Kreu Letërsi Bibliotekë Katër minitregime nga Jorge Luis Borges

Katër minitregime nga Jorge Luis Borges

Jorge Luis Borges

INFERNO, I, 32

Që prej mugut të agimit deri në mugun e mbrëmjes, një leopard, në fundvitet e shekullit XII, shihte vetëm disa dërrasa druri, disa shufra vertikale prej hekuri, burra e gra të ndryshueshëm, një mur dhe ndoshta një kanal prej guri të mbushur me gjethe të thata. Nuk e dinte, nuk mund ta dinte, se dëshironte ethshëm, dashuri dhe egërsi, kënaqësinë e nxehtë të shqyerjes dhe erën me aromë dreri, por diçka brenda tij po mbytej dhe po rebelohej, atëherë Zoti i foli në ëndërr: “Ti jeton dhe do të vdesësh në këtë kafaz, me qëllim që një njeri që di unë, të të këqyrë një numër të caktuar herësh për mos të të harruar më dhe ta vendosë figurën dhe simbolin tënd në një poemë, e cila ka vendin e saj të përpiktë në ndërthurjen e universit. Po vuan robëri, por do t’i kesh falur një fjalë poemës.” Zoti, në ëndërr, e ndriçoi ashpërsinë e kafshës dhe kafsha i kuptoi arsyet dhe e pranoi fatin e vet, por, kur u zgjua, brenda saj thjesht pati një nënshtrim të errët, një padije të guximshme, sepse mekanizmi i botës është tepër i ndërlikuar për thjeshtësinë e një bishe.

Vite më vonë, Dantja vdiste në Ravena, aq i papërligjur dhe aq i vetmuar sa edhe çdo njeri tjetër. Në ëndërr, Zoti i rrëfeu qëllimin e fshehtë të jetës dhe veprës së tij; Dantja, i magjepsur, më në fund, e mësoi kush ishte dhe çfarë ishte dhe i bekoi hidhërimet e tij. Gojëdhëna tregon se, kur u zgjua, ndjeu se i kishin dhënë dhe kishte humbur diçka të pakufi, diçka që s’mund ta rigjente, madje as ta përshquante më, sepse mekanizmi i botës është tepër i ndërlikuar për thjeshtësinë e njerëzve.


DIKTATURAT

Diktaturat nxitin shtypjen, diktaturat ushqejnë servilizmin, diktaturat prodhojnë mizorinë; më i neveritshmi është fakti që ato mëkojnë idiotizmin. Diktatura ka ushtarë të urdhëruar që u merret goja, portrete udhëheqësish, njerëz që rrojnë dhe vdesin me paracaktim, ceremoni të njëjta, disiplinë të egër për të uzurpuar vendin e shkëlqimit…

Të luftojë këto monotoni të trishtuara është një nga detyrat e shumta të shkrimtarit.


ROBI

Këtë histori e tregojnë në Hunin ose në Tapalken. Pas një sulmi indian u zhduk një fëmijë. Thanë se e kishin rrëmbyer indianët. Më kot e kërkuan prindërit e tij. Vite e vite më pas, një ushtar që vinte nga thellësia e vendit, tregoi për një indian me sy të kaltër që afërmendsh duhet të ishte biri i tyre. Më në fund, ata e hasën birin e humbur (rrethanat si e qysh i ka përpirë historia dhe nuk dua të sajoj për atë që nuk e di) dhe besuan se e njohën. Njeriu, i rritur në shkretëtirë dhe i përshtatur me jetën barbare, tashmë nuk i kuptonte më fjalët e gjuhës së nënës, por, indiferent dhe i bindur u drejtua dhe shkoi vetë deri te shtëpia e lindjes. Aty u ndal, ose ndoshta e ndalën të tjerët. Shikoi portën e shtëpisë, sikur të mos e njihte. Pastaj, menjëherë, uli kokën, bërtiti, kapërceu pragun me shpejtësi dhe, duke rendur, përshkoi të dy oborret e gjatë dhe u fut në kuzhinë. Pa hezituar aspak, futi dorën në një vazo të vjetër e të nxirë dhe nxori andej thikën me bisht briri, të cilën e kishte fshehur aty qysh kur ishte i vogël. Sytë i ndritën prej gëzimit, ndërkohë që prindërit, të bindur se e kishin gjetur birin e humbur, nuk i mbajtën dot lotët.

