Romani i ri i Mira Meksit “Kutia e Agatha Christie-t”
Jo të gjitha romanet e Mira Meksit i kam lexuar… Gjithsesi në mendjen time si lexues ajo fle paqësisht, falë një miradijeje masive që sekti i letrarëve e ka dhënë tashmë. Fle paqësisht, si në një shkrehje të mendjes, teksa rrëshqet fjalë pas fjale ligjërimit të saj të kuruar. Njësoj si të përkëdhelësh diçka të butë, të pafajshme. Diçka si prej purpuri. Një frushullimë prej detit, në zheg. Edhe romani i fundit i saj “Kutia e Agatha Christie-t” një histori dashurie që mbin mes gjakut sjell, ftillëzohet mendjes së turbullt dhe mërive të hakmarrjes, e diku në kufijtë e një lëndimi bulbon, që të ndjek pas si ëndërr a si ankth i patretur. Për një të tillë dashuri bën fjalë Mira, një dashuri të pamundur, fatale, midis një agjenteje angleze të bukur si yll, Elisabeth, me emrin përkëdhelës Ninet, dhe një politikani shqiptar i rangut të lartë si Mid’hat Frashëri, një eruditi dhe shpirtbukuri. Kjo dashuri na merr me vete. Ne nuk duam të zbresim nga kaikja e shkrimtares ujërave të Bosforit dhe gjithë madhështisë së dy perandorive, Bizantit me Kostandinopolin dhe Otomanëve me Stambollin, të cilat i bashkon një histori, një mbivendosje kulturore dhe qytetërimesh, një katedrale e kthyer në xhami: Ajos Sofia. Aty shkrimtarja na ledhaton, na gazmon, na jep gjithë ëmbëlsitë dhe ndjeshmëritë e buta erotike të dashurisë së këtij çifti dhe po aty na turbullon, na trondit, na gërric, na fshikullon me dyshimet dhe të papriturat tragjike. Atëbotë ne shohim në hisorinë e shkurtër të kësaj dashurie të pazakontë, sa ashkun e një zemre të ndezur që kridhet në syrin, adhurimin dhe mirëbesimin e tjetrit, aq dhe avujt e helmët të saj tek digjet tinëz në sulfurin e intrigës politike, në makthin e vdekjes së pritshme, në sakrificën e një pasioni që sfidon pusitë e krimit, te vetë Golgota.
Por përtej një intrige dashurore, që letërsia botërore prodhon stoqe pa fund, me ndodhi e aventura nga më të habitshmet, ku shpirti ngazëllen dhe loti rrjedh faqeve (shkrimtarët janë mjeshtrit e sentimentit dhe befasive), romani i Mira Meksit për lexuesin shqiptar sjell diçka vërtet kureshtare, të njënjëshme, që na godet. Sepse personazhi i saj është figura madhore, tejet e njohur dhe e mirëpritur nga shumëkush që e do librin dhe diturinë: Mid’hat Frashëri, poet, shkrimtar e diturak, pinjolli i Frashëllinjëve të mëdhenj, por edhe vetë një figurë dominuese e gjysmës së parë të shekullit XX. Duket sikur këtij njeriu, i përlëvduar dhe i anatemuar njëherit nga shqiptarët, thuajse dykahesh, i shkon dashuria. Ca më shumë me një angleze të fisme, të bukur e të zgjuar, Ninetën. Ishte i tëri sqimatar ky Mid’hati, elegant, sykaltër, flokëdrudhë, që kullonte dituri, mirësi, kulturë, “oksident”. Njerëz të tillë dashurojnë vetëm një herë, si dhe ai. Në jetë e në vdekje. Por nëse romani do të ishte veçse një rrëfim dashurie, ai do të kishte mbetur, ndofta, në ndoca cektina si ato anijet e braktisura zbaticave, ku rrugëtojnë me mijëra shkrimtarë, ca më shumë rishtarët e panumërt, që shfryjnë dufet rinore erotike në lirat orfeiane postmoderne, paçka se me shumë seks dhe vërshime testosteroni ngashënjyese e prore të pashoshura (romani i ka shmangur imazhe të tilla, përkundrazi ka një lloj “klasicizmi” përdëllyes në marrëdhëniet mes të dashuruarve, ku syri dhe shpirti janë violinat e para).
