1 – Perënditë ikën …
Nuk dihet pse perënditë u mërzitën
dhe krijuan Njeriun.
U mërzitën keqas përsëri,
dhe shpikën dashurinë.
Mërzia pas kësaj, u tha: mori fund,
dhe perënditë ikën.
Eshtë më e lehtë të ikësh
apo jo?
Njeriu mbeti fillikat
mbështetur pemës së vetme
në mes të fushës,
teksa vetëtimat fshikullonin tokën.
Ajo që shihte natën
duke depërtuar muret,
sigurisht nuk ishte ajo
që shfaqej ditën …
2 – Djeg veten …
Plagë të kuqe, vrima zjarri dhe uri të heshtur,
me kall në gjak, pak e pak,
të mos rrëzohem.
Ti je si uji i ftohtë për shkretëtirën,
Djeg veten që unë të mos ftohem.
Falemi – kryqëzohemi,
lëmë gjurmë ngazëllimi
moj grua e dashur,
gjithë natën.
Në kishën tonë të përbashkêt.
Përrallë e ngjashme
me djegën e epshit,
Përrallore,
ëndërr – shtegëtim,
A nuk kemi brenda vetes gjithësinë?
Digjemi e digjemi,
dhe hiri i bekuar bëhet polen,
petëlat janë qielli, fluturimi.
Në ne ose askund, gjenden përherê,
botërat dhe amëshimi!
Vizatojmë shenja e hieroglife buzësh,
mbi vijën e lakuar të qafës, e belit,
ti e di është sekret i përveçëm,
ky triumf i natyrës mbi rregullin.
Plagë të kuqe, vrima zjarri dhe uri të heshtur,
më kall në gjak, pak e pak,
të mos largohem.
Je si uji i ftohtë për shkretëtirën,
Djeg veten që unë të mos ftohem…
3- Ujk i zi në dëborën e bardhë …
Një ujk i zi vjen rrotull, nëpër dëborën e bardhë,
Mjegull e keqe, llurbë, mahi tinzare, ç’të hajë?
Kërkon shteg hileqar, ngrehën që ra e u shëmb,
Kurthëruar, fikur, urritur prej boshit që çmënd.
Dhemb stomaku, ulërin britma, instikti nuk humb,
Shuar, shterur, gremisur përthellë, në shkrumb.
Humbje përzhitur, dhëmbë që presin, huti rituali,
Fund i rrëfimit pa fund, heshtak, vdekur i gjalli.
Tërbuar e truar bisha, teknikë inverse dhe gjak,
Gjerb gjah harresash – dëshmia e rrëfimit opak.
Plojë, mite e kohë, që ecin kuturu dhe mbrapsht,
Shkrepëtimat në sy rrinë pezull, sqimë e after life.
Një ujk i zi vjen rrotull, nëpër dëborën e bardhë,
Bota feston mbi gërmadha, llurbë e marri, ç‘të hajë?
4 – Sepse në thelb …
Asgjë nuk na është falur, shputat e këmbëve janë vija – vija,
nga gjurmët në tokën çarë thela – thela prej thatësirës e vuajtjes.
Kemi firmosur një kontratë me shpirtin të mos dorezohemi,
e dimë që lindim e vdesim tek gjuha, atdheu ynë i vërtetë.
Shpesh eh, drita nuk bie siç e do zakoni mbi përmbajtjen,
duke humbur kuptimin e krijimit, (blasfemi liliputësh).
Të degdisur vendeve të errëta, në rrëpira absurde rrëzimi,
refuzojmë të mos ndjejmë atë parehati, e themi jemi mirë …?
Nuk ndalemi, metamorfozat s’janë thjesht akte degradimi,
por harta lundrimi, pasi oqeani është pronë e peshkaqenëve.
Ne vetëm sa kalojmë andej për të mbërritur më shpejt,
në rrebelimin që të shpie tek pyetjet e dyshimet …
sepse në thelb diamanti, është një copë qymyri
që duroi gjer në fund…
5 – Ndërsa pemët vdesin në këmbë …
Kësaj ane të malit është e vështirë për ta ditur,
nëse një maskë është komike,
e frikshme apo e tmerrshme,
nga oxhaqet ku nuk del tym dimri.
Përposh, matanë rrugës, fusha sikur ka vdekur,
duke thyer të gjitha siguritë.
Është një vazhdë aksidentesh,
dhe njeriu nuk ka jetuar kurrë në paqe.
