Kreu Intervista Iliran Zhupa: Heshtja është një proces i brendshëm krijimi, që të mëson...

Iliran Zhupa: Heshtja është një proces i brendshëm krijimi, që të mëson se çdo gjë kastinën e vet.

Bisedoi: Bujar Hudhri

Ilirian i dashur, çmimi që morët në Reggio Calabria quhet “Una vita per la cultura” (Një jetë për kulturën). Kur një çmim nuk vlerëson një libër, por një jetë, çfarë ndiet atë natë fundgushti kur e morët?

Dua të besoj, se pavarësisht formulimit, në rastin konkret një jetë për kulturën është më shumë se një jetë për poezinë dhe librin…Atë natë kisha një emocion dhe mirënjohje të veçantë, që njeriu në përgjithësi, s’po flas vetëm për njeriun e letrave, e provon shumë rrallë. Jo thjesht për shkak të nderimit që të bëjnë, po për shkak të dashurisë dhe përkujdesjes me të cilën të rrethojnë personalitete dhe njerëz që nuk i ke takuar kurrë, ose i ke “takuar” vetëm në libra dhe gazeta. Qinda syresh duartrokasin gjatë, mbasi aktorja ka interpretuar poezitë e tua në italisht dhe akoma më gjatë, kur ti i lexon ato vargje në shqip. Edhe pse nuk e kuptojnë gjuhën shqipe, ata e ndjejnë muzikën e fjalëve dhe të vargjeve që i shtohet mesazheve të variantit në italisht.  Në një amfiteatër me disa qindra spektatorë, arrin gjer te dëgjuesi i fundit, jo vetëm fjala, por edhe frymëmarrja dhe rrahja e zemrës tënde. Dhe mbasi ka mbaruar ceremonia, janë pa fund ata qe duan të bëjnë një foto, të shkëmbejnë një përshendetje, të marrin një autograf, një dorëshkrim në italisht a shqip, siç marrin besimtarët një shenjë nga vendi a ngjarja e shenjtë. Nuk ishte një natë, ishte një magji. Magji që fqinjët tanë dinë ta bëjnë shumë mirë. 

Rhegium Julii lindi në Reggio Calabria më 1968 dhe ky çmim ju vjen nga ana tjetër e Adriatikut. Ç’domethënie ka për ju që një vlerësim i tillë të vijë nga Italia e Jugut, një hapësirë ku prania arbëreshe dhe kujtesa e De Radës vazhdojnë të lidhin dy brigjet?

Rhegium Julii ka një histori prej gati gjashtë dekadash. Në çmimet nacionale të këtij fondacioni janë të shumtë poetët e njohur, shkrimtarët, historianët, gazetarët, shkencëtarët e filozofët italianë. Ndërsa në çmimin letrar ndërkombëtar janë rreth dhjetë fitues. Ndaj kam një mirënjohje të thellë për jurinë dhe në mënyrë të veçantë për presidentin e këtij fondacioni, poetin bashkëkohor, z. Giuseppe Bova.   

Siç nënvizova edhe në fjalën time, Italia, si djep i kulturës botërore, ka qenë një fat që është “përkundur” kaq pranë nesh. Pra, ka ardhur te ne jo vetëm si fjalë, tingull e formë përjetimi egzistenciale, por edhe si frymë, pasqyrim e dritë. Për shkak të mbijetesës, midis mureve dhe urave, popullit tonë, i është dashur të zgjedhë urat.

Ju flisni për një çmim që vjen nga matanë deteve. Detet midis Shqiperisë dhe Italisë janë të njëjta. Brigjet ndryshojnë. Ne kemi brigje më të buta, po sillemi me ashpër me to; ata kanë brigje me të ashpëra, por sillen më butë se ne.   

Ndyshe nga Calabria, Reggio Calabria nuk është një vend i populluar nga arbëreshët. Edhe pse kanë të njejtin “mbiemër”, ato janë dy rajone fqinje, në shpinë të njeri – tjetrit. Rruga për në Reggio Calabria, për ne shqiptarët, sigurisht kalon përmes Calabrisë dhe Macchia Albaneses së poetit tonë të madh Jeronim De Rada.  

Në një intervistë të mëparshme për ExLibris keni thënë se nuk ishit kthyer te poezia, sepse nuk ishit larguar kurrë prej saj; ishte ndërprerë vetëm komunikimi përmes botimit. Pas kaq vitesh, vazhdoni ta mendoni njësoj heshtjen poetike?