Mprehtësia e shkrimtares M. Meksi është pikërisht fakti se prej dashurisë kalohet në një çështje madhore, ekzistenciale të kombit shqiptar: rreziku i copëtimit të trojeve të tij, orekset e panginjura të fqinjëve, Greqisë dhe Jugosllavisë me prapaskenat dhe krimet, për të gëlltitur viset tona. Kjo rrjedhë e dytë në dukje, por që lexuesi e kupton se është e para, çka më tej, befasisht, po të njëjtën gjë bën dhe rrëfimi autorial, sipas meje e lartëson së tepërmi veprën. Ajo i ikën kështu të rëndomtës, klishesë letrare. Nuk është fjala thjesht tek pohimi i një mesazhi politik kombëtar të rëndësishëm në fletët e këtij romani, se mjaftojnë pesë fraza dhe ja, i the! Fjala është se si shkrihet ky mesazh në fatin e personazheve të tu, në rrjedhën subjektore që ndërton dhe, më së shumti, në mendësinë e heroit që ti ke marrë si shembëlltyrë. Pra, si ai bëhet vetëdije, ndjeshmëri, përtetim, veprim. Them se shkrimtarja e ka mbërritur këtë. Mid’hat Frashëri është i tilli. Ajo ka përdorur me sukse edhe teknikën e suspansës, që rëndom shihet te romanet policorë apo ata të një bëme a krimi të fshehtë, i cili zbulohet ose cak pas caku, ose befasisht. Jo më kot ajo bën personazh Agata Christie-n, shkrimtaren e famshme të romaneve policore, duke e vënë në dy funksione: a) si mjet për të zbuluar krimin e kryer (vrasjen e Ninetës nga agjentura greko-jugosllave) dhe b) krijimin e një paraleleje emocionale të dy dramave njerëzore të ngjashme, asaj të Mid’hat beut me Elisabeth-in dhe të Agata Christie-s me të shoqin e vet, dy fatkeqë që vuajnë dëshpërimin e tyre të pacak.
Përmbledhtas, këtë roman mund ta përcaktojmë me fjalët që shkrimtarja Agata Christie-n thotë për atë çka ndodhi: “Do ta quaj “Vrasje në Orient-Express”, romani i një vrasjeje të përbindshme, i një pasioni çmendurak dhe shkatërrimtar dashurie, romani i një dashnori vrasës… Mister, mjegull e dendur dhe e errët deri në faqen e fundit. Tension, suspens dhe mbajtje fryme gjer kur lexuesi i lodhur së hamendësuari njëqind herë diplomatin e shquar shqiptar, të gjendet përballë vrasësit të vërtetë.” (146)
Unë nuk e di se çfarë lidhje ka romani i famshëm i Agata Christie-n me dashurinë e Mid’hat Frashërit dhe krimin e kryer bash në trenin “Orient-Express”. Por edhe sikur diçka të largët të ketë, në roman jemi në kushtet e fictionit. Andaj dhe qasje, bashkëshoqërime, ngjashmëri e ngatërrime kësilloj janë të pranueshme, ani pse përballë kemi një personazh historik. Por s’dua të tirrem e shpliksem më tutje te ky lëmsh. E rëndësishme është se unë e përjetova me një ndjenjë përdëllimi krejt dashurinë e Mid’hatit me Ninetën. Dhe më pas, me krimin e ndodhur, mendja ime gati klithu: Bravo! “Kyçi i artë” u gjet, “Suzami” u hap! Përmasa e dashurisë së Ninetës ndaj Frashëlliut, me paranojën e vrasjes së saj dhe dashurinë e dëlirë ndaj tij, gjer te pranimi i vdekjes dhe flijimit, është “zemra” që rreh te fletët e romanit në një heshtje sublime. Dhe ai mori kështu dimensionin e pritshëm qysh në kryeherë.
