Kreu Letërsi Bibliotekë “Hije dhe dritë”, tregim nga Ylli Ajdini

“Hije dhe dritë”, tregim nga Ylli Ajdini

Realisht me Daidjanën njihem prej disa vitesh. Po për fat të keq me të s’jam takuar ndonjëherë. Sidoqoftë, e njoh shumë mirë prej të dhënave që më jep imagjinata, por edhe prej preceptimeve që kam marë nga disa imazhe të pakta që ajo ka postuar në faqen e saj në fb. Ajo ka sy të qelqtë. Ka një të qeshur që të nxit për dëshira të mirëkuptueshme. Ka gjithashtu dhe një trup që të kujton se pse duhet të egzistosh. I braktisa emocionet dhe i dërgova dashamirëses  së letërsisë me ngut një tregim të shkurtër, të cilit, sa i kisha dhënë dorën e fundit. Mbi ekranin e celularit  lexova:

– Uaaauuuu! Interesante! Çfarë libri është?- Nuk arita ta falënderoj sepse pashë të më shkruaj përsëri në vazhdim: -Super shkrim! Më pëlqeu shumë!

Të them të drejtën, më lumturoi çiltërsia e të shprehurit të saj. Po ndjeva gjithashtu edhe se s’më kish kuptuar. Janë orë të vona për komunikim, po mua m’u desh ta sqaroja mirë sepse pas një pauze tjetër që e mora edhe disi si një mosbesim, lexova përsëri :

    – E ke shkruar ti !? ( Ajo kurrë nuk më drejtohet me emër, si p.sh., të më thotë: “shkruan shumë bukur, X”)  Sidoqoftë, nuk se vuaj prej mosbesimit të saj, sepse unë asnjëherë nuk i marë në konsideratë dyshimet, ngaqë nuk mendoj se egziston arsyeja për të mosbesuar. Pak çaste më pas, pasi mora gotën me ujë që e mbaj te  komodina në anën e majtë të krevatit dhe piva pak mbi gjysmën e ujit të mbetur, i ktheva menjëherë përgjigje:

– Po, po. S’e e kam shkruar unë pa ta dërgova.-Pastaj: -Ti e di shumë mirë që unë shkruaj.

Heshtje. Dhe nuk e di pse heshta! Me Daidjanën komunikoj gjithmonë në momentin kur nuk jam nën vëzhgimin e askujt. Po kësaj radhe më shumë se sa më pyeti, ndjeva se u çudit. Çudia e saj më lehtësoi ngaqë duket se diçka me kuptim kam shkruar. Dhe nuk them se s’u gëzova nga kjo ndjesi pozitive, por ndoshta s’është kjo ajo arsyeja reale që më bëri të ndjej atë tjetërsim emocionesh, por unë, atë kuptova realisht. Sidoqoftë, e falënderova edhe unë qetësisht, por dhe çiltërsisht. Përsëri heshtje… Mungesë së shkruari …Pritje… Ndoshta dhe ajo po i shmanget vështimit të dikujt. Po kësaj radhe heshtja e saj nuk ka durim.

– I re ziles. Jam në shtëpi dhe… nuk jam vetëm,- lexova të më shkruajë pas pak prerazi, po ëmbëlsisht. Pavetëdijshëm, kisha bërë një gabim: i kisha rënë ziles ndërkohë që duhej t’i shkruaja. I ngula sytë kujtesës po nuk dija si ta shpjegoja nxitimin. Ndoshta nga kënaqësia për t’i thënë se kam shkruar diçka enkas për të, a ndoshta pavetëdija instiktivisht gjeti rast për të shfaqur dëshirat e veta të fshehta, nuk e di. Kuptohet që Daidjana nuk e ngriti receptorin. Gjithmonë kam vënë re se ajo di t’i kontrollojë emocionet, por faktikisht edhe unë di t’i menaxhoj ato deri në imtësi. Dhe është pikërisht aftësia e zotërimit të vetvetes që kam, që më bën t’i shmangem disi një faji të ndërgjegjshëm. Së bashku kemi bërë një marëveshje, ose më qartësisht me mirësjellje është ajo që më ka kërkuar të mos komunikojmë në telefon, veçse të shkruajmë. Por edhe për kaq, vetëm atëhere kur kjo është e nevojshme. Sa e çuditshme por dhe e pranueshme! Sidoqoftë, e kam pranuar këtë lloj kontrate sepse në thelb më tërheq më shumë karakteri i qënies njerëzore, se sa lodrat e dëshirave, qofshin këto dhe të kuptimta.

-“Më fal për shqetësimin”, –ndërhyra pas pak.

Gjithësesi padurimi jo gjithmonë e ka emrin gabim. Me këtë nuk dua të mëshiroj aspak veten, as dhe ndjesinë e “aventurës”, por as në parafytyrim nuk guxoj ta shoh fytyrën e saj sepse e di që ky proces psikologjik nuk më sjell asgjë reale kur nuk jam në të. Pavetëdijshëm shikimi më vajti te ora e murit. Akrepat e saj nuk po lëviznin. Mendova: “Ndoshta ka mbaruar bateria”. Në çast ndjeva nevojën për t’u mbushur me ajër të freskët. U ngrita nga ku isha dhe tërhoqa tërheqësen e grilave. Hapa dritaren e vetme që ka dhoma ime e gjumit, ngrita kokën, njëkohësisht dhe vështrimin, po askush nuk po më vështronte. Ndërsa unë, çuditërisht, pashë qartësisht qiellin tek vazhdonte të ishte ende pa yje. Ndërkohë një rrymë e freskët ajri më kujtoi se egzistoj.

