Kreu Letërsi Bibliotekë “Ju fal krejt qiejt e mi”, tregim nga Dituri Dizdari

“Ju fal krejt qiejt e mi”, tregim nga Dituri Dizdari

Foshnja që sa kish nis me belbzu, kthehet dhe lëviz vshtirë në atë ngushticë shtrojë, dhe kërkon gjithë sy e trup, ftyrën e nans dhe dorën e bekume të saj.

– Nan…

Gruaja krejt pa ndij e pa dit përkund lehtë, shtratin e tij dhe ndjen hutim kujtese.

“Kur kish përkund për herë të parë… po, për herë të fundit?”

Mështjell me krahët e saj, djepin e thurun, dhe një dritë e amël i mbush shpirtin:

“O Zot, qofsh ma i madh se je…”

Afron ma ngjat vetes, shtratin e të voglit, dhe bahet njish me të, tani ngrohtësia e trupit të saj do të ngroh foshnjën.

Kamt si dru të laguna, i përshkon mpimja si të jenë të tjetër kujt, por as që gjindet kohë, për me’ e dit, një ndjesi e largt prej dëshiri që vetëm e tillë ka mbet, i buzëqesh pa kusht.

…një det i bukur që verbohet nga dielli, reze diamanti, dhe streha prej çadre dhe fmijt aty, varzat që vrapojn kah andrra dhe djali nji motak e gjys që i ndjek pas si zog pushverdhë dhe lodrat dhe akulloret dhe plluskimet mbi ujë, dhe ajo sygëzum nga lumtunia. Gjithë bota e vet asht aty.

“Zgjohu” i tha vetes, “Nuk ban gruja me flejt, duhen ba gjithë ato punë, shtëpia m’pret mue.”

Ndjen gjymtyrt e mpim, kryet e randë dhe pafuqi e pamund mpleks’ bashkë, si gërsheti i saj reth kres.

“Zgjohu, çohu…”

Nuk mund me fol, as me mend, as ajo nuk i bindet ma, gati nuk beson porse ndjehet mirë që asht me të birin, në ato çaste që nuk do don t’i përjetojë dy herë, me shpirtin, ngrohtësinë e të voglit në gjoks të vet.

– Nan…

Vështron fëmijën, zëmra i rreh fort dhe mshtetet pak se ndjen lodhje.

“…sa mirë që u kujtova, sa mirë…”

Koha kish fluturu, sa hap e mbyll sytë, zallahitë e saj patën urdhnin e vetë perëndis, toka u bë det i frikshëm, qielli, pus i thell.

Vetëtima e shkreptima si gjarpërinj anemik çajnë tokën, nën ujë.

Gruja tulatet, si dikush t’i kish dhanë një shuplakë t’fortë a një lajm kobzi.

– Djepi, tha, djepi…

Vrapoi në haur dhe rrëmbeu djepin që para pak kohë e kish varun aty…

– Naan…

Djali, send ma i bukur, nuk ish pa në tan fshatin i lindur pas tri varzave, porse që nuk mund me e ditë, ktheji vështrimin mbi fytyrën që kishte pranë.

– Nan…dhe u qetu, fryma e njohun e ngazëlloi të qeshte vetiu e të rrotullonte sytë herë mbi andrrat prej foshnje, të cilat, nuk do t’i mbajë mend kurrë e herë mbi tavanin e ulët e të randum të dhomës.

“A mundet, kush me të ba dhuratë ma të madhe, se fëmija, veç t’lumit…a ka në këtë botë shpirt ma të pasun se i nanës… falemnderës…ja pastaj do baj darkën, se dita kaloi si kaloi, një zot e di sesi… dhe kush, nuk hangër asgja, as mjesin… varzat shkun tek nana e jan mirë aty… zemrat e mia, njana ma e bukur se tjetra…oh, sa e lodhun jam…burri më tha se po vjen shpejt…dhe ai don diçka me ngranë…fasule, jo dun kohë…byrek… jo… vezë, djathë dhe turshi… sa mirë, i bana me kohë turshitë, janë të mira të shkretat…t’amlin…nuk mujta…me e mjelë lopën…delet ku shkunë, ku janë…shpirti jem, fli zemra ime ti…

sa mirë, “mendoi sërish… “zoti me të madh t’vet… “

E pat vu djepin mbi një raft të ulët teshash, pika ma e naltë e dhomës, aty nuk do të mbrrinte kurrë uji, që kish mbush me shpejti dhomën e gjithë shpinë, pastaj ajo do ta mronte me trupin e vet, djalin.

Gjysmëerrësina prej të ftohti moti dhe shiu që nuk pushon, e që kish ra gjatë gjithë nats e kish mbyt e përmbyt krejt e gjithsa, e që kish kaplu metrin, kenë mysafirt e rrallë e të paftum, e që ishin shtru si n’gosti t’zotave, atyre anëve.

– Nan… ka…ftot…

Sytë e të voglit, lujn me shpejtësi sipas ritmit të shiut furtunë, e brenda një çasti, gjithça u ndrrit dhe gjëmimi tundi nga vendi çfarë mund me gjetë.

Moti zallahis e nanuris veten në shkrepëtima të frigshme e të ikëshme rrufesh. Një forcë furi bjen ujra lumenjsh që janë dalë nga rrjedha e zotit. Kenë çart!

Foshnja zgjohet, frymon shpeshtas, anon kryt e vogël rethum kaçurelash t’verdha dhe vështron andej nga vjen ajo pak dritë.

– Merrni fminë, shpejt, thirri një kojshie aty pranë, foshnja e mbështjell me robë të djepit, kalon dorë më dorë nga vargu i njerzve, derisa krahët e një ushtari e kalojnë tek infermjerja, që pret tek porta e hapun e makinës ambulancë.

– A ka kush tjetër?

– Jo, joo, qe përgjigja.

Makina niset, dhe ato pak vetë fillojnë me dalë prej ujit.

Furtuna kish pushu dhe ajrit, klith pa za i ftohti i idhët. Avulli çohet nga trupat e mardhun por ata njerz, janë vendosë të bajnë të pamundmen me shpëtu gjindjen. Ajo kohë e mbrapshtë, kish qenë dhe e pabesë, të moshumit tregojnë se qe njizet vite s’kishin pa, njashtu moti, hem lumin e kish nxjerr nga shtrati, hem tokën.

Falna zot, mëkatet, nuk dimë çka bajm!

– Ndaleni, ndaleni atë ambulancë, briti kojshia me sa za i kish dhanë perëndia. Shoferi, që sa kish vënë kamën në gaz, dëgjoi klithmën e shpirtit.

– Asht e ama djalit këtu, e mbytun në ujë, oh e mjera unë, – klithi.

Dy krahë e nxurrn dhe e ngritën nga uji, grun e shkret, dhe e vendosën mbi nji çarçaf e shkopa të sajum, krahët i vareshin.

– Oh, ku, ku! – dëgjohej zani i do grave.

– Oksigjenin shpejt, – klithi dikush, – dhe një batanie, asht gjallë, asht gjallë!

Zani i foshnjës shpoi ajrin gri pllumash.

“Unë kam në pllambën time, dorën e grus dhe më dhemb zemra, po vuj. Hesht si gjithmonë, e pafuqi për me ba ndonji gja, për këta njerz.

Befas dora e saj dridhet, bash kur brit’ djali, dhe unë fluturoj në qiejt e mi, si gjithmonë flatroj dhe besoj se nuk është dhe aq pak t’u falësh këtyne njerëzve të varfër e të mir, pak qiell e ta shohësh ate, në sytë e tyne, kur ngrejn lart, durët për me u lut.”

Exit mobile version