Mënyra e rrëfimit të M. Meksit është e mbushur me një ndjeshmëri thuajse poetike, ndonjëherë e ekzaltuar dhe e kredhur në erosin trallisës, por më shumë në një avull dëlirësie femërore, aq edhe mashkullore, ku jo veç trupi sesa syri humbet e shkrihet te syri tjetër. Pra, një nokturn e mug i ëmbël, ndezullues, me një shpirt mistik që kundron jo thjesht lëkurin e fashitur të epshit mbi shtrat, por edhe dritat e Stambollit, vezullimet hënore të ujërave, cipën e një ëndrre. Dhe e gjitha kjo na tërheq, duam ta përjetojmë deri në fund, si një dashuri që e duam ta kemi edhe ne vetë, sepse ajo është poetike, është mallëngjyese. Kur poetikja fshihet diku e mërgon nëpër informacione të tipit të artit, arkitekturës, qytetit, siç bëhet me përshkrimet dhe informacionin mbi Stambollin, Bizantin, tempujt, kishat, religjionin, antropologjinë dhe historinë e shqiptarëve në Ballkan, ajo është një shtresë e përligjur. Por kur ligjërimit i shtohet një mbishtresë politike jo aq e ujdisur, siç është situata e shqiptarëve të Çamërisë dhe nevoja e mbrojtjes së kufijve etj., në këtë rast shkrimtarja mund ta treste ca më mirë atë në formën e përjetimeve dramatike të Mid’hat Frashërit, mërzive të tij, zymtimeve, mundimeve dhe vramendjeve, dhe jo t’i bënte pjesë të dialogut me Ninetën në çastet dashurore e me ndezulli poetike. Them se një zgjedhje e tillë mund ta çlironte ligjërimin nga mbivendosja retorike duke e shndërruar atë në formë përsiatjesh e përjetimesh të drejtëpërdrejta dramatike e tragjike të vetë personazhit.
Po e njëjta gjë, besoj, ndodh edhe me shpjegimet që Mid’hat beu i jep Ninetës për arkitekturën dhe visaret e Kishës së Shën Sofisë apo Hagia Sofisë. Sido që të bukura dhe që dëshmojnë nënshtresën iluministe evropiane të diturakut tonë, ato janë disi parazitare. Do të lipsej, sipas meje, të treteshin ca më shumë në domosdonë dhe funksionin letrar të përshkrimit, pasi lakmojnë më shumë të vihen si një brerore diturie mbi kryet e politikanit të kulturuar Mit’hat Frashëri, për ta rritur përmasën e tij si njeri dinjitoz e diturak, sesa në funksion të çastit të rrëfimit. Ca më shumë, kjo lipsej të njëmendësohej si përthyerje psikologjike, se si dituria dhe mendjeçelja e tij krijonte te ndjeshmëritë e Ninetës adhurimin që ajo po e rriste dita-ditës.
Narracioni i shkrifët, aftësia për të sjellë imazhe të Stambollit dhe imtësi të shumëfarta, krijojnë dritë, kureshtje, një ngopje syri dhe imagjinate për gjithfarë arturish, veshjesh, gjësendesh, reliktesh, stilesh, portretesh, ngjyrash, rrugësh, lagjesh, zakonesh. Imtësitë e lartësojnë shkrimin, sjellin një shkrimtari´ që vetëkënaqet me përkryerjen, me sqimën e fjalës, me sintaksën, gjer dhe me një farë mugulli ku përfytyrimi yt mbin mbi lëkurën e fjalës a frazës gjegjëse dhe lëshon “aromën” e vet. Ti këndellesh prej asaj “arome” stilistike dhe besoj se kjo është cilësi e ngulitur tashmë te romanet e Mira Meksit. “Letrarësia” e saj plot sqimë është menjëherë e dallueshme. Por meqë jemi te hiri dhe kurmi i fjalës, tek-tuk ajo edhe mbingarkohet, diç nga qartësia dhe rrjedhshmëria e saj humbet. Ajo sikur tulatet apo nga diçka pengohet, si ajo rrota e qerres që nga kalldrëmi i shtruar semantik bie papritur në një gropëz vramendjeje, turbullire, largimi, gjë që e vështirëson leximin. S’dua të them me këtë që ligjërimi, ca më shumë narrativa letrare të rëndomtësohen. Përkundrazi, hollësia, e endshmja dhe mentaria´ e fjalës janë vlera zotëruese e gjithkund të pranishme në roman. Po! Është një shqipe e krehur, që M. Meksit i ka ardhur edhe nga zeja e saj si përkthyese e zonja. Bash kjo shqipe e lartëson stilin, mënyrën e rrëfimit, kulturën e të shkruarit.