Kushedi, pas kësaj ai kujtoi edhe gjëra të tjera, por, tashmë indian, nuk mundi të jetonte midis mureve dhe një ditë iku në kërkim të shkretëtirës së tij.

Unë doja të dija se çfarë ndjeu në atë çast marramendës, kur iu ngatërrua e kaluara me të tashmen. Doja të dija nëse ky bir i humbur rilindi dhe vdiq në atë ekstazë apo nëse, si një krijesë apo edhe si një qen, a thua arriti të rinjohë prindërit dhe shtëpinë?


KURTHI

Tmerri i tij i vërtetë ishte, kur Cezari, tek këmbët e statujës, i rrethuar dhe i goditur prej thikave të pandalshme të miqve, mes fytyrave dhe teheve zbulon atë të Mark Brutit, të preferuarit të tij, e pse jo birit të tij, dhe atëherë dorëzohet e thërret: Tu quoque, Brute, fili mi? (Edhe ti, Brut, biri im?!); një klithmë patetike kjo që e kanë rrokur Shekspiri dhe Kevedoja.

Fatit i pëlqejnë përsëritjet, variantet, simetritë; nëntëmbëdhjetë shekuj më vonë, në jug të provincës së Buenos Airesit, një fshatar sulmohet nga disa fshatarë të tjerë dhe, kur rrëzohet, njeh birin e tij të adaptuar dhe i thotë me qortim të butë dhe habi të plogët (këto fjalë duhen dëgjuar, jo lexuar): Pero, che! (Edhe ti, ore?!). Pastaj e vrasin dhe ai nuk e di se po vdes që të përsëritet një skenë.

I përktheu nga origjinali Bajram Karabolli


Shënim i përkthyesit: “Kurthi” është një nga ato minitregimet e famshëm të Borhesit, të cilët janë tejet lakonikë, art puro. Por dua të qëndroj te shprehja Pero, che!, për të cilën vetë Borhesi thotë: “këto fjalë duhen dëgjuar, jo lexuar”. Dhe e ka fjalën për një lexues vendas (argjentinas), lëre më, një i huaj. Personazhi i Borhesit ndodhet në të njëjtën situatë, si Jul Cezari, dhe njësoj si ai shqipton vetëm ato dy fjalë aq lakonike.

Por në këtë rast, fjala është tjetërkund. Te vështirësia e përkthyesit, që, nganjëherë, është gati e pakapërcyeshme.

Che (çe) është një fjalë që përdoret vetëm në Argjentinë dhe Uruguai dhe në asnjë vend tjetër spanjishtfolës. Në dy vendet e mësipërme, kështu i drejtohen një të afërmi, një shoku, një miku, qoftë mashkull apo femër. Është një mënyrë e veçantë të drejtuari që shpreh afëri, ngrohtësi, intimitet. Argjentinasi i famshëm, Ernesto Gevara (Ernesto Guevara) njihet Çe Gevara (Che Guevara), vetëm se në Meksikë, ku ishte student për mjekësi, u drejtohej shokëve dhe miqve të tij: Ej, Çe! Ç’kemi, Çe? Tungjatjeta, Çe!… Dhe të tjerët që s’e përdornin këtë fjalë, apo nuk e njihnin këtë mënyrë të drejtuari, nisën ta quanin Çe dhe jo Ernesto.

Pero, che! Kaq thotë personazhi i Borhesit dhe i lë që ta vrasin. Ad literam, do të përkthehej: Po ti, ore! Por, një lab, në një situatë të tillë do të thoshte: “Edhe ti, more derëbardhë?!”, apo: “Po ti, ç’pate, a tu shoftë?!”, etj. Një shkodran mund të thoshte: “Ç’ban, o nieri i mirë?!”. Po ka shprehje nga më të ndryshmet për të shprehur njëherazi, habi, dhimbje, lëshim, falje, e ku di unë, ama, kurrsesi mallkim, në një situatë të tillë.

Të gjithë e njohin shprehjen e famshme italiane: Traduttore, traditore. Sepse, në njëfarë mënyre, përkthyesi, patjetër, do të tradhtojë dikë: ose autorin, ose lexuesin; ose gjuhën origjinale, ose gjuhën tjetër, në të cilën e shpie origjinalin. Dhe kjo është një dilemë e madhe për të.

Exit mobile version