Kreu Letërsi Shënime mbi libra Ibrahim R. Ibrushi: Astrit Bishqemi, një jetë e tërë kushtuar letërsisë për...

Ibrahim R. Ibrushi: Astrit Bishqemi, një jetë e tërë kushtuar letërsisë për fëmijë e të rinj

Në 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit dhe studiuesit

1.

E quaj shans dhe mirësi njohjen me intelektualin e nderuar elbasanas, prof. as. dr. Astrit Bishqemi.

Që në takimin e parë vërejta tek ai njeriun e thjeshtë e fisnik, të çiltër e të respektueshëm, të vëmendshëm ndaj mendimit të bashkëbiseduesit. Më ka mrekulluar jo vetëm sjellja e tij e kulturuar qytetare shembullore, personaliteti i gjithanshëm, por edhe karakteri i fortë. Njeri me vullnet e zell të jashtëzakonshëm, me durim e vendosmëri të madhe, me pasion e dashuri të pakufishme për profesionin dhe me ambicien shumë pozitive për të qenë i suksesshëm në veprimtarinë e vet.

Në vitin 2018, me rastin e përvjetorit të lindjes së tij (Elbasan, 18 korrik 1943-), u botuan disa shkrime vlerësuese për këtë autor. Përmendim dr. Skënder Karriqin për studimin „Figura globale e komunikimit pa kufi / Në 75-vjetorin e shkrimtarit, teoricienit, historianit, kritikut dhe biografit të letërsisë për fëmijë prof. as. dr. Astrit Bishqemi“ (gaz. Nacional, 20 korrik 2018). Apo edhe krijuesin e studiuesin Xhahid Bushati, që botoi në Shqipëri dhe në Kosovë studimin e thekur „Nderim prof. as. dr. Astrit Bishqemit për kontributet studimore në fushën e letërsisë për fëmijë e të rinj“.

Veç botimi më i rëndësishëm në atë kuadër qe pa dyshim ai i studiueses dr. Rudina Alimerko, me biobibliografinë monografike “Astrit Bishqemi – krijues dhe studiues i shquar i letërsisë për fëmijë e të rinj”. Botimi në fjalë është një punë serioze. Në të përqoken e rreshtohen një për një librat e botuara nga autori përkatësisht me tregime e përralla, me novela, romane, shqipërime e përshtatje, studime në fushën e LFR e më gjerë, tekste të arsimit bazë me bashkautorë dhe tekste universitare. Numri i përgjithshëm i këtyre librave të botuara deri në atë kohë kapte shifrën 97. Mandej aty radhiten edhe 244 krijime artistike të botuara nga Astriti në organe të ndryshme të kohës, si dhe 312 artikuj studimorë e 134 artikuj të tjerë  publiçistikë… Një bibliotekë e tërë!

         Krijuesi e studiuesi i talentuar e i përkushtuar Astrit Bishqemi gjatë jetës së tij u shqua jo vetëm për kryerjen e detyrave shtetërore si mësues, drejtor shkolle 8-vjeçareje, mësues i të mesmes, redaktor i gazetës lokale “Shkumbini” dhe pedagog në Universitetin “A. Xhuvani” – Elbasan, por edhe në kryerjen e punëve dhe angazhimeve të tjera të shumta, të rëndësishme e të vështira, si: shkrimtar, teoricien, historian e shkencëtar i LFR, përcjellës, vlerësues e kritik i kujdesshëm, dashamirës e nxitës i zhvillimit e i arritjeve të reja të kësaj letërsie, i autorëve të saj të suksesshëm, autor e bashkautor i disa teksteve mësimore të arsimit 9-vjeçar apo universitare, biograf, skenarist etj. Ka një jetë të tërë me krijimtari të pasur dhe studime të suksesshme për LFR.   

Ai e filloi veprimtarinë letrare-artistike me një vjershë të thjeshtë, “Anija e paqes”, botuar me ilustrimet përkatëse të vetë autorit, në revistën “Fatosi”, nr. 8/1959. Më tej iu përkushtua tërësisht e shpirtërisht krijimtarisë letrare për fëmijë e të rinj me shumë punë të palodhur e të suksesshme. Më ka mahnitur ky përkushtim, kjo krijimtari e gjerë letrare-artistike për fëmijë e të rinj, në periudhën 1959-2023, duke lëvruar pothuaj të gjitha zhanret e kësaj letërsie: tregime, përralla, poezi, novela e romane, pa përmendur pjesët teatrore, skenarët e ndonjë filmi vizatimor apo dokumentar. E filloi me vjershën e vogël dhe arriti në romanin katërvëllimësh me disa risi dalluese bashkëkohore artistike.