Grija e muzgut apo grija e perëndive
ka hedhur përmbajtjen,
që është plakur vajtueshëm
për të ribërë gjithçka nga e para,
për te qetësuar kohën e zemëruar.
Në monopatin e kujtesës
dallohet shikimi i fëmijës,
formë dashurie dhe admirimi
për këtë plak shumë të shëmtuar.
A nuk ishte Sokrati i tillë dhe zotëronte
një shpirt aq të madh?
Dropulli është si një buzëqeshje
që i mungojnë gjysmat e dhëmbëve,
duke rreshqitur nga një histori e së kaluarës
në akullin e rrëzimit,
ndërsa pemët vdesin në këmbë …
6 – Kërkon një rrugë arratie …?
Kërkon një rrugë arratie vijës së ftohtë të agut (në zbardhtë),
si feksje, si brinjë, që s’di ku humbet golles të zezë të natës.
Të shohin se je gati të hipësh mbi kalë,
A mundesh shurdhimet, pandehmat ti lësh pas,
a ti ndalësh?
Arratia ka ndërgjegjen e vet të çmendur, të panjohur,
Retë enden të zeza, klithin kur të shohin gati për të ikur,
Dikush poshtë barkut pret rrypin e kalit, të biesh, të thyesh kokën,
kurse tjetri i shkul patkojtë dhe merr kamxhikun…
Më bujari, ai që zëra lumi dëgjon, rrjedhën e rrjedhës,
afrohet të shndërrohet në lëndë miti, me armë në dorë.
Ç’farë tundimi ekzistenca, shuar ngadalë mitrës së pjellës,
shenjuar të qëllojë mu në kraharor …
Kërkon një rrugë arratie vijës së ftohtë të agut për të ikur,
fytazi a je bërë gati të ndeshesh me rrezikun,
çdo herë i braktisur …?
7- Zogjtë Kagaro mbi oqean …
Këndojnë zogjtë Kagaro mbi oqean,
qiell’ i natës vajtimin dërgon larg,
matanë.
Paqësori sonte qenka llahtaruar.
Egërshan, zemërak, dallgë,
gjëmon kambanë,
sikur diçka të pistë, të vjetër
po e mbyt natës ngadalë.
Këndojnë a ngashërehen
zogjtë Kagaro mbi oqean?
Ngashërehen, ngashërehen
zogjtë Kagaro mbi oqean,
drit ‘ e parë e agut kontinental,
nxjerr kryet,
fshikëzës së çarë …
Zogjtë Kagaro mbi oqean …
8- Adoleshent …
a- Vrapoja …
Vrapoja të kapja gjithë pikat e shiut
që ti të mos lageshe.
Qeshnin gjethet e mështeknave,
pëlqenin leximin dhe heshtjen …
b- Pikturat …
Piktor s’duhet të jetë djaloshi,
që zhgaravit piktura nëpër mure.
Ndërsa muret i pshurin qentë…
c- Njerëzit …
Njerëzit janë të sjellshëm,
nuk thonë gjithnjë të vertetën,
pëlqejnë gjërat e lehta,
s’duan të lëndohen.
Pjesa tjetër: rrënjë të shkulura …
d- Shpresa …
Shpresa është si kalë i çalë,
duhet guxim që ta vrasësh.
Askush nuk beson Shën Judën,
shenjtorin e kauzave tê humbura…
e- Adoleshent …
Adoleshent – hormon në lëvizje,
Vendimin e zgjuar sjell përvoja,
përvoja ngjizur nga gabimet.
Kureshtia vrau macen.
9- EKZOTIKAT
a- Ekzotikat …
Qyteti ekzotikave po shndrin këtë natë,
s’ka shndritur kurrë kaq fort.
Ka shumë heshtje të tij që nuk i tregon.
Pret vështrimin në sytë e dikujt,
për të ndezur qiejt.
b- Ai…
Nuk e dinte nëse ishte ritmi i duhur,
diçka kishte ndodhur.
Kërcyen dhe e çuan ritmin në qiell.
Ndihej shumë mirë kur thyheshin qelqet,
pa u shqetësuar nëse ky
quhej rrebelim.
c- Zjarr …
Ekzotikat shkulën flokët për kohën e humbur,
le të ndërrojmë rolet.
A mund të ndezim një zjarr në rrugë,
për të ngrohur ndjenjën
e lënë në harresë?
d- Ajo …
Ajo kishte kapur një ndjesi,
hodhi hapin e shkujdesur.
Sekretet fshehin shumë çmenduri,
s’do ta harronte asnjëherë flakën.
Dramat janë për budallenjtë e plakur …