Kreu Letërsi Bibliotekë “Homer ‘i verbër’-në kohë verbanësh”, poemë nga Fatbardh Amursi (Rustemi)

“Homer ‘i verbër’-në kohë verbanësh”, poemë nga Fatbardh Amursi (Rustemi)

(I kushtohet, Khales al-Assad, arkeolog i famshëm, i cili fshehu thesaret e antikitetit nga vandalët e ISISI-t. Ia gjymtuan trupin dhe e varën në një semafor. Gjetiu në një semafor: prostitutat presin klientët. Sirenat e alarmit në Ukrahinë, ku, civilë të pambrojtur këmbejnë Hadin me strehimet; zëri ndjellës i sirenave dhe Odiseja lidhur pas direkut, më çuan në motin e Homerit, si autor i parë, i cili përshkroi një luftë, si ajo e Trojës. Nëse Odiseja kthehet në Itakë, Enea endet nëpër botë në gjetje të atdheut të ri. Nuk mund të mos hiqja një paralele nga bota e miteve tek kjo e mitomanëve, ku verbanët në vend të grisin “perden e hekurt”, merren me kataraktin e poetëve. Alibia e “Homerit të verbër” e përhapur nga verbanët, na bind se jemi ende në kohërat e “Qorrfermanit”, sikurse shkruan dhe “Qorri”: nofka, që verbanët i vunë shkrimtarit Kadare, si e si të barabisnin me Anastas Lulon, i cili njihej me pseudonimin “Qorri”. Duket se po jetojmë një botë me shëmbëlltyra, ku fytyra të merret me kollajllëk prej profileve të rreme, të cilët shfaqen me një identitet të vjedhur.)


1

Në kozmosin, ku shpirti yt ndrit si yllësi,
Të plaçkisin,
Se qënkish një i verbër e dot s’i sheh,
Ndaj me mitet e tua ndodh rëndom, Hirësi,
Mitomanët të të lënë pa katandi e atdhe.

Pa sytë e tu qytetërimi, o Atë i Poezisë,
Një qiell pa yje e teleskop,
Varrezë fosilesh, skelet ushtari pa medaljon,
Nëse ke mbajtur në dorë një shkop,
Magjik ai mbeti për kohën tonë.

Një univers, falë teje, i praruar,
Nga Olimp i zotave tek një had hijnajash,
Me mister e pa nebulozë,
Çdo kod orakujve u zbërtheve
Sikurse kumte me ojna zogjësh.

Zgjohu Homer, të thotë sonambuli,
Po kështu dhe leshkot, vajmedet,
Faji i Çirçes që amfiteatrin
E ktheu në stallë,
Ndërkohë Qiklopi me syrin e vetëm
Tejkqyrsen e Galileit nxjerr në ankand.

Zemërimin e Akilit muzat sjellin si kuisje macesh,
Kaceku i Euolit një airbeck,
Lidhur Odiseja në një tub stripcizmi,
Ndërsa Zeusi bubullin tek Shkëmbi i Kavajës,
Eunukët e zyrave turren të tredhin Prometeun
Dhe mëlçinë t’ia shesin për transplant
Mburrur me shqiponjën në vula dekretesh
Dhe me flatrat që s’i kanë.

Hall i madh, Homer, na ka zënë,
S’kam tjetër veç teje t’i them fjalë shpirti:
E zvogëlua njeriun dhe madhështinë e morën sendet.
Divat na u bën vipa,
Hyjnitë çingi,
Tempujt u kthyen në gazerma
Ku bronzin mediokrit me letra të falsifikuara
Ia hodhën vetes në pronësi.

Hardhucat sërisht përbindësha me luspa peshku,
Lakuriqët e natës hakera,
Oktapodi boss funeralesh,
Vampirët me armë të shfarrosjes në masë,
I kthyen shpikjet në kurthe kavjesh!

Troja ikën sysh nga bombat fosforishente
Ata të stalingradit u bënë hitlerianë,
Sikurse komunisti orthodoks në antikomunist pagan,
Sikurse çifutët e krematoriumeve, të dhomave të gazit
Vrasin të pafajshëm në Gaz,
Në emër të Gazpromit apo rivalit TAP?

Fantazmë e komunizmit në ditë karnavalesh
Kërkohet më kot prej mumjeoidëve në sarkofagun e Leninit,
Sikurse Hitleri në bunkerin e shkrumbuar pa hi Sfinksi,
Bota ka zjarrllëk nga “ngrohja globale”
Duke provokuar me mirazhe hrushoviane “akujsh të shkrirë”
Shoqëruar me psallmet liturgjike të Gorbaçovit me “I dashur armik”?!

Ka më shumë skifterë se zogj, Imzot,
Më shumë peshkaqenë nga delfinë,
Mikrobe, viruse e mikroçibë,
Në sallonet kozmetike e shëmtuara po ia rrëmben kurorën bukurisë
Sikurse e vërteta injorohet me një fake news
Apo kurim imazhi me balsam kompanish.

Më shumë se sa luftëtarë sheh aventurierë,
Gjithkush turret të plaçkisë atdheun,
I kthyer në mall belik,
Ti ndjehesh i tradhëtuar,
I braktisur
Pa shokë e miq.

