Kreu Intervista Mirdash Pupa: Intervistë me poetin dhe përkthyesin Vangjush Ziko

Mirdash Pupa: Intervistë me poetin dhe përkthyesin Vangjush Ziko

Përshëndetje,i nderuari profesor Jeni një zë i njohur në Fushën e Letrave… Lutemi na flisni për fëmijërinë tuaj dhe ç’ ju lidh së shumti me qytetin e Korçës.

Kam lindur, jam rritur dhe thinjur në Korçë.

Fëmijëria ime, ishte një fëmijëri bio e viteve ‘30 të shekullit të kaluar Ajo e kaloi këtë moshë në një lagje të Korçës rrëzë Kodrës së Shën Thanasit me drurë, lëndina me bar të gjelbër dhe lule të egra dhe vreshtat e qytetit.

Lodrat tona ishin “primitive”: shkopi me cingla, ashikët e kyçeve të kafshëve, topthi prej lecke, pikaleckat prej letre dhe katanatë, që i ngrinim lart në qiell dhe na zgjonin ëndrrën tonë për fluturim…

Me Korçën më lidh gjithçka korçare: bukuria dhe simetria e banesave, planimetria dhe pastërtia e rugëve të saj me kalldrëm; zakonet e jetës së saj familjare dhe jetës kolektive me kulturë dhe të emancipuar; këngët patriotike të Korit të pleqve, serenatat e saj dhe ndjenja e qytetarisë, dashurisë dhe respektit, traditat e saj patriotike dhe etja për arsim dhe kulturë perëndimore. Në përgjithësi, ndjenja e besimit se njeriu dhe qyteti, ecte me mençuri drejt përparimit të shumanshëm, drejt një vizioni të përparuar kulturor dhe ekonomik për kohën.

– Si janë vitet e shkollimit… dhe më pas puna… .Ju kujtohen vargëzimet e para ?

Shkollimi im në Korçë filloi që me kopshtoren, ku kam pasur edukatore zonjën Shegë, të bijën e mësuesit patriot Petro Nini Luarasi. Shkollimin fillor e kreva në shkollën për djem, pranë Mitropolisë, ku mësuesit ishin aq të kujdesshëm, të përkushtuar dhe të vëmendshëm, jo vetëm për edukimin dhe sjelljen tonë, por edhe për shijet tona. Më kujtohet mësuesja e këngës Krisa Kroi, e cila na mësonte këngët melodioze të kompozitorit austriak, Franc Shubertit; në fund të vitit shkollor përgatitnim dhe jepnim shfaqjen tonë modeste në Palestrën, që ishte shtëpia e parë e artit në Korçë.

Përsa u përket vargëzimeve të mia të para, dua t’ju them se në shkollën e mesme më lindi dëshira për të recituar vargje; provoja, i mbyllur në një dhomë, përpiqesha të “interpretoja” monologun në vargje të Hamletit “Të rrosh a të mos rrosh”, apo monologun e Makbethit “Ç’ është kjo kamë përpara meje”!

Poezia e parë që kam recituar në një aktivitet të shkollës së mesme, ka qenë poezia e Lermontovit “Vdekja e Poetit” kushtuar Pushkinit. U çudita kur më duartrokitën aq dhe më përgëzuan edhe mësuesit më seriozë të shkencave.

Poezia u bë e dashur për mua. Botova poezitë e para në gazetën “Zëri i Rinisë”.

Libri i parë, që bleva, ishte libri me poezitë e Migjenit, botuar nga Shtypshkronja Luarasi. Në Tiranë bleva edhe librin me poezi dhe figura të Majakovskit. Në shkollën e mesme mësonim edhe gjuhën ruse.

Mbaj mend, kur isha duke e shfletuar në autobuz, duke u kthyer në Korçë, një burrë, që ishte ulur prapa meje në fronin e faturinos, ma kërkoi ta shikonte dhe më pyeti se a më pëlqente poezia dhe unë i thashë “po”. “Të lumtë!”, më tha. Më vonë e mora vesh se ai kishte qenë Dhimitër Shuteriqi. Zbriti në Elbasan.

Pas mbarimit të studimeve të larta, kam punuar si pedagog i letërsisë në shkollën e mesme “Raqi Qirinxhi” dhe në Universitetin “Fan Noli” në qytetin tim, në Korçë, deri sa dola në pension.

Çfarë do të thotë për Ju, poet, shkrimtar?

Të jesh poet, do të thotë që gëzimet dhe hallet e botës t’ i bësh të tuat tërë jetën tënde. Frymëzimi është një gëzim dhe një mundim i përjetshëm. Fle dhe zgjohesh me një dëshirë dhe një ëndërr, me një besëlidhje mes frymëzimit dhe sinergjisë krijuese të pagjumë.

Natyra formon stilin, ritmin dhe mënyrën e të menduarit të poetit.

Ndryshimet shoqërore dhe trazirat historike ndryshojnë rrënjësisht gjuhën e poezisë dhe tematikën, duke e transformuar vetë optikën dhe burimin e saj të frymëzimit.

Librin e parë me poezi e kam botuar në vitin 1959.

Kam dyzet e shtatë vjet që shkruaj dhe botoj poezi. Kam botuar, rreth pesëdhjetë vepra, nga të cilat dymbëdhjetë vëllime poetike.