Romani “Kutia e Agatha Christie-t” të rrëmben. Pa u kredhur në logosin e dijes për letërsinë, unë e ndjej kur një roman është i bukur. Ky është një roman i bukur. Lexohet brenda ditës, siç unë e lexova. Është një shkrim fin, i përpunuar, plot lazdrime gjuhësore. Një stil e beletristikë që na kënaq teksa e lexojmë, e pasuar nga një dashuri që kridhet në tisin e ëmbëlsisë dhe erotikës, sa dhe të britmës së humbjes, tmerrit, dëshpërimit dhe vdekjes. Dhe po aty, në atë tis dashurie, lexuesi merret për dore dhe i rrëfehen ndoca zgripe e humnera ekzistenciale të fatit të kombit shqiptar, ku Frashëlliu i shquar ishte një kapiten e prijës guximtar, mendjendritur, që ndiqte Yllin Polar të atij fati të vendosur në peshoren e historisë dhe të gjëmës. Ajo “gjëmë”, që i kanosej Shqipërisë dhe shqiptarëve, u zhbë pikërisht nga veprimi i zgjuar i tij. Miku i shqiptarëve, anglezi Ashende, i mbeti besnik porosisë sakrale të Mid’hat Frashërit. Ai e çoi në mbledhjen e Këshillit të Lidhjes së Kombeve në Gjenevës dokumentin arkivor të Frashëlliut, ku vërtetohej dëbimi i shqiptarëve të 300 fshatrave çame për në Anadoll dhe shkretimi i tyre, shkretimi i Kosovës, grabitja, rroposja e tempujve dhe e dëshmive. Pikërisht aty Mid’hat Frashëri, më 10 dhjetor 1925, mbajti fjalimin e tij historik. Ky fakt parësor, ani pse i shkrirë dhe i fshehur pas rrjedhës subjektore, ecur bri makthit të një krimi dhe një marrëdhënieje dashurore gati qiellore, që e mbulon përsipër romanin si një vel vezullues, na shfaqet i gjithi i kredhur në dritë, po aq edhe si befasi e bukur, në fund të romanit.
Ja si e mbyll romanin shkrimtarja: “Në kërthizën e ndezullisë së universit u ndje sërish i dashuruar si një adoleshent dhe bërtiti sa i hante fyti: “Të dua Ninetë! Do të të dua në jetë të jetëve dhe në vdekje të vdekjeve!” (186) Dhe në një sfond të zi, në përjetimin tronditës të humbjes së dashurisë, ai i klith qiellit duke përfunduar se:
“Mid’hat beu besoi me shpirt se, në këtë univers ku gjithçka mpaket, shuhet dhe vdes, vetëm dashuria është e pavdirshme!” (186)
Pikërisht, dashuria është e pamort. Ky roman i ri i Mira Meksit na e thotë këtë. Dhe jo vetëm. Ai na rrëfen për dy dashuri, atë për Shqipërinë dhe atë për të vluarën e shpirtit që gjakon bri teje. Dy gjësende që rrinin si plagë të hapura edhe në zemrën e frashëlliut të ndritur, gjersa mbylli sytë: Mid’hat beut…