Kështu, tani krijimtaria botuese 64-vjeçare e autorit, duke lënë mënjanë krijimet, artikujt e studimet e botuara nëpër shtypin e përditshëm apo periodik, vetëm si libra kap shifrën 110. Këtu përfshihen: 12 romane, 12 vëllime me novela, 27 me tregime, përralla e vjersha, 19 me studime në fushën e LFR e më gjerë, si dhe vëllime të tjera me shqipërime, përshtatje, tekste të arsimit bazë (bashkautor), përmbledhje antologjike për lexime jashtë klase të nxënësve apo tekste universitare etj.

2.

Çfarë dukurish mund të vemë re, sidomos në krijimtarinë e periudhës pesëvjeçare më të afërt të këtij krijuesi e studiuesi, e më tej, për tërë atë krijimtari?

Duhet përmendur që kjo kohë përkon me vitet e pandemisë së kovidit, dukuri e cila e paralizoi dhe e ngriu ca jetën shoqërore te ne e kudo në botë. Muaj të tërë na mbylli në shtëpi. Megjithatë, Astriti mundi ta shfrytëzonte këtë kohë të vështirë, duke shkruar e botuar romanin për moshat e reja me titull Shën Grushti, që pasqyron pikërisht flakë për flakë jetën e atyre ditëve. Dukuri të rëndësishme e krijimtarisë letrare të autorit në këtë roman e në disa vepra të botuara më parë, si Kronikë me tank, Klik: Rrapatushët etj., janë pasqyrimi i vërtetë e i plotë i disa ngjarjeve, ndodhive e dukurive të rëndësishme shoqërore gjatë zhvillimit të shoqërisë shqiptare e të vendit tonë dhe reagimi i tij i drejtë e i duhur, njohës, bashkëkohor dhe herë-herë kritik në gjuhën e personazheve, duke i përshtatur me moshën dhe interesat e lexuesve të vegjël e të rinj.

Ky Mësues i merituar nuk harroi as nxënësit e shkollave. Hartoi për ta (e për më gjerë) miniguidën Elbasani e rrethina, në ndihmë për njohjen e vendlindjes.

Gjithashtu, ai rishikoi edhe ndonjë vepër të kaluar të tij, si novelën Partizani fotograf. E shkarkoi nga ndonjë personazh dhe e pasuroi me episode e krerë të rinj (siç janë: ai i pari – Lidhësja e këpucës apo VII: Në çetë edhe një ish-normalist). Duke e retushuar e duke i dhënë vend më tepër veprimtarisë së normalistëve gjatë Luftës Antifashiste, novela u forcua dhe u kthye në një gjini edhe më të gjerë e më të thellë, duke na dhënë romanin Normalistët.

Ishin vite kur për shkrimtarin trokiste pleqëria (Buzëmbrëmja, siç e quan ai qysh në titull me një metaforë përmbledhjen më të fundit me studime) dhe, veç studimeve, duhej t`i kushtonte vëmendje edhe sistemimit të krijimtarisë artistike së kaluar. Dhe Bishqemi e bëri këtë punë, duke na botuar më 2022 një pjesë të veprës së tij, kryesisht prozën e shkurtër, në katër vëllime. Ky komplet veprash të shkrimtarit u mbështet nga shoqata e mirënjohur kulturore ADE (Arkivi Digjital Elbasan).

Krijimet i përkasin kryesisht prozës së shkurtër: tregime, përralla, gojëdhëna etj. Veçse ato tanimë renditen jo sipas kohës kur janë krijuar e botuar nga shkrimtari, por sipas grupmoshës së lexuesve të cilëve u adresohen.

Vëllimi i parë titullohet Gostia e Arushit dhe ka si nëntitull: Prozë e vargje për fëmijë (e prindër). Ai përbëhet prej tri pjesësh.

Në të parën janë renditur 30 përralla e tregime të shkurtra, të vjela nga librat e autorit për moshën më të njomë, për grupmoshën parashkollore.

Në pjesën e dytë përfshihet krijimtaria poetike për këtë moshë, botuar më parë edhe në librin Paskam lindur më parë se gjyshi?!