Në barkun e një kali të drunjtë ushtarë me heshta
Nga barku i avionit lëshohen desantë helmetash,
Si kandil deti,
Hapsirat ajrore mbyllen me urdhër,
Ndërsa ti, o Kalors, endesh me Pegasin përqark,
Edhe pse satelitët, si cuba të qiellit,
Ta zënë udhën.

Je i pari që përshkrove një luftë titanësh,
Ku mizori Akil përlotet mbi trupin e Hektorit
I hequr më parë zvarr,
Një luftë për rrëmbimin e një gruaje,
Kur pengmarrja është kthyer sot në art komercial

Dhe Patrokli flaku rrobat e heroit
E të zë pritë me kapuç të zi,
Vë maskën “rrezik vdekje” prej djalli.
Duhet të fshehësh fytyrën tënde
Më parë se t’i marrësh tjetrit skalpin.

Në Olimp pihej nektarë, Babazot,
Limonadat e gazuara po na e shpifin,
Hormone, farë e keqe, selikon, pesticide, lajka,
Ndotësit e botës
Rendin në ditën e “ujit të bekuar”
Të lajnë gjynahet mbetur në trupin tonë si vraga.

Me Laokoontin mbytur prej gjarprinjëve
Desident i parë,
Tallen fakirë e fallxhorë,
Kompanitë e ilaçeve me melhelm deheroizmi
Gjarpërin na e kthyen në simbol?!

Shampanjë fitoresh derdhet lum
Aty ku fitorja merret në tavolinë,
Druri del mode
Tallashi i presuar merr përparësi, o mik,
Ndërkohë Barka e Nojes ankorohet
Në shtratin bosh të një reaktori atomik.

Poetë selfie
Fustanin e Afroditës në vello Medeje kthyer,
Vetëm për dashurinë thurni vargje duke mos dhënë dashuri,
Suksesi i tjetrit ua helmon shpirtin farmak,
Strehë demonësh si guvë lakuriqësh
Dhe flisni ju për engjëjt me shejtanin në bark!

Një like në facebook
Kjo nyje pisk lidhur gogël
E merrni për syth,
A hajmali,
Ndërkaq kiset mbushin trupin
Dhe mikrobi kërcënon me pandemi?!

Ju kamikazë të fjalës së lirë,
Çdo ushqim t’u japësh e ktheni në helm,
Me inate personale tentoni të ndizni zemërimin popullor,
Si e si të lëndojnë Shqipërinë
Të të bëjnë korte, ty, Kosovë?!

Perdja e syve s’të pengoi të shohësh gjithçka, Homer,
Perdja e hekurt po bie sërisht midis Lindjes dhe Perëndimit,
Ra Muri i Berlinit, por jo Muri Kinez,
Një deus ex machina e kthyer në anije kozmike,
Ku pritet të zbresin alienë.

2

Apokrifi na u bë spekulant,
Plagjiaturisti trafikant me doktoraturë,
“Tregu i lirë” ra në “treg të zi” së prapthi,
Ajo që iku u pandeh se s’kthehej kurrë.

Supermarketeve po u zbehet shkëlqimi
“Mishi i bardhë” tregtohet, si dikur një negër.
I ngritëm himne njeriut të lirë
Po nga na dolën kaq shumë skllevër?!

E bardha ndërron vend me të zezën,
Sikurse gjeraqina me kallogrenë,
Veç i bardhi me zor e gjen gjuhën me zezakun,
Tym i zi, a tym i bardhë në Vatikan
Thua se zgjedhja e një pape do na lumturojë
Dhe i varfëri i tradhëtuar do mbushi barkun?!

Botë e kolorit veç po zbardhet
Ngjyra thjesht po quhet bojë,
Lara-bala sheh kudo,
Ditë e zisë a zi e bukës shtohet
Ndaj Netët e Bardha, ti “bardhezi” shko e festo?!

Kotësi e shpirtit shterp, asket,
Në klepsindër rëra kohën mat,
Sikurse prej plehut po del elektricitet,
Sa shumë zili xixëllonjën e kanë
Ngaqë mbahet veç me dritën e vet.

Plagët i kthyen në tatuazhe
Nishanin e hireshës në njollë turpi,
Virgjëri e qepur po ka duk sot,
Me të zezat e tyre këta zezanë,
Rrobat e zisë i kthyen në modë.

Me gëzhojat e plumbave qorr
Në atdheun tim u bë një kambanë,
Ndoshta prej priftit Kris, mbase Kalkant,
Oh, sa shumë plumba u derdhën drejt qiellit
Për pak, Homer, desh të vranë!

Për kë tjetër bjenë këto kambana?
Orakujt vrasin kohën me fjalëkryqi,
Opinionistët transgjinorë me seksin e engjujve,
Largpamësit me horroskopin,
Konspirativët me mesazhe të koduar mafiozësh sakaq,
Vizonarëve u vënë fashën e zezë në sy,
Sikur të jetë 3D
Dhe i çojnë para togës së pushkatimit me urdhër nga lart.

Mirënjohje Ukrahinë e një populli të bërë bashkë,
Ja që paska atdhe, o kozmopolit,
Ja që mbi sendet fitoka një shpirt,
Kush përdor flakën
Vihet në gjunj prej atij që ka dritë.

Baba Homer thuaji Eneas të kthehet
Se mjaft u end udhëve të botës fillikat
Në rigjetjen e një atdheu të ri,
Se si shumë ia kemi qarë hallin Odisesë
Që mbërriti në Itakë me plot peripeci…

Exit mobile version