Kreu Letërsi Bibliotekë “I gjithmonnshmi”, tregim nga Ismet Aliu

“I gjithmonnshmi”, tregim nga Ismet Aliu

0.

Mjegull!

Kështu ka qenë gjithmonë…                                     

Mjegulla është e lashtë sa gjithë ekzistenca jonë. Kur kemi ardhur nga Edeni, Mjegullën e kemi gjetur këtu. Ndoshta ajo qëllimisht na ka pritur këtu por, pa praninë tonë ajo e ka mjegulluar vetëm vetveten, ndërkaq me ardhjen tonë ajo na ka mjegulluar ne. Ndoshta për shkak të mëkatit që bëmë në Eden Mjegulla na priti këtu.Për çudi një pjese të njerëzimit kjo i ka pëlqyer. Mendoj se krejtë domethënia e ekzistencës së saj është: kush di të orientohet nëpër Mjegull mbijeton, kush nuk di e përpin Mjegulla.

1.

Denbabaden ne kemi jetuar brenda Mjegullës dhe mjegulla pastaj ka jetuar brenda nesh. Por kemi mbijetuar. Mjegulla ka pas përkrahësit. Dhe, kur njerëzit nisën ta kundërshtonin Mjegullën, u rrit numri i Rojeve. Kundërshtarët e Mjegullës u bënë bukur shumë dhe si rezultat i kësaj,  gjithandej, lindën burgjet. Secili që shfaqte shenja shqetësimi për praninë e Mjegullës futej në burg…

Në burg mbijetonte pakkush. Kishte edhe nga ata që çmendeshin. Kjo ishte mrekulli, dhuratë nga Hyu. Ai që çmendej pastaj jetonte lumturinë e pafundme të jetës. Harronte gjithçka. As emrin e vet se kujtonte dot. Deri në frymën e fundit, me atë buzëqeshjen e përmbysur, tek e shikonte Mjegullën, thoshte sall një frazë:

‘’Ç’dritë mahnitëse!…’’

2.

Në Dheun tim, siç kanë thënë pareshtur katragjyshi e ata më herët se katragjyshi, por edhe stërgjyshi, gjyshi im e babai që paçin ndjesë të gjithë, gjithmonë kishin ardhur e kishin shkuar Ushtri të Zeza. Ushtri si rrebeshe shiu me shpirtin vjeshtë.

Ne ishim mësuar ta përpinim  Zjarrin e Dhembjes dhe të heshtnim e në fund të një arke fshehur ta ruanim Zogun e Qiejve për ditën që patjetër do të vinte.

3.

PIKTORI I ÇUDITSHËM

Nuk e di nga ç’ kohë, por kujtoj se ky Piktor, i çuditshëm gjithsesi, për të cilin do t’ju flas, e që mua më kishin folur pareshtur Katragjyshi e ata më herët se Katragjyshi, gjyshi im e babai që paçin ndjesë të gjithë, ka jetuar gjithmonë në burg. Mua më bëhet se jo sall Dheu i ynë, por edhe dhera tjera kishin kaluar nëpr Mjegull madje qysh  nga koha e ardhjes tonë nga Edeni.  Në bazë të hulumtimeve të mia, po aq i lashtë është edhe vetë Piktori. Ai është luftëtar i përjetshëm, ndërkaq  që nga koha kur e kuptuan se po mundohej  ta pikturojë lirinë brenda qelisë së tij thjeshtë e quajtën Piktor…

4.

Njëherë, kur s’di sa breza e breza qenë ndërruar, dhe Piktori kishte kërkuar një papirus që ta vizatonte lirinë, të cilën e kishte parë ëndërr në atë errësirën e pafund të qelisë,  dhe që nuk ishte i sigurt nëse e kishte parë kur flinte a kur ishte zgjuar, kishte kërkuar leje që ta vizatonte ëndrrën. Në vend të papirusit kishte pasuar tallja. Piktori nuk ishte zemruar, meqë derisa po e tallnin, ai po fluturonte në ëndrrën e tij dhe po i lëpinte buzët meqë e kishte puthur Lirinë dhe ëmbëlsia e pafund e saj e kishte dehur, prandaj s’pati mundësi as vullnet që të merrej me talljen.