Pjesën e tretë e zë proza e gjatë për lexuesit (a dëgjuesit), titulluar Fustanet e dallëndysheve. Është një roman që mund të shkruhej vetëm nga një krijues i mirëfilltë që e njeh thekshëm psikologjinë e kësaj moshe.

I gjithë vëllimi karakterizohet nga humori i këndshëm fëminor, kërkesë e domosdoshme e veprave të letërsisë për fëmijë.

Vëllimi i dytë titullohet Magnetofoni dhe përmbledh 62 tregime e përralla adresuar lexuesve shkollarë të klasave I-III, si dhe dy novela fantastiko-shkencore.

Tregimet janë marrë nga jeta e përditshme e fëmijëve në familje, në shkollë e jashtë saj. Kemi edhe disa gojëdhëna interesante nga jeta e njerëzve të shquar, si për Skënderbeun, për Ali Pashë Tepelenën etj.

Disa kallëzime janë diturake. Në mënyrë artistike me to lexuesi i njomë e i papërvojë zgjeron fjalorin aktiv dhe merr dijeni sesi thirren njerëzit e afërt, në fis e në krushqi (mbesë, nip, teze, gjysh, hallë, xhaxha, vjehërr, kunat…), mëson si emërtohen `shtëpizat` e kafshëve e të shpendëve (vathë, katua, stelë, strofkë, zgjua, fole… ), si quhen pjellat e tyre (pulisht, qengj, këlysh, bibë, kaproç…) ose zërat që nxjerrin ato qenie (leh, pëllet, cijat, kukat, ulërin, gumëzhin, mjaullin, kakaris…).   

Vëllimi i tretë, Njeriu dhe Djalli, tubon 68 tregime e përralla të tjera për grupmoshën e shkollarëve të mesëm, klasat IV-VI.

Karakteristikë e këtyre krijimeve është zgjerimi i gjeografisë së tyre. Trajtohen edhe ngjarje që kanë ndodhur jashtë atdheut tonë, në Itali, Greqi, Gjermani, Hungari, Zvicër etj.

Krijimet e vjela nga libri Gëzofi i Tokës janë fantastiko-shkencore. Synojnë për të shpjeguar në mënyrë artistike fenomene të natyrës apo dukuri të tjera fizike. Në këtë mënyrë, ato i ofrojnë më interesante lëndët e diturinatyrës apo të fizikës që zhvillohen në shkollë.

Personazhet, shumica në moshën e vetë lexuesit, i bëjnë më të afërta e më tërheqëse për lexuesin fëmijë krijimet e këtij vëllimi.

Vëllimi i katërt, Ai që ndali Diellin…, është më voluminoz (345 faqe) dhe u adresohet shkollarëve të rritur, nxënës të klasave VII-IX, pra një moshe për të cilën krijimet letrare i kemi tepër të kufizuara. Përmbledh 71 tregime. Shumica e tyre bën fjalë për personalitete të shquara të kombit tonë, shkrimtarë, piktorë, muzikantë, skulptorë, aktorë, arkeologë etj. Është marrë një fakt, një ngjarje nga jeta e tyre dhe është letrarizuar. Personazhet mund të jenë edhe njerëz të shquar të artit e të shkencës botërore, personazhe të identifikuar. Vend të veçantë zënë disa gojëdhëna vendesh apo njerëzish, si ajo për Malin e Vashës, tjetra për Kostandin Kristoforidhin etj.

Vlerësojmë që krijimet artistike të këtyre katër vëllimeve shquhen në disa drejtime:

Nga ana sasiore. Kemi rreth 270 krijime të prozës së shkurtër, 50 krijime në vargje, veç novelave dhe një romani që përfshihen në to. Ky fakt dëshmon për një krijues të përkushtuar. Po anës sasiore, siç do ta theksojmë më poshtë, i bashkëngjitet edhe ajo cilësore, që është e pranishme në ato krijime.

Për larushinë e zhanreve: tregime, përralla, gojëdhëna, skica, tregime didaktike, vjersha e poema. Si të veçanta duhet të theksojmë krijimet e shkurtra fantastiko-shkencore apo edhe prozën e gjatë (novelën e, sidomos, romanin për lexuesit e moshave të njoma).

Për gjeografinë e gjerë të krijimeve, të cilat vendosen e zhvillohen jo vetën në truallin e atdheut tonë, Shqipërisë, por edhe jashtë saj, në Greqi, Itali, Turqi etj, etj.

