Kreu Letërsi Bibliotekë “Hëna hyn në dhomën time”, cikël me poezi nga Xhelal Tosku

“Hëna hyn në dhomën time”, cikël me poezi nga Xhelal Tosku


vendi i sirenave është deti 
ti përse këtu në tokë 


O.
është lulja e bajames
që ra në kopshtin tim 
qysh prej kohësh që nuk mbahen mend 
as fjala nuk i thotë dot të gjitha 
kështu që askush kurrë 
nuk do e marre vesh 
sa e desha


hëna vjen në dritaren time 
hëna hyn në dhomën time
ullishten e kopshtit tim 
e praron hëna në të gjelbër 
portokajt në oborrin tim plot dritë hëne 
edhe lëkura jote 
po të zbrisja në hënë 
hënën do t’a humbisja përgjithmonë 
me ty ndodh ndryshe. 


shtëpitë qielli 
retë lart mbi det 
deti dhe një guackë deti 
askujt nuk mundem dot t’i them lamtumirë


për fatin tim të keq dhe shkakun tënd sot 
përfundova në tavernë 
të shkretën dhimbjen time thashë 
ta mbys me verë

e poshtër kjo bote sa s’ka 
e gjtha për shkakun tend 
në mendje vetëm flokët e tu të verdhë 
dhe kjo dhimbje që të sosur nuk ka 


qiej dhe yje 

si një dru pylli 
dhe  si era
zëri im therret trupin 
tënd 

frymë merr i gjithë universi 


si një dru ulliri
mbrëmjeve pres 
të vije era 

si një fije terfili 
mëngjeseve pres 
të vijë shiu 

dhe netëve 
të artën hënë
unë pres.  

që nën plepat e bardhë 
nën brugat poshtë në fushë 
lumi im 
të ndrijë 

matanë gardhit 
një njeri 
pret dhe ai 

që unë me 
të mos zgjohem. 


qetësia vjen prej yjeve. 
 
sado i thellë 
të jetë deti 

edhe peshku 
edhe peshkatari 
e di fatin e vet. 


rri e rri 
me orë të tëra mbi hekurudhë
m’paska marrë malli 
me ndigju nje fërshellimë treni
kësisoj njeriu paskam qënë 
unë 


zogu në luginë 

nga lugina 
në pemë 

pema me duart 
tek unë 

shpirti yt 
dhe shpirti im 

do fluturojnë 
nëpër qiej. 


katundi im 
ku janë thanat buzë perroit 
ku është rruga që të çon në shtëpinë time 
po shtëpia ime ku është 


në erresirë kur katundi humb 
kur zë të bjerë i ftohti shi 
që larg ndjehet një hingëllimë 
një hingëllimë gjithë trishtim 
e të vetmes pelë 

e zeza pelë e katundit tim. 


unë nuk kam autobiografi
jeta ime është e vockël 
sa një kokërr meli 
e mori milingona 
dhe e futi në dhe’ 


Faslli Halitit

Ike miku im pa një shenjë  
pa një lamtumirë
më dhimsesh sa ska 
nuk do ta shohësh më qiellin e madh të Myzeqesë
as grunjërat as barin e gjelbër 
as netëve hënën si pjepër 
Pse nuk ndenje dhe pak 
u lodhe u mërzite ta nxinë jetën 
Fshatarët tanë ishin te mençur kur të thanë:
Ǜtu desh poema ty, o Faslli.
Më në fund tani do bëjnë gjumë të  qetë 
të gjithë ata që nuk të deshen
Pse nuk ndenje dhe pak, o miku im 
Jo se do ndryshoje botën 
ti këtë e dije mirë,
edhe kur thoje: lufta bëhet për të vërtetën 
U lodhe miku im, kaq shumë u mërzite këtu që ike?
Me ndje miku im edhe unë herë herë isha me ty 
më ndje, herë herë të kam lënë vetëm 
Ike miku im 
pa një shenjë pa një lamtumirë
Më thuaj të vërtetën ,
ti e di që te ty kisha shumë besim,
ta hapi apo nuk ta hapi portën vdekja?


o Noe, në atë varkën tënde të vogël 
a ka ndonjë vend për Xhelalin  

Exit mobile version