përsëri në shportë.
Qesh dlirësia
dhe bari ku është ulur qesh.
Gjithçka rreth pafajsisë bëhet më e pastër.

Por do të rritet një ditë
dhe do tronditet thellë,
kur të shohë fotografinë e tij
se gracka ishte pikërisht ajo shportë
me luleshtrydhe
në gjunjët e tij,
por vetëm të qaj do mundet
me lotët e të rriturit
që nuk mban mënd a kish qënë ndonjëherë fëmi.


Njerëzit që s’më deshën

Dje ngrita në çati një flamur të bardhë.
Jam në paqe
me ju që për një arsye, nuk më deshët
tani ju dua më shumë.
Keni ardhur tek unë me maska të veshura
para meje jeni zhveshur lakuriq,
si fëmijë të vegjël
ju kam parë
si jeni mbledhur grusht
e keni qarë me oshëtima
dhe jua mbajta dhimbjet në pëllëmbë të dorës.
Prapë me maska të veshura ikët
nuk ju tradhëtova kurrë.
O skllevër,
që më dhatë padashur leksione për natyrën njerëzore!
Ç’ma bët’ paq
hipokritët e dreqit !
Vetminë time
nuk e kam dashur kurrë kaq shumë më parë.


Pasqyra

Ndonjëherë
Të merr malli të takosh dikë.

Del në rrugë.
Takon një të vdekur që njeh.
E përshëndet
Si je?
I vdekur.
I vdekur dhe unë!
Dhe shfrytëzon rastin t’i thuash përmallshëm,
dukesh hijshëm
por i zbehtë .

Kthehesh në shtëpi.
Shtyn derën,
stomakun e nxjerr në prag.
Heq këmbët,
var krahët mbi një prift,
shkon para pasqyrës
papritur
sheh të vdekurin
që takove në rrugë më parë.


Antony

Antony,
mos vdis kësaj vjeshte
se ky pikëllim i kuqërremtë i natyrës
duhet ndier në asht
dhe muzgun kur ngjit fytyrën qelqeve me brymë.
Eh, dhe liqenin e hirtë e të heshtur pa një shpend.
Por asnjë vjeshtë nuk është njësoj,
as dashuritë.
Pa gjak Antony…pa gjak e do kjo jetë.
Në fund të fundit Antony
kjo është jeta,
i njëjti diell që lind
të njëjta dhe perëndimet.
Fati ynë nuk është i njëjtë.
Ndaj kur të zgjohesh mëngjesin tjetër,
eja më trego historitë e tua, i kthjellët,
për zhgënjimin tënd me zonjën Mina
e për natën e ndarjes që u rrahët paq.
Për të shtunën që desh vrave veten për pak.
Tregomë gjithçka…
O Zot, më dhimbsesh.
Ta marrë e mira, sa shumë që ngjajmë!

Exit mobile version