Krijimet ndërtohen në përshtatje me moshën e lexuesve të cilëve u adresohen. Megjithatë, ato janë të këndshme edhe për moshat e tjera të lexuesve, madje edhe për lexuesit e rritur. Është e ditur thënia që letërsia cilësore për fëmijë lexohet me ëndje edhe nga lexuesi i rritur, duke i falur kënaqësi estetike.

Edhe krijimet në vargje më të shumtën kanë fabul, dukuri që të ndihmon për ta mësuar lehtë e për ta mbajtur mend gjatë vjershën e dhënë. P.sh. fabula e krijimit Paskam lindur më parë se gjyshi?! mbështetet mbi naivitetin e fëmijës: Një vogëlush feston ditëlindjen. Dy javë më vonë në mëngjes, mamaja e zgjon duke e ftuar që të urojnë së bashku gjyshin, se edhe ai atë datë kishte ditëlindjen. Djali çuditet që gjyshi «paska lindur… më vonë se ai».

Në shumë tregime vihet në qendër jeta e një njeriu të shquar, e një personaliteti, shqiptar qoftë ky apo i huaj, që me veprimin e tij është shumë edukativ e frymëzues për lexuesin e brezit të ri.

Krijimet kanë moral të lartë, por të dhënë në mënyrë të lehtë, të pakuptueshme; është një letërsi e pastër e cilësore që u largohet moralizimeve, kësaj sëmundjeje që rëndon mbi shumë krijime të letërsisë sonë për fëmijë.

Shkrimet kanë gjuhë të zgjedhur e të pastër shqipe, në përshtatje me moshën së cilës u adresohen. Pra, kanë edhe vlera didaktike.

3.

Bëmë fjalë për prozën e shkurtër të autorit, por le të mundohemi të skicojmë disa veçori të përgjithshme edhe për krijimet letrare të mesme e të gjata në tërësi, pra, për novelat e për romanet e Bishqemit. Madje, shkrimtari na ka dhuruar edhe krijime letrare të këtij formati në  zhanrin fantastiko-shkencor, që kanë ngjallur tepër interes te lexuesit e vegjël.

Një veçanti e këtyre veprave letrare të tij është spektri i gjerë e i larmishëm tematik, ku përfshihet: jeta e fëmijëve, loja dhe ëndrrat e tyre, bota e pasur e faunës dhe e florës, historia, Atdheu e puna për përparimin e tij, natyra, fantashkenca nën tokë e në Gjithësi, shkolla, familja, shoqëria etj.

Krahas tematikës së gjerë, vlen të theksohet hapësira, larmia e shtrirjes vendore e kohore të tyre. Shtrirja vendore e zhvillimit të ngjarjeve (ose gjeografia e krijimeve, siç emërtohet ndryshe) përfshin: Atdheun, Shqipërinë, ku ndodhin ngjarjet e pjesës më të madhe të veprave; Kosovën (kujtojmë novelën “Kjo ndodhi në Fushë-Kosovë”); Greqinë (novela “Për një gotë çaj”…); Gjermaninë e Zvicrën (romani “Klik: Rrapatushët” etj.); Italinë, Turqinë etj.

Edhe shtrirja kohore e zhvillimit të ngjarjeve të veprave është, gjithashtu, e gjerë: në Mesjetë (novela «Kjo ndodhi në Fushë-Kosovë” – 1389), në kohën e Skënderbeut, në kohën e Zogut (novela Burgu i qelqtë), gjatë Luftës Antifashiste (romani Normalistët), në regjimin monist apo gjatë tranzicionit demokratik (romani “Kronikë me tank” 1997), gjatë luftës në Kosovë më 1999, na njohin me jetën në emigracion (“Për një gotë çaj”) dhe në shekujt e ardhshëm (novela “Përtej oborrit diellor”, romani “Udhëtim i jashtëzakonshëm”)…

Dukuri kryesore përbën trajtimi artistik i zhvillimeve e i jetës bashkëkohore të vendit tonë, duke i shtjelluar ngjarjet me imagjinatë krijuese, me vërtetësi dhe në përshtatje të natyrshme me receptuesit, me moshën fëminore e rinore të lexuesve përkatës.