Mendoj se heshtja është një proces i brendshëm krijimi. Përgjithësisht, bota e gjallë lind, rritet dhe shumohet përmes heshtjes. Bari mugullon nga toka me heshtje, pema çel lastarë e sythe po ashtu, foshnja rritet ne heshtje në barkun e nënës, shpendi formohet në heshtje brenda lëvozhgës së vezës… Vetëm luftërat, krimet, tërmetet, vullkanet, përmbytjet vijnë me zhurrmë e kuje. Sepse ato nuk janë procese krijimi e afirmimi. Ndaj kam shumë besim te heshtja. Heshtja që të mëson se çdo gje ka stinën e vet.

Krijuesi është një qenie e vetmuar, të themi është një Noe, brenda arkës së të cilit janë ngarkuar gjithë gjallesat dhe farërat, që duhet të shkarkohen në një truall dhe kohë të sigurt mbijetese.    

Ju keni bërë një jetë në dy fusha që kërkojnë përdorim krejt të ndryshëm të fjalës: poezia kërkon shumëkuptimësi, ndërsa diplomacia kërkon saktësi dhe kontroll. A e kanë ndihmuar apo dëmtuar njëra-tjetrën këto dy gjuhë?

Poezia dhe diplomacia kanë shumë gjera të përbashkëta. Të dyja përsosen përmes heshtjes së brendshme dhe të jashme. Të dyja duan që të jetosh dhe ecësh me gjuhë të kafshur. Krijohen me shumë mund dhe pak fjalë. Rriten në heshtje dhe shfaqen në kohën e pjekjes së tyre të plotë. Përndryshe dështojnë dhe humbasin funksionin dhe misionin e vet.

Çdo punë që kryen njeriu, çdo njohje është e dobishme për krijimtarinë. Ajo bëhet e dëmshme vetëm kur të merr shumë kohë dhe ka shumë rutinë.  

Keni qenë gazetar, botues, poet dhe diplomat. Cila prej këtyre jetëve ju ka mësuar më shumë për njeriun dhe cila ju ka mësuar më shumë për fjalën?

Të gjitha më kanë mësuar shumë. Edhe për njeriun, edhe për fjalën. Më shumë se me pjesën e tyre të bukur e të ndritshme, me pjesën e tyre të shëmtuar dhe të errët. Mbase bukuria dhe drita, mbijetojnë dhe kërkohen kaq shumë, për shkak se janë të rrethuara prej shëmtisë dhe errësirës. 

Në poezinë tuaj fjala shfaqet shpesh si dëshmi, shenjë, madje si amanet. Çfarë mund të bëjë ende fjala poetike në një kohë kur gjuha publike konsumohet kaq shpejt?

E kam shprehur edhe diku tjetër. Poezia është edhe pema, edhe fruti, edhe fara. Ajo duhet të bëhet bukë dhe të të ushqejë kur je i urritur, të bëhet zjarr dhe të të ngrohë kur je i mardhur, të bëhet hije dhe të të freskojë kur je i zhurritur. Dhe nëse ti je një tokë e plleshme, e gatshme që do të rritësh bimën e krijimit, poezia e mirë duhet të bëhet edhe fara për këtë tokë. Bashkë me pikturën dhe muzikën, poezia është një fe e përbotshme dhe e përjetshme.  

Keni thënë se Fije bari e Whitman-it është libri juaj më i dashur dhe se i riktheheni prej dekadash. Çfarë i ka mbetur Whitman-it brenda poezisë suaj, edhe aty ku nuk duket?

Unë jam një praktikant dhe besimtar i fesë poetike. Mes librave “të shenjtë”, mbi të cilët ngrihet ky besim, pavarësisht se adhuroj shumë poetë, unë kam zgjedhur Biblën dhe Kuranin tim, që është Walt Whitman! Prej këtij profeti unë kam mësuar se bota është e madhe, për shkak të gjërave të vogla; se ajo është e fuqishme, për shkak të delikatesës së saj; se ajo rritet e zbukurohet me ëndrra dhe me frymë; se në të ka vend për të gjitha e të gjithë; se mirësia dhe mëshira janë forcë dhe jo dobësi; se “.. gjersa dielli s’të përzë, as unë s’të përzë….’. 

Poezia juaj ka kaluar përmes dy sistemeve shoqërore dhe dy mënyrave radikalisht të ndryshme të jetës kulturore shqiptare. Çfarë ishte më e vështirë për poetin: kufizimi i dikurshëm apo zhurma dhe tepria e sotme?