5.

… Pra Piktorit nuk i dhanë papirusin, megjithatë kjo nuk e pengoi që në gjithë atë errësirë të pafundme të qelisë ta pikturonte Lirinë me gjkun e tij në muret e errrëta.

6.

Të nesërmen dita u la me gjakun e Piktorit.                                                                                                                            Ç’po them edhe unë: dita?! Jo, jo. Në qeli nuk ka ditë, ka vetëm Natë. Anise nuk e kanë hetuar të gjithë, kështu ka qenë gjithmonë… 

7.

Më vonë, pas shumë e shumë qindëvjetshave, Piktori kërkoi një fletë të bardhë që ta pikturonte lirinë. Të gjithë e tallën, por ai nuk e prishi zemrën.  Lirinë që kishte parë ëndërr dhe që s’ dinte nëse e kishte parë kur ishte zgjuar a fjetur, me gjakun e tij e vizatoi në murin e qelisë si atëherë moti kur pati kërkuar një papirus e nuk ia patën dhënë.

8.

Piktori, edhepse qe munduar shumë kohë, kurrë nuk e kuptoi nëse e kishte parë ëndrrën kur ishte në mgjumë a kur ishte zgjuar. Ndoshta kjo i kishte ndodhur meqë në qeli gjithmonë ishtë terr. Ishte terri i stërmoçëm i ndërgjegjes njerëzore.

Pas gjurmimeve të shumta, Piktori kishte ardhur në përfundim se nga truri i paskëshin dalë vrushkuj  drite verbuese, e cila dritë madje ia ka përfshirë gjithë trupin e pastaj qelinë…                                                                                

Më vonë, sa herë e kishin pyetur Piktorin për çështjen e pikturimit të Lirisë që e kishte bërë me gjakun e tij, ai thjeshtë, kishte thënë:                                                                                                                                        ‘’Ajo ka qenë drita e Zotit. Dhuratë, të cilën ju ma keni vjedhur denbabaden. Dhe në atë dritë e kam parë Lirinë, pastaj e kam pikturuar në mur. Mëkat qenka ky?!’’

9.

Zot, Ç’ dritë ishte ajo!!!

Ç’ pamje… me Zogun e Qiejve që ngjitej lartësive trupit tim. Me trupin tim që ishte vetë qielli…

Ishte qiell pa asnjë pikë Mjegulle kund… Sa herë e kujtonte këtë storie Piktori qante. Ishte një si zbrazje, një mahnitje që dilte tej qelisë dhe shkrepte në Tokë e Qiell. Ishte drita e Zotit…

10.

Që nga koha kur Piktori e kishte parë lirinë dhe pastaj të njëjtën e kishte pikturuar në mur, sado i rraskapitur të ishte, i molisur, i përhumbur si në komë, kur e merrnin në pyetje, kishin parë se ai ndriçonte pafundësisht nga një dritë lumturie, e cila i pikëllonte ata që e merrnin në pyetje dhe u fuste një frikë të panjohurnë shpirt…

11.

SEANCË HETIMI

Njeriu tepër serioz dhe zyrtar tepër poashtu, urdhëroi Piktorin të ulej në kolltukun që ai e njihte më mirë se Hetuesi. Ai u ul, por me gjasë përveçse fizikumit të tij, ai nuk ishte aty. Këtë e ndjeu Hetuesi, prandaj mu në lule të ballit të Piktorit e fiku cigaren dhe pastaj i djersitur i tha: ‘’qëndro këtu, derisa të të pyes unë, pastaj theqafën! Piktori s’ tha gjë, veçse kruajti ballin, në të cilin iu bë një pikë e zezë rrethuar me një unazë të kuqe.

Emri dhe mbiemri ?                                                                                                                                                                              

Emrin ma thonë Piktor, ndërkaq mbiemri im është i Përjtshëm.

Pse mbiemrin me nyje.