Dëshiroj këtu të ndalem pak në romanin 4-vëllimësh “Klik: Rrapatushët”, i cili më ka tërhequr e pëlqyer shumë, ndoshta po aq sa lexuesve të tij të vegjël (Për atë vepër studiuesi dr. Skënder Karriqi vlerëson se është “një ndër romanet më interesante për fëmijë në letërsinë shqipe e më gjerë”). Ndër të tjera, ai krijim përbën risi nga ana ndërtimore e veprës dhe ka një mënyrë interesante komunikimi ndërmjet personazheve të moshës së mesme shkollore, me letërkëmbime kompjuterike. Kallëzimet e tregimit janë ndërlidhur me internetin. Ky roman përmban vërtetësi jetësore. Është një simfoni e gjerë me fjalë, brenda së cilës gjallojnë mesazhe të mëdha, të rëndësishme, të qarta e të kuptueshme, që përcjellin te lexuesit adoleshentë dashurinë për njerëzit, për Atdheun, kafshët e shpendët, për gjuhën shqipe, për mbrojtjen e pastërtisë së saj, zhvillimin dhe pasurimin e vazhdueshëm, nxitjen, motivimin për zgjerimin e horizontit të dijeve me libër, rrëfime e kompjuter. Autori shquhet edhe për gjuhën e thjeshtë, të qartë e të gjallë, të pastër e të pasur, duke luftuar dialektalizmat dhe për stilin e veçantë të ligjërimit, me fjali të shkurtra, të ngjeshura, dinamike dhe të rrjedhshme, gjë që përbën një vlerë stilistike të autorit.

Veçanësi të tjera të prozës së mesme e të gjatë të Bishqemit?

Leximi i veprave letrare të këtij autori na dhuron kënaqësi estetike, sepse kanë vlera artistike e përmbajtësore dhe dallohen për mjeshtërinë e realizimit të tri shërbimeve kryesore të letërsisë për fëmijë e të rinj: zbavitës, njohës dhe edukues.

Mënyrës kompozicionale të krijimeve letrare autori i kushton rëndësi të veçantë dhe ka krijuar larmi ndërtimore te veprat e veta, duke ua përshtatur zhanreve, përmbajtjes, ngjarjeve, tematikave, kohës, vendit ku zhvillohen ato ngjarje dhe moshës së lexuesve të vegjël e të rinj që u adresohen. Larmia ndërtimore duket edhe në përdorimin e vetave I, II, III të ligjërimit në novela e romane të ndryshme. Kjo larmi formash rrëfimi në krijimtarinë artistike, e bëjnë atë më tërheqëse, më të këndshme.

Në veprat letrare të autorit lëvizin një mori e larmi personazhesh të ndryshëm, të vërtetë, njerëzorë, deri tek ata fantastikë, të guximshëm, vullnetfortë, të papërkulur, të sakrificës, të pasionuar pas dukurive natyrore, shkencore etj. Kemi edhe personazhe jofrymorë, të personifikuar. Autori përdor mirë e në masën e duhur animizimin e personifikimin (kujtojmë “Kallëzimet e kokërrzave të breshrit”, “Maçoku me celular”...)

Në krijimet e veta letrare shkrimtari, në përshtatje me psikologjinë e lexuesve, përdor me mjeshtëri humorin, këtë komponent aq të dashur për fëmijët e të rinjtë. Humori është kripa dhe sheqeri, shija e ëmbëlsia e një krijimi letrar artistik.

Me intuitë krijuese autori përdor mjeshtërisht edhe formulime grishëse artistike, që të bëjnë kureshtar, ngandonjëherë qysh në titull, të zbulosh se çfarë fshihet pas tyre (“Përtej oborrit diellor”, “Paskam lindur më parë se gjyshi ?!”, “Kacafytja me ujkun”) dhe emra interesantë, të gjetur e domethënës personazhesh të ndryshëm.

Krijimtaria letrare e Astrit Bishqemit, veç sa trajtuam më lart, ka vlera të mëdha njohëse, ideore, artistike, emocionuese dhe çlodhëse, argëtuese. Nëpërmjet shtjellimit qartë e bukur të fabulave të ndryshme e përkatëse të çdo krijimi letrar, mesazhet transmetohen natyrshëm, pa moralizime. Lexuesit i kuptojnë qartë e saktë se çfarë ka dashur të tregojë autori.

Shkrimtari nuk i idealizon personazhet, por i paraqet tokësorë e tërheqës; në disa raste të lind dëshira për t’i imituar, për t`u identifikuar me ta; kaq frymëzues e nxitës na paraqiten.