Më ndjeni, por më duhet ta them. Është një diskutim i gjatë dhe shterpë diskutimi i letërsisë si pjesë e sistemeve politike. Sigurisht sistemet politike ushtrojnë trysni mbi letërsinë dhe artin, ashtu siç ushtrojnë edhe mbi çdo qenie njerëzore që frymon nën hijen e tyre. Si qenie shoqërore, të gjithë i paguajmë haraç diktaturës dhe lirisë sonë. Mbasi shpëtoi prej mallkimit të realizmit socialist, tani letërsia dhe arti ynë po vuajnë pasojat e realizmit demokratik. Metodat letrare politike, janë si pasqyrat. Të gjitha kanë pasaktësitë dhe deformimet e tyre të qëllimshme. Krijuesit e vërtete, sa kohë janë të bindur që nuk janë të verbër, e shohin botën me sytë e vet dhe jo me pasqyra. Për këtë arsye, letërsia e mirë është bërë në çdo kohë, në liri apo në pranga, pa kompromis. Dhe po ashtu, për këtë arsye skarcitetet letrare vijojnë të rriten prej të gjithë atyre, që e shohin botën përmes pasqyrave e thierzave politike. Mbasi politika ka një tharm të përkohshëm, ndërsa letërsia e njëmendtë ka një tharm të përjetshëm.

Ju keni thënë dikur se librin “Të gjallë dhe të vdekur”, po të kishte qëndruar edhe më gjatë “në sepete”, ndoshta do ta kishit bërë edhe më të mirë. Kur e kupton një poet se një poezi duhet lënë më në fund e lirë dhe nuk duhet prekur më?

Kjo është një gjë që poeti nuk e kupton kurrë. Ai e ndjen. Pasi ne raport me poezine, krijuesi eshte si prindi. Janë të shumta arsyet dhe receptorët e ndjesisë. Në shumë raste, poeti mendon se krijimi i tij mund të përsoset dhe arrin ta përsosë pjellën e vet. Por në shumë raste të tjera, ai kupton se tendenca e përsosjes nuk pajtohet me poezinë që ka lindur e papërsosur dhe duhet të jetojë si e tillë. Në këto raste, puna për përsosjen rrezikon të kthehet në një masakrim dhe sajim prej Frankelshtajni.

Në librin “Të gjallë dhe të vdekur” ka kohë që nuk mund të lëviz asnjë presje, me vetëndjerjen e sigurt, që çdo operacion do e dëmtojë atë. 

Çfarë marrëdhënieje keni sot me Çorrajn, me atë vend që e keni quajtur “rrënjët e mia”? A bëhet vendlindja më reale apo më e trilluar sa më shumë largohemi prej saj?

Në rininë time, kisha për Çorrajn një dashuri shkëlqyese e fëshfëritëse, dashuri që ka ngelur e gdhendur te poezia “Në Çorraj prej kohesh s’kam qenë”. Unë isha i vogël dhe Çorraj ishte i madh. I jepnim njeri-tjetrit shumë dashuri. Tani që jam në kapërcyell të moshës, unë jam rritur, ndërsa Çorraj është ronitur, kam për të ndjesinë që përcillet te poezia “Shumë qenkam rritur””. Ai nuk më ka pritur dot kaq vite larg dhe shumë gjëra, objekte, kujtime e njerëz të dashur, tani nuk janë më. Pavarësisht prej kësaj, vendlindja  mbetet gjithmonë reale dhe e shenjtë, madje edhe kur heq shpirt, edhe kur nuk na ofron dot më asgjë. 

Dhe pas një çmimi që quhet “Një jetë për kulturën”, pyetja ndoshta është e pashmangshme: çfarë mbetet ende për t’u shkruar? Cili është libri që Ilirian Zhupa e di se ekziston, por ende nuk ia ka dhënë lexuesit?

Në tavolinën time të punës, në gjumin dhe zgjimin tim, zgjohet dhe fle një libër i cili mezi çpret rastin të më shpëtojë nga duart.  Në pirgjet e letrave janë me qindra poezi, mijëra vargje, figura, metafora e imazhe, që ma bëjnë dhe prishin këtë libër. Herë më duket se jam shumë afër, e herë kam frikë se jam shumë larg publikimit të tij. Veç një gjë e ndjej në mënyrë të  sigurt. Dalëngadalë, libri po fiton mbi mua. 

Poeti shqiptar Ilirian Zhupa, merr Çmimin ndërkombëtar “Una vita per la cultura”, në Reggio Calabria, në Itali.