Nuk e di saktësisht. Kështu më kanë quajtur gjithmonë. Jam mësuar me këtë nyje, edhe me emrin dhe me mbiemrin jam mësuar poashtu. Nyja (I) më pëlqen se i ka këmbët ngulur në tokë, ndërkaq koka shikon lart, pra ëndrron lartësitë.                                                                                                                     ‘’Mirë. A mund të më thuash datën e saktë të lindjes?’’                                                                                                                          ‘’Ju tashmë e dini. Unë duhet të jem i moqëm sa vetë njerëzimi. Në librat e shenjtë Kuran, Bibël, Tora, madje edhe në shumë të tjera shkruan që ne, njerëzit, kemi ardhur nga Edeni…

Aq jam i moçëm unë…                                                                                                                                         

Heshtje…                                                                                                                                                                                                  

12.

Shumë e shumë vjet më vonë, një ditë,  një Hetues tjetër hetonte Piktorin:                                                                                                               

‘’Piktor, vazhdimisht, madje edhe në shënimet e lashta, ato që janë në papirus, sipas asaj që kanë regjistruar hetuesit paraprakë,  ke thënë se nuk e di datën e lindjes. Dakord Piktor, por, të lutem, mos më thuaj broçkulla si përherë, patjetër duhet ta dish sa vjeç je. Pra, sa vjeç je?’’                                                                                                                                        ‘’Me vjet, nuk e di Zotëri, por, e di se në këtë burg, personeli është ndërruar mijëra e mijëra herë, madje edhe shumë më shumë se kaq, e unë gjithmonë kam qenë këtu. E kam pikturuar Lirinë dhe ajo dritë e Lirisë për të cilën ju s’ dini gjë, ngaqë nuk e keni parë kurrë, s’më ka lënë të vdesë… Pra, që nga ardhja jonë nga Edeni, unë jam këtu…

Ju lutem mos më mundoni. Tanimë e deni, brez pas brezi, në ato mijëra e mijëra breze: shkuarje-ardhje të Ushtrive të Zeza, unë nuk kam pasur përgjigje tjetër, dhe s’ kam as tani…’’     

Pasi u mendua shumë kohë, më në fund, Hetuesi i bëri vetes pyetje, nëse piktori ishte i çmendur, megjithatë, ajo dilemë që e brejti atë dhe madje gjithë brezat tjerë të hetuesëve qe ‘’mos ndoshta edhe mund të jetë e kundërta.  

13.

SEANCË TJETËR HETIMI

Hetuesi, sapo u ul piktori, ia pa blanën në ballë. ‘’Nuk është e mundur!’’, i pëshpëriti vetes, tek po e shihte blanën në ballin e piktorit. Iu kujtua se stërgjyshi i tij i kishte folur për Piktorin me blanë në lule të ballit që e ka pikturuar Lirinë.  Pasi ia nguli sytë e përgjakur, në vend që ta pyeste për lëmshin e ekzistencës së Piktorit, ai e pyeti diçka krejtë tjetër:

‘’Sa herë duhet të të  vrasim Ty?!’’

‘’Asnjëherë s’ më keni vrarë zoti Hetues. Jo, jo… Përpos nëse mendoni për vrasjen e trupit tim.                              

Hetuesi s’tha gjë. Ia shikoi blanën edhe njëherë dhe ndjeu marramendje e turbullim. Më s’pati vullnet t’i bëjë asnjë pyetje…   Pas pak u dëgjua zëri i tij i ngjirur që ngjau me tërheqjen e një copë metali të ndryshkur që tërhiqej kalldremit të vjetër, në një fushë me shi:                                                                                                                               ‘’Gardianë, mrreneni’’, tha.

14.            

Kohëpaskohe, hetuesit  pasi lexonin ato mijëra faqe sencash që vetë i kishin shkruar për gjatë kohë, për aq kohë e kohë sa s’ mbahej mend,  atypëraty e humbnin vullnetin që ta merrnin Piktorin në pyetje.

THONË:

Ai ende vazhdon ta piktorojë qiellin në muret e qelisë dhe përmes vrushkujve të dritës së Zotit të dalë tej mureve dhe ta puthë Lirinë pa e hetuar kush…

Exit mobile version