Krijimet e tij fantastiko-shkencore, veç rolit të madh për zhvillimin e imagjinatës, intuitës, të përceptimeve e përfytyrimeve, të menduarit abstrakt, të kujtesës dhe aftësive krijuese, janë burime të pasura njohurish nga shkencat ekzakte: fizikë, kimi, biologji etj., të cilat tashmë i marrim në forma të reja artistike e tërheqëse, duke edukuar te lexuesit e rinj dashurinë për shkencën e për lëndët përkatëse shkollore.

Shkrimtari e ka ngjyer penën edhe në thesarin e vyer të gjeniut popull, ku ka qëmtuar me pasion, këmbëngulje të pareshtur e me përkushtim ritmik fjalë të rralla, shprehje të bukura, fjalë të urta, frazeologji gazmore etj. dhe i ka përdorur ato me mjeshtëri ku, kur, sa e si duhet në krijimet e ndryshme letrare.

Theksojmë edhe një herë se krijimtaria letrare e këtij autori dallohet për gjuhën e thjeshtë, të pastër, të pasur e të qartë. Ajo është e kuptueshme, e zhdërvjellët, e rrjedhshme, tërheqëse, e përshtatshme me fjalorin e kufizuar e me të shprehurit e thjeshtë të lexuesve të vegjël, si dhe me natyrën, llojin e krijimeve letrare. Autori bën përpjekje edhe për ta pasuruar fjalorin aktiv të lexuesit me fjalë të reja. Gjuhën e thjeshtë, të pasur e të kuptueshme letrare e artistike shkrimtari e shpreh edhe në dialogjet e shkathëta e plot ngarkesa emocionale, te përshkrimi i peizazheve natyrore dhe i portretit të personazheve, te karakteret e ndryshme në formim e sipër, me emra të gjetur etj.

4. 

Astrit Bishqemi ka dhënë ndihmesë të madhe e të çmueshme edhe në fushën e studimeve të letërsisë për fëmijë e të rinj. Puna e tij studimore-shkencore është e gjerë dhe e larmishme; ne do të prekim disa arritje kryesore të saj.

Ai jo vetëm hodhi dritë mbi disa vlera e figura të anatemuara nga sistemi monist (nëpërmendim: Musine Kokalarin, Sulejman Harrin, Hysen e Beqir Çelën, Genc Lekën, at Donat Kurtin etj.), por vuri theksin edhe mbi disa probleme aktuale të LFR.

Madje, punoi edhe vetë me devotshmëri. Është mbledhës i perlave të gjuhës së fëmijëve në jetën praktike. Numërohem mbi 600 copë „gazmore“ fëmijësh të hulumtuara nga ai. Për botimin e tyre na tregonte se e kishte nxitur shkrimtari koleg Odhise Grillo. „Astrit,- i kishte thënë ai,- tregime e përralla shkruajmë të gjithë ne. Ato „gazmoret“ e tua janë vezë që nuk i bën gjithkush, se nuk janë krijime shkrimtarësh, por fëmijësh, de. Ndaj botoji patjetër! „.

Dhe Astriti jo vetëm që i botoi në libra të veçantë, po edhe i përdori në veprat artistike. Kujtojmë që romani Fustanet e dallëndysheve (si dhe ndonjë tregim apo poezi), është ndërtuar tërësisht mbi bazën e tyre. Kam përshtypjen se shkenca studimore nuk e ka thënë ende fjalën e saj për vlerësimin e këtij romani.

Figurën e studiuesit të talentuar, frytdhënës e cilësor, veç serisë së librave me gjurmime e studime të letërsisë për fëmijë, si: “Vlera të anatemuara”, “Autorë dhe tekste letrare, probleme e vlera”, “Tragave të letërsisë”, “Misionarë të letërsisë”, “Braktisja e happy end-it” (ku dallohet risia e veçantë e braktisjes të fundit të lumtur në veprat artistike për fëmijë, në ndryshim me traditën e kaluar), e lartësuan së tepërmi veçanërisht tekstet universitare.

Këto tekste për LFR janë vepra studimore-shkencore të arrira, të vyera.

