Etyd veror
Qielli hesht verbueshëm nën diell.
Era si gjuhë e njerëzve që pret rrëketë
E pijeve freskuese nga digat e bareve.
Në rërë nuk ka gjurmë këmbësh.
Trupat e zhveshur tundohen
Nga rrëshira e nxehtësisë.
I kredhur në ujë.
Përballë vjen gruaja e dallgës.
Të cilën pasi e kaploj trupshëm.
Më josh t’i afrohem thellësisë.
Sikur atje poshtë ka rënë dielli…
Me një qiell që noton.
Në rërë çadra mbjell hije hëne.
Pishat e mbetura nga fëmijëria
Tani të pakta në harresën e jetimtë.
Do mbeten princesha të dashuruara
Nga unë vetëm fëmi.
Dritë
Drita hënës është tundimi
Për t’iu afruar joshjeve të natës.
Një pemë hëne është grua e pagjumë.
Rrugë hëne është veshja saj hedhur.
Një dritare prej hëne mbetet pritje qielli.
Djersij të mbërrij gjithçka…
Dhe pse nën hënë mbetem
I padukshëm.
Rruga hënës brenda meje.
Nata kalorëson pa frerë.
Me duart, të vetme trimëri
Të miat.
Të humbasësh muzgun…
Atë pasdite nuk isha aty.
Kur dielli i afrohet vdekjes.
Me gurin e hënës te koka.
Atje ku mbrëmja mbërrin me
Shpejt se frika.
Ku perëndimi është më çvoshkur
Se një grua.
E humba atë muzg.
Jo pse nuk isha i gjendur aty.
Por prisja të shihja se ku do e hidhte
Spirancën e hënës mbrëmja.
Për të mos u mbytur errësira
Nga dallgët e hijeve…
Ishulli diellit
Prek detin në muzg dhe qielli
Ngrihet det plagësh.
Të gjitha dhembjet e dallgëve
Treten në horizont si një fushë
Pas beteje.
Pasi janë varrosur të vrarët.
Hëna në shpatullën e natës
Si fortesë sikur do i sulen në
Portën e shpirtit tani mbetur
vetëm nga valët.
Ngritur në këmbë si ecja e njerëzve.
Ku gjatë bregut lëshojnë
Mbi tastierat e shkumta zëra
Ëndrrash.
Të cilat i shkrumbuan gjatë ditës
Në furrën e gojës dhëmbë rënë…
Kur duhet t’ia jepnin diellit
të mesditës.
Si foshnje të porsa lindur…
Dhe nga e qeshura e një fëmije.
Dielli do të tundohej në muzg
grua në zhveshje.
Duke na dhuruar një trup deti.
Ndërsa nata do të djersinte
bulëza puthjesh.
Me një fortesë hëne në mes.
Ku deti ngrihet fshehtas të
Mbarset baticë.
Ashtu si dielli që kur prek dallgën e parë.
Mendon se flaka detit do të mbërrijë në breg.
Prek detin dhe qielli
ngrihet dhembje, jo plagë.
* * *
E futa fillin e erës në gjilpërën
Mes gishtave të gruas.
Në rrugë dola i hekurosur me qiell.
Dhe një njollë dielli në sup.
Në kthim gruaja ishte zhveshur erë.
Prita natën t’ia shpoja trupin me gjilpëra
Yjesh…
Por trupi saj më rëndoi mrekullisht
Një hëne e madhe.
Dhe era që heshtte e pagjumë…
Kujtesa
Kujtesa është një pyll i dendur.
Ku dashuria e parë është pëllëmba
Ime prej rrëshire.
Kujtesa më ndjen të dua të gjitha
Pemët e prera që u varrosën
Pranverë…
Kujtoj vrapimin e saj
Dhe plagët e trembjes nga unë
Lëvore pishe.
Tani me flokët e saj
Ka rrugë të shtruara mes pemëve.
Aty ku dikur rrinte në këmbë ajo.
Si një pemë që kundërmonte
Pyll…
Duar prej ere
Mbetën duart e erës
Pa zbritur në fundin e xhepave
Të njeriut.
Aty ku e vërteta është lëmosha
Për lypësin.
Kacafyten duart e erës dhe të njeriut.
Brenda atij xhepi.
Pa e kuptuar asnjëra vetvrasjen e parë.
Mbeti dora erës pa e përshëndetur diellin.
Sepse e qeshura njeriut nuk është më
Ditë.
Trupi erës fshikullohet nga dhembjet e shpirtit
Të njeriut, qëlluar netëve.
Me gurin e hënës, por që nuk pranon kurrë
Të shkruhet si gur vdekjeje.
Ulet mbi intelektualin e rënë në
Njërin xhep dorë e erës.
Ia ngre trupin. Por dorën jo.
Ajo është mbledhur grusht
Në xhepin e lëmoshës.
Për të mos marrë nga xhepi erës
Asgjënë.
Koha
Koha ecejaket veshje stine.
Rivishemi pranverë dhe ndjejmë
Se në trup u zgjua kohë e vdekur.
Në verë ledhatohemi veshur
Me erë.
Dhe koha na duket
Trup joshës.
Rënia gjetheve na ngre jakën
E hijeve të së shkuarës.
Dhe ndjejmë se pemët
Na presin si të gjithë
Të ikurit diku…
Fshehim trupin tonë në strofulla
Palltosh.
Dhe koha fle si uria kafshëve
Në pyje.
Koha.
Në bare filxhani kafesë
Na ka zvjerdhur në fallxhorë.
Koha është aty.
Është hija ime.
Por jo trupi im.
Që sheh vdekjen tonë
Pa e ndjerë dhembjen e kohës.
Koha nuk është vdekje.
Është gjethja ime që gdhendet
Erë…