     Përsëri mëngjes! Po nuk jam i qartë pse ky mëngjes këtë ditë erdhi më shpejt se nga çdo herë tjetër. Tek meditoj ndjej një boshllëk të qënies. Si për ta plotësuar dal nga shtëpia dhe po eci shpërfillur përmes mjegullës që fatmirësisht sa vjen dhe bëhet më trasparente. Ndoshta ecja dhe ballafaqimi me natyrën si gjithmonë do të më ndihmojnë të largoj disi mendimet negative të mbartura nga e djeshmja. Shpresoj. Ndërkohë ngrihem dhe ulem në ato pak stola të montuara rreth stadiumit si për t’i provuar se deri në ç’masë ato e mbajnë peshën e një mërzie të “panevojëshme”. Përse jam këtu?! Ah, po. Po pres ashpërsinë e paqartësive të bëhen më të qarta, më të kuptueshme.

–Kalofsh bukur! -më përshëndesin të njohurit, por unë askujt s’i kthej përshëndetjen. Ndoshta vetëm instiktivisht dikujt mund t’i bëj ndonjë gjest mirësjelljeje, dhe vetëm kaq. Po vendi nuk më mban. I braktis stolat dhe ngrihem të eci përsëri për të larguar nga vetja ato  pak grimca të bezdisshme trishtimi. Në kodrat përball qytetit duket qartë  gjelbërimi me nuanca të ndryshme. Disa re të ulta qëndrojnë mbi faqen e malit thuajse pa lëvizur. “Çudi, sa indiferent që janë njerzit”,- mendoj pasi e shkëput vëmendjen nga thellësitë e hapësirës. Por fundja dhe nuk se është e thënë që kujtdo gjithçka duhet t’i duket siç më duket mua. Gjithashtu si masë ndëshkimi ndaj vetes po anashkaloja edhe thirjen e pasionit për të ndjekur çfaqjet teatrale që do të zhvillohen këtë javë në kinoteatrin e ri të qytetit. Vazhdoja të ecja. Gabimi vjen nga padija, por boll e pashë në sy edhe vetminë, ndaj guxova ti shkruaj:

– Pëshëndetje! Të uroj një fundjavë të bukur!

Po prisja. I kisha ngulur sytë e lodhur mbi ekranin e bardhë të celularit dhe nuk e di se për ç’arsye s’po guxoja t’i largoja ato prej atij xhami të ftohtë. Mendova se gabimi do të kishte pasoja më të mëdha, po gjëndja e këtyre paqartësive nuk zgjati shumë, përgjigjja nga Daidjana erdhi:

– Përshëndetje! Edhe unë ty!

Kjo përgjigje e menjëherëshme më seleksionoi mendimet dhe një ngrohtësi më përshkoi gjithë trupin. Ecejaket në rrugicat e keqkuptimit më në fund morën fund. Menjëherë pas atyre fjalëve përshëndetëse të saj kuptova se mirënjohja është vlerë vetëm e njerëzve me shpirtit njerëzor. Dhe më pas fatmirësisht nuk pati kohë në heshtje. Ajo ishte e gjitha e jona, ndoshta dhe vetëm e imja. Për këtë arsye nuk kam më nevojë të hamendësoj dhe as të mendoj, por ngrita menjëherë jakën e xhaketës për tiu shmangur ftohtësisë së ajrit, dhe nga lumturia e ringjallur humbas në labirintin e mendimeve duke u larguar nxitimthi, po nuk e di për ku. Tek eci ashtu shpërfillur mes mbrëmjes që duket se ka marrë atë pamjen e vet normale, të rënat e sahatit të madh të kalasë së qytetit më detyruan të shikoja vrullshëm akrepat e orës së dorës. Pa hequr akoma shikimin nga ora e dorës mora frymë thellë, dhe menjëherë largohem me nxitim nga jashtësia ku isha, sepse edhe drita e ditës ndërkohë e si asnjëherë tjetër kishte mbaruar pa u kuptuar, porse edhe fare natyrshëm kishte ardhur edhe momenti për t’u rehatuar tashmë në shtëpi. Edhe qyteti tek po e vështroja si me sytë e një turisti të huaj, sikur po më dukej më ndryshe nga çe kisha parë këto dy ditë.

Mesdames, une pile pour l’horloge murale, s’il vous plait. (me shitësen e kinkalerisë, kur përballemi, komunikoj me frëngjishten time të folur jo mirë). Bëra pagesën dhe u nisa me nxitim drejtë shtëpisë. Ndjeva dëshirën për të fjetur.U shtriva në krevat. Por nuk e di nëse do të kem kohë për gjumë. Sidoqoftë, arsyen e këtij dyshimi e kuptoj shumë mirë: Lumturia nuk ka as kohë dhe as durim të merret me shkaqet e saj. Nga përtej dritares nuk dëgjohet asgjë njerëzore, veç rënkimeve e jehonës së mendimeve të pakuptueshme të ndonjë pijaneci të vonuar. Për një çast përqëndrova vështrimin në faqen e murit. “Tik-tak, tik-tak”. Akrepat e mbyllura brenda fushës së bardhë të orës filluan ti japin kuptim kohës. Për vetëm pak orë do të sundoj qetësia. Së shpejti zbardh dita. Por më në fund, jo vetëm!

Exit mobile version