Ndër to shkëlqen vepra madhore “Histori e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj”, e cila është kurora e artë e tyre. Është kryedhuarata për të gjithë të interesuarit. Kjo vepër përbën një ndihmesë të madhe e cilësore për studentët dhe studiuesit e ardhshëm të letërsisë së sotme për fëmijë. Është botuar katër herë me ripunime e plotësime. Në të studiuesi ka bërë përpjekje për unifikimin e letërsisë për fëmijë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi e diasporë. Prof. dr. Klara Kodra e ka vlerësuar lart këtë tekst, si “E para histori e letërsisë shqiptare për fëmijë”. Ndërsa prof. akademik Bedri Dedja e quan “frut i një pune të rëndë studimore, gati-gati shteruese”, “një tekst akademik, i lirë, që ka analiza objektive, të pranueshme, vlerësime të spikatura për dukuritë e zhvillimeve të letërsisë shqipe për fëmijë…”

 I përngjashëm me të është edhe teksti tjetër Histori e letërsisë botërore për fëmijë. Për këtë tekst kanë shkruar edhe studiuesi prof. Odhise Grillo e ndojë tjetër. Por mua më ka lënë mbresa fakti se theksin e vërtetë për rëndësinë e tij e kam parë rastësisht te një autograf i profesorit akademik Bedri Dedja, në librin e tij “Përralla ruse” dhuruar kolegut Bishqemi: ‘’Astritit, korifeut të tekstit të parë të letërsisë së huaj për fëmijë, 14.1.1999”. A nuk është një vlerësim i lartë dhe konçiz ky?

Patjetër duhet të rendisim këtu edhe Leksikonin e shkrimtarëve shqiptarë për fëmijë (botuar në Tiranë më 2009 dhe në Kosovë më 2017, i zgjeruar: i rishikuar e i plotësuar), si dhe botimin voluminoz “Bibliografi e kritikës letrare për fëmijë”. Edhe këtë tekstin e dytë, gjithashtu “frut i një pune të rëndë studimore” do ta karakterizoja, shkenca jonë studimore e ka kaluar në heshtje vlerësimin, pa e thënë fjalën e saj.

Me bashkautorë Bishqemi dha ndihmesë të vyer në hartimin e disa antologjive, teksteve mësimore të arsimit bazë dhe ato me lexime plotësuese për nxënësit e klasave I-V (seria “Dua të lexoj”) dhe për nxënësit e klasave VI-IX (seria “Xixëllime letrare”).

 Ai ka dhënë ndihmesë konkrete e të vyer me përgatitjen dhe botimin e «Komentarit”, vepër e vlershme për nxënësit e kësaj moshe dhe për mësuesit e letërsisë.

Studiuesi Astrit Bishqemi e pajisi letërsinë shqipe për fëmijë me të gjitha tekstet e nevojshme të lartpërmendura dhe me leksikonet etj. Ai ka ndjekur me vëmendje ecjen e kësaj letërsie, duke e përcjellë me studime, artikuj analizues e kritikë në vijimësi për veprat fituese, ato seriale, si: “Lartësi që pushtohen” për romanin 12-vëllimësh “Unë jam Kronosi, mbret i kohës” i Th. Jorgjit, “Arritje e re në letërsinë për fëmijë e të rinj” për librat me poezi të H. Meçes, për serinë e veprës së Dritë Ruhanit, analiza të hollësishme për korpuset studimore të prof. Agim Devës, Ymer Elshanit, etj. etj.

5.

Krijimtaria e gjerë e cilësore letraro-artistike dhe studimore-shkencore e Astrit Bishqemit ka merituar në vijimësi vëmendjen e kritikës letrare në Shqipëri e jashtë saj, ndaj për të janë shkruar mjaft artikuj, recensione, studime etj. Dhe duhet theksuar që ky vlerësim për veprën e tij është bërë me profesionalizëm, seriozitet e dinjitet nga personalitete e përfaqësues të letërsisë shqipe e kritikës letrare. Për të kanë shkruar disa kritikë të përparuar dhe personalitete të shquara të letërsisë për fëmijë, si: Bedri Dedja, Odhise Grillo, Klara Kodra, Xhahid Bushati, Rudina Alimerko, Skënder Karriqi etj. në Shqipëri; Faik Shkodra, Xhevat Syla, Prend Buzhala, Zymer Mehani etj. në Kosovë e Maqedoninë e Veriut.

Në monografinë e dr. Rudina Alimerko “Astrit Bishqemi – krijues dhe studiues i shquar i letërsisë për fëmijë e të rinj”, që përmendën në fillim të këtij studimi, renditen plot 190 shkrime recensionale e studimore të kritikës sonë letrare, që kanë përcjellë veprën e këtij autori.

Por prof. Faik Shkodra ka meritën se është marrë edhe më gjatë me studimin e krijimtarisë së Bishqemit. Veprën e Rudinës e vlerëson si “Monografi me vlera të shumta mbi jetën dhe veprimtarinë letrare e shkencore të prof. as. dr. Astrit Bishqemit” (libri “Ravave të artit letrar”, Rozafa, Prishtinë, 2022, f. 137-163). Veç, nga ana tjetër, ka analizuar e shkruar edhe vetë mbi Bishqemin.