Në vitin 1950 shkova për studime në Bashkimin Sovjetik, kurse në dhjetëvjeçarin e tetë të jetës sime, emigrova pranë fëmijëve në Kanada, ku vazhdoj të jetoj.

Për t’ iu përgjigjur pyetjes suaj, më lejoni të marr, si pika referimi titujt e disa vëllimeve të mia poetike: “Këngë për duart”, “Takim me Malet”, në periudhën e komunizmit; ”Këtu pranë Polit të Botës”, “Mbase Nesër gdhin e Diel” dhe “Pagani i Zhgënjyer nga Perënditë”, në Kanada.

Konstatoj që frymëzimi im ka pësuar shqetësime dhe trauma, nga pohimi i një realiteti, te zhgënjimi prej tij, nga tronditja nga largimi nga vendlindja, trishtimi i një jete në një vend të huaj, qoftë dhe nga më të mirët në Botë.

Duke lexuar dhe studjuar poetë të mëdhenj botërorë, më rezulton një skemë e ngjashme.

Një gjë më ka bërë përshtypje në trajtimin e kësaj teme në poezinë botërore. Të rrallë, por të lumtur janë ata poetë që frymëzimin e tyre, mbi të gjitha, e ka mëkuar, tërësisht, Natyra mëmë.

Për ta, Natyra është burimi kryesor i imazheve, metaforave dhe filozofisë së poezisë.

Ajo nuk shërben thjesht si sfond, por formon drejtpërdrejt stilin, ritmin dhe mënyrën e të menduarit të autorit.

– Studimet e larta në Moskë. Jeni marrë me përkthime. Përzgjodhët autorë,vepra?

Studimet e larta i bëra në Institutin e letërsisë të Moskës me emrin e Maksim Gorkit, me një trupë pedagogjike ku bënin pjesë studiues të letërsisë, të estetikës dhe të logjikës si dhe poetë e shkrimtarë të njohur, që drejtonin seminaret e poezisë dhe të prozës. Seminaret e poezisë në kohën time i drejtonte një poet i njohur në ato vite, Sergei Smirnov.

Fjala e parë, që na tha, kur u prezantua para nesh, ishte: “Unë do t’ ju mësoj si të shkruani, poetë do të bëheni vetë.”

Po, unë jam marrë dhe me përkthimin e pozisë së huaj. Kam botuar 12 libra me përkthime nga poezia botërore dhe një dramë.

Përkthimi im i ditëve të fundit, ende i papërfunduar, është vëllimi me poezi të “Meteorit të letërsisë franceze”, poetit Artur Rembo.

– Jeni lauruar me çmimin “PUSHKIN”.Vlerë…! Si u ndjetë?

Ishte një vlerësim dhe kënaqësi e veçantë, për mua, medalja e artë “Pushkin”, që m’ u akordua për përkthimin e poezisë së Pushkinit, Sergej Eseninit, Eugjen Eftushenkos dhe poetes Olga Sedakova, tok me katër antologji me poezi ruse nër vite, deri në kohët tona.

– Kohët e fundit Shtëpia Botuese “Argeta LMG” – Tiranë, botoi romanin në vargje “Eugjeni Onjegin”, me përkthimin tuaj… Event është quajtur… .

Ishte një punë e lodhshme, që më dha një kënaqësi të veçantë përkthimi i kësaj kryevepre të Aleksandër Pushkinit. I jam mirënjohës Shtëpisë Botuese dhe veçanërisht, mikut dhe kolegut Mehmet Gëzhilli dhe birit të tij, që ma porositën dhe ma mbështetën këtë përkthim.

– Shpesh përcillni mendime me vlerë për Artin, Letërsinë…, një punë,që shfaq edhe erudicionin tuaj kulturor dhe letrar, lutemi na rrëfeni diçka për këtë punë mirëfilli prej studiuesi….

Puna e një studiuesi dhe analizuesi të një vepre letrare është një kënaqësi e veçantë dhe e lodhshme, sepse kërkon një angazhim të thellë dhe njohuri të shumanëshme teorike, një instikt të veçantë për të depërtuar në të fshehtat e stilit të autorit dhe të rrymës letrare së cilës i përket vepra.

Përkthimi kërkon dashamirësi dhe respekt për kolegun, të bëhesh palë e kujdesshme dhe e padukshme e frymëzimit të tij, të vuash e të gëzohesh bashkë me të; të përpiqesh ta sjellësh në gjuhën tënde sa më të plotë dhe mbresëlënëse, sa që lexuesi, të dyshojë për një çast, se mos autori e ka shkruar vetë në gjuhën tënde; të përkthesh bukurinë dhe frymën e poetit të huaj.

Jetoni prej vitesh në Kanada, pranë familjes së vajzës suaj. Festuat 95 vjet jetë të jetuar… Ende plot gjallëri…Urime!

Faleminderit!

Jetoj dhe shkruaj në Kanada për 22 vite me radhë pranë djalit dhe vajzës sime. Kanades nuk bëhem dot në këtë moshë, por shqiptar do mbetem deri në fund.I falem Zotit dhe frymëzimit, që ma mbajnë në punë trurin dhe shpirtin tim.

Exit mobile version