Fondacioni Rhegium Julii e ka zanafillën e tij si Circolo Culturale Rhegium Julii në vitin 1968 në Reggio Calabria, Itali. Ky organizëm është mjaft i njohur në Itali, për ndarjen e çmimeve prestigjoze letrare dhe promovimin e kulturës mesdhetare, europiane e botërore.
Çmimi “Una vita per la cultura” (“Një jetë për kulturën”) të Circolo Culturale Rhegium Julii, në Reggio Calabria, eshtë një nga vlerësimet më të veçanta të këtij institucioni kulturor dhe sot mban emrin “Premio Internazionale Giuseppe Casile – Una vita per la cultura”, në nderim të themeluesit dhe presidentit historik të Rhegium Julii, Giuseppe Casile. Nuk është një çmim vetëm letrar për një libër të caktuar. Ai i jepet një personaliteti që ka kaluar një pjesë të rëndësishme të jetës në shërbim të kulturës, përmes letërsisë, poezisë, studimeve historike, kritikës, arsimit, përhapjes së trashëgimisë kulturore apo dialogut ndërkombëtar. Fituesit e çmimit ndërkombëtar : “Una vita per la cultura”, në historinë gati 60 vjeçare të këtij fondacioni, sipas “Albo d’oro”-s zyrtare, në listën zyrtare të Rhegium Julii, janë: José Manuel de Vasconcelos – Portugali; Kieu Bich Hau – Vietnam; Sylvestre Clancier – Francë; Muriel Augry Merlino – Francë; Valeriu Stancu – Rumani; Maria Festa – Itali; Domenico Minuto – Itali; Antonino Denisi – Itali Kjo listë zyrtare është veçanërisht interesante, sepse tregon që ky çmimi ka marrë një dimension ndërkombëtar.
Në vitin 2026 u akorduan dy çmime letrare ndërkombëtare për poetin, eseistin, gazetarin dhe diplomatin shqiptar Ilirian Zhupa dhe poetin uruguajano-spanjoll Julio Cesar Pavanetti Gutierrez.

Një hollësi interesante Giuseppe Casile është shumë i lidhur me vetë filozofinë e këtij çmimi. Ai ishte një nga themeluesit e Rhegium Julii në vitin 1968 dhe për afro pesë dekada punoi për ta bërë Reggio Calabrian një pikë takimi kulturor. Pas vdekjes së Giuseppe Castiles, çmimi mori emrin e tij. 

31 gushti 2026, ishte një ngjarje e veçantë në Reggio Calabria. Çmimi letrar ndërkombëtar Rhegium Julii, “Një jetë për kulturën” iu dorëzua autorit shqiptar Ilirian Zhupa nga presidenti i fondacionit, poeti i bashkëkohor, z. Giuseppe Bova dhe nga autoritetet më të larta të qeverisjes vendore e kulturore. Në vijim aktorja e mirënjohur Cinzia Messina recitoi në italisht poezite “Ëndërr për duart e tua” dhe “Shumë qenkam rritur”, të cilat u lexuan nga autori edhe ne shqip. Impakti i poezive qe i jashtëzakonshëm në një arenë të mbushur me rreth 500 të ftuar.
Autori dha një intervistë në RAI Tv dhe aktiviteti u pasqyrua gjerësisht nga “Gazzeta del Sud”, “l’Altravoce il Quotidiano”, “Calabria” etj.

Në vijim te aktivitetit, poeti Ilirian Zhupa mbajti fjalën e mëposhtme:

Fjala përshëndetëse e poetit Ilirian Zhupa, me rastin e marrjes së çmimit “Një jetë për kulturën”:

Të nderuar autoritete vendore dhe përfaqësues të Institucioneve kulturore dhe artistike,
Të nderuar drejtues të Circolo Culturale Rhegium Julii,
Të dashur miq,
Kam një emocion të veçantë dhe mirënjohje të madhe për të gjithë ju. Ndjehem shumë i shpërblyer duke marë çmimin “Një jetë për kulturën”. Kam marë shumë çmime në Shqipërinë time dhe në disa shtete larg dhe afër saj. Po ky çmim ka një kuptim e kumbim të jashtëzakonshëm kur merret në Reggio Calabria, pra në Itali. Në vendin e fjalës poetike e filozofike që ka magjepsur e vazhdon të magjepsë botën; të tingullit e notave muzikore magjike që e kanë përkundur atë; të shijes perfekte që e ka zbukuruar dhe fisnikëruar qenien njerëzore. Në vendin e etërve dhe bijve të medhenj të poezisë, filozofisë, muzikës, modës e gatimit. Në vendin e Dantes, Vivaldit, Pirandelos, Kampanelles, Verdit, Montales, Quasimodos, Ungaretit, Paveses, Merinit, Ecos, Maffias e dhjetra e qindra të tjerëve me veprat e të cilëve jemi rritur e përndritur.
Ne shqiptarët kemi marë e dhënë shumë me Italinë. Pavarësisht se midis ka qenë e është deti. Në kufijtë tanë tokësorë ballkanikë, kemi ndërtuar historikisht mure për tu mbrojtur; në kufijtë tanë detarë e mesdhetarë, kemi ndërtuar gjithmonë ura dhe kemi hapur gjithmonë porta e porte për të përparuar. Në çaste humbjesh e dëshpërimi, kemi kapërcyer detet për të ardhur e mbijetuar në perëndim. Në kohë mundësish dhe ëndrrash, sërish stacioni i parë ka qenë Italia. Që nga arbëreshët e hershëm e gjer te emigrantët e ditëve tona.
Një nga poetët tanë më të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare, arbëreshi Jeronim De Rada, lindi, jetoi e shkroi poezinë e tij të mrekullueshme në Macchia Albanese në San Demetro Corone. Në brigjet tuaja, arbëreshët u ndihmuan të shpëtojnë jo vetëm jetën dhe familjet e tyre. Ata shpëtuam doket, zakonet, veshjen dhe fjalën e bukur shqipe. Ndërsa brezi i sotëm i emigranteve është integruar aq mirë në Itali dhe janë bërë jo vetëm bujq e ndërtues të zotë, por edhe mjeshtra, punëtorë të pazëvendësueshëm, mjekë, inxhinierë e biznesmenë të suksesshëm.
Për të gjitha sa thashë më sipër, e kam dashur dhe e dua Italinë. Për nderin që më bëtë sot, duke më dhënë kurorën Una vita per la cultura, ju falenderoj të gjithëve, po në mënyrë të veçantë falenderoj Fondacionin Rhegium Julli, dhe Presidentin e këtij fondacioni, poetin e mirënjohur, publikuar pak kohë më parë edhe në shqip, Z. Giuseppe Bova.

Grazie mille, grazie di cuore!

Poezitë që u interpretuan dhe lexuan në publik.

ENDËRR PËR DUART E TUA

Nuk përqafohemi më,
S’shikohemi.
Po duart e tua, e dashura ime,
M’u ulën mbi flokë si mjegulla.

Duart e tua paskan mbetur te unë,
Si hiri i zjarreve në shpella.

Nuk përqafohemi më,
Mallohemi.
Po duart e tua, e dashura ime,
Rrjedhin brigjeve e lugjeve të fytyrës sime,
Si shirat e vjeshtës përzënë nga era.

Duart e tua paskan mbetur te unë,
Si rrënjët e pemëve të shkulura në dhera.

Nuk përqafohemi më,
Harrohemi.
Po duart e tua, e dashura ime,
Humbasin si ujërat.
Hyjnë nën lëkurë dhe bëjnë rrëmujë atje brenda…

Një jetë të tërë,
Pres të dalin prej meje duart e tua,
Të më qetësojnë mua.

SHUMË QENKAM RRITUR

-Prisni të rritem! – dikur u kam thënë,
Barit në oborr dhe maces së larme,
Maces së larme dhe pjergullës së madhe,
Pjergullës së madhe dhe vajzës së rritur,
Vajzës së rritur dhe foshnjës së mitur,
Foshnjës së mitur dhe shiut të dendur,
Shiut të dendur dhe pleqve një shekull,
Pleqve një shekull dhe portës së hekurt,
-Prisni të rritem! – dikur u kam thënë.

Me kohë shkrova vjersha dhe historira,
Për pleqtë e përjetshëm dhe vajzat e mira,
Shkova t’i gjeja dhe u trondita.

Të rritesha unë ata s’paskan pritur!
Bari është tharë dhe macja ka ngordhur,
Macja ka ngordhur dhe pjergulla është lodhur,
Pjergulla është lodhur dhe vajzat janë thinjur,
Vajzat janë thinjur dhe foshnjat janë rritur,
Foshnjat janë rritur dhe shiu ka heshtur,
Shiu ka heshtur dhe pleqtë kanë vdekur,
Pleqtë kanë vdekur dhe porta është ndryshkur,
Shumë qenkam rritur dhe dot s’më kanë pritur!

Ngadalë paskan shkuar dhe befas jam zgjuar
Duke lënë ca shenja dëshire dhe punë,
Me të cilat do të flasin fëmijtë dhe miqtë
Kur të mos jem unë.

Exit mobile version