Në vitin 2018 ai botoi në Prishtinë një libër të tërë studimor monografik, thjesht duke marrë në analizë vetëm një përmbledhje të protagonistit: “Talent dhe përvojë krijuese e shkencore (Vështrim analitik e sintetik i Astrit Bishqemit në veprën “Vlera të anatemuara”).

Rishtazi, me rastin e 76-vjetorit të lindjes së Bishqemit, ky studiues botoi për të esenë përshëndetëse “Model i punës shkencore dhe profil i rrallë në letërsinë për fëmijë” (përfshirë më vonë në përmbledhjen “Realitete krijuese”, Prishtinë 2020). Në të zbulon e vlerëson në këtë periudhë një veçanësi tjetër te vepra e Astritit. Studimeve të tij, shkruan ai, “ua rrit vlerat e fuqinë shkencore fakti se u shmanget vlerësimeve të trumbetuara nga disa studiues, që u kanë bërë veprave në kohën e botimeve nën regjimin komunist…” (“Realitete krijuese”, f. 13). Dhe më tutje jep vlerësim maksimal si krijues e si studiues për këtë personalitet: Astrit Bishqemi “është krijues që krahasohet me emra të mëdhenj të letërsisë e kulturës botërore. Veprat e tij për fëmijë janë shkruar me art të vërtetë”  (Po aty, f. 15).

Duhet pohuar që vepra e Bishqemit është bërë objekt diskutimi artistik krijues dhe vlerësues shpesh në Shqipëri e më gjerë.

Kujtojmë, për shembull, diskutimin krijues në Pallatin e Kongreseve nga shtëpia botuese “Erik” për krijimtarinë e këtij autori në kuadrin e panairit vjetor të librit, në nëntor të vitit 2016 në mos gaboj.

Më 22 dhjetor 2017 në Prishtinë, në mjediset e Institutit Albanologjik, qe organizuar promovimi i leksikonit “Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, 1886- 2017”. Në atë veprimtari u mbajtën 6 kumtesa nga studiues të shquar kosovarë, të cilat u botuan në vitin pasues në organe të ndryshme të shtypit, në Kosovë e te ne.

Në kuadrin e 110-vjetorit të shkollës Normale, Universiteti “A. Xhuvani” i Elbasanit, në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike të Shqipërisë, Bibliotekën Universitare dhe Bashkinë e Qytetit, organizuan “Javën e albanologjisë”. Veprimtaria e një dite të kësaj “Jave” (14 dhjetori 2019) iu kushtua posaçërisht krijuesit e studiuesit prof. Astrit Bishqemi dhe veprës së tij.

Të shumta janë çmimet kombëtare për Bishqemin. Mund të rreshtonim çmimet e fituara për një mori vepra të veçanta. Le të kujtojmë, fjalabie, librin “Thesi i gjallë”, që u cilësua libri më i mirë në prozën për fëmijë i vitit 1998 në Konkursin e shpallur nga Ministria e Arsimit. Apo librin me novela e tregime “Kacafytja me ujkun”, i cili u vlerësua si libri më i mirë i vitit 2018 për fëmijë e të rinj i botuar në Kosovë… Po edhe krijimtaria e viteve më të fundit të autorit ka qenë e suksesshme. Përmendim për shembëll romanin Shën Grushti, që Juria e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë, ngritur nga Ministria e Kulturës, veprën e futi në pesëshen e librave më të mirë për fëmijë të vitit 2020.

Në vitin 2009 nga Ministria e Kulturës dhe Sektori Shqiptar i IBBY-t Astrit Bishqemi u nderua me Çmimin e Karierës për “punë të përkushtruar në studimin e letërsisë shqipe për fëmijë dhe si krijues i afirmuar”. Madje, në vitin pasues qe nominuar kandidat për çmimin e lartë  botëror “Astrit Lingren”, që jepet në fushën e Letërsinë për Fëmijë e të Rinj (shih në internet: Astrit Lingren Avvard 2010).

Ja përse me rastin e 80-vjetorit të jetës, i urojmë Astrit Bishqemit:

Paç jetë të gjatë, të bardhë e të shëndetshme, miku ynë fisnik e i vyer!

Exit mobile version